Tahiri prezanton masat e policise per sezonin turistik

Tahiri prezanton masat e policise per sezonin turistik

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri prezantoi sot  nga Shëngjini, masat për sezonin turistik veror. Ministri Tahiri, në fjalën e tij tha se siguria është një faktor kyç për të thithur turist.

Sipas tij, Policia e Shtetit nga dita e nesërme do të jetë në gadishmëri të plotë për të ofruar siguri maksimale për pushuesit që do zgjedhin shqipërinë dhe bregdetin shqiptar si destinacionin e tyre kryesore.

“Kemi vendosur të ngremë në këmbë 31 stacione të lëvizshme police përgjatë gjithë bregut. Po ashtu janë lehtësuar kalimet në pikat kufitare. Policia është e angazhuar 24 orë në 24 për ti ardhur në ndihmë qytetarëve”, tha Tahiri, duke  vijuar me rreshtimin e të gjitha masave të marra nga dikasteri që ai drejton.

Ministri i Punëve gjithashtu i bëri thirrje punonjësve të Policisë të jenë sa më të kujdesshëm në respektimin standardeve dhe cilësisë së mardhënieve mes Policisë dhe qytetarëve, pasi vetëm kështu, nënvizoi Tahiri, do të mund të arrimë rezultate edhe më të mira se sezonin e shkuar.

“Ne konsiderojmë parime të shenjta të punës sonë lidhur me turizmin pa asnjë dyshim standarde te cilësisë dhe të sigurisë për konsumatorët e turizmit dhe për qytetarët”, tha Tahiri.

Sipas tij, sfida kryesore e turizmit nuk është të konsumosh plazhin apo detin, është të vish dhe të gjesh një mjedis mikpritës, të gjesh një mjedis që të ofron siguri, të ofron cilësi, të ofron shërbime cilësore dhe mbi të gjitha nuk ke kokëçarjen e zakonshme që të vish për të gjetur detin, plazhin dhe të mos kesh asgjë tjetër në mbështetje tyre. 

“Është kjo arsyeja pse kemi filluar me pastrimin e plazheve, Ministria Ekonomisë dhe Turizmit së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes ka filluar që nga janari një plan tërësor për pastrimin e plazheve sepse ne besojmë që mbi të gjitha pastërtia është elementi kyç, jo vetëm për të ftuar turistët, por edhe për të garantuar cilësinë e plazheve. Së dyti, vijoi Tahiri, ka të bëjë siguria rrugore. Ministria e Transporteve ka hartuar një plan edhe vjet edhe sivjet për sinjalistikën rrugore. Është shumë e rëndësishme që plazhet dhe destinacionet turistike të jenë të aksesueshme duke bërë të mundur udhëtimin në rrugët e Shqipërisë në mënyrë sa më cilësore dhe sa më të sigurtë”

Ministri Tahiri garantoi barazvlerësim mes Plazheve publike dhe atye private. “Kemi hartuar për të dytin vit dhe është në fuqi dhe sot implementohet nga të gjithë operatorët vendimin e Këshillit të Ministrave për shërbimin e plazheve, e cila detyron të gjithë autoritetet që të shfrytëzojnë një pjesë të plazheve si plazhe private, por me detyrimin që të garantojnë të njëjtat kushte edhe për plazhet publike për tu shfrytëzuar nga qytetarët”, tha ai.

Ministri Tahiri tha se bashkëpunim do të ketë edhe me Ministrin e Shëndetësisë.

 “Nëpërmjet një plani të posaçëm, Ministria e Shëndetësisë ka shtrirë pikat shëndetësore, të cilat ngrihen afër qendrave të pushimit, duke garantuar kështu shërbim të shpejtë, shërbim efektiv në kohë dhe shërbim sa më të mirë dhe cilësor për pushuesit në pikat turistike dhe në plazhet e Shqipërisë. Dhe po kështu, siguria e jetës dhe shëndetit domosdoshmërish përfshin policinë, nëpërmjet një plani masazh posaçërisht të hartuar për sezonin turistik. Është kjo arsyeja që nga nesër Policia e Shtetit kalon në gatishmëri, veçanërisht në pikat turistike, për të dhënë siguri maksimale për qytetarët dhe për pushuesit në të gjitha destinacionet turistike të Republikës së Shqipërisë”, shtoi Tahiri.

Në fund ai garantoi se Sportelet e Policisë së Shtetit do të jenë të hapura 24/24 orë, jo vetëm për të ofruar shërbimin normal ndaj qytetarëve por ndërkohë dhe për të pritur qytetarët që kanë cilëndo lloj ankese apo cilëndo lloj shqetësimi apo cilëndo lloj denoncimi, gjatë sezonit turistik, veçanërisht në pikat dhe destinacionet turistike në Republikën e Shqipërisë.

“Ne jemi mjaft të angazhuar që të bashkëpunojmë me operatorët turistikë dhe pushtetin vendor dhe është për këtë arsye që Policia e Shtetit e konsideron përpjekjen për të garantuar siguri, si një përpjekje të përbashkët ndërmjet Policisë së Shtetit, institucioneve në tërësi, por në veçanti pushtetit vendor dhe operatorëve turistikë. Sepse ne besojmë që vetëm bashkimi i energjive në këtë kuadër mund të prodhojë standarde më të mira për turizmin, sigurisht mund të prodhojë shërbime më të mira dhe pa asnjë dyshim prodhon siguri më shumë, për vetë operatorët turistike por mbi të gjithë, për turistët në Republikën e Shqipërisë. Të gjitha këto masa synojnë vetëm një gjë: – të garantojmë sezon turistik të qetë, të sigurt, të garantojmë shërbime për turistët sa më cilësore, efektive dhe mbi të gjitha të bëjmë ç ‘është e mundur që zinxhiri institucional që garanton sigurinë për qytetarët të jetë i gjithë në këmbë, në funksion të zhvillimit ekonomik që vjen patjetër nga turizmi” ,përfundoi Tahiri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama