Statusi kandidat Fajon Jam pesimiste Shqiperia po humbet kohe

Statusi kandidat, Fajon: Jam pesimiste, Shqiperia po humbet kohe
Në të shkuarën ne shpesh jemi zhgënjyer. Premtimet janë bërë por ka dështuar përmbushja e tyre. Ky vit mund të jetë kyç për marrjen e statusit të vendit kandidat por jam pesimiste. Ka qënë kjo deklarata e eurodeputetes, Tanja Fajon në një interviste për ‘Gazetën Shqiptare’ lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit dhe marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Sipas Fajon partitë politike në Shqipëri duhet të bashkojnë përpjekjet dhe të mos humbasin më kohë.

‘Fatkeqësisht Shqipëria po humbet vazhdimisht kohë të çmuar në rrugën e saj drejt integrimit Europian. Shpesh zhgënjehem duke parë ‘bllokimet’ politike midis qeverisë dhe opozitës. Gjithçka që mund të them është se koha do të tregojë se sa serioz do të jetë ky angazhim. Do ti bëja thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të mos humbnin kohë dhe të bashkonin të gjitha përpjekjet e tyre për një të ardhme më të mirë, të sigurt dhe të begatë’- tha Fajon.

Fajon shton se reformat duhet të kryhen dhe kjo është përgjegjësi e klasës politike shqiptare, teksa ka nënvizuar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë test i vërtetë i arritjeve të vendit.

‘Qytetarët e meritojnë këtë. Kjo kohë e humbur duhet të kompensohet në një farë mënyre. Reformat duhet të plotësohen. E vetmja perspektivë e Shqipërisë është Bashkimi Europian. Kështu që për hatër të brezit të ri, dëshiroj ta shikoj vendin tuaj të ecë përpara me një hap më të shpejtë dhe kjo është përgjegjësi e politikanëve të këtij vendi. Është një vit elektoral dhe si i tillë do të jetë një provë tjetër që do të testojë maturimin e Shqipërisë’- tha eurodeputetja Fajon.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama