Studimi Dhe kulmi i krijimtarise arrihet ne moshen?

Studimi: Dhe kulmi i krijimtarise arrihet ne moshen?

Një studim i ri nga Filip Hans Franses i Shkollës së Ekonomiksit të Erasmus në Holandë mund të ketë gjetur kohën se kur jemi në kulmin e krijimtarisë.

Franses analizoi jetëgjatësinë e 221 piktorëve të famshëm nga viti 1800 deri në vitin 2004 dhe zbuloi vitin kur kishin qenë më krijues në bazë të pikturës së shitur më shtrenjtë të artistit.

“Për secilin nga këta artistë, piktura më e shtrenjtë u identifikua dhe u mor si një tregues i pikut të krijimtarisë”, u shpreh studiuesi në hulumtimin e tij.

Ai zbuloi se piktorët kishin prodhuar veprat artistike më të vlerësuara kur ishin mesatarisht 41.92 vjeç. Ai theksoi gjithashtu se pikturat ishin krijuar kur artistët kishin jetuar rreth 62 për qind të jetës në përgjithësi. Përqindja është çuditërisht shumë afër “raportit të artë” të zbuluar në art, natyrë dhe madje edhe në parashikimin financiar.

Nëse raporti është i vërtetë për piktorët, mund të funksionojë edhe për fusha të tjera? A jemi të destinuar të prekim kulmin e krijimtarisë në kohën kur kemi jetuar dy të tretën e jetës? Për shembull, nëse jetoni deri në 85 vjeç, kjo nënkupton se piku i krijimtarisë suaj do të ishte rreth moshës 53-vjeçare.

Është një nocion intrigues. Deri në moshën 50 e ca vjeçare kemi marrë pothuajse të gjithë formimin dhe përvojën që duhet të kemi. Në këtë pikë, mund të thuhet se kemi rreth 30 vjet eksperiencë. Për më tepër, në këtë moshë duhet të kemi arritur momentin kur jeta jonë është më e qartë. Teksa i afrohemi pensionit, i marrim gjërat më pak seriozisht, bëhemi më të përqendruar te mendimet tona dhe i japim vetes të drejtën për t’u thelluar më shumë te  qenia jonë. Jemi të mbushur me ndjesitë e duhura për të pasur një shpërthim krijimtarie.

Dy e treta e jetës suaj mund të jetë koha kur keni më shumë energji, mençuri dhe motivim për të bërë kontributin më të mirë për njerëzimin. Është koha për t’i lënë të gjitha gjërat e panevojshme mënjanë dhe për t’iu përkushtuar një vepre që do t’ju bëjë të paharruar për shumë të tjerë.

Padyshim që ka fusha ku raporti i artë nuk është i domosdoshëm. Një rregull i pashkruar midis matematikanëve këshillon që ata ta publikojnë punën e tyre më të rëndësishme, përpara moshës 30 vjeç ose përndryshe nuk do ta njohin kurrë famën. Për disa profesione, mund të jetë krejt e kundërta. Priftërinjtë për shembull, mund të arrijnë majën e karrierës pas moshës 60 vjeç.

Ka edhe pyetje të tipit: “Po nëse më ka ikur dy e treta e jetës, kjo do të thotë që nuk mund të krijoj më?”. A mund ta përballoni idenë se nuk do të jeni kurrë krijues në jetë? Unë ju ofroj këtë këshillë. Së pari, krijimtaria nuk është i vetmi aktivitet që i shton vlerë dhe plotësim jetës suaj. Merrni parasysh veprimtari si mësimdhënia, këshillimi apo çdo aktivitet tjetër që ju lejon shpërndarjen e mençurisë që keni grumbulluar.

Së dyti, kurrë mos u dorëzoni. Metodat sistematike të krijimtarisë mund t’ju shndërrojnë në një “makineri idesh” pavarësisht moshës. Mësojini këto metoda, perfeksionojini dhe praktikojini vazhdimisht. Duke bërë kështu, do ta bëni botën një vend më të mirë dhe do t’i krijoni vetes një kulm të ri krijimtarie.

Si të rrisni nivelin e krijimtarisë

1. Mos kini frikë të jini ndryshe. Ndryshe është mrekulli! Nëse jeni ndryshe kjo është rruga e duhur për të pasur një veçori, që do të bëjë ndryshimin në jetën tuaj.

2. Mbani gjallë kuriozitetin. Njeriu që nuk shtyhet drejt së panjohurës, ka shumë pak mundësi të njihet me gjërat e pazbuluara më parë prej tij. Nëse po kërkoni të jini më krijues, kurioziteti është një nga elementet më të rëndësishme që ju duhet.

3. Zhvilloni talentin. Që të jini në majë të krijimtarisë, do t’ju duhet të mbështeteni te gjërat që dini të bëni më mirë dhe këtu bëhet fjalë për talentin tuaj.

4. Shoqërohuni me njerëz që ju nxitin ide. Shprehja “Zgjidhe mikun më të mirë se vetja”, funksionon më së miri nëse bëhet fjalë për krijimtari. Mbani pranë vetes njerëz që ju frymëzojnë dhe suksesi s’do të jetë larg.

5. Vëzhgoni. Mos i shikoni gjërat, vrojtojini ato. Nëse arrini të depërtoni thellë materies së një sendi, atëherë do t’ju vijnë ide fantastike që do t’ju ndryshojnë jetën.

6. Mbajeni veten me të mira. Krijimtaria është një fushë e jetës që ka nevojë për mirëqenie si trupore, ashtu edhe shpirtërore. Që të jini sa më krijues, atëherë përpiquni të mos ju mungojë asgjë nga ato që i cilësoni si të nevojshme.

7. Përdorni imagjinatën. Nuk është e thënë ta mbaroni një punë që ta shikoni rezultatin e saj. Më parë përdorni imagjinatën, perceptoni sesi do të dalë vepra juaj dhe çfarë duhet t’i shtoni.

8. Mos u mbysni nga idetë. Nëse ju vjen një mendim i çastit, filloni ta perfeksioni, por jo deri në atë pikë sa t’ju vijnë vazhdimisht ide dhe të mos realizoni asnjërën. Kjo këshillë ju rekomandon që t’i konsideroni idetë në fazën fillestare, gjatë zhvillimit ngulmoni në idenë e zanafillës.

9. Gjeni problemin e vërtetë. Nëse keni ngecur në një pikë të punës, gjeni çfarë po jua shkakton këtë ngecje. Vetëm duke vepruar kështu do të jeni në gjendje ta zgjidhni problemin me sukses dhe të ecni përpara.

10. Besojini vetes. Kurrë mos ndalni së besuari vetes, do të bëni me siguri gjënë e duhur kur të vijë çasti ideal. Shkoni gjer në fund të iniciativave që ndërmerrni dhe do të shpërbleheni.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama