Ndoshta askujt tanimë s’i kujtohet se, disa dhjetëra vjet më parë tatuazhet kanë qenë shenjë e margjinalitetit dhe e mënjanimit. Sot mjafton të hysh nëpër dhomat e zhveshjeve të një palestre apo të shkosh në plazh për të parë djem e vajza me tatuazhe.
Praktikat e zbukurimit, apo ato të ndryshimit të trupit, janë shprehja më e vjetër e më spontane e krijimtarisë njerëzore, siç na i risjell në kujtesë edhe antropologu holandez R. Camphausen. Ndërkaq, ajo e tatuazhit është një art i vjetër, origjinat e të cilit humbasin në errësirën e kohërave. Termi e ka prejardhjen nga fjala polineziane tatu, që do të thotë “të damkosësh me shenja”, pra “të shkruash mbi trup”, ashtu siç bënin popullsitë primitive vendase, që përdornin krehër kocke me dhëmbëza të mprehta, për të futur nën lëkurë ngjyrues (pigmente natyrale të përziera me blozë).
Janë kryer studime të ndryshme psikologjike mbi personat që tatuazhohen. Në çdo rast, është arritur në përfundimin se, motivimi bazë është kërkimi i identitetit personal. Lëkura shërben si telajo mbi të cilën mund të vizatosh shenja që shprehin individualitetin, orientimin seksual, përkatësinë shoqërore apo burrërinë, zhgënjimin, mërzinë e inatin.
Të rinjtë që e bëjnë sot një gjë të tillë duan të simbolizojnë përkatësinë e tyre globale (të jenë “të dukshëm” në botë) e vendore (lidhjen me një grup shoqëror). Të pushtosh trupin tënd me tatuazhe, pirsingë e krehje ekstravagante, do të thotë të kënaqësh edhe një nevojë shumëshqisore, pra të vështrohesh nga të tjerët.
Lëkura është bërë një copë mbi të cilën mund shprehësh dimensionin tënd më intim. Janë të shumtë yjet e Hollivudit që gdhendin emrin e personit që duan apo simbolin e dashurisë që kanë, nëpër pjesë shumë të dukshme të trupit, të cilët, ndoshta disa muaj më pas, i nënshtrohen laserit të kirurgut për ta hequr apo ndryshuar atë që kanë shkruar.
Tatuazhi mund të shprehë edhe përkatësi shoqërore. Ka ende grupe “qytetaro-fisnorëve”, të cilët mbajnë te flegrat e hundës një brilant. Ndryshimi mes nesh e tribuve qëndron te fakti se mund ta zgjedhim vetë grupin që na pëlqen t’i përkasim apo dekorimin që duam të bëjmë.
Tipike e adoleshentëve është pozicionimi kundër një shoqërie që s’e pranojnë, duke tatuazhuar në lëkurë emblema të ndryshme, edhe pse në këtë mënyrë bëhen pjesë e një shoqërie me rregulla akoma më mbytëse.
Ekzistojnë edhe tatuazhe “kozmetike” që shërbejnë për t’i dhënë formë vetullës, për të vizatuar formën e buzëve ose për ta pasur një të tillë të përjetshëm. Përveç kësaj, përdoren edhe për të maskuar shenja jo estetike, që mund të jenë pasojë e një aksidenti apo ndërhyrjeje kirurgjikale.
Është shumë e rëndësishme që këto operacione të kryhen në kushte të duhura higjienike e steriliteti, në mënyrë që të shmangen infeksionet bakteriale apo virale.