Si u hoqen prangat e sigurimit nga duart e Dritero Agollit

Si u hoqen prangat e sigurimit nga duart e Dritero Agollit
Ish-zyrtari i lartë i shtetit komunist, Xhelil Gjoni, tregon ngjarjen e pabesueshme. Rastësia e papritur kur Hysni Kapo mësoi faktin befasues dhe këmbëngulja e kreut të Sigurimit kryeqytetas për shtrëngimin e prangave mbi duart e shkrimtarit të madh. Çastet ekzaltuese kur ai shpëtoi nga akti fatal.

Hyrje

Edhe shkrimtari dhe poeti i madh Dritëro Agolli nuk i paska shpëtuar survejimit dhe përgatitjes së prangave për të përfunduar në qelitë e errëta të burgjeve të sigurisë së lartë. As më pak dhe as më shumë, por dëshminë e bujshme e sjell për publikun e gjerë vetë Xhelil Gjoni, i cili në momentet që po flasim ishte jo vetëm një nga funksionarët kryesorë të Partisë së Punës së asaj kohe, por edhe një ish-koleg i vjetër i shkrimtarit të madh, me të cilin kishte punuar për vite të tëra në organin kryesor të shtypit të kohës, “Zëri i popullit”.

E ndërsa ish-funksionari i lartë Xhelil Gjoni rrëfen historinë e çuditshme, madje dhe tronditëse në të cilën është në epiqendër vetë Dritëro Agolli, mësojmë se paska qenë vetëm një rastësi e jashtëzakonshme nga ato që quhen “mbreti i botës”, ajo që e paska shpëtuar nga prangat. Dhe kjo rastësi që me të vërtetë mund ta konsiderosh “mbretin e botës” ishte fakti i një plenumi të Komitetit të Partisë së Tiranës, në të cilin mori pjesë edhe autoriteti i lartë i nomenklaturës së asaj periudhe, Hysni Kapo. Por rastësia e atij momenti do ta përqafonte fuqishëm shkrimtarin e shquar Dritëro Agolli jo vetëm me pjesëmarrjen e Hysni Kapos, por edhe me faktin që rrjedha që do të merrte plenumi, do të ishte e tillë që fare rastësisht të dekonspirohej qenia e tij nën survejim ekstrem dhe një gjë e tillë të mësohej nga Kapo. Kaq do të mjaftonte që fati e desh që Hysni Kapo të ndodhej në atë moment në atë vend i cili me mënyrën e tij të të folurit la të kuptohet se Agolli nuk do të pësonte asgjë.

Konkretisht, ngjarja u zhvillua e tillë që Xhelil Gjoni do të propozonte emrin e ish-kolegut të gazetarisë së hershme për kandidat në forumin më të lartë të Partisë së Punës së Tiranës që ishte plenumi i tij. Por sipas procedurave, lista me emrat e kandidatëve do t’i kalonte fillimisht drejtorit të degës së Punëve të Brendshme të kryeqytetit apo në rrethet e tjera kalonte në degët përkatëse për verifikim nëse njerëzit e kishin pastërtinë politike për të qenë anëtarë të forumit më të lartë politik të rrethit.

Këtu filloi enciklopedia e vërtetë kur papritur dhe pa kujtuar drejtori i Punëve të Brendshme të Tiranës në mënyrën më konspirative, u vendosi autoriteteve gishtin mbi emrin e Agollit që do të thoshte se atë e prisnin prangat dhe se nuk do të vendosej në atë forum. Ndërhyrja e Gjonit dhe kundërndërhyrja e titullarit të Sigurimit të Shtetit për kryeqytetin, krijuan konfuzion të paprecedentë, por të pakuptueshëm për pjesëmarrësit se përse bëhej fjalë. Ky konfuzion enigmatik dhe i pashprehur çoi në pushim seance. Kjo vonesë dhe përplasje e heshtur bëri që problemi të kuptohej nga Hysni Kapoja. Kaq do të mjaftonte që gjithçka të merrte fund në të qindtën e sekondës dhe kjo marrje fund ishte reagimi i vetë Kapos, duke deklaruar shprehjen se asgjë nuk e pengonte Dritëro Agollin për të qenë në listën e njerëzve që do të përfaqësonin autoritetin më të lartë politik të kryeqytetit.

Gjithsesi, gjithçka rreth asaj ngjarjeje befasuese dhe tronditëse njëkohësisht, lexuesi i “Standard” do të ndjekë pikërisht në intervistën e mëposhtme të vetë Xhelil Gjonit.

Zoti Xhelil, ç’mund t’i thoni lexuesit shqiptar tashmë që dilni në media pas kaq shumë kohë heshtjeje?

Nuk kam folur, sepse, sipas mendimit tim, nuk ka sunduar logjika, por ka qenë kohë emocionesh. Unë kam shpresuar se kaq vite do të ishin jo vetëm të mjaftueshme, por të tepërta që të iknin pasionet dhe të vinte logjika në politikë.

Logjika duhet të sundojë mbi pasionet. Kjo arrihet vetëm në rastet kur ajo ka faktin, që duhet të jetë një argument i shëndoshë.

Mendoni se sot ka triumfuar logjika mbi emocionet e pasionet?

Faktikisht edhe sot do të thosha se sërish nuk është shumë kohë logjike. Është arritur deri aty sa që politika jonë të shndërrohet në një politikë sharjesh dhe shpifjesh, deri në fjalorin më banal.

Rezultati i kësaj politike është i kuptueshëm, sepse ndodhin fenomene tepër të papranueshme për shtetin dhe kombin.

E logjikshmja dhe e mira është që e gjithë politika jonë të ketë pikat kombëtare të rakorduara mbi të cilat duhet të mbështetet.
 
Ç’mund të thoni për kulturën tonë kombëtare?

Populli ynë nuk është një popull pa trashëgimi kulturore, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe politike dhe shoqërore evropiane, sidomos ata që nuk kanë dashur kurrë progresin e tij. Ai ka trashëguar kulturën e vetë karakteristike. Më pas fëmijët e këtij populli, të cilët mbaruan studimet në universitetet dhe në akademitë më të mira të vendeve të ndryshme të botës, u kthyen të mësuar dhe të kulturuar në vendin e tyre. Ishin pikërisht këta, të cilët u ngulën në breza mbi tabanin kombëtar të kulturës së popullit dhe i dhanë atij tiparet e reja me fizionomi të gjerë dhe bashkëkohore mbi të cilën tani mbahet kombi ynë sot.

Janë të shumtë shembujt që mund të marr për këtë gjë. Kështu, p.sh. Tish Daija, i cili mbaroi studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, nuk solli në Shqipëri muzikë ruse, por këtu përdori përvojën që përfitoi dhe krijoi muzikë, e cila pasqyronte me pasion dinjitetin dhe karakteristikat kombëtare. Të njëjtën gjë mund të themi për artistët e tjerë të mëdhenj të të gjitha fushave.

Intelektualët kanë qenë njerëzit më të survejuar dhe të persekutuar të periudhës së kaluar, keni formuar një konkluzion për këtë gjë?

Shiko, i dashur Fatos! E vërteta është se nuk ka pasur asnjëherë një vijë të përcaktuar për të përndjekur posaçërisht vetëm artistët dhe shkrimtarët. Baza e atyre përndjekjeve ka qenë për personat që binin ndesh me ligjet e shtetit që ishin në fuqi. Këta elementë nuk ishin tjetër, veçse në radhët e shoqërisë sonë, nga e cila nuk ishin të ndarë dhe shkrimtarët dhe artistët. Por këta të fundit ishin elementët më të ekspozuar, të cilët për vetë rolin e tyre në shoqëri, në mos në një rast, në një tjetër, mund të shkelnin apo atakonin parimet apo ligjet në fuqi. Pra, këta njerëz ishin më të zbuluar dhe më të afishuar për mendimet e tyre.

Në detyrat që mbuloja unë, kam pasur një informacion të plot për sa i përket këtij problemi. Burimi i parë imi ishte linja civile, që do të thotë njohja individuale edhe jashtë raporteve zyrtare me shkrimtarët dhe artistët. Këta unë i njihja në rrugë normale nga afër dhe pata krijuar mendimin tim, nëse me të vërtetë kisha të bëja me njerëz që ishin kundër pushtetit apo nëse ishin nga ata që mund të bënin dhe të thoshin çfarë dhe si të donin. Në këtë mënyrë, duke i njohur personalisht këta individë, unë kisha edhe mundësi që t’i mbroja. Konkretisht unë e dija se çfarë fliste Dritëroi me atë humorin e tij karakteristik në biseda, ashtu siç e dija shumë mirë se ai nuk mund të ishte kurrë një armik i pushtetit, siç pretendonin ta paraqisnin ata, të cilët përgatisnin gjithfarë informacionesh. Unë e dija se ato që fliste Dritëroi, i thoshte me këdo, ashtu si dhe me mua, pa as më të voglin qëllim, por ja që kishte informatorë apo njerëz, të cilët ishin gati të përpilonin faqe të tëra raportesh.

Unë dija gjithashtu se nuk mund të ishte kurrsesi antikombëtar as Dritëro Agolli, as Çesk Zadeja, as Ismail Kadareja dhe as Odise Paskali dhe as shumë e shumë pena dhe talente të shquara të kombit tonë.

Në të vërtetë inteligjenca jonë ka vlera të pallogaritshme në interes të kombit.

 

Zoti Xhelil, ç’mund t’i thoni lexuesit shqiptar tashmë që dilni në media pas kaq shumë kohë heshtjeje?

Nuk kam folur, sepse, sipas mendimit tim, nuk ka sunduar logjika, por ka qenë kohë emocionesh. Unë kam shpresuar se kaq vite do të ishin jo vetëm të mjaftueshme, por të tepërta që të iknin pasionet dhe të vinte logjika në politikë.

Logjika duhet të sundojë mbi pasionet. Kjo arrihet vetëm në rastet kur ajo ka faktin, që duhet të jetë një argument i shëndoshë.

Mendoni se sot ka triumfuar logjika mbi emocionet e pasionet?

Faktikisht edhe sot do të thosha se sërish nuk është shumë kohë logjike. Mjafton të shikosh dy titullarët e politikës së sotme shqiptare, të cilët në çdo takim apo ndërhyrje të tyre, përplasen si macja me miun dhe nuk kanë njohur konsensus, qoftë edhe për problemet më madhore që kanë të bëjnë me autoritetin dhe interesin e shtetit dhe të kombit. E veçanta këtu është se ky shembull ka vazhduar që nga maja e piramidës sonë politike dhe ka arritur deri poshtë, në bazën e saj. Shkurt, është arritur ajo që politika e jonë është një politikë sharjesh dhe shpifjesh, deri në fjalorin më banal.

Rezultati i kësaj politike është i kuptueshëm, kur ndodhin fenomene tepër të papranueshme për shtetin dhe kombin.

E logjikshmja dhe e mira është që e gjithë politika jonë të ketë pikat kombëtare të rakorduara mbi të cilat duhet të mbështetet.

Ç’mund të thoni për kulturën tonë kombëtare?

Populli ynë nuk është një popull pa trashëgimi kulturore, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe politike dhe shoqërore evropiane, sidomos ata që nuk kanë dashur kurrë progresin e tij. Ai ka trashëguar kulturën e vetë karakteristike. Më pas fëmijët e këtij populli, të cilët mbaruan studimet në universitetet dhe në akademitë më të mira të vendeve të ndryshme të botës, u kthyen të mësuar dhe të kulturuar në vendin e tyre. Ishin pikërisht këta, të cilët u ngulën në breza mbi tabanin kombëtar të kulturës së popullit dhe i dhanë atij tiparet e reja me fizionomi të gjerë dhe bashkëkohore mbi të cilën tani mbahet kombi ynë sot.

Janë të shumtë shembujt që mund të marr për këtë gjë. Kështu, p.sh. Tish Daija, i cili mbaroi studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, nuk solli në Shqipëri muzikë ruse, por këtu përdori përvojën që përfitoi dhe krijoi muzikë, e cila pasqyronte me pasion dinjitetin dhe karakteristikat kombëtare. Të njëjtën gjë mund të themi për artistët e tjerë të mëdhenj të të gjitha fushave.

Elementët e bërë objekt të organeve, kishit të drejtë t’i thërrisnit ju?

Më parë, ata që mendohej se duheshin këshilluar, këtë punë e bënte Dega e Brendshme. Më vonë u ndërrua ajo praktikë dhe informacioni i dërgohej Komitetit të Partisë sipas sektorëve.

Mund të jeni më konkret?

Më ka ndodhur me njerëz e shokë shumë të mirë. Mund të veçoja një nga miqtë e mi të mire, që tani u bënë shumë kohë që nuk e kam parë. Informacioni nga organet e Sigurimit për të më kish ardhur, pasi ishte shprehur për pushtetin në mënyra të dënueshme. E thirra në zyrë. E vërteta ishte se, ashtu siç njihja Dritëroin apo dhe shumë artistë dhe shkrimtarë të tjerë, njihja edhe këtë mikun tim. Në ato momente mendova se nuk mund t’i flisja më shumë nga sa i fola.

Mbaj mend, që sa erdhi në zyrë, i them: Me kë rri në tavolinë, mor mik? Me këtë doja t’i thosha se në miqtë që kishte zgjedhur për të biseduar kishte edhe nga ata që atij po i hapnin probleme. Ai u prek shumë dhe nuk pranoi të kish folur në atë mënyrë. Ky shok i mirë më ndihmoi edhe në përgatitjen e raportit të Kongresit të 10-të. Pasi menduam se kishim mbaruar punë, papritur më thotë: “Xhelil, a nuk i shmangesh më mirë politikës”?! Atëherë u mendova nga ky sugjerim aq i kuptimtë dhe nuk fola.

U shmangët?

Sigurisht, u shmanga.

Është e vërtetë se në survejim ka qenë edhe shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli?

Unë ju kam folur në fillim të kësaj interviste, që shkrimtarët dhe artistët ishin ata që për vetë pozicionin e tyre, kishin më shumë premisa të dilnin në oponencë me shumë parime politike dhe ideologjike të vendosura në atë kohë.

 Për të thënë të vërtetën duhet pranuar se edhe Dritëro Agolli ndiqej. Këtë Dritëroit, nuk ia kam thënë asnjëherë. Sot po e them.

Kur e keni konstatuar këtë gjë ju?

E kam vënë re relativisht vonë. Për ta pasur më afër dhe për të ndihmuar më mirë punët, sidomos krijuesit, në Konferencën e 17- të të Partisë, unë i propozova përfaqësisë së konferencës, anëtar i së cilës isha dhe unë, që Dritëroi të ishte anëtar plenumi i Komitetit të Partisë të Tiranës. Mirëpo, pata rezistencë nga Sekretari i Parë dhe nga drejtori i Drejtorisë së Brendshme të asaj kohe. Aq e fortë ishte rezistenca e tyre, sa pati zhvillime të ashpra. Përfaqësia ishte dakord me mua, por… puna arriti deri atje, sa i deleguari Hysni Kapo, kërkoi pushim. Pas pushimit Hysni Kapo deklaroi se Diteron (kështu e thërriste ai, jo Dritëro), nuk e pengon asgjë për të qenë anëtar plenumi, përkundrazi, prezenca e tij i bën mirë punës. Kështu, konferenca e zgjodhi Dritëronë, anëtar të plenumit të Tiranës. Që nga ajo ditë, ai vazhdoi të jetë i tillë, derisa arriti të bëhet edhe anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë.

Kështu bashkëpunuam me Dritëronë në punën me inteligjencën e Tiranës, e cila pas Plenumit të 4-t kishte marrë plagë të rënda. Këto plagë duheshin shëruar. Bashkë me shokë të tjerë bëmë jo pak, aq sa mundëm.

Më vonë, kur Dritëroi u zgjodh anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, i thosha: “Ik nga Plenumi i Tiranës”!

“Jo, më thoshte, më mirë të largohem nga ai Qendrori, se sa nga ky i Tiranës. Kur mblidhej Plenumi këmbenim edhe nga ndonjë pusullë, si mënyrë çlodhjeje nga diskutimet pa bereqet e sfilitës. Në përgjigje të pusullave të mia, Dritëroi më përgjigjej me vargje. Ja dhe një intimitet me autorin e “Zylos”, që e kishte titulluar:

 “ Këngë për shokun kryetar”.

“Shoku kryetar, nga doli kjo mënxyrë, / Si s’paskemi plotësuar qymyrë?! / Ky lugat qymyr po na bën kërdinë. / Le që s’na ngroh, po na prish dhe qetësinë. / O burra, të na punojë pak koka, / Që ta nxjerrim sa më shpejt lugatin nga Toka! / Përndryshe puna jonë kaq e pati, / Na mori me vete lugati”.

Arritët ta mësoni arsyen e vendosjes në survejim të tij?

Ai ndiqej si agjent i lidhur me një shkencëtar kosovar të nderuar.

Si e keni njohur ju Dritëroin?

Jam takuar për herë të parë në vjeshtën e vitit 1956, kur ai ishte konviktor dhe banonte përballë “Pallatit të Dimrit” në Leningrad. Aty studionin në Fakultetin e Gazetarisë së bashku dhe me Marash Hajatin, Fadil Kokomanin etj. Ata ishin në vitin e pestë, ndërsa ne, një grup prej 40 vetësh, ishim në vitin e parë, në fakultete e institute të ndryshme.

Atje gjeta, në vitin e dytë të filozofisë, Servet Pëllumbin, Vasilikën, Ksanthipin, Elvira Gjonin, motrën e Dhimitër Gjonit nga Durrësi dhe Valin e vockël, e cila u martua me rumunin Mirçe.

Pesë vjet më vonë, atë e takova në redaksinë e “Zërit të popullit”, ku Dritëroi ishte bërë një gazetar i njohur në redaksinë e kulturës.

Ndër vite, me Dritëroin na u thellua miqësia. U “shkëputëm” kur ai shkoi sekretar i Lidhjes.

Pastaj puna e solli të punonim sërish bashkë. Është fjala kur unë punova në Komitetin e Partisë të Tiranës

Si e shikoni qëndrimin e Dritëroit në Kongresin e 10-të të PPSH-së?

Kohët ikën dhe ora solli Kongresin e 10-të të PPSH-së ose, si u vlerësua më vonë, Kongresin e Parë të PS-së. Dritëroi diskutoi ashpër dhe me mllef. Salla nuk e priti mirë. Nuk ishte mësuar me diskutime të tilla, aq më tepër nuk e prisnin këtë nga Dritëroi. Dritëroi u detyrua të largohej. Në përfaqësi, nuk ma pranuan kandidaturën e tij, për t’u zgjedhur sërish.

Atëherë, dërgova Spiro Deden për të pyetur Dritëroin, nëse ishte apo jo dakord që të zgjidhej. Përgjigjja që më solli prej tij Spirua, ishte: “I thuaj Xhelilit, unë aty e kam vendin, nuk kam ku shkoj tjetërkund”.

Atëherë propozova Dritëroin jashtë listës së aprovuar në përfaqësi, duke u thënë delegatëve: “Meqë numri është aprovuar, të vihet Dritëroi në listë”. Më pas shtova: “Pavarësisht nga diskutimi, Dritëroi është poet i madh popullor, ai nuk mund të jetë kurrë antikombëtar”. U zgjodh Dritëroi. Vazhdoi për një kohë jetën politike dhe atë krijuese po e po. U rëndua ca nga shëndeti, hoqi dorë nga jeta aktive politike, por vazhdon të thotë me peshë fjalën e tij në opinion.

Kush është Xhelil Gjoni

Xhelil Gjoni është nja nga emrat e njohur të Shqipërisë. Përveç detyrave të larta partiake që ka kryer, deri te Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës apo Sekretar i Parë i saj në disa rrethe të Shqipërisë, ai ka një histori të tërë edhe në organet më kryesore të shtypit, duke arritur deri në kryeredaktor i “Zërit të popullit”, pozicion mediatik shumë i preferuar i asaj kohe, për faktin se ishte edhe një pozicion politik i nivelit të lartë.

Ai ka lindur në Maqellarë të Dibrës, më 3 nëntor të vitit 1938.

Arsimin fillor e ka kryer në vendlindjen e tij.

Në vitet 1952-1956 ka vijuar studimet në Shkollën Pedagogjike të Peshkopisë.

Ishin vitet 1956-1961 ato që shënuan edhe arritjen e kualifikimit intelektual të Xhelil Gjonit, pasi, pikërisht në ato vite, ai iu nënshtrua studimeve për fushën e filozofisë në universitetet e famshme të Leningradit dhe të Moskës.

Viti 1961 ishte viti kur, i porsakthyer nga universitetet e ish-Bashkimit Sovjetik, do të fillonte për herë të parë punën pikërisht në redaksinë e “Zërit të popullit”, në të cilën do të punonte për 17 vjet me radhë, ku do të kryente detyrat që nga gazetar i thjeshtë, redaktor përgjegjës, zëvendëskryeredaktor e deri kryeredaktor i saj.

Në vitin 1975, Xhelil Gjoni kalon në një detyrë tepër specifike për kohën, pikërisht si sekretar propagande në Komitetin e Partisë së Tiranës.

Në dhjetor të vitit 1984, atij i besohet detyra e Sekretarit të Parë të PPSH-së për rrethin e Krujës. Detyrë e tillë do t’i besohej atij edhe në rrethin e Dibrës, ku në vitet 1987-1990, sërish do të kryente detyrën e Sekretarit të Parë në atë rreth. Gushti i vitit 1990 shënoi dhe kulmin e karrierës politike të Xhelil Gjonit. Në atë vit ai kaloi në detyrën e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe, paralel me të, u ngarkua me detyrën e Sekretarit të Parë në kryeqytet, të cilat i kreu deri në Kongresin X dhe të fundit të PPSH-së.

Gjithashtu, Xhelil Gjoni ka qenë deputet në Parlamentin e parë pluralist të Shqipërisë.

Ai njihet një nga njerëzit “VIP” që ka pasur dhe vazhdon të ketë një lidhje të ngushtë shpirtërore dhe shoqërore me artistët dhe shkrimtarët më të njohur të Shqipërisë, mes miqësisë të të cilëve, siç tregon sot, ka udhëtuar gjatë gjithë karrierës së vet politike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama