Studentet e Shkencave denoncojne dhunen e policise

Studentet e Shkencave denoncojne dhunen e policise

Studentët e  fakultetit të shkencave të natyrës kanë  vazhduar protestat e tyre për gjendjen e mjerueshme, në të cilat ndodhen laboratorët ku ata kryejnë praktikën, mëngjesin e djeshëm. Një situatë e pakëndshme ka ndodhur, kur vetëm pak minuta pas tubimit të tyre në oborrin e FSHN-së, kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë shoqëruar në Komisariatin nr. 3, 5 prej studentëve, ndër të cilët tri vajza dhe dy djem. Ata janë mbajtur për rreth 1 orë e 30 minuta në dhomat e paraburgimit dhe më pas janë liruar.

Tri vajzat tregojnë për “Shekullin” se gjatë protestës së tyre nuk kanë kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm, i cili do të justifikonte shoqërimin e tyre. “Prej disa ditësh kemi kërkuar kushte dhe mjete në laboratorët  ku zhvillojmë praktikën. Kemi qenë rreth 60 vetë dhe pas lajmërimit të policisë nga kancelari i fakultetit të Shkencave të Natyrës, ne dhe dy djem jemi marrë me forcë nga policia”, tregojnë për “Shekullin” Alketa Hyko, Zana Onuzi, dhe Elsa Paja. Ndërsa dy djemtë, edhe këta studentë në degën e Kimisë, janë Mikel Tare dhe Marsel Llaho.  Gjatë qëndrimit në komisariat, studentët nuk kanë pranuar të flasin, në mungesë të një avokati dhe kjo ka bërë që të presin deri në mbërritjen e tij.

“Na mbajtën rreth një orë e gjysmë. Na kërkuan 3 herë emrat dhe të dhënat. Kërkuan një deklaratë nga ne por nuk pranuam. U thamë që pa praninë e një avokati, nuk mund të japin një deklaratë. Na mbajtën në ambientet e paraburgimit”, – citon Hyko. Duket se shkak, për konfliktin e shkaktuar është bërë bojkoti i orëve laboratorike dhe pezullimi nga detyra i pedagogut Sokol Abazi, të cilët krijuan mbështetje reciproke me kauzën e përmirësimit të kushteve dhe infrastrukturës në sallat laboratorike, pasi sipas tyre ata kanë degraduar në gjendje të tillë që rrezikon shëndetin dhe jetën e tyre nëse nuk investohet. Ata thanë se nesër do të jenë sërish në protestë në ambientet e fakultetit dhe do t’i vijojnë ato deri në plotësimin e pikave të peticionit.  Sipas tyre, dekani i fakultetit nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë të studentëve për garantimin e sigurisë së jetës së tyre brenda ambienteve të fakultetit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama