Gustav Meyeri, gjuhëtar, albanolog, ballkanolog dhe indoeuropianist gjerman u lind më 25 nëntor 1850 në Gros–Shtrehlic (Shlezie) të Silezisë së Epërme. Në vitin 1867 fillon studimet për Filologji Klasike, Indoevropianistikë, Greqishte të re dhe Sanskritisht në Universitetin e Breslaut dhe diplomohet në vitin 1871. Në periudhën 1871-1874 jep mësim në Gjimnazin Ernestin të Gotës dhe më pas në Gjimnazin Gjerman të Pragës. Më 1876 fillon si asistent profesor për gramatikën e krahasuar të greqishtes dhe latinishtes në Universitetin Karl- Ferdinand. Në 1875 merr titullin profesor për sanskritishten dhe gjuhësinë e krahasuar në Universitetin e Gracit, ku edhe emërohet profesor i brendshëm deri në vitin 1881. Në 1897 preket nga një sëmundje e rëndë, e cila, tre vjet më vonë, do ta largojë përgjithmonë nga mjediset e universitetit. At Justin Rrota thotë se Meyeri "diq në një shmendore [çmendinë]" në moshën 50-vjeçare, më 28 gusht 1900 në Feldhof afër Gracit ku ai kish dhënë mësim. Gustav Meyeri ia kushtoi jetën e tij studimit të Greqishtes së Re dhe të Gjuhës Shqipe, e cila prej tij u klasifikua për herë të parë si gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoeuropiane.
Për përkthimin në shqip të "Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe" e realizuar nga dr. Anila Omari, iniciativa u mor nga Rrethi Gjuhësor i Tiranës dhe u ndoq nga studiuesja Ledi Shamku-Shkreli në të gjitha fazat e punës, ndërsa prof. Seit Mansaku ka bërë redaktimin e veprës e cila botohet nga "Çabej" në kolanën "Excipere".
Ndërsa përgatitej dalja nga shtypi i "Fjalorit etimologjik i gjuhës shqipe", u ndodhëm përballë dy perceptimeve që dy njerëz të shkencës po i bënin veprës: i pari që e quan një rrugëtim të gjatë të Meyerit, ndërsa tjetri një Meyer pa rubë. Ku është e pazakonta e veprës që po vjen?
Po, është e vërtetë, rrugëtim të gjatë të Meyerit e quan prof. Seit Mansaku daljen në dritë të këtij Fjalori. Është e habitshme që ne shqiptarët kemi pritë kaq gjatë për ta botuar këtë vepër për të cilën Çabej thotë se "përbën një bazë jo vetëm për studimet shqiptare, por edhe përgjithësisht për studimet ballkanistike". Meyeri shkroi shumë, por Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe, botuar në Strasburg më 1891 është vepra që e bën atë "themelues të albanistikës" - nëse citojmë sërish Çabejn. Në fund të viteve Dyzet, gjuhëtari i shquar Justin Rrota shkruante me pezm se "Fjalori etimollogjìk i Meyer-it qëndron edhe sod mbas mâ se një gjymsë shekulli, si i vetmi në këtê gjinì". Mjerisht Meyeri nuk u përkthye as në Kosovë, ku ishte krijuar një traditë e mirë për botime albanologjike, gjë që nuk ndodhte në Tiranën e ngurtë. "Rrugëtim i gjatë" duhet konsideruar me të drejtë përshfaqja për herë të parë në gjuhën shqipe e këtij Fjalori, jo veç për kohën që ka kaluar por edhe për qëndrimin tejet sektar që gjuhësia jonë institucionale, e mbasviteve Dyzet, pat mbajtë ndaj opusit të Meyerit, e në mënyrë të veçantë ndaj Fjalorit të tij. E për të qëndruar te pyetja juaj, e pazakonta e kësaj vepre që vjen, është se më në fund ajo shfaqet pa rubë interpretimesh, mbas disa dhjetëvjetshash ku për të nuk pati asnjë kritikë pozitive. Tani kushdo mund ta takojë gjuhëtarin Meyer!
Ai "na shpaloi një shqipe larg melodive me buzuq" thoni ju për ta vënë theksin tek teza latine të cilës Meyeri i mëshoi më fort se asaj greke. Me fjalë të thjeshta ku mbështetet kjo tezë?
Nëse Meyeri ka nxjerrë në pah ndikimin latin më tepër se atë grek, këtë nuk e ka bërë për ndonjë dashuri të veçantë të tijën ndaj latinitetit, përkundrazi, Meyeri ishte një grecist i shkëlqyer; ai boton më t'mirën gramatikë të greqishtes për kohën. Por objektiviteti prej shkencëtari e mban larg atë nga sedrat kombëtare. Ai thotë se "patriotët shqiptarë dhe grekët nevojtarë për aneksim, të cilët e kanë të domosdoshme dogmën për lashtësinë e madhe të çdo fjale si mbështetje për teorinë e tyre pelasgjike ose çfarëdolloj teorie tjetër, kur të marrin në dorë librin tim nuk do të gëzohen shumë për mozaikun shumëngjyrësh që paraqitet këtu". Ndaj më të palumturit e këtij objektiviteti janë grekët të cilët i sikletos ndikimi më i madh latin mbi shqipen se ai i greqishtes. Meyeri e mbështet tezën e tij në statistikën e inventarit të shqipes e nëse ai sot kritikohet për "tolerancë ndaj huazimeve", kjo tolerancë ishte proporcionale. Afërmendsh Roma e sundoi 5-6 shekuj Ilirinë, grekët jo. Madje qe elementi shqiptar që më pas depërtoi thellë në Greqi.
Ç'ishte ai oksidentalizëm për të cilin regjimi i kohës do të linte jashtë rrathëve zyrtarë të shkencës veprën në fjalë?
Me thënë të drejtën, jashtë rrathëve zyrtarë të shkencës mbeti pjesa më e madhe e albanistëve të huaj a shqiptarë qofshin, dikush për oksidentalizëm, dikush për nacionalizëm, dikush si kuisling, dikush si klerik, dikush i papartishëm e kështu me radhë. Këtij "objektiviteti shkencor" të institucioneve tona nuk i shpëtoi as Çabej, i cili studimet etimologjike i pat mbështetë në një masë të madhe mbi Meyerin. Dhe vëllimi i parë i veprës së tij madhore nuk gjente rrugën e botimit për shkak të bibliografisë oksidentale. E ky vëllim doli vetëm kur Çabej qe në shtrat të vdekjes. Të jemi objektivë e të mos harrojmë se ç'përfaqësonin një numër njerëzish në Akademinë e Shkencave t'asaj kohe! Duke goditur korpusin historik oksidental të kulturës sonë si rezultat i orientimit politik, fillimisht nga Beogradi e më pas nga Moska, në albanologjinë zyrtare u krijua një krizë e brendshme morale, pasi formimi i etnosit shqiptar nuk mund të ndodhte sui generis, jashtë trajektoreve logjike në të cilat u patën formuar edhe kombet e tjera t'Europës aty në kapërcyell mes Lashtësisë e Mesjetës. Kohë kur Protoshqipja kishte përthithur tashmë terminologji universale të botës së atëhershme. Tagliavini veçon sidomos sferën sociale të leksikut si atë më të ndikuar nga latinishtja. E nuk kish si të ndodhte ndryshe. Dioqezat e Ilirikut Jugor dhe Maqedonisë vareshin n'atë kohë të formimit etnik nga Papa i Romës e jo nga Kostandinopoja. Popujt e rinj që erdhën në Ballkan nuk mund ta kishin përthithur atë latinitet. Pa e zgjatur, mund të pohohet se duke goditur versantin historik perëndimor, të cilin kultura jonë e ka përthithur në mënyrë të natyrshme, zgjidhej problemi partiak, por mjegullohej ai kombëtar, duke i bërë kësisoj një atentat të paprecedent autoktonisë sonë, për të cilën paradoksalisht flitej aq shumë.
Cili është fati i letërkëmbimeve që gjuhëtari ka pasur me iluministë shqiptarë? Personalisht çfarë ju ka lënë mbresë aq sa të thoni që "veç dijes, ata që punuan për ne kishin edhe vetëdijen se po i shërbenin rizgjimit kombëtar".
Dimë ende shumë pak mbi trashëgiminë dorëshkrimore (të pabotuar) që ka lënë Meyeri. J. Kastrati botoi në v. 1967 "Dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedës dërgue albanologut Gustav Meyerit, gjatë viteve 1892-1893"; është botuar edhe diçka në Kosovë aty nga fillimi i viteve Shtatëdhjetë mbi disa letra që Meyeri ka shkëmbyer me Kamardën, De Radën, Kristoforidhin, Berin, Skiroin apo Noqitin. Gjithsesi këto përshfaqje të çmueshme kanë qenë më shumë një ngjërim, që dëshmon se ka ekzistuar një pishtullar tejet i gjerë i Meyerit i cili pret të nxirret në dritë. Ka kohë që studiuesi kosovar B. Baliu ka njoftuar se hulumtues shqiptarë të arkivave, në bashkëpunim me Universitetin e Gracit, po përgatisin letërkëmbimin e plotë të Gustav Meyerit me rilindasit tanë.
Personalisht mendoj se për dijen e Meyerit nuk ia vlen të zgjatemi, ndërsa më ka goditë vetëdija e tij për rolin që luante në Lëvizjen për Rizgjim Kombëtar të shqiptarëve. Historiografia jonë nuk e ka përmendur kurrë Meyerin si rilindas, pasi për ne rilindasit nuk mund të ishin të huaj, dhe kjo është qesharake. E për më tepër, është çmuar më fort, p.sh., roli i Lord Bajronit se ai i Gustav Meyerit, dhe kjo është ende më qesharake. Meyeri militoi për lejimin dhe zyrtarizimin e shqipes në vilajetet shqiptare. Veçanërisht mbresëlënës është fakti se ai i shkruan mëse një herë, dhe personalisht, Portës së Lartë për këtë të drejtë të dhunuar të kombit shqiptar, saku kish përgatitur dhe kursin "Shkurtore e Gramatikës Shqipe" v.1888, në rast se shkollat hapeshin. Ato nuk u lejuan, por siç na njofton N. Mjedja, Gramatika e Meyerit shërbeu për "përsosjen e shkollave" ilegale në gjuhën shqipe që në Shkodër ekzistonin prej kohësh.
Ç'mund të shtohet sot më shumë tek kritikat që i janë bërë veprës dikur? Çfarë rivlerësoi dhe kundërshtoi Çabej në studimet etimologjike të Meyerit?
Natyrisht që kritikat e sotme kanë një tjetër natyrë nga ato që u patën bërë gjer dje. Ruba e politikës nuk pengon më kritikën objektive shkencore. Vepra e Meyerit sot mund të shihet në një dritë krejt tjetër, ashtu sikurse shihen në dritë tjetër edhe veprat e Aristotelit, Tomë Akuinit, Darvinit, Saussurit, Rizës apo Trockit. Kritika ndaj Meyerit mund dhe duhet bërë sipas të njëjtave shtigje që ndoqën fjala vjen Pederseni, Jokli, Çabej, Kamsi, Ashta apo Orel, të cilët në nderim të madh të veprës së Meyerit, rishqyrtuan, rivlerësuan, zhvilluan e përsosën përfundimet e tij, gjithë me dashjen për të ngritur atë që Kolë Ashta e pat quajtur "përmendore e leksikut historik".
Sa i përket Çabejt, vepra e tij etimologjike është shembulli më i përsosur i asaj që ju e quani "shtesë e kritikës". Çabej e korrigjoi Meyerin në shumë pika duke e trajtuar atë si një monument. Çabej nuk e rrëzon atë ngrehinë. Ai e restauron me teknikat bashkëkohore, pa qëllimin e keq për t'ia ndryshuar thelbin. Çabej thotë se Meyeri "është përfolur shpeshherë që e kishte mbiçmuar disi elementin e huaj në visarin e fjalëve të shqipes. Këto kritika duan gjykuar me frymë objektive. Gustav Meyeri është munduar me sa mundi të mbledhë leksikun e shqipes që dihej në kohë të tij...". Dhe shton se ai ishte "47 vjeç kur e la veprimtarinë e tij shkencore... Po të kishte jetuar më gjatë mbase do të kishte kryer dhe një ribotim të zgjeruar të Fjalorit të tij". Për ta mbrojtur nga kritika e kohës, Çabej është i pari që i sjell ndërmend Tiranës zyrtare se Meyeri për atë vepër kish marrë një çmim të vlerë nga Akademia Franceze, duke theksuar jo pa qëllim shprehjen "nuk besoj të dihet ndërkaq që ky dijetar me këtë vepër mori çmimin Werner të Akademisë Franceze". Është e qartë se kujt ia drejtonte ai këto fjalë.
Ç'mund të thuhet për vështirësinë e përkthimit të një vepre si kjo?
Dihet se përkthimi i fjalorëve etimologjikë konsiderohet punë e një vështirësie të lartë. Kjo vjen për disa arsye, por më kryesorja është raportimi i gjuhëve të ndryshme me njëra-tjetrën, raportimi fjalëve të së njëjtës gjuhë por të epokave të ndryshme, raportimi i alfabeteve të veçanta dhe shenjave specifike të tyre e kështu me radhë - pos terminologjisë që shpesh varion nga një vend në tjetrin. Në rastin konkret vështirësia e këtij përkthimi ishte edhe më e madhe pasi kemi të bëjmë me një vepër të botuar më 1891-shin. Dhe që atëherë kanë ndryshuar edhe vetë konceptimet e fjalorëve etimologjikë. Kështu që një përkthim i tillë, nga pikëpamja shkencore, nuk mund të bëhej pa një mendësi retroaktive. Kësaj vështirësie ia ka dalë me sukses studiuesja e njohur Anila Omari, e cila mund të ishte ndër të paktit në vend e aftë t'ia dilte mbanë një ndërmarrjeje të tillë. Dua të shtoj se studiuesja në fjalë është edhe eksperte e gjuhësisë historike e që ka cekur Meyerin qysh në vitet Tetëdhjetë.
Do doja të theksoja këtu se pas konsultash të nxehta, u mendua që në veprën e përkthyer të vihej si formë e parë fjalësi i transkriptuar i këtij Fjalori, me qëllimin për t'ia rritur atij lexueshmërinë edhe për ata që nuk janë ekspertë të alfabeteve tona të vjetra. E gjithsesi, brì lemës së transkriptuar, u shenjua gjithkund e me rreptësi edhe grafia origjinale e Meyerit, si dëshmi e vyer e evolucionit të grafisë sonë. Për këtë fjalor Meyeri hartoi një alfabet të posaçëm, pasi kjo vepër shënonte një zhvillim të ri në gjuhësinë shqipe; e ky alfabet u konsiderua mandej një gur i rëndë në peshoren ku rëndonin alfabetet konkuruese në Kongres të Manastirit 1908 - atëherë kur dhe u përcaktua lloji i alfabetit që Shqipja Moderne do të kish më pas. Në një masë të madhe sot ne ja detyrojmë edhe "ngjyrimit" latin të Fjalorit të Meyerit – kësaj pike të fortë referimi për kohën – rritjen e argumentave pro zgjedhjes së alfabetit latin kundrejt atij arab, e më tepër kundrejt atij grek, alfabet që kishte mbështetës vërtet të fuqishëm.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli