Sic na meson Pikaso

Siç na mëson Pikaso

Me 46 punime, piktori i njohur Pashk Përvathi i është riprezantuar artdashësit kryeqytetas në ekspozitën personale "Vjeshtë 2007" në galerinë private "Kledi". Që të gjitha në teknikën e vajit, punimet ofrojnë motive nga natyra dhe elementi njerëzor dhe që në të parën hedhje sysh tej e tutje punimeve të varura në mur, ende pa u ndalur vëmendshëm të çdo tablo, ndihet potenca e një peneli vital. Çfarë ka ndodhur te Përvathi në vite? Çfarë ka ndodhur te stili i tij? Ai thotë: Duhet të them se piktura ime është e orientuar drejt një pikture realiste, por për ta përcaktuar më drejt do të thosha se në fillimet e saj ka qenë një pikturë impresioniste me peizazhe të realizuara direkt në natyrë. Më vonë mbështetur në kërkimet e reja, produkt i gjetjeve në natyrë, piktura ka pasur një fazë, aty nga vitet 2000 e mbrapa, që ka qenë më shumë drejt një ekspresionizmi figurativ". Ndërsa për ekspozitën që ka hapur në Tiranë, Përvathi shprehet se ajo është një rikthim i vetëdijshëm në motivet e hershme, e në stil, një shartim mes impresionizmit të dikurshëm dhe ekspresionizmit figurativ të kohëve të mëvonshme.

Për piktorin e njohur, ekspozita "Vjeshtë 2007" ka lindur si nevojë e tij për të komunikuar me natyrën. Përse? Siç shprehet Përvathi, "për të kërkuar motive të reja, që më vonë të përbënin bërthamën e një kërkimi të mëvonshëm. Duhet ta pranojmë: motivi është i rëndësishëm. Jo thjesht për të mbartur ide, se sa për të kërkuar forma të reja. Pikasoja i madh thoshte: Nuk ka motive të shumta në qarkullim. Duhet mençuri për t‘i gjetur. Për shembull, siç gjeti Van Gogu subjektin e qëruesve të patateve. Ndaj dhe unë vitet e fundit jam mbështetur shumë te temat e kuajve, vjeshtave, guralecëve dhe ciganëve. Pra, kisha nevoje për tema dhe subjekte të reja. Në verën e këtij viti fillova një motiv të ri, siç ishte ai i natyrave të qeta me enë qelqi. Me vonë më lindi një dashuri e madhe për të komunikuar direkt me natyrën dhe për këtë zgjodha Korçën". Kështu, piktori i njohur lezhjan ka zgjedhur Korçën për t`u mbarsur me motive. Ka rrugëtuar atij qyteti të përshpirtshëm dhe me idenë për "takuar" ato anë Mion e madh (Vangjushin) dhe ç`ka ndodhur? Ja si shprehet Përvathi: "Zgjodha Korçën, sepse pikërisht edhe Vangjush Mio kishte realizuar peizazhe të shkëlqyera në atë trevë. Po shkoja edhe në nderim të veprës së tij. Dhe kisha pasur të drejtë. Kisha bërë zgjedhjen e duhur. Korça me rrethinat e saj është e shkëlqyer për të realizuar peizazhe që në asnjë vend tjetër në Shqipëri nuk i gjen. Sot jam shumë i kënaqur me realizimet e peizazheve të Korçës, Vithkuqit dhe Drenovës. Për çfarë shërbeu kjo dalje do thoni ju? Mos ndoshta vetëm për disa peizazhe? Jo, kjo dalje në natyrë më ka zgjuar edhe një herë dëshirën e hershme për të bërë disa inkursione edhe në vende të tjera të dallueshme për fushën tonë. Tashmë do t‘i drejtohem Gjirokastrës, aty nga shkurti dhe Himarës në maj, e për të vazhduar më tej në treva të tjera piktoreske të Shqipërisë. Nuk do jetë një tur individual. Jemi bërë tre katër kolegë piktorë që do të rrugëtojmë së bashku. Punimet në ekspozitën personale të Përvathit në galerinë "Kledi" janë realizuar të gjitha në periudhën maj-tetor 2007. Ekspozitën e tij ai do ta transferojë më vonë dhe në galerinë "Rozafa" të Shkodrës, në galerinë "Guri Madhi" të Korçës dhe në galerinë "Jozef" të Durrësit. Kjo lëvizje qytet më qytet do të zgjasë deri në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Piktori lezhjan, Pashk Përvathi, është ndër emrat më të njohur të artit pamor shqiptar në 40 vitet e fundit. Ekspozitën e tij të parë vetjake e ka çelur në vitin 1983, ndërsa më herët, në vitin 1979, kur ishte vetëm 21 vjeç, merr pjesë për herë të parë në ekspozitën kombëtare me peizazhin "Vjeshtë në Manati", përkrah piktorëve më të njohur të kohës. E si për koincidencë (duke llogaritur që dhe ekspozita më e fundit quhet "Vjeshtë 2007"), vepra e tij "Vjeshtë në lagunë" ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Arteve dhe të Historisë së qytetit Ceuta në Spanjë. Ndërsa në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ka vetëm dy vepra. Por rekordin e tij e mban në koleksionistët privatë, ku ka mbi 620 punime, prej të cilave 130 ndër koleksionistë të huaj. Për këtë karrierë të shkëlqyer, nga ish-presidenti Moisiu është dekoruar me urdhrin "Naim Frashëri i Artë".

Janë shprehur për piktorin

Ferid Hudhri:

Pashk Përvathi u fut në pikturën shqiptare me peizazhe realiste të vendlindjes, ashtu si dhe paraardhësit e tij. Kishte rreth dhjetë vjet që ekspozonte në Lezhë dhe në Tiranë duke kërkuar brenda vetvetes. Në fillim të viteve ‘90, kur u hapën më shumë hapësira për artistët shqiptarë, piktura e tij u paraqit me një imazh të ri. I padëmtuar nga skemat e realizmit socialist, Pashk Përvathi e pati më të lehtë për t‘u futur në rrugë të reja dhe brenda një kohe të shkurtër gjeti vetveten në një mënyrë tjetër pikturimi. Tablotë e tij filluan të dalloheshin menjëherë në ekspozitat kombëtare. Në peizazhet plot dritë, me ngjyra të qarta dhe të gëzueshme, të cilat janë bërë pjesë e individualitetit të tij artistik, gjenden nuanca të larmishme që të emocionojnë me freskinë e pikturimit. Ato gjithashtu krijojnë raporte të bukura koloristike dhe janë shndërruar në veçanti karakteristike të stilit të tij.

Suzana Varvarica Kuka:

Për piktorin Përvathi, thënia e të madhit Picasso se "subjekte të ndryshme të diktojnë mënyra shprehjeje të ndryshme" është shumë e rëndësishme. Në këtë kuptim ai pranon se: "Peizazhi im nuk është siç ekziston, siç fotografohet, por është siç e konceptoj në mendimin e tim". Kjo mënyrë e të menduarit ka një fillim për krijimtarinë e piktorit, ndoshta në vitin 1990, kur do të ishte në bregun e mrekullueshëm të Himarës dhe do të kornizonte mbi të kuadratin e një mozaiku me guralecë. Një imazh të tillë e pikturoi dhe lindi tabloja e parë e titulluar "Guralecët", që u pëlqye nga qarqet artistike të kohës e të cilën e ruan me fanatizëm në studion e tij. Kjo pikturë e drejtoi të gjithë krijimtarinë e mëtejshme të Përvathit drejt pikturës dekorative, me zgjidhje në dukje të thjeshtë, por ngjyra fitoi pastërti dhe cilësi. Kjo është dhe veçoria kryesore e krijimtarisë së artistit në këtë periudhë.

Marre nga : Gazeta Shqip
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama