Tatimet nisin sot kontrollet te biznesi për inventarët. Pezullimi nga Gjykata Kushtetuese i ndryshimeve të fundit të ligjit për procedurat tatimore, që parashikonte ndër të tjera vetëdeklarimin e mallrave pa faturë deri në 31 dhjetor, nuk do të ndikojë në planin e administratës tatimore për të filluar kontrollin e inventarëve të bizneseve nga 5 janari. Zv.drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Flobenc Dilaveri bën të ditur për Ora News se vizitat fiskale dhe kontrollet për inventarët nuk kanë të bëjnë me ligjin, por është një detyrë funksionale e tatimeve.
Dilaveri: “Ne do të bëjmë vizitat fiskale te bizneset, me qëllim që bilancet e 2016-ës të fillojnë me gjendje sa më reale të inventarëve. Pasi kjo e bën më të monitorueshme situatën në vijim, por është edhe në avantazh të biznesit, pasi e ka më të lehtë të marrë faturat tatimore”.
Numri dy i tatimeve shpjegon se nëse konstatohet se bizneset kanë mospërputhje të inventarëve me gjendjen e mallit, atëherë do të zbatohen penalitete në bazë të ligjit të vjetër, që konsistojnë në konfiskimin e mallit pa faturë.
Dilaveri: “Në rast se ka mospërputhje, atëherë do të bëhet rivlerësimi tatimor dhe mallrat pa faturë do të konfiskohen, sipas ligjit të vjetër”.
Ligji për procedurat tatimore, i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese u linte afat bizneseve që brenda datës 31 dhjetor 2015, të bënin vetë- deklarimin e mallit që kishin në gjendje pa dokumente tatimore, me anë të një fature të përgatitur nga blerësi. Por zv.drejtori i tatimeve shpjegon se pavarësisht se me pezullimin nga Kushtetuesja bizneset nuk janë më të detyruara me ligj, është në interesin e tyre që ta bëjnë auto-faturimin. Pasi biznesi duhet të jetë në rregull me inventarin dhe gjendja e tij duhet të dalë e përputhur.