Stervitje me armiqte ne Albanian Lion

Stërvitje me 'armiqtë' në Albanian Lion
Manovrat e para anglo-shqiptare kanë pasur veç rëndësisë së tyre stërvitore dhe kujtesën se për herë të parë historikisht, ish-armiqtë janë ushtruar në një sërë operacionesh dhe manovrash të përbashkëta, që zgjatën për gati gjashtë ditë. Një ‘javë e vërtetë lufte’ ka qenë këto ditë në Pasha Limanin e përgjumur prej kohësh prej reformave të panumërta të ushtrisë sonë, e cila tashmë është pjesë e NATO-s. Në fund, pas lufte, britanikët janë kujdesur edhe për mjedisin, për të kthyer gjithçka ashtu si ishte dhe kanë hedhur idenë të vinë sërish

“Kanë ardhur dje natën-na thotë një shofer taksie orikumas, -që na depoziton tek dera e bazës. Katana”

Në fakt, që nga dera e bazës, e kam të vështirë të përcaktoj madhësinë e anijeve britanike, por me hirin e tyre të largët, ato lëbyrin sikur duan të fshehin me modesti gjithçka prej katanaje. Mjaftojnë 15 minuta, kur do të jemi pranë tyre, që gjërat të kthjellohen.
...
“A janë në dijeni pak a shumë marinarët tuaj për incidentin e dikurshëm?” “You mean Corfu?” “Po”- i gjegjemi. “Patjetër që neve i kemi mësuar, por historia është histori, ndërsa tani neve jemi pjesë e të njëjtës Aleancë”, na thotë Steven Holt i Royal Navy, që në manovrat e zhvilluara nga 27 Maji deri pak orë më parë në Pasha Liman, bënte veç të tjerave dhe punën e njeriut të shtypit. Vërtetë, të parat manovra të përbashkëta britaniko-shqiptaro në kuadër të stërvitjes Albanian Lion ishin historike për sa i përket misionit në NATO, që kur Shqipëria u bë pjesë e saj më 2009; kohës; dhe mbi të gjitha bashkëpunimit në terren: aksione amfibe dhe një sërë detyrash të tjera luftarake.

I drejton Commodore Simon Ancona, që është njëkohësisht edhe zëvendëskomandanti i Flotës Mbretërore të Britanisë dhe me këtë rang kuptohet direkt rëndësia e tyre. Ajo, që të bind për rëndësinë, saktësinë, është urdhri dhe mënyra sesi vishemi në fraksione sekonde me salvaxhentet e rënda. Drejtohemi në një nga dy anijet britanike HMS Mounts Bay dhe HMS Cardigan Bay, që rrinë të stacionuan në ujërat e Shqipërisë për të realizuar elementet navale në veprime, ku një numër forcash të kombinuara të Marinsave Mbretërore me forca të Marinsave Hollandezë, presin të bashkëpunojnë me një kompani komandosh të trupave shqiptare.

Manovrat në Shqipëri

Gjithçka është bërë në mënyrë rekord dhe paçka pjesëmarrjes së madhe të medies prezente, vetëm një pjesë shumë e kufizuar e ekuipazhit shqiptar, ka fatin të jetë vizitore në anijet ushtarake. Sipas hierarkisë protokollare: Presidenti Bamir Topi; Ministri i Mbrojtjes Arben Imami; Shefi i Shtabit, Gjeneral Major Malaj; deputeti Ilir Gjoni kanë zënë vend në një anije të vogël, e cila na përcjell drejt ‘barkut’ të RFA Mount Bay. Ambasadoresha britanike Fiona Mcllwham dhe ambasadori holandez janë pjesë e këtij protokolli. Minuta më pas, pak nga pak shquhet ajo që deri më atëherë është vetëm ndjesi: Forca Navale. E vërtetë, nëse do të shikosh diferencën e një ushtrie, atëherë duhet ta këqyrësh përballë imazhit real të një ushtrie sipërore. E tillë duket stepja, e të gjithë ekipit të protokollit shqiptar. Nga përtej, gjithçka e vendosur me saktësi, ku protokolli nuk përzihet asnjëherë me disiplinën dhe rregullin ushtarak.

 Gjithçka në pallatin lundrues, ku imbarkohet anija e vogël, i ngjan një filmi të komplikuar techno. Shkallë, bazamente, struktura dhe platforma që e kalojnë disa herë bojën e njeriut, dhe... disiplina e ekuipazhit. Mounts Bay, ku sapo jemi futur, është e aftë të mbajë deri në 24 tanke Challenger 2; 150 makina të lehta në 1.150 metra linear hapësirë; 200 ton municione; 24 kontainera të tipit Twenty-foot etj. Steven më sqaron dhe më tej: Në kushte normale një anije e tipit Bay class mund të mbajë 356 ushtarë, por mund të dyfishohet deri më 700 në kushte overload. Është vetëm një helikopter onboard, por kuverta e tipit in-spot flight është e aftë të mbajë helikopterë të tipit Chinooks, ashtu si edhe Merlin apo avionët Osprey etj. Na thonë se dy vinça 30 tonësh janë të përshtatura në mes të superstrukturës dhe kuvertës së fluturimit. Një nga drejtuesit britanikë e shkund situatën sepse bën protokollin e nderit shtëpiak.

 Është impresionuese sepse është më e këndshme sesa në filmat patetikë, që kemi parë. Asnjë nuk shtiret. Mjedis pas mjedisi presidenti me shpurën e tij të njohur njihet me të dhënat e anijes, ndërkohë, që ndërsa dilet në kuvertën gjigande, ku njeriu shquhet fare pak në ekstremet e tij, nga hambari i saj lëshohen gati për aksion mjetet amfibe me komandot nga tre nacionalitetet. Me beretat e kaltra janë njësitë komando shqiptare, që britanikët edhe pse punojnë për herë të parë në det, flasin me shumë respekt. Në një moment, ndoshta i ngazëllyer prej njërës nga zbarkimet amfibe spontane, që bëhet në një nga gjiret e Pasha Limanit, shefi i Shtabit shqiptar merr një ‘qortim’ prej ministrit të tij:”Pse thoni që s’kemi komando të mira?”... Por, britanikët duken më të kënaqur edhe për arsye të tjera. U pëlqen vendi i stërvitjes, kurse të dy palët në çdo rast i bëjnë korte njëra-tjetrës. Anglezët shqiptarëve dhe këta dyfish atyre. Presidenti thotë dhe pak fjalë në sallën e komandimit, ku është stacioni i fundit pas vizitës në anijen pallat me një personal prej 600 vetësh aktivë dhe disa qindra të tjerë në raste të jashtëzakonshme. Largohemi drejt një bregu të virgjër në Karaburun...

Në terren

Ku duket e jashtëzakonshme shpejtësia dhe saktësia me të cilën operohet. Në një nga brigjet e vogla të Pasha Limanit, zbarkojnë menjëherë komandot; kurse dy mjete amfibe lëshojnë dy mjete të motorizuara, që kapim menjëherë një kuotë në kulm. Një komandant-komando britanik me bastunin e nderit ndjek dyshues gjithçka. Të gjithë ushtarakët britanikë, shtuar dhe me ata holandezë, ruajnë formë të shkëlqyer fizike, në fakt krejt ndryshe nga ekipi shqiptar i ushtarakëve të rrumbullakosur, që i vështron me admirim. Për fat, kemi pjesën komando, që nuk ndryshon pothuaj fare fizikisht prej tyre, ku mund të gjejmë një lloj ngushëllimi nderi fizik. Me Komandantin Holt shkëmbejmë dhe batuta, por brenda detyrës më shpjegon se janë impresionuar me parametrat e Gjirit të Vlorës. Më sqaron shkurt se për këtë operacion që bëhet në breg ka një manovër zbarkimi, pastaj si vihet në breg dhe do bëhet aksioni dhe si do të shtohen pak nga pak dhe mjetet e tjera logjistike e me radhë.

Njerëzit e stërvitjes

Secili ka pozicionin e vet në anijen britanike dhe kudo në çdo vend të manovrave. Por, edhe ata që janë “jashtë”, të themi njerëzve të shërbimit, gjithë të tjerët operojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ata, që janë në pultin e komandimit, kanë punën e tyre; ata të shërbimit; ndërsa një marinar, që është i lirë, e has që punon i qetë në dhomën e kompjuterave. Më impresionues janë marinsat, shumë syresh pjesëmarrës në luftërat e Gjirit dhe më shumë akoma në misione shpëtimi apo në ato kundra kontrabandës, që janë atribute të detyrave të këtyre anijeve. Në të gjithë manovrat tona janë elementë të ndryshëm të Task Force, të tillë si 3 Brigada Komandosh; 40 komando të Royal Marine dhe në të njëjtën kohë dhe njësi zhytjesh dhe aviacioni; 12 kompani nga Korpusi i Marinës Mbretërore të Holandës dhe trupa nga Njësitë Komando të Armatës shqiptare. 1000 persona rrinë të angazhuar në këto manovra, që kanë pasur detyrën që të tregojnë nivelin e sotëm të trajnimit. Të tre forcat anglo-hollando-shqiptarët bëjnë mësymje stërvitore edhe në Sazan, tashmë një vend i virgjër, por që ruan ende butaforinë e kohës së dikurshme, pasojë e vendbanimit të dikurshëm dhe po ashtu edhe e shumë instalimeve mbrojtëse në Gjirin e Vlorës.

“Detyra e tyre është të zbarkojnë në breg dhe me aftësi falë mjeteve, armëve konvencionale dhe të tjera dhe të mbështetura me aeroplanë, të kryejnë aksione”. E pyes Steven vazhdimisht dhe ai është i hapur për të gjitha. Më flet dhe kur se ‘kam mendjen’. Në anije më tregon se britanikët i kanë dhe femrat në ushtri dhe përveç armës së këmbësorisë, ku femrat merren më shumë më logjistikën, “në det dhe në ajër ato kryejnë njësoj, funksione si edhe meshkujt”. E më mbresëlënësja nga të gjitha është se aksionet asnjëherë nuk bëhen nëse nuk mendohet si të kthehet mjedisi në kushtet, sesi ishte para se të fillonte aksioni. “Ne shikojmë shumë me mjedisin dhe mënjanojmë shumë ato që bëjmë në mjedis dhe e kthejmë ashtu si është”. Impresionohet shumë kur flasim për Çezarin. I shpjegoj natën e gjatë, kur erdhi nga Palasa. “Whose Chesar?” “A magnificent one”, i gjegjem. “Really!” Në kokë më rri Pasha Limani, ku jemi, që e bëri një tjetër i madhërishëm: Sulejmani.

Si janë

Në fakt, dy anijet e Royal Navy kanë kohë që janë në Mesdhe. Të shoqëruara me anije ndihmëse, së bashku me marinsat mbretërore të imbarkuar dhe helikopterë kanë qenë pjesë e një stërvitje po kaq të rëndësishme në Qipro dhe pastaj i janë drejtuar Shqipërisë.

RFA Mounts Bay, një nga dy anijet e ardhura në Shqipëri, është një nga katër anijet e klasit LSD (A), platformë mbështetëse e amfibëve. Ajo është konstruktuar nga BAE (anijet Naval) në Govan në River Clyde. Ajo ishte e para nga simotrat e saj që u pranua në shërbim më korrik të vitit 2006. Deri më tani gjatë shërbimit operacional, RFA Mounts Bay ka luajtur një rol pothuaj të madh në shumë ushtrime amfibe, përfshirë operacionet jashtë Sierra Leones, Rajoneve të Balltikut dhe gjithashtu shumë të tjera, më afër shtëpisë, përgjatë brigjeve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës Perëndimore. Një nga kulmet ka qenë një operacion në veri të Norvegjisë, ku ka arritur të veprojë në një nga vendet më të largëta të rrethit Arktik, ku është vepruar ndonjëherë nga anije të tilla.
...
Një konferencë shtypi e shpejtë, ku britanikët nuk lejojnë shumë kohë. Një gazetar i bën pyetjen e zakonshme politike Presidentit Topi. Ministri, po ashtu jep një përgjigje alla-politikë. Komandanti Simon Ancona flet thjesht teknikisht. Respektin e dyanshëm e përcjell ambasadoresh Znj. Mcllwham. Pak minuta më vonë, të gjithë janë në makina. I jap kartën Steven Holt, që më ndihmoi. Ndahemi. Marinarët britanikë, rrinë në pozicion disipline. Përshëndesim Ankonën. Shqiptarët shpërndahen menjëherë. Është vera e vitit 2011 dhe manovrat e para detare të këtyre përmasave të NATO në Shqipëri, drejtuar nga Mbretëresha e Detrave.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama