Sondazhi 90 e shqiptareve duan raporte miqesore me Serbine

Sondazhi: 90% e shqiptareve duan raporte miqesore me Serbine

Nuk do ta besoni por këto janë statistikat e një anketimi të zhvilluar pikërisht me qytetarë shqiptarë… Plot 90% e tyre mendojnë se marrëdhëniet me Serbinë duhet të jenë me të mira dhe normale në të mirë të dy vendeve.

Sipas këtij sondazhi, shoqëria shqiptare në shumicën e saj më të madhe i mendon si “normale” marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. 45.6% e të anketuarve mendojnë kështu, përkundër rreth 29% e të pyeturve që i mendojnë “të këqija”.

Një kuotim më të lartë kanë marrëdhëniet mes dy qeverive. 54.7%  e të pyeturve thonë se, marrëdhëniet mes Beogradit zyrtar dhe Tiranës zyrtare i shohin si “normale”, ndërsa 18.8% si “të këqija”.

Në shumicë dërrmuese, të anketuarit kanë besimin se marrëdhëniet do të përmirësohen në të ardhmen, ndërsa surprizuese është bindja e qytetarëve shqiptarë, ku mbi 90% mendojnë se normalizimi është në të mirë të të dyja vendeve.

Me publikimin e këtij sondazhi për përceptimin e qytetarëve shqiptarë për marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Serbisë, është inaguruar Qendra për marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe.

Kjo qendër zyrtarizon bashkëpunimin e shoqërisë civile në Tiranë e Beograd dhe konkretisht bashkëpunimin mes Institutit të Studimeve Ndërkombëtare nga Shqipëria dhe Lëvizjen Europiane të Serbisë.

Kjo me bindjen se vetëm bashkëpunimi kapërcen ngërçin e mungesës së komunikimeve të së shkuarës.

“Ky instrument do të ndihmojë në përmirësimin e klimës në marrëdhënet mes dy vendeve”,- u shpreh Albert Rakipi, nga Instituti për Studime Ndërkombëtare.

Ndërkohë, shqiptarët shohin Greqinë si kërcënimin e tyre të parë. 31.6% e të anketuarve e mendojnë këtë, ndërsa Serbinë e shohin të dytën në listën e disa vendeve të përfshira në anketim me 27.8%.

Qytetarët shqiptarë besojnë në shumicën e tyre se mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tashmë kushtet për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore, por shumica dërrmuese e të anketuarve, në masën 72%, nuk ka asnjë dyshim se përgjegjëse për ndeshjen e shkatërruar në Beograd ishte Serbia.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama