Studimi Shqiptaret vdesin per para

Studimi: Shqiptaret 'vdesin' per para

Paratë janë gjëja më e rëndësishme në jetën e shqiptarëve, duke u vendosur edhe para shëndetit. Ky është përfundimi i një studimi për indeksin e jetesës të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, për vitin 2015.

Njësoj si shqiptarët janë përgjigjur vetëm ukrainasit, duke vlerësuar paranë si gjënë kryesore. Ndërkohë, pjesa tjetër e Europës vë theksin te kënaqësitë e jetës, shëndeti, edukimi etj. Pjesëmarrësit që i janë përgjigjur pyetësorit janë grupmosha të reja.

Në Shqipëri kanë dhënë këto përgjigje, si kërkesat më të rëndësishme në jetë:

1.Të ardhurat – Në vendin e parë qëndrojnë paratë apo të ardhurat. Ndoshta për faktin se, shifrat e larta të papunësisë në mesin e të rinjve dhe varësia ekonomike nga familja, i shtyjnë ata të mendojnë vetëm për paratë.

2.Kënaqësitë e jetës – Në vend të dytë janë vlerësuar kënaqësitë e jetës. E kush nuk dëshiron të jetojë jetën në maksimum, me të gjitha kënaqësitë e mundshme.

3.Baraspesha mes punës dhe jetës – E treta është baraspesha mes punës dhe jetës. Duket se nuk ka dëshirë të madhe për karrierë, duke lënë pas dore aspekte të ndryshme të jetës, duke përfshirë edhe familjen.

4.Puna – Kërkesa e katërt më e rëndësishme është puna. Tregu shqiptar ende nuk garanton një shifër të kënaqshme punësimi, për të rinjtë që diplomohen.

5.Shëndeti – I pesti, si aspekt kryesor i jetës së shqiptarëve është shëndeti. Ndoshta edhe pozicionimi kaq lart mund të jetë surprizë, pasi shumë herë thuhet se ne jemi të pakujdesshëm për shëndetin.

6.Arsimi – Shkolla është renditur e gjashta. Megjithëse universiteto-mania është shumë e përhapur ndër shqiptarët, sërish arsimimi renditet vetëm në vendin e gjashtë.

7.Strehimi – Në vendin e shtatë është strehimi. Çështjet e pronave dhe rëndësia e të pasurit një shtëpi, duket se janë ndër shqetësimet kryesore për shqiptarët.

8.Siguria – Siguria është renditur në vendin e tetë. Me sa duket, për personat e pyetur, ky aspekt është ende në pikëpyetje në Shqipëri.

Në tre vendet e fundit për nga rëndësia, shqiptarët kanë zgjedhur komunitetin, mjedisin dhe angazhimin social. Këto tre elementë janë me shumë pak vlerë për jetesën e tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama