Syri i Kalter ne konkursin Naracioni i Novelave grafike 2015

TIRANË, 13 Nëntor / ATSH - Klajdi Musabelliu / -Sipas një legjende, pranë syrit të kaltër dhe zonës përreth, sundonte një kuçedër, një krijesë madhështore që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve, derisa më në fund e vranë dhe, pasi e vranë, nga syri i dragoit buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë tëposhtë në formën e lumit të Bistricës duke ushqyer aty së pari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca dhe duke dhënë më tej, dritën që ndriçon qytetet dhe fshatrat e Jugut.

Në bazë të kësaj legjende, Syri i Kaltër, ose e thënë dhe njohur ndryshe nga të huajt dhe turistët si "Blue Eye of ALBANIA" do të prezantohet së shpejti në konkursin "Naracioni i Novelave grafike, 2015".

Lajmin e bën të ditur Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë me anën e specialistit N.Bajramaj i cili pasi ka realizuar disa shkrepje të fundit në një ndër vendet më magjike, përrallore dhe më atraktive të Shqipërisë, ai thekson se lidhur mbi legjendën që ekziston mbi syrin e kaltër, vendin më të frekuentuar gjatë 12 muajve të vitit DRKK-Vlorë do ta prezantojë atë në konkursin "Naracioni i Novelave grafike, 2015".

Legjenda e Syrit të Kaltër

Një dragua që ndal ujin dhe rrëmben vajzat është i urryer, kurse fakti që syri i këtij dragoi të vrarë shndërrohet në burim jete sikur të çorienton emocionalisht duke shkrirë në një të vetme të mirën dhe të keqen.

Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë.

Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e verbëra të natyrës dhe për t'i hapur rrugën jetës, por edhe varësinë e tij prej natyrës.

"Ne nisi parendo vincitor" (nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar) thotë Bekoni për natyrën.

Syri i Kaltër, i ndodhur poshtë Qafës së Muzinës në Delvinë, pa dyshim që ky vend është burimi karstik më i njohur dhe më unik i Shqipërise .

Një ndër pikat më piktoreske dhe përallore të shqipërisë, prezanton një burim të kaltër ku origjina karstike nga Mali i Gjerë sjell dhe një ujë të kristaltë.

Uji i ftohtë që buron nga thellësia e tokës, 50metra brenda saj, del me forcë në sipërfaqe me një prurje prej 6m3 /s duke krijuar një basen të vogël i cili derdhet më pas në lumin Bistrica.

Syri i Kaltër është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të gjerë.

Syri i Kaltër gjithashtu është shpallur monument natyre.

Forma e tij është ovale e ngjashme me formen e një syri, shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash.

Thellësia e tij është tepër e madhe dhe arrin drei në 45 m thellësi.

Syri i kaltër ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkimi kryesor i malit të gjerë, dhe është një burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.

Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama