Sigurimi presion Kadarese me djalin e Janulles

Sigurimi presion Kadarese me djalin e Janulles

Duke pasur parasysh se shkrimtari e ka identifikuar Tabir Sarajin me selinë e Komitetit Qendror, atëherë duket se ëndrrat që shkojnë në këtë pallat, simbolizojnë “letrat nga populli” që shkonin në Komitetin Qendror, dhe që shpesh ishin edhe letra anonime. Ato përdoreshin nga regjimi kur atij i interesonte për të mbushur dosjet e atyre që ishin planifikuar të eliminoheshin, ose për të nisur valë të reja dhune dhe terrori. Për herë të parë kjo praktikë po denoncohej nga Kadareja. Në novelë, një nga personazhet, Kurt Qyprilliu, thotë edhe këto gjëra, që nisur nga vendosja e Tabir Sarajit, i faturohen Komitetit Qendror.

Lexuesit e mësuar të lexojnë midis rreshtave, aq më tepër në librat e Kadaresë, i cili ishte kritikuar pikërisht për këtë mënyrë të shkruari, tanimë kishin në dorë këtë vepër ku denoncohej tempulli i diktaturës, me aluzione që nuk ishin të vështirë të kapeshin edhe nga lexuesi mesatar, madje edhe më poshtë se ai. Për këtë gjë kam përvojën time. Unë kur doli “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, në diskutime me shokët e mi, kam vërejtur përshtypjet që u kishte bërë vepra lexuesve të niveleve të ndryshme. Të gjithë e kishin të qartë mesazhin e saj, ndonëse këtë e shprehnin dikush më pak e dikush më shumë. Tabir Saraji u bë për autorin e këtij libri, një simbol i realitetit të kohës në të cilën jetoja. Pak kohë pas botimit të “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave” unë hyra për herë të parë për të punuar në minierën e Valiasit.

 

Kur hyra ditën e parë në minierë m’u duk vetja sikur po hyja në Tabir Saraj, Pallatin e Ëndrrave, për të cilin sapo kisha lexuar te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” i Kadaresë. Në të vërtetë miniera ngjante si një Tabir Saraj i përmbysur. Sepse, ndërsa në Tabir Sarajin që përshkruante Kadareja shkonin ëndrrat e njerëzve, dhe këta prisnin me shpresë përgjigje prej andej, duke dashur që të merrnin shpërblimin në qoftë se ëndrra e tyre do të dilte e vlefshme, në këtë “Tabir Saraj” ndodhte ndryshe. Ky ishte një “Tabir Saraj” i përmbysur, ku shkonin njerëzit të cilëve u qenë thyer ëndrrat e tyre.

Unë shkova në minierë në kohën që shpresoja më kot të më jepej e drejta e studimit për në shkollën e lartë, e cila më mohohej për arsye politike: dy dajat e mi qenë arratisur dhe jetonin në një vend kapitalist, Australi. Ata kishin mohuar “parajsën” komuniste, kështu që unë duhet të vuaja në ferr. Se miniera ishte ferr për një njeri që në atë kohë duhet të kishte qenë në auditorët universitarë. Kur hyra në minierë e kuptova befas se Kadareja te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” kishte bërë një projekt të skëterrës. Nuk e dija nëse kjo ishte vetëm përshtypja ime apo e kishte pasur edhe ai në mendje. Do të kisha dashur që ta pyesja për këtë gjë, por në atë kohë kjo gjë ishte e pamundur. Dhe përgjigjen për këtë pyetje e mora më 1990-n, kur lexova në librin e Kadaresë “Ftesë në studio”. Përshtypja ime kishte qenë e saktë! Kadareja kishte dashur të përshkruante pikërisht ferrin. Miniera ku hyra unë ishte pikërisht ferri. Me këtë nuk dua që të them se çdo minierë është ferr, se miniera ka pasur e do të ketë dhe ato nuk i shpiku regjimi komunist.

 

Por ai i shndërroi ato në skëterra të vërtetë, nga shumë këndvështrime. Se miniera ishte vendi më afër skëterrës ku mund të futej ose dërgohej një i ri që përndiqej edhe nga komunistët e fshatit të tij, sepse ëndërronte të shkollohej, të bëhej fizikan, astronom, krijues, shkrimtar apo studiues. Më keq se kaq mund të ndodhte vetëm në qoftë se do të hyja në minierë si i burgosur politik, gjë që nuk përjashtohej. Ditën e parë që hyra në minierë pashë në thellësi të galerive një skenë që më sillte ndër mend diçka sikur e kisha parë në një film apo lexuar diku. Disa njerëz që mbartnin një kufomë në thellësi të një galerie. Ishte kufoma e një minatori të vdekur. M’u kujtua se çfarë më sillte ndër mend kjo skenë. Atë përshkrimin që bën Kadareja te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, ku Ebu Qerimi (Mark Alemi), duke ecur në korridoret e Tabir Sarajit, shikon befas disa njerëz që mbartnin arkivolin e një ëndërrparësi të vdekur. Edhe minatori i vdekur kishte qenë një ëndërrparës si unë. Me këtë imazh në mendje, ditën e parë që dola nga miniera rilexova për gjithë natën Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave.

Tanimë përshtypja m’u shndërrua në bindje. Duhet të ishe, atje ku isha unë, në minierë, që ta kuptoje arsyen se përse Kadareja e kishte bërë këtë projekt të skëterrës. Arsyeja, guxoj të them, nuk ishte plotësisht e qartë aq për Kadarenë vetë dhe ndoshta nuk është as sot. Sepse kjo arsye gjendej, siç thotë ai, diku mes vetëdijes dhe subkoshiencës. Në qoftë se Ismailit do t’i kishte ndodhur që të hynte në ndonjë minierë në atë kohë, me siguri që do ta kishte kuptuar arsyen. Kadareja në fakt po e përgatiste veten për skëterrën ku mund ta dërgonte befas diktatura. Ai e ndiente se ishte i projektuar për t’u flakur në skëterrë, prandaj po bënte projektin e skëterrës, për t’a përgatitur veten për takimin e mundshëm me të. Edhe kjo ishte një lojë me shumë rrezik, se siç thotë Niçe: “Nëse ti ia ngul sytë skëterrës, atëherë skëterra do të t’i ngulë sytë ty”. Dhe pasojat diheshin. E kuptova se unë dhe Kadareja, i riu i panjohur me ëndrra të thyera dhe shkrimtari i madh, kishin shumë më tepër gjëra të përbashkëta se sa mund të mendohej.

 

Ne ia kishim ngulur sytë skëterrës dhe ajo po na shikonte me kërcënim. Kadareja duhet ta quajë veten me fat që Enver Hoxhën nuk e lejonte shëndeti të shkonte të vizitonte ndonjë minierë pas botimit të Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave. Se atëherë diktatorit do t’i ishte bërë shumë i qartë aluzioni i skëterrës dhe ndaj atij vetë si kryedjalli i skëterrës. Se ajo që nuk e ka thënë Kadareja kurrë, nga modestia, dhe ka pritur që ta thonë të tjerët, është se atje ku ka një skëterrë, ka edhe një kryedjall, një Satana. Kryedjalli i skëterrës shqiptare nuk mund të ishte kush tjetër përveç diktatorit. Në qoftë se diktatori do të kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të kishte vizituar ndonjë minierë në atë kohë, për të do të ishte bërë gjithçka e qartë, dhe atëherë Kadarenë nuk do ta shpëtonte nga skëterra as “Dimri i madh”, as “Shqiponjat fluturojnë lart”, as “Përse mendohen këto male”.

Diktatori do të thoshte: “Unë të fala për “Përbindëshin”, ”Pashallarët e kuq”, dhe tani ti si shpërblim ja ku më bëre kryedjall. Ke mall për skëterrën ti djalë i mbarë, të dërgoj unë në skëterrë!”. Unë jam i bindur se asnjë nga biografët e ardhshëm të Kadaresë nuk do të mund ta kuptojë siç duhet atë, se asnjë prej tyre nuk ka pasur fatin t’ i ketë bërë lexim dekonstruktues Kadaresë, duke qenë me përshtypjet e minierës. Kjo është arsyeja që unë kam vendosur të shkruaj një biografi të Kadaresë. Por nuk e fsheh, këtë e bëj edhe për t’i kthyer një borxh. Se nga “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” më vinte një mesazh i fuqishëm, këmbëngulës: “Mos u tërhiq, mos e lejo skëterrën që të triumfojë mbi ty!”.

Arroganca e shkrimtarit përballë Enver Hoxhës

Enver Hoxha nuk do të kishte dashur kurrë që të ishte botuar “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Diktatori e ka kuptuar lojën që kishin bërë konservatorët, duke e lejuar këtë libër që të botohej, me shpresën se kjo do të bënte që mbi shkrimtarin të binin më në fund rrufetë e diktatorit. Në qoftë se diktatori kishte për ta groposur ndonjëherë shkrimtarin, këtë gjë kishte për ta bërë tani me rastin e botimit të këtij romani. Por Enver Hoxha nuk mund t’ ia lejonte vetes që ta bënte këtë gjë, për arsyen e thjeshtë se që nga koha kur ishte botuar “Dimri i vetmisë së madhe” dhe deri më tani, nuk kishte dalë ende një shkrimtar i aftë për të kompensuar mungesën që do të krijohej nga eliminimi i Kadaresë dhe as që kishte shenja se do të dilte një shkrimtar i tillë.

 

Kështu që Kadareja nuk mund të binte. Duhet të ketë qenë fakti botimi i parë i “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave” në 1980 kaloi pa reagime nga regjimi, që e bindi shkrimtarin ta shtonte dozën e arrogancës me të cilën sillej me regjimin. Në 31 dhjetor 1980, natën e festës së Vitit të Ri, Kadareja bëri një nga ato gjestet e tij, që i linin me gojëhapur si miqtë ashtu dhe armiqtë e tij. Këtë gjest të Kadaresë e përshkruan bukur personi ndaj të cilit u bë, ish-i burgosuri politik, Jusuf Vrioni: Ditët e fundit të 1980-ës më telefonoi Ismaili, për të më pyetur se ku do ta festonim, unë dhe gruaja, natën e Vitit të Ri. Ai na ftoi ta kalonim së bashku me bashkëshorten e tij në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve.

 

Pranova. Në tryezën tonë zunë vend gjithashtu Bashkim Shehu, i biri i kryeministrit të tmerrshëm Mehmet Shehu, si dhe gruaja e tij e re, Marieta. Atë mbrëmje aty ndodhej gjithë ajka intelektuale e Tiranës, si Dritëro Agolli, Llazar Siliqi dhe shumë zyrtarë të lartë të regjimit. Ndërsa ndryshimi i gjendjes sime ishte vetëm në dukje. Më vonë, disa do ta quanin skandaloz faktin që u hëngër darkë në një tryezë me mua.(Jusuf Vrioni, “Kujtimet e një evropiani”, f. 227-228)

Raporti kritikues në Plenum

Kritika e udhëheqjes për romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” u përcoll nëpërmjet raportit që u mbajt në plenum nga kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kritika e Lidhjes është një dëshmi disidence për Kadarenë. Kjo, siç e dinin të gjithë, ata që gjendeshin në sallën e plenumit, si dhe ata që lexuan raportin dhe që kishin lexuar librin e Kadaresë, ishte gjuha me të cilën flitej në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH-së.

 

Asnjëherë më parë dhe më pas, nuk do të ndodhte që një shkrimtar të kritikohej për një gjë kaq të rëndë në Shqipëri, në kohën e komunizmit. Kadareja, faktikisht po akuzohej publikisht se kishte denoncuar regjimin komunist në një vepër letrare. Për shkrimtarin që ishte përgjegjës për një gjë të tillë nuk mund të kishte dënim tjetër veç atij me vdekje, si komplotist. Se sipas regjimit, vetëm një komplotist mund ta bënte atë që kishte bërë Kadareja. Të mos harrojmë kohën në të cilën bëheshin kritikat e mësipërme ndaj Kadaresë. Është marsi i vitit 1982, pra rreth tre muaj pas vdekjes së Mehmet Shehut, numrit dy të regjimit, që menjëherë pas vdekjes ishte shpallur armik, poliagjent, dhe kryekomplotist. Një shkrimtar që kishte shkruar ashtu si Kadareja, do ta kishte pasuruar “komplotin”.

 

Dhe vërtet konservatorët bënë përpjekje për ta nxjerrë Kadarenë komplotist. Por diktatori kishte vendosur që ta mbyllte këtë histori duke i treguar edhe një herë shkrimtarit humnerën që hapej para këmbëve të tij. Kadareja shkruan për këtë te libri “Pesha e kryqit”: Plenumi vazhdoi dy ditë. Në mbyllje, R. Alia mbajti një fjalim ku më bëri një paralajmërim të fundit, që përfundonte me frazat kërcënuese: “Populli dhe Partia të ngrenë në Olimp, por po të mos u bindesh atyre janë ata që të rrëzojnë në humnerë”. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 322-323).

Dy aktorët në rolet që u dha Sigurimi i Shtetit

Por çfarë mund të bënte “Zeusi”, kur në “Olimp” nuk kishte ku të gjente një tjetër “Apollon”? Ndërkohë regjimi kishte gjetur mënyra të tjera, me të cilat mendonte se kishte për ta nënshtruar shkrimtarin që kishte treguar se ishte i pakontrollueshëm. Që disa javë para se të mbahej ky plenum ndaj familjes së Kadaresë nisi një trysni tinëzare e ideuar dhe e zbatuar nga Sigurimi i Shtetit. Për këtë gjë u përdor një problem i stisur familjar i cili u keqpërdor si edhe herë të tjera nga Sigurimit të Shtetit. Djali i cili kishte luajtur ndonjë rol si aktor në ndonjë film, luajti rolin e atij që është i dashuruar me vajzën e Kadaresë, ndërsa nëna e tij luajti rolin që i përshtatej më shumë gruas që gjoja e nxitur nga ndjenjat e nënës shkon dhe bën presion te dera e familjes Kadare, gjoja se ata e ndalojnë vajzën t’ i përgjigjet dashurisë për djalin e saj. Aty jashtë ishte dhe banda e rrugaçëve e mbledhur nga Sigurimi i Shtetit, që qëllonte me gurë dritaret e shtëpisë së Kadaresë. Kur kjo histori që vazhdoi për një kohë të gjatë u kuptua se pas saj qëndronte Sigurimi i Shtetit. Me këtë konservatorët dhe veçanërisht gruaja e diktatorit që ishte udhëheqësja e tyre kërkonte t’i thoshte shkrimtarit: “Nënshtrohu ndaj nesh, ndryshe do t’ ia bëjmë jetën të padurueshme familjes tënde”.Analiza

Romani që vuri në lojë Komitetin Qendror

Në qoftë se ylli i shkrimtarit, të cilit ky i fundit i bënte thirrje që të mbahej, do të kishte gojë të fliste, atëherë ky yll me siguri që do të ishte ankuar: “I dashur Ismail, ti po ma bën shumë të vështirë, punën, që të mbahem! Është vërtet një punë e vështirë që të jesh ylli i një shkrimtari që jeton në diktaturë, por qenka një gjë veçanërisht shumë e vështirë që të jesh ylli yt!” Arroganca e përhershme e shkrimtarit, ishte një sfidë ndaj yllit të tij. Kur të gjithë mendonin se Kadareja tanimë do të kishte vënë mend nga goditjet që kishte marrë, ai bëri një gjë me të cilën i la me gojëhapur nga habia, si miqtë ashtu edhe armiqtë e tij. Në 1980, te përmbledhja me novela “Gjakftohtësia”, ai botoi novelën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Nuk është nevoja të flasësh shumë për ta bindur lexuesin për sfidën që i bëri shkrimtari regjimit me novelën e më pas romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Për këtë do të mjaftonte që të përmendeshin ato që kanë thënë për këtë vepër organet e regjimit në kritikën e tyre.

 

Në fakt, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është një vepër e tillë që duhet të kishte shkaktuar që në fillim një stuhi kritikash ndaj autorit të saj dhe duhet të kishte përfunduar me arrestimin e tij. Por për rreth dy vjet nuk ndodhi asgjë e tillë. Të duket e habitshme që jo vetëm novela u lejua që të botohej në 1980, por shkrimtari u lejua që ta botonte veprën të ripunuar e të zgjeruar, një vit më pas, duke arritur në kufijtë e romanit, ndonëse përsëri quhej novelë. Jo vetëm që Kadareja në këtë botim të dytë kishte lënë gjithçka që vepra kishte pasur në botimin e parë, por ai kishte shtuar dhe shumë gjëra të tjera të rënda. Në qoftë se poezia “Pashallarët e kuq” ishte ndaluar që para se të shkonte në shtypshkronjë, çfarë duhet të ndodhte me këtë novelë, ku aluzionet kundër regjimit qenë fare të hapura? Pra, është e qartë se Tabir Saraji është pikërisht Komiteti Qendror i PPSH. Shkrimtari kishte damkosur në novelë vetë tempullin e regjimit. Ky mund të quhet si kulmi i arrogancës së shkrimtarit ndaj regjimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama