Sprinti djeg kalorite mjaftojne 2 minuta e gjysme

Sprinti djeg kalorite: mjaftojne 2 minuta e gjysme
Tridhjetë sekonda, me shpejtësinë maksimale për pesë herë dhe ndonjë minutë pushimi në mes, mund t’ju ndihmojnë që ta mbani peshën nën kontroll

Mes të gjitha gjërave që thuhen dhe shkruhen rreth argumentit të palestrës dhe formës fizike, është një që shpeshherë nuk përmendet, por që përfaqëson një çast vendimtar. Nga njëra anë janë personat që merren me sport, sepse u pëlqen, i bën të ndihen mirë, janë ushtruar gjithmonë, ndërsa nga ana tjetër janë ata që nuk u pëlqen të bëjnë aktivitet fizik, sepse nuk e kanë në gjak, janë mbi peshë, apo mendojnë që është e bezdisshme dhe përfundimisht për t’u dobësuar duhet punë e madhe, kështu që sa të lodhen, më mirë heqin dorë. Shumë njerëz në botë i përkasin kategorisë së dytë, ndërkohë që janë të pakët ata që e pranojnë se arsyeja e vërtetë që nuk merren me aktivitet fizik është përtesa.

Pothuajse të gjithë nxjerrin si justifikim mungesën e kohës. Për këtë arsye, kërkimet e fundit në këtë fushë kanë si qëllim kryesor gjetjen e mënyrës për të rënë sa më shumë nga pesha, duke bërë pak minuta aktivitet fizik. Studimi është prezantuar këto ditë në një kongres të “American Physiological Society”, ku një grup studiuesish të Universitetit të Kolorados ka analizuar për dy ditë humbjen e kalorive të një grupi vullnetarësh, të cilët e kanë kaluar kohën në një ambient të kontrolluar. Qëllimi i eksperimentit ishte që të tregonte se në pak minuta vrap ose sprint, njerëzit djegin aq kalori sa ç’mund të harxhojnë gjithë javën, duke bërë palestër ose vrap dhe në këtë mënyrë të mund të kontrollojnë peshën e tyre. Pesë vullnetarëve, nga mosha 25 deri në 31 vjeç, pasi iu nënshtruan një kontrolli mjekësor, gjë që tregoi se pacientët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, iu kërkua që të jetonin për dytë në dhoma të ndara të kompleksit universitar, që ishin të mobiluara si dhoma spitali. Vullnetarët do të ndiqnin një dietë të studiuar posaçërisht për të mbajtur të palëvizur pjesën e tyre, në bazë të profilit metabolik dhe do ta mbushnin kohën duke parë televizor, ose duke përdorur kompjuterin. Me pak fjalë, do të bënin jetë sedentare.

Herën e dytë, pjesëmarrësit në eksperiment bënë sprint (vrap të shpejtë) gjë që konsistonte në pedalimin e biçikletës me shpejtësinë maksimale, pesë herë për tridhjetë sekonda, të kombinuara me katër minuta pushim (pra mund të pedalonin ngadalë me një rezistencë të ulët). Falë sistemit të kalorimetrisë së dhomës mund të analizoheshin përfundimet e ushtrimit, duke verifikuar se gjatë ditës që kishin kryer aktivitet fizik, vullnetarët kishin djegur 200 kalori.

Ndoshta nuk është mjaftueshëm për të humbur peshë, por duke djegur 200 kalori disa herë në javë, mund ta ndihmoni veten që të shtoni ndonjë kile. Natyrisht që mjaftojnë më pak se 20 minuta (mes sprintit dhe ecjes) për të arritur këtë efekt pozitiv. Të paktën në këtë mënyrë, nuk do të mund të thoni: “Dua të merrem me aktivitet fizik, por nuk kam kohë”.

Kujdesi

Shumë herë, aktiviteti fizik lihet pas dore, por duhet të shkoni në një vend ku ka specialistë. Kjo është mënyra më e mirë për të pasur rezultate të mira. Në një palestër, për shembull, mund të këshilloheni me një instruktor dhe të bëni ushtrimet për të cilat keni nevojë. Nëse nuk keni kohë për të shkuar rregullisht në një palestër, apo për të vrapuar në mëngjes, atëherë lëvizni sa më shumë të jetë e mundur. Shmangni çdo ecje me makinë, mos hipni në ashensor, por ngjisni shkallët, bëni shëtitje 30-60 minutëshe. Po të jetë e mundur, lëvizni edhe me biçikletë. Kurrë mos e nënvlerësoni rëndësinë e aktivitetit fizik, edhe po t’ju duket e lodhshme, sepse vetëm në këtë mënyrë, do të arrini të digjni kaloritë e tepërta. Përpiquni t’i ndiqni me përpikëri këshillat dhe do të keni një trup të bukur, jo vetëm në verë, por edhe në dimër.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama