Stambolli krihet dhe bota ...digjet

Stambolli krihet dhe bota ...digjet
Janë në një rritje të shpejtë ekonomike dhe për më tepër në një vetësiguri të madhe, që vjen prej tregut të tyre të stërmadh. Shteti turk me gjithë kritikat që merr nga Bashkësia Evropiane për probleme të ndryshme, vazhdon i qetë rrugën e tij dhe më tepër akoma mëton ta qesëndisë tani Evropën. Simboli i këtij zhvillimi është vetë qyteti i tyre simbol i njerëzimit... Stambolli, i cili nga 29 maji i 1453 është pjesë e civilizimit të tyre…

“Duhet që të njohësh turqit, që të kuptosh reagimin e tyre për Evropën”, më thotë S. A., një gazetar i ri sporti i “Sabah” në Stamboll. Ulur në një kioskë në cepin e një kuartieri të Beshiktashit, në pjesën aziatike të qytetit gjigand dergjur njëkohësisht deri në Evropë, flasim për gjithçka. I flas për Tiranën dhe sesi vihet këtu. Vetëm 1 orë, i them. Nuk flet mirë anglisht, por me aq sa beson që flet, më përkthen dhe shpjegon mendimin edhe të një grupi tjetër bashkëmoshatarësh, që janë përreth. Politika. Shqipëria. Turqia. Këto janë temat. Pas, na ‘ruan’ një stër-billboard i Erdogan që përthith i qetë perëndimin në qytetin e madh të perandorisë së Bizantit. Biseda ndërron shpesh kah dhe prehjen e gjen te sporti. Kuptohet edhe Stambolli. Të nesërmen në darkë vendoset fati i kampionatit të futbollit dhe Fenerbahçe është me pikë të barabarta me Trabzonsponsorin.

 Të dyja luajnë jashtë por Fenerbahçe është më afër titullit prej golaverazhit. Djemtë njohin Canajn, kapitenin e kuq-e-zive, por shumë pak Shqipërinë. Përveç kuptohet kohës së Arnautëve. Këtë si mirazh. Turqisë i kanë mbetur shumë kujtime prej Arnautëve dhe mes tyre edhe shprehja Arnaut damar. Në mos gaboj, kjo pak a shumë do të thotë: ai që s’të hap rrugë. Për hir të së vërtetës, u kemi hapur udhë dhe besoj se duhet të jenë të kënaqur që na kanë pasur pjesë të familjes për 500 vjet me radhë. Ndaj është ndjenja e zakonshme se në Turqi një shqiptar është natyrshëm. Masa e tyre e madhe në Stamboll, që deri më 1991, ka pasur më shumë shqiptarë sesa Tirana, e bën lidhjen më të prekshme.

Vizualisht, nëse këtu ku jemi, nuk do ishin këto ndërtime të reja, atëherë shumë mirë mund të ishe në çdo qytet të Shqipërisë. Por, kujdes! Këta dinozaurë ndërtimi që kanë rrokur qiellin në Stamboll, e kanë larguar fare jo nga Shqipëria por edhe nga Evropa klasike. Në Maslak dhe Leventin, dy lagjet e njohura të financave, kudo vazhdojnë ndërtimet me forma të habitshme rrokaqiejsh. Firma, zyra, banka dhe kushedi se çfarë tregojnë se në këtë vend ka një zhvillim galopant. Jo më kot, TurkStat e vendos në rendin e 8,9%, që do të thotë se kur Evropës ende po i dridhen këmbët nga kriza, këtu ecet. Një koleg patetik më sqaron se Turqia është një nga vendet më të zhvilluara sot në Evropë dhe pse jo në Botë. E dëgjoj. Në kohën e lirë e aprovoj kur ecim dhe përshkojmë një segment të gjatë, që të përcjell poshtë në det në Yskydar. Përveç... politikës. Ethet politike dhe këtu janë njësoj si tek ne. Në çdo cep të qytetit 15 milionësh, hasesh me billborde gjigande politikanësh, ku kuptohet se bie në sy Erdogan dhe pastaj makina që zhurmojnë me muzikën e tyre tradicionale dhe me propagandë...

Të etur për fushatë dhe politikë

Propaganda këtu është e ethshme. “E di se çfarë,- do më thotë një koleg,- këtu dhe anëtarët e partive, i presin mustaqet si kryetarët”. Ia kthej se tek ne i imitojnë duke folur dhe duke u përulur shëmtuar. Kaq duhet të më tregojë sesa servilë janë aty dhe sesi politika të çan kokën në këtë vend. Në kohën që më flet, një turmë e madhe në Shqipëri endet sa nga kuartieri i PS-së drejt KQZ-së, ku nuk vendoset asgjë për një rezultat zgjedhjesh maratonë. “Si e kemi ne atë fjalën”, më thotë një bashkatdhetar për të ironizuar këtë gjendje. Shprehja është proverbiale dhe edhe pse kanë kaluar kohë që s’përdoret më, ajo ka mbetur në gojën e të vjetërve: Stambolli digjet dhe kurva krihet. Në fakt, në këtë rast, Stambolli, ku jemi, krihet, ndërsa mbiemri ose simboli që mund të përcaktosh shqiptarët, po digjet. Kaq. Dreqin, por, s’është e thënë që edhe këtu të të bien veshët rehat. Një furgon me një megafon të Partisë së Erdoganit, me imazhin e tij të ngjitur na pret diku udhën me shpejtësi me një muzikë tradicionale. Nga përtej, një burrë që shet gështenja, përballë dy të tjerëve që se çfarë bëjnë (në mos gaboj lyejnë këpucët), ngrihen. Njeriu i gështenjave mbyll veshët, kurse dy të tjerët ja marrin një vallë, që të kujton pak Napoleonin tonë.

“Hair, ishalla”, ia kthen miku im. Ata tregojnë me gisht nga gështenjaxhiu dhe janë në qejf. Partia për Drejtësi e Zhvillim, që përfaqëson kryeministri Erdogan duket se edhe në këto zgjedhje që do të mbahen pak ditë më pas do të ketë supremacinë. Në mos gaboj po luan me tezën e artikuluar fort të neotomanizmit, që me pak fjalë, shpreh një kategori gjeografike-ekonomike, që i shkon hapësirës së ish-dikur perandorisë së madhe. Dhe, turqit me ngritjen e ekonomisë së tyre dhe pozicionin e shkëlqyer, ku të dy portat respektivisht të Evropës dhe Azisë,i kanë përballë njëra-tjetrës mund t’ia lejojnë këtë vetes. Ndërsa, neotomanizmi na hap një debat- nga përtej ka mbërritur furgoni i stërmadh i partisë së madhe të Opozitës. Kemal Kiliçdaroglu, lideri i saj i ngjitur aty, na afrohet me një muzikë që zot o na ruaj. Nuk di si jeton ai shoferi me mustaqe aty, por si aziatik, duket se ia del.

Njësoj me kaosin e Tiranës. Burri i gështenjave bën një hap para dhe i vjen radha atij të krekoset. Nuk kërcen. Hedh një vështrim si përbuzës mbi dy kolegët e tij, që kinse janë përkulur në këndet e tyre. Njerëzit e rinj, që flasim, më duken shumë anti-evropianë dhe ajo që të bën përshtypje është sensi i lartë i nderit për vendin e tyre. “Tani Evropa duhet të vij tek ne, ne s’kemi nevojë për ata”, më thotë njëri prej tyre krenar. Në fakt, kanë trokitur në dyert e Evropës. Madje gjatë, por duke filluar nga kreu pontifikal dhe duke vazhduar me udhëheqësit e tjerë evropianë, kanë nxjerrë njëqind kleçka për ta. “Ata na shohin si myslimanë”, më thotë Nuri .B., 35 vjeç. “Dhe nëse je myslimanë je një gjë e keqe për evropianët.

Tashmë s’na duhen më”. Janë vite larg nesh që përgjërohemi të bëhemi pjesë e Evropës. “Ne jemi shtet i madh dhe kemi detyrë, që t’i mbrojmë të vegjlit. Jemi shtet-baba”. Burri që ma thotë është mësues dhe do shoh se koncepti i “shtetit at” është shumë i përhapur mes qytetarëve në Turqi dhe në një farë mënyre bie ndesh me psikologjinë tonë të sotme. E shikoj pak dhe fizikisht dhe nga disproporcionet fizike, që kemi, habitem sesi ai mund të jetë pjesë shtetit at, për mua. Ai drejtohet. Edhe kjo e ka një bazë. Të 75 milion banorët e saj dhe 1/5 e tyre që jeton në këtë qytet, shikohen tashmë si modeli më i mirë i vendeve të Rajonit, referuar Universitetit Fatih. Ku 30 milion turqit e kësaj popullsie që janë të rinj, duhet të kuptojnë se mosha e tyre është një dhuratë e çmuar për vendin.

Problemet, dhe për kurdët

Veçse vendi ka probleme dhe një ndër to është problemi i njohur kurd. Ndërkohë që është marrë një investigim, i njohur me emrin Ergenekon, i cili synon të thellohet. Me këtë emër njihet një netëork klandestin terrorist që është përpjekur të hedhë poshtë qeverinë. Dhe, personazhe të njohur vendas thonë se edhe vetë Kurdët pas Abdullah Oçalanit, kanë nevojë të reformohen. Madje, kurdët, sipas një publicisti të njohur Miroglu, e besojnë paqen por jo prej partisë së tyre dhe se nëse Oçalani do ishte në liri do e zgjidhte problemin. Nga ana tjetër, ka përpjekje që të frenohet një grup, që të vijë në fuqi, i cili ka nam të keq në këtë situatë.
Larg tyre, Turqia këto ditë është goditur rëndë nga një skandal seksual, me të cilën është e lidhur Partia e Dytë opozitare. Gjashtë anëtarë të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste janë të përfolur direkt. Një video seksi, e nxjerrë nga grupi i vetëquajtur Farkli Ulkuculuk (Idealizmi ndryshe) është bërë publike dhe të tjerat priten më vonë. Tërmeti politik, duket se akaparuar sërish pikë për Erdogan, që bën fushata populiste në të gjithë vendin...

Partitë politike fshehin qëndrimin mbi energjinë nukleare

Ndërkohë, Ballkani, nuk ndryshon në një sens. Edhe këtu politikanët e Stambollit pas frazeologjive boshe, mundohen të fshehin interesa. Një nga këto është problemi i energjisë nukleare, që vendit i duhet në kuadër të këtij zhvillimi marramendës. Qeveria ka vendosur të ndërtojë tre qendra të mëdha nukleare deri më 2023. Dy janë gati të bëhen, ku njëra është në provincën e Mersin, kurse tjetra është e vendosur në veri të provincës së Sinop. Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Taner Yildiz, e ka justifikuar në median vendase Today’s Zaman“ne kemi filluar në konstruktimin e tyre. Energjia Nukleare është e nevojshme nëse ne duhet të diversifikojmë pajisjet e energjisë”…Këtu janë dhe diferencat. Partia në fuqi për Drejtësi dhe Zhvillim thotë se do bëhen me teknologjinë e fundit. Kurse Partia Republikane Popullore reagon hapur me anë të kryetarit të saj Kemal Kiliçdaroglu, që premtoi kur shkoi në Mersin se nuk do lejojë ndërtimin e tyre në këtë rajon.. “Ne kemi diell, ujë dhe burime të mjaftueshme, të zhvillojmë energjinë, Pse duan ata (PDZH) të ndërtojnë një stacion) Ata nënshkruan një kontratë prej 20 milion USD dhe asnjë inxhinier turk s’do të punoj atje.

Ata duhet të shesin. Por problemi më i madh i tyre është investimi rus sesa dëmi i vërtetë mjedisor”. Në fakt, është publiku, që ka mbetur i konfuzuar në këtë rast, për kushtet e mbrojtjes dhe shkallën e lartë të rrezikut. Dhe, për këtë, ata kanë shembujt e Çernobilit, pasojat e të cilit i ndjenë realisht turqit në Detin e Zi. Dhe, Turqia ka një vetëdije me të lartë kombëtare se ne. Këtë e sheh në mënyrën sesi flasin me nderim për vendin e tyre por edhe nga angazhimet e politikanëve. Një e tillë së fundi, kërkon që Turqia në kushtetutën e saj, të ketë edhe qasje ekologjike. Kjo e fundit, do të thotë respekt për natyrën që përkthehet në respekt për jetën e Turkut të thjeshtë...dhe garanci pune për biznesin vendas.

Ekonomia

Nuk është e thjeshtë që të flasësh për ekonominë turke. Dimë të gjithë se çfarë është turizmi dhe në Stamboll e sheh përparimin menjëherë. Por të duhet të njohësh në thellësi agregatet e ekonomisë, që të vlerësosh si duhet. Një lajm, që lexoj, në një periodik anglisht thotë se Ministri i Punës dhe Sigurisë Sociale, Omer Dinçer, ka thënë se s’do të ketë të ardhura poshtë 200 TL (afro 100Euro). Anëtari i Partisë së Erdogan ka gjetur kohë madje të sulmojë dhe njerëzit e partive të tjera me premtimet e zakonshme politike, që s’kanë kufi. Duhen rreth 750 TL, që të jetosh, më thotë një djalë i ri në Stamboll, nëse ke një familje të thjeshtë deri në katër veta. Jeta më e vështirë është në fshat. Por ka ndryshim të jashtëzakonshëm. Qeveria nën Taip Erdoganin është orientuar shumë drejt eksportit dhe Rusët në kontinentin tonë janë krenarë, që kanë shkëmbimet më të mëdha me ta sot në Evropë.

 Ajo që kanë bërë turqit është se nuk janë thjesht një vend ekzotik me fruta dhe plazhe të bukura, por një vend që eksporton pajisje mekanike dhe deri në makina. Madje, edhe në bujqësi s’mbetet më pas. Ka resorte të shumta dhe shtuar me çmimet dhe sigurinë që jepet, paçka se duhet thënë se s’është aq e përparuar. Sipas të dhënave zyrtare kanë 11 milion gjellë rreth 24 milion dele dhe 6 milion dhi…. SIPAS OECD është e dhjeta në botë për problemet bujqësore. Në eksportin e saj prej 12,7 miliard më 2010, bujqësia ruajti 11% të eksportit. Dhe, BE-ja, kundërshtarja e saj më e madhe, është importuesi i parë i tyre. Ndërsa specialistët e saj, paradoksalisht më cinikët me Turqinë: Nëse do ketë këto rritje, atëherë çmimet dhe shkalla e inflacionit dalëngadalë do të dalin jashtë kontrollit, kanë paralajmëruar ata.

Transporti

Turqve dhe kjo s’u bën përshtypje, ndërsa veç ndërtimit, po përsosin transportin. Me këtë të fundit kanë sfidë gati kontinentale. Për fatin e keq, për shkak të shtresave historike, u mungon sistemi i rrjetit të transportit underground, por këtë bashkia e qytetit po e rregullon me investime të mëdha. Stambolli përshkohet nga qindra-mijëra makina të transportit. Për hir të së vërtetës, rritja e qytetit dhe bashkë me të dhe popullsia, është e rritur shumë më tepër sesa vetë transporti. Problemi më i madh, na sqaron një amerikan, që ka vite, që është pjesë e qytetit, mbetet se qyteti është bërë më kompleks dhe shumë më i shpërqendruar. Kadir Topbas, kryebashkiaku i njërit prej qyteteve më të mëdha të botës, ka edhe kokëdhimbjen më të madhe në këtë fushë. Njerëzit harxhojnë kohë në trafik, tha ai para ca ditëve dhe së fundi janë investuar 23 bilion lira (14,5 milion USD) për rregullimin e transportit.

 Po përgatitet një tunel që është sfida më e madhe ndërtimore e tyre në qytet. Ai do të jetë 13,5 kilometër, nga të cilat 1,4 kilometër do jetë poshtë Bosforit. E gjitha dhe kushton 24 miliard USD. Kurse transporti hekurudhor do e shndërrojë qytetin, në vendin e tretë në botë pas Tokios dhe Nju Jorkut, na thotë një guidë vendase mendjemadhe me një anglisht-turke. E pyes për disa shifra, kurse ai ma pret me shpoti: Pse e njeh Stambollin? Jo,- i them, dhe gjej mbrojtje në një libër, ku pashai i madh Mehmet Pasha Sokoloviç bisedon me kryearkitektin Koça Mimar Sinan. Ai vazhdon... “Ja nga Halkali në Detin Marmara në Gebze në Azi. Janë 700,000 njerëz që lëvizin çdo ditë në një seksion . Ka 1500 autobusë publikë dhe që derdhin 613 tonë dioksid karboni…”. S’jam ambientalist, ia pres mendjemadhit, por i them të më tregojë ndonjë gjë nga Koça Mimar Sinani.

Është larg, ma pret. Larg. Larg. Sa shumë përsëritet kjo fjalë, kurdo të heqësh qafe dikënd. Po kaq larg, lexoj, në një gazetë, që kam marrë në hollin e hotelit, është perceptimi demokratik i turqve. Sipas rezultateve të tyre të MetroPOLL për Institutin Demokratik Kombëtar gjendja e demokracisë s’është si dëshirohet. Flitet për politikanët, për mënyrën e votimit, por edhe për nivelin e demokracisë në vend, si edhe problemit të kurdëve, Alevive…dhe homoseksualëve.
….
Ajo që mbetet është qyteti. Në kalim shoh rastësisht xhaminë e Mehmet Pasha Sokoloviç. Më emocionon, njësoj si Sulejmanie...

Pak faqe janë të pamjaftueshme, që të japësh vendin e mrekullueshëm të Bizantit. Në cisternën e jashtëzakonshme, përballë Shën Sofisë, hasem me disa priftërinj ortodoksë grekë. Mbajnë radhë, por ndjehen si të tromaksur. Perandoria e të parëve të tyre, tashmë është në histori, ndërsa, kjo e tashmja për ta është relike. Diku, për të kush-e-di-sa-tën-herë, më del një fashetë e madhe, që kremton pushtimin e qytetit, i cili që nga viti 1985 është pjesë e UNESCO-s. Në Sulltanahmet, ku gjenden bashkë Xhamia Blu, Bazilika cisternë, Shën Sofia, Pazari, Obelisku, e gjitha humbet nga zhurma, njerëzit dhe turistët e pa fund. Duhet të quhet fat, mbase që Mehmet Pushtuesi, zotëruesi i këtij qyteti, nuk e shkatërroi, por e ripopulloi sërish me hebrenj, kristianë dhe myslimanë, për t’i treguar njerëzimit, se deri ku mund të shkojë një civilizim. Jo më kot, mbase, 29 maji dita që u ngjit për të mos dalë më nga qyteti, festohet në Stamboll.

Kurse të shtatë kodrat, rrethuar me 22 kilometra mure, në kalimin e viteve, u plotësuan me gjak të ri dhe me shpresë. Këtë kujtoj, kur Top Kapija, mbetet tutje në dritë në muzgun e bukur aziatik që bie në Sarajburnu. Pak orë më vonë duhet të udhëtojmë pas në Tiranë. Nuk pushojnë buritë e tifozëve të Fenerbahçes. Kanë fituar. E gjithë pjesa aziatike është në gaz dhe hare të pafund. Është fund-maji i vitit 2011.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama