Studentet e regjisures sjellin risi ne UA

Studentet e regjisures sjellin risi ne UA

Kanë kaluar vetëm disa ditë kur në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, një grup studentësh të regjisurës, vunë në skenë një shfaqje ndryshe nga të tjerat, e cila i përkiste teatrit absurd. "Të fluturosh - Çfarë lumturie" ky ishte titulli i veprës që studentët Françeska Hysi, Ledio Shehaj dhe Roland Plaku vunë në skenë të mërkurën e kaluar në Universitetit të Arteve. Ky lloj teatri në Shqipëri është shumë pak i njohur për publikun dhe regjisorët që kanë vendosur të tilla shfaqje janë të paktë. Është risi gjithashtu që këta studentë bashkëpunuan me kolegë të Fakultetit të Muzikës dhe Baletit duke gërshetuar së bashku disa zhanre për të sjellë një shfaqje tepër komplekse.

Ledio pse zgjodhët pikërisht këtë vepër për ta ngjitur në skenë dhe jo diçka tjetër?

Studentët e regjisurës të ndarë në grupe, gjatë çdo semestri duhet të përzgjedhin materiale dramaturgjike dhe materiali që iu duket më i përshtatshëm sipas shijeve personale të tyre, por në konsultim edhe me pedagogun udhëheqës zgjidhet për t'u dhënë provim. Për publikun quhet shfaqje, kurse për ne provim. Grupi ynë përbëhej nga 3 studentë ku përveç meje ishin kolegët Roland Plaku dhe Françeska Hysi. Pasi kishim lexuar disa vepra, kjo ishte ajo që na bëri më tepër për vete. Kishim dëshirë të provonim një tjetër gjini të teatrit që nuk e kishim provuar më parë, absurdin, dhe ashtu u bë. Ishte dramaturgji e vështirë, por me përkushtim e dashuri ndaj punës, ja arritëm qëllimit.

Sot pjesa më e madhe e publikut janë më tepër të prirur drejt komedisë, kurse ju keni sjellë një "shfaqje absurde". E keni menduar ndonjëherë se mund të "dështonit" me këtë shfaqje duke patur parasysh atë çfarë kërkon publiku?

Leksioni i parë jo i shkruar që kemi marrë nga kjo shkollë është: "Dështimin në xhep e kemi, kështu që le të provojmë." E mira e  shkollës sonë është që të jep mundësinë të eksperimentosh. Dhe nëpërmjet këtyre eksperimenteve një artist, në rastin konkret regjisori arrin të testoj vetveten dhe të gjejë atë që i përshtatet më tepër. E di që një komedi do të ishte shumë  më e pëlqyer për publikun, por kjo nuk ka të bëj me publikun, ka të bëj me studentin/regjisorin që do t'i provojë të gjitha dhe përderisa është në shkollë pse të mos i provojë? Në shkollën tonë të jepet mundësia edhe të gabosh, ndërsa kur vendos një shfaqje si regjisor jashtë universitetit, atëherë duhet të mendohesh dy herë para se të zgjedhësh.

Dy prej jush përveçse regjisor të pjesës keni zgjedhur dhe të aktroni vetë. Pse kjo zgjedhje?

Unë sapo e lexova veprën herën e parë më pëlqeu shumë personazhi që tashmë e interpretova. E njëjta gjë i ndodhi dhe kolegut tim dhe ai më pyeti: Po sikur të luajmë vetë?! Përveç kësaj ne kemi një lëndë të quajtur “Mjeshtëri Aktori”, që duhet mbrojtur dhe në këtë mënyrë përveç dëshirës për të interpretuar mbrojtëm dhe lëndën e “Mjeshtërisë”.

Si ka qenë e konceptuar kjo shfaqje?

Edhe pse në skenë janë dy personazhe ne i kemi konceptuar si një person i vetëm, pra si trupi dhe shpirti ose si njeriu dhe ndërgjegjja. Dhe ajo që thuhet nëpërmjet kësaj vepre është që njeriu për çfarëdo lloj hapi që do të marri duhet ta gjej forcën brenda vetes së tij. Nëse ai beson tek ajo që do të bëjë, ai mund ta bëjë vërtet.

Në këtë shfaqje binin në sy elementët e përdorur si skenografia, kostumografia, koreografia, por ajo që spikaste më tepër ishte muzika, e cila luhej live në skenë. Si arritët ti bashkonit bashkë të gjithë këta elementë?

Ne menduam të integronim brenda pjesës një performancë të shkurtër kërcimi, e cila shërben si një moment rikujtues për 2 personazhet dhe për këtë na ndihmoi njëra prej pedagogeve të koreografisë, Kozeta Bakiu duke na dhënë 6 studente të saj. Skenografia u realizua nga kolegu ynë Ened Kuka. Ai diti ta nuhaste shumë mirë erën e mendimeve, që ne kishim për skenografinë duke e realizuar në mënyrë perfekte. Ndërsa përsa i përket muzikës ne menduam ta kishim "të gjallë" në skenë, pra live. Kontaktuam me mikun tonë Iliard Shabën, e ftuam të interpretonte për ne dhe kështu u krijua një performancë muzikore shumë e mirë.

Keni hasur vështirësi për realizimin e shfaqjes?

Të punosh për të nxjerrë një shfaqje është gjithnjë e vështirë. Ka shumë gjëra që duhen bërë. Sidomos kur luan edhe vetë, por duke qenë se ne ishim tre regjisor, kjo na i lehtësonte paksa punën pasi gjithsecili merrej me diçka. Nëse ka dëshirë për punë dhe bashkëpunim, ky është çelësi i suksesit që bën të shkojë mirë çdo gjë. Përveç këtyre kemi patur mbështetjen e stafit administrativ të Universitetit të Arteve, të profesorit tonë të regjisë Donard Hasani, zyshave të “Mjeshtërisë së Aktorit” Aneta Malaj, Taulanda Jupi,  si dhe të shokëve tanë të kursit, të cilët gjej rastin t'i falënderoj edhe njëherë.

Ju tashmë quheni student i diplomuar. Do të vazhdoni të vini në skenë shfaqje të tjera ?

Profesori na thoshte: "Po mbaruat vitin e tretë quhemi koleg pastaj. "Ne sapo kemi mbaruar programin e studimit bachelor dhe tashmë quhemi regjisorë. Në nëntor fillojmë studimet e nivelit Master dhe ky program studimi përfshin përsëri vendosjen e një shfaqjeje për semestër kështu që padiskutim do këtë edhe shfaqje të tjera, pse jo edhe shfaqje jashtë Universitetit sepse tashmë ne kemi marrë formimin e duhur dhe mund të punojmë në mënyrë të pavarur nga shkolla. Oreksi i të bërit teatër sapo na ka filluar kështu që besoj se do ketë edhe punë të tjera.

Një këshillë për të gjithë ata që duan të vazhdojnë studimet për regjisurë...

Është një profesion shumë kompleks që kërkon të dish pak nga të gjitha, kërkon të lexosh shumë, kërkon dashuri dhe përkushtim të madh, kërkon disiplinë ushtarake, kërkon dhe bashkëpunim, sepse nuk mund ta bësh vetëm. Më vjen për të qeshur sepse këto fjalë na janë thënë kur kemi hyrë në këtë shkollë, por duke qenë pjesë e saj për tre vite kam konstatuar se janë të gjitha të vërteta. Nëse mendoni se teatri është pasioni juaj, konkurroni! Pasioni është ai për të cilin ka nevojë ky profesion.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama