Të jesh trishkull dhe e kënaqur? Larg të qenurit e emancipuar, përkundrazi Beauvoir, në jetën e saj reale, ka dëshmuar një përulje ndaj Sartrit të saj të shtrenjtë." Megjithatë Simone de Beauvoir (1908-1986), filozofja dhe figura qendrore e teorisë së feminizmit, mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë me refuzimin e konvencioneve dhe me analizën rrënjësore që i ka bërë statusit femëror në veprën madhore "Seksi i dytë", pavarësisht se ka shumë nga ata qe kujtojnë "dobësitë" e mendimit të saj filozofik. Padyshim që ky emër është lidhur me emrin e filozofit dhe partnerit të saj, Jean Paul Sartre,me të cilin ajo u angazhua dhe ndau jetën për më shumë se gjysmë shekulli E lindur më 9 janar 1908 në Paris në një familje borgjeze e rënë nga vakti dhe në vështirësi financiare, qysh në adoleshencë ajo bëhet e ndërgjegjshme për mediokritetin e mjedisit që e rrethon.
Nxënëse e shkëlqyer, regjistrohet për filozofi në Fakultetin e Letrave të Parisit. Pikërisht këtu takohet me Jean-Paul Sartre dhe me një gjeneratë të tërë intelektualësh. Lidhja mitike Beauvoir-Sartre merr fund me vdekjen e tyre. Dy tefefilma të prodhuar në 2006 rrëfejnë lidhjen e stuhishme të "Kastorit" – nofka që i kish ngjitur Sartre-i – dhe të filozofit. Në moshën 21-vjeçare, Simone de Beauvoir arrin të bëjë shumë më tepër se moshataret e saj. Jep filozofi, boton romanin e parë "E ftuara", më 1943. Kontrata që ajo lidh me Sartre-in duke pranuar "dashuritë e rastit", diskutimet për marrëdhëniet seksuale me shumë nga nxënësit e saj, bëjnë që të largohet nga sistemi zyrtar i arsimit. Arena e saj është feminizmi. Më 1949 boton "Seksi i dytë" ku kapitujt për seksualitetin, homoseksualitetin femëror shkaktojnë skandal dhe ngjall debate të ashpra. I përkthyer në 40 gjuhë, secili prej dy vëllimeve do të shitej më shumë se një milionë kopje.
Në gjuhën shqipe kjo vepër kapitale do të vinte për herë të parë pas viteve nëntëdhjetë e përkthyer nga Nasi Lera, Botimet "Çabej", për arsye se kjo lloj literature hynte në fondin e veprave të ndaluara nga regjimi. Vepra e fundit që kemi në shqip nga Beavoir është letërsi, romani "Një vdekje shumë e ëmbël" i përkthyer nga Edmond Tupja (Botimet Onufri).
Por Beauvoir, fillimisht kish dashur të jetë shkrimtare. Më 1951 ajo merr Çmimin prestigjioz "Goncourt" për romanin "Mandarinat" që do ta bënte një nga autoret franceze më të lexuara. Delli i saj autobiografik në "Kujtimet" (1958), ku ajo përshkruan paragjykimet e mjedisit të saj borgjez dhe përpjekjet për të dalë prej andej, e bëjnë Beauvoir një figurë qendrore në jetën intelektuale. Tek aksionet e saj feministe hyjnë denoncimi që i bën dhunës ndaj grave në Algjeri dhe mbrojtja deri në vitet shtatëdhjetë e të drejtës së abortit. Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir, sidomos përlidhjen që ka patur me shkrimtarin amerikan Nelson Algren, i cili ka të ngjarë të ketë qenë pasioni dashuror i jetës së saj. Dhe sot, 21 vjet pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartre-it, tashmë e braktisur disi. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra si "Beauvoir në të gjitha moshat" shkruar nga Ingrid Galster, "Kastori i luftës" i Danielle Sallenave, "Simone de Beauvoir" shkruar nga Huguette Bouchardeau, "Beauvoir, një grua e shekullit të saj" e Marianne Stjepanovic-Pauly dhe "Simone de Beauvoir. Shija e jetës" e Jean-Luc Moreau.
Re. Ku : Gazeta Shekulli











