Sot pervjetori i vdekjes se Hoxhes nje reformator apo nje vrases?!

Sot, pervjetori i vdekjes se Hoxhes, nje reformator apo nje vrases?!
Sot është përvjetori i vdekjes së Enver Hoxhës, i cili është njeriu që e ndau universin shqiptar në dy mendime të kundërta, për të. Disa e quajnë komandant legjendar, apo udhëheqës popullor, ndërsa disa të tjerë e cilësojnë thjesht, një “vrasës”. Madje më të rrezikshëm se vrasësit me pagesë, sepse ai cilësohet si “vrasës me pushtet”. Në Shqipëri ka 21 vjet që përvjetori i vdekjes së tij, përshkruhet nga indiferenca e përgjithshme zyrtare, por edhe nga organizime periferike të komunistëve që e mbajnë akoma në shtëpi fotografinë e tij.

Sot, tek varri i tij në Sharrë natyrisht nuk do të mungojnë kurorat e luleve nga mbështetësit e tij, por as mallkimet e njerëzve të thjeshtë të këtij universi, të cilëve ai i shkatërroi fatin e jetës. Mbi varrin e tij, gjithashtu, sot është përgatitur një fjalim ceremonial, nga Hysni Milloshi, por zhurma e altoparlantëve nuk e mbulon dot ngashërimin e nënave fatkeqe, dhe ulërimat e fëmijëve jetimë, që u rritën pa baballarë dhe pa nëna, sepse urdhri i Enverit i pushkatoi ose i vari ata me litar, pa kryer asnjë faj. Kjo ndodhi në 45 vitet e diktaturës më të tmerrshme të historisë europiane, gjatë gjysmëshekullit të dytë, ku emri i Enver Hoxhës brohoritej me barazvlershmërinë e një shenjtori dhe njëkohësisht urrehej, apo krahasohej me rrezikshmërinë e një gjarpri.

Në këtë mënyrë, në këtë përvjetor të vdekjes së tij, redaksia e gazetës “Sot”, ka hapur faqet e saj, për të analizuar gjëmën e 45 viteve të kaluara, ku shpesh rigjenerimi i jetës njerëzore me anë të projekteve urbane, shoqërohej me tegelin e plumbave të qepura nga skuadra e pushkatimit, në gjokset martire të atyre që guxuan të kundërshtonin, ose të atyre që nuk bënë asnjë faj. Fatkeqësia e tyre kishte të bënte vetëm me faktin se ata u ndodhën aty në një moment të gabuar, kur oreksi i gjaksorit kërkonte kurban.

Por gjithashtu, duke evidentuar kartotekën e krimit, nuk duhet harruar edhe fakti tjetër pozitiv që ka të bëjë me zhdukjen e analfabetizmit, zhdukjen e gjakmarrjes, rigjenerimin e shërbimeve mjekësore, garancinë e punësimit, etj., etj. Tolstoi, thotë se “kur bën gjysmën e parë të rrugës njeriu mendon për atë që ka lënë prapa, ndërsa kur ai bën gjysmën e dytë të rrugës mendon për atë që do të gjejë përpara”. Aktualisht, ne jemi në një konfuzion. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, Berisha, Nano, Gjinushi etj, ishin në krye të organizatave të tyre për ta kthyer dhimbjen në forcë. Madje ata ishin në garë se kush do të mbante kurorat e institucionit, gjatë ceremonisë. Sasia e lotëve që u derdhën gjatë atyre ditëve prej shumicës së politikanëve të sotëm mund të konkurronin me Liqenin Artificial. 

Servilët

Pas ceremonisë së varrimit, nisi gara e servilizmit të individëve për t’u treguar sa më të zellshëm në lidhje me respektin ndaj Enverit. Kudo nëpër shkolla filluan të bëheshin lulishte në formë ylli, ku shkruhej emri i tij, organizatat e shumta të fatosave, pionierëve, universiteti i Tiranës, fabrika e uzina të ndryshme morën gjithashtu emrin e tij. Në ato ditë dëshpërimi, ku dukej se Shqipëria kishte marrë plagë të parigjenerueshme, u zhvillua një konkurs i heshtur apo i pashpallur letrar midis emrave më të mëdhenj të letërsisë shqiptare. Në këtë  “konkurs” paraqiteshin krijimet më të mira poetike për Enver Hoxhën.

Ato botoheshin në Zërin e Popullit”, apo edhe në gazetat e tjera. Midis këtyre poetëve  spikatën sidomos, figurat më të shquara, plot virtuozitet dhe talent. Ndërkaq redaktorët e gazetave shfrytëzuan kohën e duhur për të botuar nga dy tri herë poezi të ndryshme për dhimbjen kombëtare, plot fantazira dhe figura letrare. Ndërkohë talentët e rinj të asaj kohe që sot janë bërë figura të njohura të politikës dhe jetës shoqërore rrinin me fletore në duar, tek dera e redaksive për t’i mbushur mendjen redaktorëve lidhur me botimin e një poezive të vetme. Për hir të së vërtetës, në këtë garë krijuesish, poezia e Dritëro Agollit spikati artistikisht mbi të tjerët, pavarësisht nga ngulmimi i Kadaresë dhe Fatos Arapit për të fituar simbolikisht çmimin e parë. Diku më tutje rrinte i xhelozuar Xhevahir Spahiu, poezia e të cilit bënte një garë serioze me atë të Bardhyl Londos, por midis gjetjeve artistike padyshim, që befasia e Koçi Petritit, kishte një rrezatim tjetër.

E gjithë kjo garë shurdhuese për të shprehur zellin ndaj diktatorit, ishte para së gjithash një garë mbijetese. Askush në Shqipëri nuk kishte ndonjë rrugë të ndërmjetme që t’ia hidhte zyrtarëve mediokër duke folur me dy kuptime. Në rastin e vdekjes së Enverit, dykuptueshmëria nuk mund të llogaritej. Ndërkaq, në Kinostudio nisi gara e regjisorëve të filmit dokumentar për të realizuar xhirimet e tre filmave të tillë Brenda një viti. Dy prej këtyre filmave i morën 2 regjisore femra, dhe njërin, atë më kryesorin e morën dy regjisorë që punonin vazhdimisht së bashku. Për hir të së vërtetës filmi i tyre u vlerësua nga zyrtarët e lartë, duke marrë edhe nga një shpërblim. Por ndërkaq gara më e madhe po bëhej në artet figurative dhe sidomos në skulpturë. U hapën disa konkurse për përfaqësimin e figurës së Enver Hoxhës në qytetet, Tiranë, Gjirokastër, Korçë, etj, ku padyshim projektet e paraqitura kapnin standardet e kulminacionit.

Në këtë garë mbijetese askush nuk mbeti prapa të tjerëve. Madje, gjatë diskutimeve para varrimit, disa propozonin variantin e muazoleumit, por më vonë pas kundërshtimeve të byroistëve njerëzit e ulën dozën e servilizmit. Madje në njërën prej mbledhjeve të kinostudios, ku një regjisor i njohur përsërit kërkesën për ta futur Enverin në Mauzoleum, Foto Çami që ishte i pranishëm ulëriti brutalisht duke thënë: A nuk e kuptoni se vendvarrimi i tij, është pjesa e amanetit që na la”. Gjatë atyre ditëve, Sabri Godo ngjiti shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve duke kërkuar nga Dritëro Agolli, që atij t’i jepej e drejta e botimit të biografisë së Enver Hoxhës.

Por Nexhmije Hoxha ishte kundër. Ndërkaq, kërkesa e Godos për shkrimin e këtij libri nuk buronte shumë nga dashuria e tij për Enverin, por ndofta nga kureshtja për të njohur thellësinë e krimit të bërë. Nga ana e vet, Ismail Kadare planifikoi një libër të posaçëm për Enverin, përveç disa librave të tjerë që kishte botuar më parë. Brenda një kohe të shkurtër, arti shqiptar u mbulua me preokupimin e krijimtarisë për Enver Hoxhën. Natyrisht shumica e atyre që u krijuan në atë periudhë, për të mos thënë të gjitha ato që u prodhuan nën këtë frymë rezultuan si skarcitete. Dhe si për ironi, më i miri i të gjithëve rezultoi libri i Blendi Fevziut që u shkrua rreth 25 vjet më vonë. 

Skulptura

Por në lëmin e skulpturave, rezultati ishte më i prekshëm. Përkohësisht monumentet e Enverit bllokuan pamjet e qyteteve që lidheshin me veprimtarinë e tij, por më vonë rezultoi se bronxi kishte shkuar dëm. Sepse bustet e tij, së bashku me ato të Stalinit përfunduan në magazinat e skrapit, ose u bashkuan me bustet e Hitlerit dhe Duçes të cilat qëndronin në Kinostudio dhe mbetën pa pronar. Gjithashtu zhvillimi i dramaturgjisë rifilloi t’i rikthehej figurës së tij, Drama e njohur “Komunistët”, u rivu në skenë dhe pati suksese rekord. Çdo natë salla ishte plot.

Në muzikë, këngët për Enverin ishin gjithashtu të pranishme, por gjithmonë jashtë konkurrimit festivalor. Kjo ndodhte sepse këngët për të ishin nga më mediokret. Ndërkaq, udhëheqësit e rinj komunistë filluan të silleshin si shërbëtorë të bindur ndaj Nexhmije Hoxhës. Lidhja e Kadaresë me të vejën e Enverit ishte një lidhje që funksionoi për keq, por gjithsesi ishte një lidhje që nuk vazhdoi gjatë. Regjisorët dhe skenaristët e  filmave vrapuan për të paraqitur projekte skenarësh, por pranimi i tyre vështirësohej nga niveli i ulët. Në anën tjetër, varfëria po shtohej dhe shpresa po venitej. Universi shqiptar po bindej se Ramiz Alia nuk e mbante dot peshën e reformatorit, prandaj një pjesë e intelektualëve e humbën besimin tek ai. Dukej se frika po shuhej dhe diktatura po zbulohej me lakuriqësinë e vet. Ramiz Alisë po i numëroheshin ditët e drejtimit të shtetit. Ndërsa kryeministrit Adil Çarçani po i afrohej skleroza e pleqërisë, ndërkohë që Shqipëria ishte vendi me mesataren e moshës më të re në Europë.

Sulo Gradeci: Ju rrëfej bisedat e fundit me Enverin

Sulo Gradeci, ish drejtuesi i lartë i njësisë së truprojave të Enver Hoxhës, ka folur për gazetën “Sot”, duke rrëfyer dy nga detajet e kujtimeve të fundit që kanë lidhje me ish-sekretarin e parë. Në një farë mënyre, të dy fragmentet e kujtimeve të Gradecit kanë lidhje me pasionin e Enverit për artin. Në rastin e parë, Enveri i ka kërkuar atij fotografi nga lagjet e Gjirokastrës dhe në rastin e dytë, ai ka nisur të këndojë labçe dhe i vetëm brenda, në dhomë ku gjendej i sëmurë rëndë.

Zoti Sulo, çfarë mbani mend nga ditët e fundit të Enver Hoxhës?

Ato ishin ditë të mbushura me tension dhe me shumë emocione tronditëse. Gjendja e tij po keqësohej dhe dukej se mjekët nuk mund të ndryshonin dot asgjë në ecurinë e sëmundjes. Në këto momente, sigurisht që ndjeheshim shumë të pikëlluar për të.

Cila ishte biseda e fundit që bëtë me të?

Ishin disa të tilla. Mbaj mend se në njërën prej këtyre ditëve të fundit më thirri dhe më pyeti: Ku janë mjekët”? Unë iu përgjigja: Janë këtu, pranë nesh. Dhe ai më pyeti prapë: çfarë thonë mjekët për mua, mos vallë më dinë se nuk mund të shërohem më”? Dhe pastaj vazhdoi: Por unë do të shërohem shpejt dhe do të bëhem mirë, sepse e ndjej veten të fortë akoma. Veçse kam një hall”. Çfarë halli? E pyeta unë. Dhe ai mu përgjigj: Unë dua disa pamje fotografike nga lagjet e Gjirokastrës. Më ka këputur malli për Gjirokastrën por tani nuk mund të shkoj atje. Do shkoj kur të bëhem më mirë, por tani dua disa fotografi të qytetit tim. Prandaj, të lutem ma plotëso këtë dëshirë”. Patjetër i thashë unë

Si vazhdoi më tej biseda juaj?

Pastaj ai më këshilloi të mbaja shënim emrat e lagjeve, nga i donte fotografitë, ndërsa unë i shënoja në një letër. Dhe pas bisedës me të, unë thirra profesionistët e njohur të fotografisë, duke i sqaruar se çfarë duhet të bënin. Ata shkuan në ato lagje të Gjirokastrës dhe e kryen më së miri detyrën e tyre. Të gjithë mbetëm të kënaqur, por sidomos Enveri. Ai kishte një dëshirë dhe një mall të paparë për të vizituar Gjirokastrën në ato ditë të vështira të sëmundjes së tij, por mjekët nuk e lejonin të udhëtonte. Dhe kjo gjë ishte e natyrshme për atë periudhë.

Po tjetër, çfarë keni biseduar me të?

Një nga episodet e fundit që mbaj mend dhe që nuk e kam treguar asgjëkund, ka lidhje me një këngë për Vlorën.

Çfarë kënge?

Atë ditë gjendja e tij ishte e keqësuar, por ai kishte gjithmonë një arsyetim dhe perceptim të qartë të fenomeneve. Tani thonë plot thashetheme për gjoja probleme të gjendjes mendore, por këto janë broçkulla. Enveri asnjëherë, nuk e humbi ekuilibrin mendor, sepse kishte reflekse mjaft të sakta.

Çfarë ndodhi atë ditë?

Ne po qëndronim jashtë derës së dhomës, por po ndiqnim me kujdes çdo lëvizje të tij. Dhe në atë moment Enveri po qëndronte pranë dritares. Ne qëndronim në një heshtje të plotë dhe nuk lejonim askënd të bënte zhurmë. Në atë çast, Enveri ia mori një kënge me zërin e tij të njohur. Ishte një këngë labçe të cilën ai e kishte pasur qejf gjithmonë. Dikur e këndonte bashkë me Demir Zykon, bilbilin e muzikës popullore, të cilin e merrte në makinë gjatë udhëtimeve. Dhe këndonin të dy bashkë. Mbaj mend se me Demir Zykon kishte qejf të këndonte edhe këngën e njohur popullore “Mbeçë more shokë, mbeçë”.

Pra, çfarë ndodhi kur ai nisi të këndonte në dhomë?

Ai filloi me një zë melodioz, por natyrisht pak të pikëlluar. Sepse edhe vetë kënga ishte e tillë: Ajo fillonte me fjalët: O Adriatik i mjerë/ pse sjell dallgë dhe këtë herë”? Pastaj Enveri vazhdoi: “Pse sjell dallgë edhe furtunë, Vlorën dhe Karaburunë ta zunë”, etj, etj.

Po ju si vepruat në atë çast?

Ne na u mbushën sytë me lot nga mallëngjimi. Dhe qamë. Por nga njëra anë edhe gëzoheshim që ai në atë gjendje mjaft të rëndë, po këndonte. E kishte mundur diagnozën e sëmundjes dhe kishte gjetur forca të rikthehej tek pasioni i tij muzikor për këngën popullore. Ne na vinte mirë edhe për faktin tjetër se ai i mbante mend fare mirë fjalët e tekstit të këngës. Pastaj, një ditë tjetër më thirri përsëri dhe më tha disa gjëra të tjera.

Çfarë gjërash?

Nuk mund t’ua them të gjitha, për arsyen e vetme se unë së shpejti do të nxjerr librin tim të kujtimeve. Tani besoj se është koha e duhur që të publikoj të gjitha të pathënat e mia, sepse koha po ikën dalëngadalë dhe këto ngjarje nuk mund t’i mbaj të fshehura, tek vetja ime. Do t’i publikoj shumë shpejt dhe mendoj se njerëzit do t’i presin me ngrohtësi. Kjo epokë është një pjesë e jetës sonë të përbashkët.

Ceremonia e varrimit të Enverit

Menjëherë pas lajmit të vdekjes së Enver Hoxhës, Sulo Gradeci dhe organizatorët e varrimit të tij thirrën dy grimierët më të mirë, njëri nga Kinostudio Shqipëria e Re” dhe tjetri nga Radiotelevizioni shqiptar. Arsyeja ishte e thjeshtë, ata do t’i bënin maskën e vdekjes, udhëheqësit shqiptar. Pastaj nisi zia kombëtare. Uzinave, shkollave ndërmarrjeve dhe punëve bujqësore iu vu dryni. Gjatë atyre ditëve të zisë askush nuk punonte. Ishte përmbysur nota. Në sheshin Skënderbej shiriti i gjatë i njerëzve që shkonin nga Pallati i Kulturës deri në Presidencë, për të bërë homazhet e rastit, shkelte mbi “rrëkenjtë” e lotëve, që kishin mbushur bulevardin. Në rresht ishin të gjithë bashkë, oficerë e kooperativistë, punëtorë dhe intelektualë, mësues dhe nxënës shkollash, prindër dhe fëmijë. Të gjithë përpiqeshin të mbani njëri tjetrin, duke e lehtësuar nga të qarat, por ndërkaq secili prej tyre mezi mbante veten e vet. Në këto homazhe spikatën fytyrat e njohura të intelektualëve shqiptarë, disa prej të cilëve mbanin shirita të zinj, në krah, duke luajtur edhe rolin e dezhurnit që mban rregull. Ato ditë, distanca nga sheshi tek universiteti kërkonte dy orë për t’u kaluar.

Flasin ish- të burgosurit politikë/Si e pritëm lajmin e vdekjes së Enverit në qelitë e burgjeve

Në ditën e varrimit të Enver Hoxhës binte shi. Por në anën tjetër të realitetit kishte vetëtima. Pjesa e errësuar e tunelit nuk shpresonte asnjë xixëllimë drite, apo shprese, pavarësisht, se kolona kryesore që kishte mbajtur arkitekturën e krimit, kishte rënë. Dhe për të hapur krejtësisht katalogët e asaj periudhe historike, ne iu drejtuam disa njerëzve të shquar të këtij kombi që dikur thirreshin me emrin “armiq”. Por ata janë një pjesë e gjallë e mozaikut të lavdisë dhe rezistencës kundër të keqes. Sepse shumë të tjerë, gjatë ndeshjes me përbindëshin e diktaturës, kanë vdekur. Ndërsa të tjerë, janë arratisur dhe si për të dëshmuar se e keqja nuk ka fund, një pjesë e madhe janë çmendur në burgjet shqiptare, duke mos qenë në gjendje të konvertojnë me fjali shprehëse, barbarinë që u ushtrua ndaj tyre.

Adem Allçi: Vdekja e Enverit një ditë fatlume

“Dita e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha ka qenë një ditë fatlume dhe e gëzueshme, për të gjithë ish të përndjekurit politikë, në burgjet e Shqipërisë”. Kjo ishte deklarata e djeshme e njeriut që prej vitesh sintetizon simbolin e rezistencës kundër tiranisë. Duke folur për këto momente, Allçi vijon të tregojë se atë ditë në mjediset e burgjeve politike pati një lëvizje të jashtëzakonshme zyrtarësh dhe delegatësh të ardhur nga jashtë. Bënin orë pas ore mbledhje të zgjatura, me ish të burgosurit politikë. “Kjo ndodhte sepse ata donin që të mos të na linin kohë të gëzoheshim, por të na e zinin plotësisht, kohën me konferenca e mbledhje të pafundme, në mënyrë që ne të mos i shprehnim dot hapur dhe lirisht, njëri-tjetrin, entuziazmin që na kishte mbërthyer”, thotë ai.

Megjithatë, sipas Allçit, kjo ndihej nga shkëlqimi i syve të këtyre njerëzve të kryqëzuar pas hekurave, vetëm për fajin e vetëm, se ata nuk e donin diktaturën dhe e kishin kundërshtuar atë. Dhe për këtë arsye secili prej tyre kishte organizuar barrikadën e vet të rezistencës, qoftë duke kundërshtuar, ose , qoftë duke tentuar arratisjen, në mënyrë që pas ikjes të mos dëgjonin më, çmenduritë dhe lajthitjet e presidiumeve komuniste. “Ne, kujtuam se pas vdekjes së Enverit, gjithçka do të ndryshonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu”, thotë me dëshpërim, Adem Allçi. Sepse, sipas tij, “Ramiz Alia montoi një sistem kriminal, po aq të rrezikshëm dhe kriminal, sa i pari, por iluzionet e të përndjekurve politikë kishin pasur nevojë për një çengel shprese”.

Dhe ditë pas dite, shpresat po veniteshin. Në horizontin gri, të universit shqiptar me sa dukej ishte shfaqur një tigër i ri, por këtë radhë me lëkurë lepuri. Ose, ndofta një lepur që kishte marrë në dorë perandorinë e përbindëshit. Ishte Ramiz Alia. Duke lëvizur ingranazhet dhe valvolat e krimit, ai trembi dalëngadalë ëndrrat e shqiptarëve që kishin shpëtuar nga muri i pushkatimit dhe që kërkonin melhemin e rigjenerimit. Por pikërisht, tek këto skema perverse, të njeriut që donte të përhapte me deklarata imazhin e një demokrati, por që urdhëronte ngritjen e trekëmbëshave, ndodhej bomba me sahat e së ardhmes. Kjo bombë mund të shërbente për të hedhur në erë të keqen, por Ramizi bëri të kundërtën. Me atë bombë, ai i bëri atentat së nesërmes, duke afruar në politikë, njerëzit që vuanin nga ethet e pushtetit dhe servilët më të bindur të sistemit, të cilët ndjenin që larg aromën e rimesos së kolltuqeve.

Tmerri i tmerreve

Por e keqja nuk njihte limite të shkallëzimit të vet. Sipas Adem Allçit, “kjo e keqe, atë ditë të vdekjes së Enverit shpalosi një përmasë ogurzezë, e cila të trondit edhe kur përmendet, tani, 26 vjet më vonë. Pra, sot kur dëgjon rrëfimin e Allçit, njeriu nuk ka se si të mos rrënqethet nga përmbajtja e ligjëratës së tij. “Atë ditë në kamp na erdhën ca zyrtarë që na kërkuan të bënim një telegram ngushëllimi për Nexhmije Hoxhën. Ky telegram pak, a shumë duhej të kishte këtë përmbajtje: “Ne, të burgosurit politikë, ju shprehim ngushëllimet tona për vdekjen e bashkëshortit tuaj dhe udhëheqësit të madh e të lavdishëm të vendit tonë. Me këtë rast, ne, ndihemi shumë të pikëlluar dhe e ndajmë këtë pikëllim me të gjithë Shqipërinë, si edhe me familjen tuaj të nderuar”.

Ky ishte projekti i letrës që do t’i dërgohej Nexhmijes atë ditë. Por Adem Allçi i tha, “jo”, një turpi të tillë. “Nëse ne do të pranojmë të firmosim këtë letër atëherë të gjitha sakrificat tona dhe i gjithë vetëmohimi i këtyre viteve do të konsiderohet i pavlefshëm”, u tha ai shokëve. Dhe duke vijuar bashkëbisedimin me ne, Allçi vijon: “Ne nuk mund ta pranonim kurrë atë turp, sepse e dinim fare mirë, se ajo letër e bardhë, në të ardhmen do të konsiderohej si një njollë e zezë, për rezistencën tonë”, shprehet ai. Nga ana tjetër duke hedhur me rrëmbim penelatat e urrejtjes mbi portretin e diktaturës, ai ruan tonet e qeta për intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë: Unë nuk kam asnjë inat me ata”, përfundon ai.

Kurt Kola: Ne e kishim parashikuar vdekjen e tij në Mars

“Me ish të burgosurit politikë të Burrelit ka ndodhur një fenomen i çuditshëm, sepse ne, e kishim parashikuar vdekjen e Enver Hoxhës, shumë kohë para se t’i vinte dita”. Kështu, e nis rrëfimin e tij, kreu i ish të përndjekurve, Kurt Kola, i cili thotë se nga ato që dëgjonin për gjendjen shëndetësore, vdekja e Enverit ishte parashikuar në mars. Më tej Kola tregon se, rastësia bëri që edhe në mëngjesin e asaj dite prilli, të burgosurit politikë ta merrnin vesh vdekjen e Enverit, përpara se këtë gjë ta mësonte komanda e burgut. Duke zbërthyer kasafortën e kujtesës, ai tregon një e nga një detajet e këtij misteri.

“Atë ditë në orët e mëngjesit, ndryshe nga ditët e tjera, altoparlanti, filloi të jepte muzikë me këngët patriotike të grupit të Korçës. Dhe pas mbarimit të tyre, radioja nisi menjëherë muzikë funebër, duke e prishur ritualin e përditshëm. Atëhere, ne i thamë njëri-tjetri: “Paska ngordhur qeni”, pohon Kola duke shtuar se: “Dhe nisëm të diskutojmë për të gjitha këto, ndërkohë, që dhoma jonë me numër 5, u bë shumë shpejt një parlament i vogël debatesh mbi të gjitha ato, që paramendonim se mund të kishin ndodhur. Natyrisht, pati opsione të ndryshme, por gjithsesi, për një gjë ishim krejt të bindur: diktatori kishte cofur”. Më tej Kurt Kola e vazhdon rrëfimin e tij në këtë mënyrë: Duke bërë këto bisedime në dhomë, papritur polici i burgut na dëgjoi, se çfarë po thoshim. Dhe menjëherë, ai shkoi dhe raportoi në komandën qendrore se, “të burgosurit thonë, që Enver Hoxha ka vdekur”.

Natyrisht, të gjithë drejtuesit ngritën supet sepse askush prej tyre nuk ishte informuat në ato orë të mëngjesit. Por më vonë kur gjërat u kristalizuan, ndodhi ajo që pritej. Komanda urdhëroi që të na mbyllnin 20 ditë në dhoma izolimi, pa dalë fare. Gjatë këtyre ditëve ne diskutonim dhe mendonim se çfarë ndryshimesh priteshin nga politikanët e tjerë që kishin mbetur dhe sidomos debati kryesor ishte për Ramiz Alinë. Në fillim shpresuam, por brenda disa ditësh u zhgënjyem dhe e kuptuan se edhe Ramizi ishte një pasardhës i kazanit të plehrave, komuniste. Sepse, ai që në fillim nisi me deklaratat e tij për ditën e Enverit, për javën e Enverit, muajin e Enverit e kështu me radhë. Pra, ne, nuk kishim asnjë hije dyshimi, se ky frikacak dhe ky i paaftë, do të vazhdonte rrugën e babait të tij shpirtëror. Ndërkaq, duke folur për shokët e dhomës, si Sherif Merdanin, apo për ata të dhomës tjetër, si Daut Gumeni, Pjetër Arbnori etj, Kurt Kola shprehet se “të gjithë ne, arritëm në një përfundim unik: “Te Ramiz Alia, Shqipëria nuk mund të kishte asnjë lloj shprese për ndryshime demokratike”.

Simon Miraka: Lajmin  e mora vesh nga stacioni italian

“Kur vdiq diktatori Enver Hoxha ne, vazhdonim dënimin në Gjuz, të Lushnjes. Gjithçka e kishim marrë vesh nëpërmjet stacionit italian të radios dhe më vonë, pamë helikopterët që lëviznin vazhdimisht, si edhe vumë re shtimin e numrit të oficerëve dhe ushtarakëve”. Ky është një fragment i rrëfimit të kreut të ish të përndjekurve politikë, Simon Miraka, i cili e vijon tregimin e tij, duke thënë, se, në ato moment, të gjithë të dënuarit dhe të internuarit provuan emocione gëzimi. “Të gjithë u gëzuam, sepse kishte vdekur një kriminel”, vë në dukje ai. Gjithashtu, Simon Miraka thotë se “po atë ditë zyrtarët dhe oficerët na mblodhën në një si gjoja ceremoni mortore, për vdekjen e sekretarit të Parë. Por aty, ata vunë re se askush prej nesh nuk po qante dhe se askujt prej nesh nuk po i dhimbsej vdekja e diktatorit. Prandaj, njëri prej oficerëve tha: “Ne po flasim, por këta nuk po qajnë”. Dhe duke u shkëputur nga detajet e asaj dite prilli, Simon Miraka paraqet para audicionit të sotëm arsenalin e shpresave të mëdha që rilindën në ato çaste tek ish të përndjekurit politik. Por menjëherë, pyetjeve që mund të lindin, Miraka i jep vetë përgjigje duke thënë: “Në fakt ne, shpëtuam prej diktatorit dhe shpresuam për ndryshime demokratike, por papritur ramë në një diktaturë të re, njëlloj të rrezikshme dhe vrastare sa ajo e para. Pra, sipas tij, me vdekjen e diktatorit nuk vdiq edhe diktatura, por ndodhi e kundërta. Diktatori u zëvendësua nga një tjetër dhe kështu që vuajtjet e shqiptarëve vijuan me të njëjtat parametra. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë vetë Simon Miraka, është ridënuar përsëri, për motive politike, pikërisht, në vitin 1989, atëherë kur gjithkush mendonte se diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit të vdekjes klinike. Megjithatë, ridënimi i Mirakës tregoi qartazi te ai dhe tek njerëzit e tjerë, se gëzofi i përbindëshit mund të ndërrohej, por agresiviteti dhe barbaria e tij, mbeteshin njëlloj të rrezikshëm sa edhe më parë.

Alimadhi: Si e përjetuan ballistët ditën e vdekjes së Enverit

Ballistët u gëzuan për vdekjen e diktatorit por nuk patën iluzione, nëse nuk rrëzohej I gjithë sistemi. Kështu shprehet kryeballisti Alimadhi, i cili nënvizon se në ato 50 vite të diktaturës janë pushkatuar, dënuar, apo internuar me mijra shqiptarë dhe kjo tregon se ballistët nuk besonin se puna mund të ndreqej, kollaj nëse ngrehinës komuniste nuk i vihej buldozeri. Shumë ballistë ishin burgosur e internuar, shumë të tjerë ishin pushkatuar dhe një pjesë tjetër kishin emigruar. Ndërsa vdekja e Enver Hoxhës, nuk jepte shpresa të qarta nëse krimbi komunist nuk shtypej krejtësisht. Ndërsa në lidhje me intelektualët që u kthyen në vajtimtarë të Enver Hoxhës, ballistët mendonin se gjithmonë Shqipëria e ka pasur problem këtë gjë. Disa intelektualë, sipas ballistëve janë shtirur dhe i kanë shërbyer çdo lloj diktature në Shqipëri. Për këtë ai thotë: “Shikoni ditëlindjen e Dritëro Agollit, ku të gjithë i silleshin me nderime. Po a ka pasur komunist më të betuar se Agolli e Kadare, në këtë vend, ku tani hiqen si disidentë. Kur janë bërë disidentë vallë. Nga ana tjetër kemi rastin e Kristo Frasherit i cili është nderuar me titullin “Nderi i kombit”. Ai është një ndër 200 komunistët e parë, dhe këta janë turpi i këtij kombi”, përfundon kryeballisti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama