Stine urie ne Tirane

Stine urie ne Tirane

Dy greva urie, njëra pranë zyrës së Edi Ramës, tjetra pranë Parlamentit shqiptar; të tjera protesta me uri priten të nisin në vend. Duket sikur përsëritet një skemë e njohur që e çon në majë tensionin gjithmonë të lartë politik në vend. Palët më larg se kurrë nga njëra-tjetra dhe fajësojnë njëra-tjetrën; deri në fundqershorin e këtij viti duket se tensioni do të jetë emri tjetër në kod i situatës në Shqipëri. Java prezanton një histori me grevat më të rëndësishme të urisë që janë zhvilluar ndonjëherë, nga greva e studentëve, tek minatorët e Valiasit, nga grevat e të përndjekurve politikë e deri tek protestat me uri të partive politike

Shqipëria hyn në stinën e grevave të urisë. Forma më e lartë e presionit dhe protestës tashmë ka dy qendra në dy nga institucionet më të rëndësishme të vendit: selia e Kuvendit dhe godina e Këshillit të Ministrave. Në të parën një grup ish-të përndjekurish politikë dhe në të dytën, ish-punonjës të shkarkuar nga puna me ndryshimin e ngjyrës në qeverisje. Një tjetër grevë urie është paralajmëruar të mbahet në rast të mosplotësimit të kërkesave të bëra. Autorët e saj janë disi të pazakontë, artistë të Teatrit të Operas dhe të Baletit. Burime të rezervuara nga PD pohojnë se ka ide dhe janë ende në fazën e diskutimit që grevat e urisë të shumëfishohen, ndonëse që në krye të herës, ideja e protestës me uri, nuk i gjeti me konsensus të gjithë aktorët vendimmarrës në PD.
Zyrtarisht, partia më e madhe e opozitës i kanë lënë organizatorët e tyre “jetimë” politikisht duke pretenduar se nuk ka gisht në organizim dhe se i mbështet ata nga jashtë, por si në rastin e grevës së ish-punonjësve, edhe në rastin e ish-të përndjekurve politikë, deputetë të opozitës kanë ndihmuar në instalimin e logjistikës së grevës dhe kanë qëndruar çdo ditë me protestuesit e urisë.
 
Historia, një dosje e pambyllur


Greva e urisë është një nga instrumentet më ekstremë të protestës, e cila në Shqipëri është përdorur në mënyrë shumë më të shpeshtë sesa mendohet dhe sesa ka regjistruar kujtesa. Askush nuk mund të thotë një shifër të saktë të grevave të bëra në burgjet e komunizmit, kryesisht nga të burgosur politikë. Dëshmitë e mbledhura nga ajo kohë konfimojnë një fakt. Edhe për shkak të kushteve, por sidomos për shkak të forcës morale të protestuesve, ato kanë qenë ndoshta nga grevat më të vërteta të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri.


Edhe burgjet e sotme, të dënuar për krime të ndryshme, janë gjithashtu arenë grevash sporadike të urisë për arsye nga më të ndryshmet. Nuk ka asnjë statistikë për numrin e tyre dhe as për numrin total të grevistëve, por ato janë bërë një realitet i zakonshëm dhe që nuk habit më njeri.


Ka megjithatë një histori tjetër, një histori moderne të kësaj lloj proteste që nis në kufirin e kapërcimit të sistemeve. Edhe për to nuk ka një statistikë të qartë dhe kërkesat e protestuesve kanë variuar nga ato seriozet politike, tek kërkesat ekonomike dhe nga ato që janë ndërmarrë përgjithësisht larg syve të medias, për arsye tërësisht qesharake.


Revista Java afron një dosje me të paktën pesë grevat më të rëndësishme të bëra në vend dhe që kanë ndryshuar apo tentuar të ndryshojnë realitete të caktuara në Shqipëri.
 
Greva e studentëve


Si e para e këtij lloji, kjo grevë ende ngjall debat, por pranohet gjerësisht se ka shënjuar një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në çinstalimin e diktaturës komuniste. Ajo ishte një nga ato goditje që regjimi i atëhershëm komunist e pati të vështirë ta përballonte dhe që u dorëzua para saj. Nga të vetmet greva që mundi të sigurojë sukses.


Ishte java e tretë e shkurtit të vitit 1991. Mbas debatesh që ishin shtrirë në disa ditë, studentët e universitetit të Tiranës vendosën të hyjnë në grevë urie në datën 18 shkurt. Zyrtarisht në grevë u regjistruan 723 studentë dhe pedagogë. Eshtë një nga grevat e cila kaloi mes shumë peripecish dhe paqartësisht. Edhe pse studentët ishin qartësisht kundër regjimit, partia e sapokrijuar demokratike, nuk i dha mbështetje publike dhe politike grevës. Edhe pse suksesi i grevistëve ishte domosdoshmërisht edhe sukses i saj.


Ditën e tretë të grevës, mbasi u konsumuan lloj-lloj historish dhe frikërash për ndërhyrje të dhunshme nga policia, ndodhi diçka e papritur. Qytetarët e Tiranës, mbështetës të grevistëve, shpërthyen në një demonstratë në qendër të Tiranës, e cila kulmoi me rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha. Studentët grevistë që kërkonin heqjen e emrit të tij nga universiteti, në këtë mënyrë garantuan realizimin e kësaj kërkese, e cila, vetëm pak muaj më parë, kushtonte shumë vite burg edhe nëse çohej nëpër mend. Shqipëria kishte ndryshuar përfundimisht. Që atëherë, bustet në Shqipëri kanë qenë gjithmonë “të rrezikuar”. Me përjashtime fare të rralla, çfarë ngre një palë në piedestal, pala tjetër e urren rregullisht. Dhe si rregull, konsensus fitojnë vetëm figura të hershme historike të vendit, por dhe ato nuk i shpëtojnë kontestimeve deri dhe nga të marrë. Një pjesë e konsiderueshme e studentëve, vetëm pak vjet më pas, u dekoruan me medaljen pishtar i demokracisë. Por ndërkohë ata ishin shpërndarë në forca të ndryshme politike dhe politika e ditës, vendosi emrat e të dekoruarve në një listë të gjatë të të barabartëve mes të barabartëve. Shumë të tjerë u larguan në emigracion dhe kanë shkëputur lidhjet me publikun.
 
Minatorët e Valiasit


Vetëm 23 vjet më pas, ngjarja që rrëzoi një qeveri duket se ka ndodhur në një planet tjetër. Personazhet e saj janë harruar dhe është harruar edhe mënyra e dikurshme e organizimit që në atë kohë, nga një forcë e cila ishte nga më të rëndësishmet në vend.


Greva e urisë së minatorëve, për shkak të rrethanave, ishte një mjet shumë i njohur në Shqipëri. Për një koincidencë historike, vetëm dy vjet më parë, vetë regjimi komunist, i kishte bërë shumë jehonë grevës së urisë së minatorëve kosovarë të minierës së Trepçes, kundër regjimit serb. Edhe për këtë shkak, edhe për shkak të situatës së ndezur që po kalonte vendi, minatorët kishin të garantuar mbështetjen e publikut. Së paku të asaj pjese të publikut që ishte më i zëshëm dhe që kërkonte ndryshim. Greva e urisë së minatorëve nisi në 16 maj të vitit 1991 dhe u zhvillua në galeritë nëntokësore të minierës së Valiasit. Ky ishte momenti që një nga qeveritë e fundit të partisë së punës, e drejtuar nga Fatos Nano, dalë nga zgjedhjet e 31 marsit, u trondit seriozisht. Shqipëria po përballej me këtë formë të re proteste dhe qeveria ishte thjesht e paaftë ta menaxhonte atë. Ajo u dorëzua mbas disa ditësh grevë dhe grevistët që dolën nga galeria u pritën si heronj. Rrëzimi i qeverisë Nano i hapi rrugën krijimit të qeverisë së stabilitetit, e para qeveri e një koalicioni të papërsëritshëm deri më tani në Shqipëri. Vendi drejtohej nga një President komunist, si Ramiz Alia, një kryeministër i majtë si Ylli Bufi, zëvendësi i tij Gramoz Pashko, demokrat. Ajo mbështetej në bllok nga një parlament i dominuar plotësisht nga deputetë të partisë së punës. Kjo ishte greva e dytë dhe e fundit e urisë që arriti sukses në realizimin e saj. Organizatorët, BSPSH-ja dhe disa dhjetra grevistë janë dekoruar nga ish-presidenti Berisha si pishtarë të demokracisë.
 
Ish-pronarë, pronarë të rinj, të përndjekur


Këto tre shtresa sociale kanë bërë një numër të papërcaktuar grevash urie të shtrira në kohë. Duke nisur që me fillimin e viteve 90’. Ish-pronarët, kryesisht ish-shitësa të dyqaneve që i kishin privatizuar ato që në fillimet e ekonomisë së tregut e bënë një gjë të tillë në vitin 1993, por në kushtet e një represioni të fortë policor dhe të SHIK-ut të djeshëm. Edhe ish-të përndjekurit, të përballur me vështirësitë e pafundme të jetesës në lirinë e sapofituar, që shpesh ishin të krahasueshme me vështirësitë e jetës në burgjet komuniste, ju drejtuan urisë. Në të gjitha rastet, grevat e tyre janë trajtuar me ashpërsi nga policia dhe ish-SHIK. Kërkesat përgjithësisht ekonomike shpesh ndërthureshin dhe me kërkesa politike dhe mbëshetje nga opozita e kohës apo individë të veçantë të pakënaqur me të djathtën. Më i njohuri mes tyre, i ndjeri Azem Hajdari. Grevat kanë pasur si karakteristikë të tyren kohëzgjatjen ekstreme, e cila sillte, si rregull, dhe shuarjen e rregullit kryesor të grevës së urisë; praninë e ushqimit.
 
Socialistët protestojnë


Mbas zgjedhjeve të 26 majit, të njohura tashmë gjerësisht si të manipuluara, e majta shqiptare u duk se hyri në një spirale të pandalshme shkërmoqjeje. Por në Shqipëri, pikërisht në kohën kur dukesh tërësisht poshtë del një shans ringritjeje dhe kur dukesh më i fuqishm se kurrë, afron rrëzimi. Edhe atëherë ndodhi kështu. Një “dorë” për përmbysjen e situatës e dha edhe greva e deputetëve socialistë që protestonin kundër manipulimit të zgjedhjeve me uri në selinë e tyre. Disa qindra metra më tej, në selinë e PSD-së, kjo parti dhe aleanca demokratike, të bashkuara në Polin e Qëndrës, organizoi po një grevë urie me disa nga deputetët më të zëshëm të asaj kohe. Zgjedhjet lokale që u mbajtën në tetor të të njëjtit vit dhe rikthimi i të majtës në pushtet pas kolapsit të piramidave financiare dhe marsit të trazuar të 1997-ës, e la në hije këtë grevë, e cila u mbyll pa sukses brenda pak ditësh.
 
Uri në Parlament


Gjashtë vjet më parë, në nëntor 2008, Kodi i ri Zgjedhor kishte lënë tërësisht të pakënaqura forcat politike të përfaqësuara deri më atëherë në Kuvend. Dy të mëdhatë, PS e PD, me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, kishin vënë një bast bipartizan me njëra-tjetrën: fituesi i zgjedhjeve i merr të gjitha dhe pa partitë e vogla nëpër këmbë. LSI, e cila kishte grupin më të madh parlamentar në kuvend pas këtyre dy partive, por edhe PDK e parti të tjera, zgjodhën për herë të parë sallën e seancave plenare për të protestuar me uri kundër kodit që po përgatitej dhe që i penalizonte në zgjedhje. Historia e grevës me deputetë grevistë brenda dhe përkrahës që i mbështesnin nga jashtë, është përzierë me sjelljen arrogante të shumicës së djeshme dhe opozitës socialiste. Shoqëruar dhe me meskinitet të vogël e mistrec; salla nuk ngrohej dhe telefonat e grevistëve ose zhurmoheshin, ose përgjoheshin. Greva vetëm mundi të sensibilizojë publikun e topitur shqiptar për rëndësinë e votës së lirë dhe ishte e para e tillë për çështje vote.
 
 Socialistët në rrugë


Do të kalonin më pak se dy vjet dhe Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese do të godisnin më fort se këdo tjetër, PS-në. Në zgjedhjet e 2009-ës, socalistët ishin vetëm një “milimetër” larg rikthimit në pushtet dhe nuk e pranuan rezultatin përfundimtar të tyre që e ndau të majtën dhe të djathtën në një barazim dramatik, 70 me 70 vende në Kuvend. Socialistët e mbetur sërish në opozitë nisën një tur protestash në Tiranë dhe gjithë vendin, më të mëdhatë që kishte parë ndonjëherë Shqipëria pluraliste që nga koha e rrëzimit të komunizmit. Në prill 2010, ata megjithatë kishin organizuar kartën e tyre të fundit, grevën e urisë. 203 militantë dhe deputetë socialistë, me dy bashkëkryetarë, ngritën çadra dhe për 19 ditë epike protestuan për votën dhe transparencën e saj. Sipas dëshmive të shumta, ajo ishte greva e parë serioze e këtij lloji ku u respektua në mënyrë gati-gati çnjerëzore rregulli çnjerëzor i grevës së urisë: uria. Edhe pse zhvillohej në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në krah të Këshillit të Ministrave, poshtë dritares së Berishës, ajo ka qenë greva më e survejuar në Shqipëri. E ndjekur live nga të gjitha televizionet e vendit, ajo mundi të marrë përkrahjen më të fortë të publikut duke e ndarë dhe tensionuar atë si kurrë më parë. U mbyll me një marrëveshje gojore, e asistuar dhe nga ndërkombëtarët, por në rezultat të fundit, la sërish Berishën në zyrë dhe përfundoi me djegien e kutive të votimit në bregun e lumit të Tiranës.
 
Të përndjekurit, vetëdjegiet


Një grup të përndjekurish politikë, në shtator të vitit 2012 u organizuan në një grevë urie që u bë në qiell të hapur në fillim të rrugës Komuna e Parisit në Tiranë. Greva kishte kërkesa të qarta ekonomike, por ajo morri tipare politike qoftë për shkak të mënyrës së trajtimit të saj nga qeveria e zotit Berisha, qoftë dhe nga mbështetja dhe simpatia që i afroi opozita e kohës. Ajo ishte greva më dramatike që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Lirak Bejko, ish-i burgosur i ndërgjegjes u shndërrua në pishtar njerëzor dhe humbi jetën në spital. Përpara tij edhe Gjergj Ndreca mbeti i plagosur rëndë në të njëjtat kushte. Mjerimi dhe mungesa e shpresës dukeshin më të pushtetshme se kurrë në Shqipëri.


Dy grevat e fundit të urisë që po zhvillohen në Tiranë duket se do të pasohen dhe nga të tjera. Ndonjëra nga to edhe e paralajmëruar. Duket se do të vazhdojë kështu, kjo stinë urie në Tiranë së paku deri në fund të qershorit, atëherë kur “Evropa” do të ndajë mendjen nëse Shqipëria e meriton apo jo statusin e vendit kandidat për në BE.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama