Si u katandis Liqeni Artificial

Si u katandis Liqeni Artificial
Parku i Liqenit Artificial, jo vetëm po rrudhet, por edhe po degradohet përditë. Rrallë herë të zë syri ndonjë punonjës të gjelbërimit që kujdeset, kurse kundravajtjet po bëhen të gjithfarëllojshme. Kujdestarët (lexo mirëmbajtësit) janë rralluar pafund, por më shumë se kaq, Parku i Liqenit po humbet në masën më të paparë vitet e fundit. “Amfiteatri” po rrënohet; verandat po shkatërrohen, ndërsa pylli po rrallohet nga dita në ditë…

Nëse një dorë ose një mendje nostalgjike nuk do t’i kish pëshpëritur në vesh ish-kryebashkiakut Rama degradimin e liqenit artificial, dukesh se ai do të vdiste ashtu, si edhe po ndodh me gjithçka të shkuar në këtë metropol. Megjithatë, zëri, duket se duhej të ishte shumë profesional, sepse fill pas pak rrugina kryesore që përshkon nga sipër liqenin, filluar që nga diga dhe vazhduar në skajet e tij brinjë -kaluar shkollën ‘Wilson’ dhe tutje, ndryshoi dukshëm. Jo më kot, që në krye të udhës dhe duke vazhduar deri tutje saj, disa shitës ambulantë për çdo ditë garojnë se kush do joshë më shumë nga vendi i tyre i natyror i punës. Miqtë e tyre, të cilët kalojnë atypari, ndërrojnë ndonjë muhabet të përditshëm, që mbyllet pastaj me pasthirrmat “Eh, more...!”. “U gdhive?”
 
Shkatërrimi

Që në të gdhirë, kjo masë e madhe njerëzish, kryesisht pensionistë, e kanë zgjedhur si vendin e tyre të rehatimit, parkun e liqenit. Bisedojnë, shajnë, ankohen... dhe qetësojnë nervat. Ecejaket e gjata i rehatojnë. Rrugina kryesore në liqen, e cila jashtëpërshkruan liqenin,  u ndërtua me pllaka, ndërsa anash një korsi e ngushtë, mbushur me pluhur të kuq, u la e gjitha për atletët amatorë. “E more, dole!” “Nashi dola. Më kanë dhembur kryqet”, i përgjigjet ambulanti më i rregullt që ka pushtuar një vend pranë ish-kabinave të notarëve. Amatorët e ndjenë më shumë se të gjithë revolucionin e liqenit, që duhet thënë se ishte i fundit i erës Rama. Rrugina u plotësua pak muaj më parë me një aks tjetër, në jug të tij, që mori emrin Udha e Paqes, një rruginë që, kuptohet se, u bë thjesht për përvjetorin e Nënë Terezës dhe u mbyll ditën tjetër, kur u harrua si zakonisht shenjtorja. Si ndodh në Shqipëri, udha s’ka shkuar deri në fund.

Dhe, njësoj si dikur, në krye të saj qëndron një shitës gështenjash, më pas një plak që merret me armë sportive dhe një tjetër pak më tutje me lule. Zakonisht ndajnë muhabetet ditore me policët bashkiakë, që duken rrallë dhe që tresin vështrimin në streçet e ngushta të vajzave. Në krahun që shkon drejt Kishës së Shën Prokopit, brenda së cilës është një shkollë private fillore, rruga vazhdon dhe disa metra dhe pastaj ka mbetur si qëmoti. Rama, me zakonin e përhershëm të pushtetarëve vendorë, i kish qejf shumë punët përgjysmë. Ndaj, sa për zgjatimet e tjera, harroji. Ato mbetën me asfaltin e dikurshëm, si edhe mbesin shumë punë publike në këtë vend. Më tej, rruga e sapo rregulluar që ngjitet nga Shën Prokopi dhe vazhdon deri në pjesën e prapme të Pallatit të Brigadave, ruan ende gjurmët e të çarave tërthore udhës, ndërsa objektet e dikurshme si çezma, veranda dhe ngrehinat përreth janë shkatërruar keqazi. Mbijetojnë tri kafe, ku një koleksion i tërë pensionistësh shtyjnë të qetë ditët e pleqërisë.

Në njërin prej tyre, media do raportonte dikur më 1998, se u mblodhën njerëzit që mbështetën atentatin kundër deputetit demokrat Azem Hajdari. Dy çezma që janë udhës, njëra përballë monumentit ende të pa shkatërruar të Debatikut dhe tjetra pak më tutje, kanë vite e vite që s’nxjerrin ujë. Njëra simulohet ndonjëherë të nxjerrë ujë, por sa fillon të derdhë pak, po aq shpejt dhe mbaron. Fusha e madhe, brinjazi memorialit të Tre Vëllezërve, është e lënë djerrë dhe, për fat, mbetet i vetmi vend ku bëjnë stërvitje ende disa fëmijë të vegjël. Verandat janë shkatërruar, ndërsa njëra, që është në skaj, atje ku është një repart i Gardës, pothuaj është zhveshur krejt nga dërrasat. Këto janë më të shikuarat. Një godinë, që dikur shërbente si bar, por që prej kohësh s’thotë asgjë, tashmë shërben si relike për udhëtarë nokturnë, pas mbarimit të porcioneve të hashashit ose ndonjë akti fatlum seksi për të lënë emrat e tyre në paretet e saj. Ditët e fundit, udha me pllakat që u shtrua bukur, pas të çarave që pësoi që në fillim dhe që u riparua ngulazi, ka nxjerrë diçka tjetër. Një gropëz bajagi e thellë u sajua nga hiçi mu në mes dhe tashmë është e mbushur me një ngrehinë të tërë rëre. Nuk mund të flasësh dot për stolat që po i rezistojnë me vështirësi prishjes dhe më shumë akoma pemët tejet të degraduara, ku dora e inxhinierit të pyjeve s’ka fare lidhje me këtë vend...
 
Këneta në jug të qytetit

Trishtimin e shton edhe më shumë ngjyra e syprinës së ujit, sepse uji po thithet frikshëm dhe përdoret anekënd, ndërsa po ushqehet gjithnjë e më pak. Ai nuk qarkullon më si dikur dhe është stërpërsëritur se rënia e nivelit të ujit e ka bërë liqenin t’i ngjajë më shumë një moçali. Ka pak aventurierë, jo vendas, që provojnë të notojnë, ndërsa vendasit e kanë braktisur prej kohësh. Ata, që e administrojnë liqenin, tani mendojnë më shumë për prerjen e pemëve të kalbura, sajimin e ca biçim stolave të çastit (me të cilët duket se justifikojnë rrogat) dhe ndonjë pastrimi rutinor të rruginave dhe ndonjë kontrolli të hapësirave ku mund të jenë kalbur pemët. Fuqia e tyre për të apeluar dhe kërkuar mbrojtje nga kundravajtësit pothuaj as dëgjohet fare. Më shumë akoma, në javët që kanë pasur ardhjen e kryebashkiakut të ri, Basha, as që duken fare.
 
Intermexo

Duket se ky vend, pak nga pak, po kërkon rrënjët e identitetit të hershëm. Kristo Frashëri e lidh gjallimin e historisë së këtij vendi qysh në vitet 1700. Barinjtë vllehë që do të vinin në Tiranë e bënë këtë vend të njihej me emrin Stani i Gogëve. Një grup familjesh, që duhet thënë se janë kristianët ortodoksë më të vjetër, lidhen pikërisht me këtë komunitet. Shundët, Hobdarët, Villat, Nishkët bënin jetë baritore të thjeshtë, përveçse kur qetësinë e tyre të përkorë do e prishte ndonjë vrasje apo kaçakllëk, shumë i dashur ndër shqiptarë. Mbreti Zog e mendoi edhe më ndryshe, kur në një skaj të tij filloi vilën e madhështisë së tij, ku nuk qëndroi asnjëherë dhe pranë ngriti dhe varrin e Nënës Mbretëreshë. Komunistët, më 1950, pasi e kishin prishur memorialin e saj, u shkoi mendja për një park kombëtar. Si zakonisht, bënë një aksion popullor dhe, siç ndodhte rëndom në atë kohë, arritën të ndërtonin Liqenin Artificial, që kapi një sipërfaqe deri në 55 hektarë. Me kohë, në total, parku do arrijë deri në 190 hektarë.

Në ditët tona

Fjalët për liqenin nuk mbarojnë. Kanë arritur ta imagjinojnë deri dhe si vend plazhi, që është një utopi e krejt. Një firmë e huaj do mendonte për ringritjen e Liqenit Artificial, që nga fillimi me zonat e reja që do përshtateshin me qytetin dhe mënyrën sesi do të integrohej pak nga pak sektori privat dhe do ngriheshin shumë ndërtesa. Kjo e fundit u bë shpejt realitet, sepse ana perëndimore e Liqenit as nuk ekziston më. Ndërtimet filluan që në kohën e kryeministrit Meksi dhe në vitet më tej, kjo zonë betoni ia gllabëroi Tiranës mjedisin e saj. Megjithatë, tema jonë s’shkon aty. Ne jemi ende në zonën e virgjër, ku mëtohet se mund të shpëtojë diçka. Ngrehinat përreth liqenit, që ne duam të sjellim këtu, janë fare të pakta.

Është një ish-WC, pak më poshtë Kishës së Shën Prokopit, tashmë kthyer në një klub modern bi-funksional. Në orët e paradites shërben për pensionistët e ndryshëm, që shtyjnë kohën, kurse në mbrëmje për çiftet. Është kisha, që në fakt ka trashëguar godinën e njërit prej klubeve më elitarë të Tiranës së kohës së komunizmit, por që institucioni i kishës, me modifikimet modeste, pak ia ka ndryshuar imazhin. Një këmbanëz, që bie në orë të caktuara nga një plak i këndshëm, kujton besimtarët për orën. Garda, më në perëndim të Parkut, ka marrë pjesën më të madhe të territorit, ndërsa një hotel i këndshëm shtrihet në kreshtën e njërës prej rruginave mbi objektet e Gardës. Për fat, kanë mbetur dy skulptura publike të socializmit, që tashmë duket sikur qëndrojnë me turp në këtë park paanë. Një klub tjetër, që ka shumë punë, është poshtë kishës dhe pak të tjerë ngjitur me Digën, mbledhin të gjithë shëtitësit.

Mu përballë janë Zadrat, të degraduara aty ku s’mban më. Këtu është vendi i dikurshëm i notarëve kryeqytetas, por që nga vite që s’mbahen mënd u kanë humbur ato dërrasat që të ngjisnin deri në majë. Një verandëz e vogël është degraduar, kurse kabinat e notarëve pak më andej kanë mbetur streha e endacakëve nokturnë. Brenda saj është një inventar i tërë i nevojshëm për mbijetesën e çastit të një skamnori.

Amfiteatri, vërtetë, s’është godinë, por duket se ka pësuar rrënimin më të madh të një objekti liqenor. Pothuaj çereku i ulëseve është shkulur, kurse dyshemeja e stage po prishet nga momenti në moment. Pjesa e brendshme, trumbetuar në media nga një mini-shoqatë për inkurajimin e vrapit sportiv është gjithnjë e mbyllur paradite dhe asnjëherë në funksion të sportistëve amatorë. Pak më tej, janë shkulur krejt një palë paralele, kurse buzë liqenit, dikush ka bërë një shtëpi, fusha tenisi dhe klub?!! Përballë tij nuk funksionon prej vitesh një banjë publike, e cila tashmë është në masën më të degraduar të mundshme, kurse gjiri i notarëve me pilotat e mbetur në ajri ka marrë fund, që në fund të viteve ’80...

Veranda, me çfarë njihej dikur veranda e madhe përballë Digës dhe që u shërbente notarëve të dikurshëm si drejtim për metrazhet e gjata, vazhdon rrënimin e saj dhe ekzistenca duhet t’i atribuohet thjesht forcës së materialeve dhe seriozitetit që e bënë dikur punonjësit e Enverit. “E more i mblodhe rraqet”, i thotë ambulanti i parë që shpërngulet mikut të tij. “Po more”, ia pret ky. Ky ritual i përditshëm fjalësh mbyll dhe mbrëmjen, për tu lënë vendin tashmë dashnorëve të pastrehë, që duan të mbarojnë ankthin e padurimtë të seksit. Ambulantët, bërtasin, si dikur në fëmijëri, teksa mbanin gjërat e tyre atje tutje në fshat, dhe largohen...
...
Një ditë në liqenin artificial s’është më një zbavitje sesa një kohëvrasje. E megjithatë, ky vend i bukur, nëse nuk do të ndalet së prishuri, ka ende shpresë që tu japë pak mundësi kryeqytetasve të marrin frymë dhe të prehen. Kuptohet, vetëm nëse një dorë ose një zë do t’i thotë kryebashkiakut të ri që të kujdeset për këtë mrekulli që një brez ia la trashëgimi brezit tjetër. Pranverë ’12.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama