Skandali Loja e Bodes me lotarine kombetare

Skandali: Loja e Bodes me lotarine kombetare
Tenderi, pas grekëve, ankohen edhe turqit. Manovra ligjore me Avokatin e Prokurimeve. Me qetësinë që e karakterizon, ministri i Financave injoroi ankesat e kompanive ndërkombëtare për “aferat e mundshme” në lotarisë kombëtare, duke autorizuar zhvillimin e tenderit me hapjen e ofertave, dje në mesditë. Ministri i Financave hodhi poshtë interesat e shqiptarëve dhe çoi deri në fund planin e hartuar, duke diskriminuar kompanitë e fuqishme për t’u hapur rrugë atyre firmave, që me kriteret e vendosura kanë më tepër shans për të fituar. Pa zhurmë, ministri pranoi që në tender të ofrohej çmimi 3 milionë euro, kur në fakt licenca mund të shitej 10 herë më shumë se aq, nisur nga eksperiencat e vendeve të ndryshme, për të njëjtat gara. Kriteret e vendosura konsiderohen nga firmat e huaja tepër diskriminuese dhe “dritë jeshile” vetëm për subjekte të caktuara, duke paralajmëruar një tender pa garë dhe shitje licence për pak para.

Avokati i Prokurimeve

Të pyetur nga gazeta “Shqip”, drejtues të Avokatit të Prokurimeve shprehen se ligji i ndalon të hetojnë të tilla tenderë, kur jepet licenca me ankand. “Ligji i prokurimeve, që përcakton funksionet tona, e kufizon të drejtën e hetimit në rast se paraqiten ankesa nga firmat, pasi ankandet për dhënie licencash janë raste që trajtohen vetëm nga ministritë”, thanë për gazetën burime zyrtare të Avokatit të Prokurimeve, institucion i ngritur me fondet e qeverisë amerikane (projekt i USAID), me qëllim mbrojtjen e subjekteve në tender dhe zbatimin korrekt të ligjit. AvP thotë se, edhe nëse do të paraqiten ankesa, “firmat do të përcillen”, ashtu sikurse e parashikon ligji.

Pra, çdo procedurë e Ministrisë së Financave për zhvillimin e tenderit dhe shpalljen e fituesit, ishte e hartuar më së miri dhe ku askush nuk do të kishte mundësi të ankohej diku gjetkë, por vetëm tek institucioni i Bodes. Edhe Autoriteti i Konkurrencës nuk kishte asgjë për të thënë, pasi as ligji nuk i jep tagër për “monitorim kryesisht” dhe asnjë nga firmat nuk ishte ankuar deri më tani.

Dy ofertat

“Sot, më datë 20 qershor 2012, në orën 11:00 përfundoi afati i dorëzimit të aplikimeve për procedurë konkurruese për dhënien e licencës së lotarisë kombëtare. Që nga ky moment e konsiderojmë të mbyllur afatin për dorëzimin e aplikimeve”, tha Dorian Teliti, sekretar i Ministrisë së Financave. Siç ishte paralajmëruar në tender, kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Oferta e parë ishte ajo e lotarisë kombëtare të Austrisë, ndërsa e dyta vjen nga një konsorcium i përbërë nga 3 kompani, lotaria italiane “Lottomatica”, qipriotja “GTech” dhe çekja “Synot”. Tre kompanitë e konsorciumit që ka bërë ofertën e dytë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Qipriotja “GTech” është në fakt pjesë e grupit ndërkombëtar “GTech Holding”, i cili zotërohet në pjesën më të madhe prej 75 për qind të tij pikërisht nga italiania “Lottomatica”, pjesë e grupit “De Agostini” në Itali. Pas hapjes së ofertave, Komisioni i Vlerësimit do të shqyrtojë vlefshmërinë e tyre dhe më pas do të dalë në rezultatin final për shpalljen e firmës fituese për licencën me afat 10-vjeçar të lotarisë kombëtare.

Dyshimet e grekëve

Procesi i tenderimit për licencën e lotarisë kombëtare është kompromentuar rëndë nga akuzat publike të një prej konkurrentëve të tërhequr, kompanisë greke “Intralot”, e cila denoncoi tri ditë më parë qeverinë se po ndjek procedura përjashtuese që çojnë në fitues të paracaktuar. Por dyshime të forta lidhen me çmimin me të cilin qeveria po e shet licencën e lotarisë, që është i fiksuar në vetëm 3.5 milionë euro, kur vende me popullsi deri në 8 herë më të ulët se Shqipëria e kanë shitur licencën e lotarisë kombëtare deri në 40 milionë euro. Mosvënia e çmimit si një kriter konkurrues në garën për licencën ka surprizuar jo pak ekspertë në kushtet kur qeveria është në vështirësi emergjente financiare që e kanë çuar deri aty sa të mos paguajë punët publike apo dhe në vonesa të transfertave për shtresat në nevojë. Grekët shprehen me shqetësim se janë injoruar nga qeveria shqiptare, duke mos marrë asnjë përgjigje, ndërsa ngrenë dyshime, madje dinë se cila firmë do ta fitojë tenderin.

Turqit të alarmuar

Pas kompanisë greke, vjen një tjetër ankesë e një firme të njohur në arenën e lojërave të fatit. Përmes një letre që mban datën 19 qershor, por dje u zbardh për mediat, presidenti i kompanisë turke “Inteltek”, Ahmet Sezer, i drejtohet ministrit shqiptar të Financave, duke shprehur shqetësim të thellë për praktikën jokonkurruese të ndjekur nga qeveria shqiptare për tenderin e lotarisë kombëtare. Në letrën e tij, thuhet se, “Me shqetësim të madh vëmë re se procedurat nuk garantojnë një konkurrencë të plotë e të hapur dhe as nxisin krijimin e të ardhurave për shtetin shqiptar”. Veç procedurave përjashtuese, kompania turke ngre me shqetësim edhe çështjen e çmimit. Në letrën drejtuar ministrit shqiptar të Financave, zoti Sezer shprehet: “Më duhet të nënvizoj se kriteret e kualifikimit janë në mënyrë të pazakontë restriktive dhe pengojnë operatorët e aftë si ‘Inteltek’, që të marrin pjesë në tender. Po kështu, metodologjia e vlerësimit që ju keni zgjedhur fokusohet në elemente me rëndësi të vogël, duke neglizhuar elementin e çmimit, i cili është më i zakonshmi në koncesionet nëpër botë”. Letra e presidentit të kompanisë turke, e cila vitin e kaluar realizoi një xhiro prej 3 miliardë dollarësh mbi 27 për qind e prodhimit kombëtar të Shqipërisë, thellon dyshimet mbi licencën e lotarisë kombëtare.

Dyshimet
Fitues “Austria Lottery”?

Në redaksitë e mediave, nga e njëjta adresë email-i, e cila shpërndau letrat ankesë të kompanive greke dhe turke, mbërriti dje edhe një informacion, ku hidhen dyshime mbi përcaktuesin e fituesit. Ja çfarë thuhet në email:

“Pas skandalit që sapo ka plasur, mësohet nga disa verifikime të kryera dhe investigime të momentit, se pas të gjitha procedurave skandaloze që po tentohet të kalohen fshehurazi dhe në kundërshtim me ligjin, qëndron ‘Austria Lottery’. Kjo është kompani e favorizuar nga klientët e qeverisë dhe sekseri në fjalë që i qëndron shumë pranë si biznesmen jo vetëm mikut të tij të vjetër Bode, por edhe Kryeministrit, ministrave dhe të tjerë rrjeteve ekonomike. Por më skandaloz është fakti se siç ka denoncuar edhe kompania e përjashtuar me pa të drejtë nga konkurrimi klientelist, tenderi do të jepet për 3 milionë euro, në dëm të arkës së shtetit e buxhetit”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama