Spille bregdeti i harruar mes mbeturinash

Spille, bregdeti i harruar mes mbeturinash

Rruga, edhe pse ditë maji dhe shumë e nxehtë, i ka vizitorët e paktë. Fshatarët janë të përqendruar në punët e stinës dhe të vjen keq kur sheh se shumica e transporteve bëhen me kafshë barre. Gomerët i kanë mbrehur në karroca, ose dhe të ngarkuar me bar apo dru. Ata i ndesh në rrugë me shumicë, më shumë se mjetet motorike.

***

Rrugën e shtyn me shpresën se do të kënaqesh pak orë në ajrin e pastër të masivit të pishave bregdetare si dhe në ujërat e pastra të detit. “Rruga është tortura jonë”.

Me këto fjalë të pret në vend të mirëseardhjes një tregtar nga Harizaj. Quhet Halit Lecini dhe ka hapur pranë rërës biznesin e vet. Rroba banje, peshqirë dhe lodra fëmijësh.

“Para 3 vitesh kishim të ardhura më të mira, pasi dhe rruga nuk qe e dëmtuar dhe aq shumë. Tani vizitorët janë më të rrallë, pasi rruga është për ibret. Ishalla do të na e rregullojnë”,- thotë ai. Në fakt, gjithë rruga problematike është 11 kilometër, që e bën udhëtimin të vështirë.

Fshat i bukur bregdetar, mjaft i preferuar ndër vite ka nxjerrë të ardhura të mira nga turizmi. Edhe biznesi, kryesisht ai i tregut të fruta- perimeve është fitimprurës, gjë që ka bërë që sipërfaqet e tokave bujqësore të jenë thuajse të gjitha të mbjella.
 
Të gjitha shtëpitë, përveç hoteleve që ndodhen në bregdet, ofrojnë shtëpi me qira për pushues të ndryshëm, kryesisht nga Elbasani, Berati, por edhe nga vende të tjera.

***

Sapo i afrohesh bregdetit zhgënjehesh. Plehrat i ke anës rrugës kryesore dhe me shumicë. Sipërfaqet e rërës janë plot mbeturina. Pushuesit e paktë, krahasuar me vite më parë, flasin shumë për gjendjen e krijuar.

Në gjithë atë bregdet janë vetëm 3 vetë që lahen e bëjnë banjë dielli. Pasi kalon një varkë me motor të peshkatarëve si dhe disa pedaljera po të peshkatarëve, ndien një erë të rëndë.

Mbi rërën e bregut ndodhet kufoma e një deleje që po dekompozohet nën rrezet e diellit. Kujtdo që vjen nga larg për të kaluar një fundjavë me idenë e një vendi të bukur, nuk do t’i pëlqente që të vinte sërish pranë një pamjeje më se të neveritshme.

Banorët thonë se këtu punojnë rreth 20 punëtore pastrimi, por duke parë pamjen që shfaqet përpara  duket se aty nuk pastrohet. Plehra gjen me shumicë edhe në masivin e pishave.

Banorët thonë se shumë prej mbeturinave janë nga vetë bizneset hoteliere të bregut, të cilët nga njëra anë grishin pushues, e mandej i largojnë po vetë me hedhurinat nëpër rërë e pyll. “Në pikun e verës numërohen 4 mijë vetë që pushojnë”,- thonë vendasit, duke u shprehur dyshues për pushuesit e këtij viti. Ndonëse ata shpresojnë…

***

Përgjatë vijës bregdetare sheh biznese në lulëzim dhe të tjera të lëna në harresë, duket nga mungesa e infrastrukturës dhe vëmendjes për këtë zonë. Pylli, i cili nuk u dëmtua as në vitet 1997, ka filluar të pritet tani. Degët e prera të pishave të shoqërojnë kudo.

Banorët thonë se plazhin kanë filluar ta ndotin edhe ujërat e Shkumbinit, i cili ka ndërruar drejtim dhe i është afruar me 3-4 km grykëderdhje plazhit të Spillesë.

Disa vite më parë ujërat e lumit kanë çarë digën dhe tashmë ato sjellin dhe papastërtitë e zonave të thellësive. Diga është çarë tek Pylli i Kularit, pranë Vilë- Bashtovës.

Me ketë lëvizje të ujërave të lumit, rreth 300 ha tokë i kanë kaluar krahut të Lushnjës. Ka qenë siguruar një fond prej 470 milionë lekësh të vjetra për ta riparuar gjendjen, por tashmë kjo është lënë në harresë. Dhe harresa është e pranishme edhe sot e kësaj dite në këtë plazh të mrekullueshëm.

Mark Brunga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama