Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, kërkuan dje në mënyrë të unifikuar përfshirjen në nismën Adriatiko-Joniane edhe të dy vendeve të papërfaqësuara, Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo kërkesë erdhi gjatë tryezës së zhvilluar dje në Tiranë, në kuadër të Konferencës XII të Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, e themeluar nga Komisioni Europian. Në tryezë merrnin pjesë kryetarët e Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës, të Kroacisë, të Greqisë, kryetari i Grupit të Miqësisë Itali-Shqipëri, nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, si dhe nënkryetarja e Parlamentit të Sllovenisë. Në këtë takim, Rama ishte i qartë në kërkesën për përfshirjen e dy vendeve të tjera të rajonit në këtë nismë.
Është me rëndësi propozimi për përfshirjen e Prishtinës dhe Shkupit në nismën Adriatiko-Joniane. Kjo nismë është një urë për të ndërlidhur aktorët e niveleve të ndryshme në bashkëpunime të reja, dhe për të bashkëvepruar në prioritet për integrimin europian, tha Kryeministri Rama.
Kurse Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në fjalën e tij theksoi se Shqipëria u kushton rëndësi të veçantë nismave rajonale, dhe veçanërisht nismës Adriatiko-Joniane, sepse beson në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, që në terma konkretë do të thotë shembje e barrierave dhe pengesave të panevojshme që kemi trashëguar nga e kaluara. Sipas tij, Shqipëria përfaqëson një hapësirë të rëndësishme transiti tregtie, mallrash dhe energjie, duke qenë në zemër të disa prej arterieve më të rëndësishme ekonomike për të ardhmen dhe për rrjedhojë, hapësira jonë merr një rëndësi të veçantë për sigurinë mjedisore dhe energjetike të Bashkimit Europian.