Sulaj enderrimtari ne Tirane

Sulaj, ëndërrimtari në Tiranë

Artisti Sulaj që jeton dhe punon prej vitesh në Itali rikthehet në Tiranë pas suksesit të ekspozitës "Libri i Historisë", e inauguruar në GKA në nëntor 2004. Këtë herë ekspozita e tij titullohet "Ëndërrimtari", titull të cilin e mban dhe një nga 25 punimet, të trajtuara në një mënyrë hiperrealiste. "Zgjodha titullin e një tabloje të kësaj ekspozite, duke iu referuar ëndrrës, e cila na ndjek dhe e ndjekim në çdo hap.

Çdo dëshirë për t’i shpëtuar varfërisë shpirtërore dhe rëndomtësisë së jetës nuk është gjë tjetër veçse realizimi i një ëndrre", - tha për agjencinë telegrafike të lajmeve piktori Sulaj. Punimet që pritet të prezantohen në GKA i takojnë krijimtarisë më të fundit të piktorit Sulaj dhe disa vijnë nga fondi i galerisë mjaft të njohur "Forni" e Stefano Fornit në Bolonjë.

Një vepër vjen nga Franca, ku ka qenë e ekspozuar në Fierën e Artit "Triptique", që u mbajt nga 13 tetor-18 nëntor të vitit 2007. Pjesë e ekspozitës së tij do të jenë dhe vepra të ekspozuara në konkursin e njohur për çmimin "Michetti 58", të cilat do të jenë të shoqëruara me katalogët e këtij konkursi. “Në këtë mënyrë dashamirësit shqiptarë të artit do të kenë mundësi të shohin dhe vepra të mjeshtërve të tjerë botërorë të pikturës si Luciano Ventrone, Baltus, Mitoraj, De Chirico, Odd Nerdrum, Sandorfi etj.”, - tha piktori Sulaj.

Në një kënd të veçantë do të ekspozohen dhe veprat me të cilat piktori Agim Sulaj është nderuar me çmime në konkurse botërore të Karikaturës si në Gjermani, Kosovë, Amerikë, Francë, Belgjikë, Turqi, Iran, Itali etj. Krijimtaria në karikaturë i përket periudhës nëntor 2006 dhe janar-shkurt 2008 dhe disa prej tyre janë publikuar herë pas here edhe në shtypin shqiptar. “Do të jetë një konfrontim mjaft i këndshëm me publikun e gjerë artdashës të Shqipërisë dhe jam i emocionuar si gjithmonë kur vij në vendin tim”, - përfundoi piktori i njohur, Agim Sulaj.

Marre nga : Gazeta Standard


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama