Skicat e panjohura qe tregojne jeten ne kazermat e kampit te Tepelenes

Skicat e panjohura qe tregojne jeten ne kazermat e kampit te Tepelenes
Nga arkivi i Ministrisë së Brendshme dalin skicat e realizuara nga Lekë Previzi, një ish i internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, që u mbyll në vitin 1954

Këto shtatë vizatime të realizuara nga piktori Lek Previzi, i dënuar politik në atë kamp, paraqesin një pamje të përgjithshme të jetës brenda kazermave të Kampit të Tepelenës, ku rrinin mbyllur të internuarit. Sipas statistikave të arkivit të Ministrisë së Brendshme, që më 1945-ën, që ishte dhe viti i parë i internimit, në këtë kamp vdiqën 260 vetë, sidomos fëmijë dhe pleq. Siç kujton autori i këtyre vizatimeve, Lekë Previzi, kazermat ishin me përmasa ciklopike, 25 x 14 m dhe ato mund të mbanin mbi 600 veta, sepse kishte shumë familje me fëmijë të vegjël që zinin më pak vend. Të gjithë të internuarit u vendosën në këto kazerma, rifuxho, drejt e mbi shtresën e betonit që kishin qenë të ushtrisë italiane. “Prerje e një kazerme me skelet dykatësh, ku rrinin, poshtë familjet me fëmijë, lart të rritur e beqarë”, – kujton Previzi.

Në kampin e Tepelenës u dërguan të gjitha familjet e mëdha të Veriut, si dhe familje të tjera po të krahinave veriore. Sipas udhëzimeve, aty do të grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionarë, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar, agjentë të huaj etj. Në kampet e internimit në Berat, Kuçovë, Tepelenë, Turan, Porto- Palermo dhe më pas në Lushnjë, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, nga viti 1945 deri në vitin 1990 u internuan familje të mëdha nga Veriu i Shqipërisë si: Kaloshët, Bajraktarët e Kukësit, Bajraktarët e Malësisë së Madhe, Gjonmarkajt, Manajt, Demajt, Kalajt, Previzët, Mirakajt, Gashët, Lufajt, Dinejtë dhe Ndreu.

Ndërsa në kampet e internimit në Valias, Krujë, Lezhan, Maliq, Zvërnec, nga viti 1945 deri në vitin 1954 të internuarit ishin kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. “Ajo që të binte në sy në Tepelenë, ishin gratë e fëmijët, të cilët përbënin shumicën dërmuese. Pastaj pleqtë e plakat. Shumë ishin të rejat e të rinjtë të rritur në kondita kampi, që ishin internuar që më 1945-ën, në moshën rreth 12-14 vjeç, e tani ishin 17-18 vjeç. Më pak ishin burrat, sepse shumica e tyre mbushnin burgjet. Në Tepelenë, nga 1950-ta filluan të sillnin ata burra që kishin kryer dënimin fillestar 5-vjeçar”, –kujton Previzi. Po sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, të bëra publike në albumin “Terrori Komunist në Shqipëri”, nga viti 1945-1990 janë internuar gjithsej 48 217 burra dhe 10 792 gra. Nga qytete kryesore dhe nga zonat kufitare u dëbuan 11 536 familje. Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan të gjithë në fushën e Myzeqesë të Lushnjës, të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës ‘29 Nëntori’. Këto skica të Lekë Previzit janë të vetmet dokumente të mbetura nga ai kamp ku vdiqën me qindra njerëz, shumë prej tyre fëmijë, gra dhe pleq.

Shumë prej të internuarve në këtë kamp përfunduan në kampe me punë të detyruar në bonifikim, bujqësi, veprave industriale dhe kampet e punës së detyruar nëpër miniera. Sipas urdhrit të internimit të familjes Previzi, Lekë Previzi u internua në burgun e Tepelenës, për arsye se babai i tij u dënua në mungesë si kriminel lufte. Ish-komandant i forcave mercenare të Veriut, i ati u arratis pas çlirimit jashtë vendit. Familja Previzi qëndroi në internim deri në vitin 1990.

Torturat në burgje

Në një letër dërguar Komitetit Qendror nga prifti katolik, Dom Simon Jubani, gjatë kohës që vuante dënimin në burgun e Burrelit, ai shkruan për kushtet e rënda të jetës në burg dhe për torturat që u bëheshin të burgosurve. Në Burrel është përdorur gjerësisht tortura e provokimit të vdekjes me pakësimin gradual të ushqimit. Sipas arkivit të MB, nga kjo lloj torture ka vdekur ish-kryeministri i qeverisë së Zogut, Koço Kota.
Letra e Simon Jubanit
Burrel 16/XII/1971
Komitetit Qëndror
Ndër torturat më shtazarake që pësojmë në burgun e Burrelit, s’parit është tymi i druve ose i qymyrgurit që ndezet në mangall midis dhomës ku vuajmë dënimin; s’dyti zhurma që nuk pushon dot as natën.
Nuk pretendoj të kemi banjo ashtu sikurse thuhet se kemi; se nuk kërkoj me na çlirue prej shputave, grushtave, fymjeve të përditshme, por u lutem urdhëroni autoritet e Burrelit t’na çlirojnë prej tymit që na verboi sytë dhe na mori frymën; t’na çliroj prej zhurmave që na shkatërruene sistemin nervor, s’paku mos të kemi zhurma kur flejmë.
Për arsyet e nalt përmendura janë ba shumë greva urije, shumë vetë kanë dalë prej dhomave për të shkue mu shlodhë në birucë pa tesha në çimento për ditë dhe netë, shumë protesta dhe ankesa janë drejtue deri në Tiranë, por mjerisht burgu i Burrelit vazhdon të mbetet simboli i terrorit mbrenda e jashtë atdheut.
Kaq për njoftim.
I burgosuri
Simon Jubani d.v
Në hetuesi tortura u bë metodë pune. Në një nga dëshmitë e shumta tregohet sesi është torturuar deri në vdekje avokati dhe publicisti Myzafer Pipa: “Hekur i skuqur, i futur thellë në mish gjer në kockë”. Sipas Naum Bezhanit, nga viti 1947-1948 janë përdorur këto forma torturash ndaj të burgosurve…
Format e torturave të përdorua në burgje
Jeleku (tortura më e tmerrshme)
Kamxhiku dhe druri
Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe më këmbë me ditë të tëra
Korrenti elektrik sa i binte tjetrit të fikët
Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë
Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru, varur gjersa t’i preknin majat e gishtërinjve
Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor sidomos pas dënimit të Shefqet Bejës dhe kundra tyre)
Kripë në gojë
Shpiheshin gjoja sikur do të ekzekutoheshin, ose do të vareshin, dhe shtihej në ajër ose shpiheshin afër litarit
Tortura morale në lidhje me familjen
Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë
Djegie e mishit me cigare

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama