Sportet ujore ne Shqiperi

Sportet ujore në Shqipëri

Këto pamje nuk janë marrë nga interneti, ndonjë filmim apo garë sportive.
I përkasin plazhit të bukur të Velipojës,vetëm 25 km larg Shkodrës, ku këtë vit mjetet lundruese sportive përshkojnë gjithë gjatësinë e bregdetit prej derdhjes së lumit Buna deri pranë portit të Shëngjinit.

Ndryshe nga sa shumë mendojnë, të lundrosh me një varkë me vela është po aq e lehtë, sa dhe e bukur. Brenda pak orësh mësimi mbi drejtimin e erës, fryrjen e velave dhe mbajtjen e orientimit, kushdo mund të praktikojë lehtësisht lundrimin në det me varkat të cilat janë të ndërtuara sipas shkallëve të ndryshme të vështirësisë dhe kapacitetit të mbajtjes së personave në to, duke nisur prej atyre individuale, deri në varkat e mëdha që mbajnë mbi 4 persona. Por parimi i funksionimit dhe praktika e lundrimit është thuajse e njëjtë.

Deri kundra erës.
Mjafton të fryjë pak erë në det dhe me velën e timonin në dorë u mund të arrini në cilindo drejtim të dëshëroni, madje edhe aty ku intuita e ka të vështirë për ta gjetur: kundra erës. Ajo që ju duhet është vetëm një njohje bazë mbi parimet e lundrimit me erën dhe praktikë me varkat profesionale të ndërtuara për të mësuar lundrimin në det.

Provoni windsurf...
Lundrimi me vela bëhet po aq tërheqës kur nuk përdorni varkat me vela, por windsurf-in, i cili veç sa më sipër, kërkon edhe ruajtjen e ekuilibrit të trupit për të mundësuar shëtitjen në det por dhe figurat spektakolare apo garat me përdoruesit e tjerë. Windsurf-e të madhësive dhe vështirësive të ndryshme janë në dispozicion të përdoruesve si atyre fillestarë apo atyre profesionistë.

Edhe për fëmijët...
Mësimi i mjeteve lundruese mund të nisë që prej moshës 5 vjeçare. Pjesë e flotës sonë janë dhe varkat me vela për fëmijë, tek të cilat fëmijët e moshave deri në 15 vjeç mund të mësojnë e praktikojnë brenda të gjithë parametrave të sigurisë lundrimin me varka me vela, për të qenë të gatshëm që kur të rriten, të përdorin ato më të mëdha e të marrin pjesë në garat e bukura sportive.

Flota
Krenaria jonë është një Catamaran Hobbycat në të cilin mund të lundrojnë 4-5 persona njëkohësisht. Por po aq tërheqëse janë dhe varkat me vela të madhësive të ndryshme, apo ato me rrema.
Asgjë motorike, veç mjetit të shpëtimit dhe atij të shoqërimit. Ne ruajmë pastër mjedisin e përkryer që zotëron Shqipëria. Gjithçka lëviz me kënaqësinë e erës që dhuron natyra apo të forcës së krahëve si në pamjet e canoe-ve profesioniste që paraqiten në këto foto. Është një mënyrë e veçantë për t’u dëfryer duke lundruar apo vozitur edhe në ato brigje ku nuk shkel këmba e njeriut, por edhe një zgjidhje e shkëlqyer për të vënë në funksionim dhe zhvillim mendjen dhe muskujt tuaj.

Mësim falas çdo javë
Mësimi dhe praktikimi i mjeteve lundruese kryhet çdo ditë gjatë sezonit veror nën kujdesin e profesionistëve me eksperiencë. Për ata që dëshërojnë të njihen me këto sporte të mrekullueshme, mësimi ofrohet falas 1 herë në javë, çdo të dielë
paradite prej orës 10-11.

Ejani, merrni dhe miqtë tuaj dhe do të mbeteni me mbresa të veçanta nga një eksperiencë e pakrahasueshme.



Siguria mbi të gjitha
Ne punojmë për të krijuar dhe trajnuar një grup të pasionuarish për të realizuar lundrimin me vela përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, prej derdhjes së Bunës deri përtej kanalit të Butrintit.
Edhe pse me profesionalizëm jemi të angazhuar për t’a kthyer lundrimin në det në një kënaqësi të veçantë, siguria vlen përherë mbi gjithçka tjetër.
Përdorimi i mjeteve lundruese mundësohet vetëm pas mësimit të mjaftueshëm dhe njohjes me rregullat bazë të mbrojtjes së jetës, duke veshur detyrimisht kostumet e shpëtimit dhe duke lundruar me mot të përshtatshëm e vetëm në zonat e përcaktuara.
Mjete motorike shpëtimi dhe shoqërimi janë gjithnjë në gatishmëri për t’u përdorur kurdoherë që mund të jetë e nevojshme.
Për çdo pyetje mund të na kontaktoni nëpërmjet numrave të telefonit në faqen e fundit.

Informacion / Rezervime (SMS):
+355 69 340 3265
+355 68 330 7020

Sportet ujore në Shqipëri
Plazhi Velipojë
Pranë lokalit Oaz 2


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama