Si u arrestua dhe pse u denua me vdekje Gjergj Bubani

Si u arrestua dhe pse u denua me vdekje Gjergj Bubani
Arrestimi, gjyqi dhe burgu

Gjak dhe tmerr. E çfarë mund të ishte tjetër përfundimi i Luftës së Dytë?! Por e tillë ishte edhe periudha që erdhi më pas. Qysh në mesin e vitit ’44, u duk qartë se forcat partizane po fitonin terren dhe shumë shpejt komunistët do të vendosnin qeverisjen e tyre në vend. Ende pa aguar mirë çlirimi i Shqipërisë, fitimtarët e rinj kishin nisur të rendnin drejt pushtetit. Forma e qeverisjes u përcaktua në maj, në Kongresin e Përmetit, kurse qeveria u konturua në Berat, një muaj para çlirimit të kryeqytetit më 17 nëntor. Për ta shtruar më mirë rrugën e tyre, në zonat e çliruara, me urdhër të shtabit të përgjithshëm, njësi të përcaktuara partizane nisën spastrimet ndaj elementëve nacionalistë. Në të gjithë vendin u ekzekutuan pa gjyq mjaft nacionalistë, kurse të tjerë u arrestuan dhe u izoluan.

“Lista e zezë” ishte hartuar kohë më parë në bazë të opinioneve dhe informatave që kishin mundur të merrnin drejtues të ndryshëm komunistë, në qendër ose në bazë.Disa ditë para se Tirana të çlirohej, me 13 nëntor 1944, dy njerëz trokitën në mbrëmje në shtëpinë e Gjergj Bubanit, në rrugën “Fortuzi”, dhe i kërkuan që të shkonte me ta. Ky është arrestimi i Bubanit ose, më saktë, rrëmbimi i tij. Rrëmbim? Pa dyshim që po. Për Gjergj Bubanin, ashtu si edhe për mjaft intelektualë që u gjykuan dhe u dënuan në gjyqin e Kriminelëve të Luftës, në prill të vitit 1945, nuk ka një mandat arresti. Këtu nis dhe rruga e gjatë e tragjedisë shqiptare, e cila zgjati jo pak, por 45 vjet.Ndoshta, që në atë çast Gjergj Bubani e ka parandjerë fatin që e priste dhe i pafuqishëm për ta ndryshuar atë, ka heshtur thellë. Për një njeri që dikur, ndërsa priste i ulur në tryezë të festonte me familjarët ditëlindjen e tij, papritmas mësoi për aksidentin fatal që kishte pësuar e bija, zhgënjimi nga liria ishte veçse rrjedhë e fatit pa rrugëdalje, të cilit duhet t’i nënshtrohej.

Në ato çaste, njeriu nuk mendon më për vete, por për ata që lë pas; vuajtjet e tij shtohen jo aq shumë kur është në dhomën e hetuesit ose në birucën e lagësht, por kur mendon se si do ta përballojnë më tej jetën gruaja dhe fëmijët. Ç’ndodh me ta qysh sa lind drita e agimit e derisa shtrihen mbrëmjeve në shtrat? Janë pikërisht ata që i japin forcë për të përballuar situatën e vështirë, dhe po ata që, duke ia shtuar brengën nga përmallimi, mund t’ia thyejnë edhe më shpirtin e rraskapitur nga mendimet dhe trysnitë. Si kudo tjetër, edhe në Shqipëri, paslufta u shfaq me të njëjtat simptoma: ankth, kaos, britma, acarime. Kishte mbërritur koha e proletarëve. Nëpër rrugë dhe sheshe, triumfi ndaj klasës së përmbysur shprehej edhe në këngët partizane dhe vargjet e “Internacionales Komuniste”.

Viti 1945 agoi gri, me shi, i trishtë. Gazeta më popullore në vend, “Bashkimi, organ central i Frontit Nacional-Çlirimtar”, që në numrat e para të vitit të ri, niste me shkrime e editoriale, në të cilat evokohej fitorja mbi “fashizmin dhe tradhtarët e vendit”, dhe se “populli ishte tashmë zot i fateve të tij”. Në këto pamflete demaskuese, të hartuara nga Dr. Omer Nishani, Ymer Dishnica, Lame Kodra ( Sejfulla Malëshova) etj., vazhdimisht bëhej thirrje për hakmarrje dhe njoftoheshin pushkatimet e “ kolaboracionistëve”. Masa duhej të ngarkohej emocionalisht, duke pritur e revoltuar atë që do të ndodhte shumë shpejt.

Më 27 janar 1945, gazeta “Bashkimi” hapej me editorialin “Tradhtarët”. I mbushur me një gjuhë të ashpër, ku patetizmi ndërthurej fort me urrejtjen, kërkohej që “trathëtarët që bashkëpunuan me armikun” tashmë të dilnin para gjyqit dhe të përgjigjeshin për veprimtarinë e tyre kriminale. Ky artikull nuk ishte thjeshtë një kërkesë, por edhe një akuzë ku jepej madje edhe vendimi: ”Por koha e përgjegjësive ka arritur dhe tok me të edhe ajo e llogarive. Përpara popullit tonë duhet të zbulohet gjithë qelbësira e kohërave që ishte bërë një çiban i tmerrshëm, dhe duhet të punohej bisturia që të shpëtojë trupi i shëndoshë dhe të mëkëmbet pjesa e gjallë që meriton të rrojë.” Po atë ditë, me vendim të Këshillit të Ministrave u krijua gjyqi special për gjykimin e kriminelëve të luftës. Të nesërmen, i gjithë vendi do ta mësonte këtë ngjarje nëpër gazeta, nëpërmjet një njoftimi të shkurter:

U- krijua gjyqi special për gjykimin e kriminelëve të luftës, Këshilli ministria në mbledhjen e tij të djeshme, vendosi krijimin e gjyqit special për të gjykuar kriminelët e luftës,

U- emëruan:

Prokuror i gjyqit: Gjeneral –Major Bedri Spahiu
Kryetar: Gjeneral Leitnant Koçi Xoxe
Anëtar: Kolonel Hysni Kapo

-    N/Kolonel Beqir Balluku
-     Kapiten i kl. Π Hajdar Araniti
-     Partizan Gaqo Boboshtica
-    Dr. Medar Shtylla, Ministër i Ekonomisë
-    Fadil Shehu, Anëtar i Këshillit Ant. N. Ç.
-    Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë
-    Gaqo Floqi, gjykatës.

Siç shihet, me përjashtim të dy personave, të cilët ndodhen në fund të kësaj liste, të gjithë të tjerët ishin persona politikë.Po atë ditë, më 27 janar, gazeta "Bashkimi" do të hapej me kryeartikullin "Balli Kombëtar, organizatë tradhtie, krimi e terrori", të shkruar nga Dr. Ymer Dishnica. Tri ditë më vonë, i njëjti kryeartikull "Legaliteti organizatë tradhtie, krimi e terrori”. Gjuha e përdorur në këto shkrime vetëkuptohet që ishte e ashpër, e rëndë, aq sa nga shkronjat e plumbta gati sa nuk kullonte gjak.Dhe kjo shkruhej pikërisht nga njëri prej atyre që ishte përpjekur të arrinte vendosjen e paqes ndërmjet shqiptarëve në Konferencën e Mukjes! Të nesërmen, në po të njëjtën gazetë ( më të madhen në atë periudhë) Dr. Omer Nishani botonte kryeartikullin "Një krahasim- Ata e Ne".

Janë këto dy personalitete që, duke u alternuar me njëri-tjetrin, vijojnë edhe më pas botimin e artikujve me karakter gjak- e vdekjendjellës. Kulmi i kësaj propagande arrin të shtunën e 6 shkurtit, kur e tërë faqja e parë, por edhe pjesa më e madhe e gazetës ishte mbushur me fjalimin e Gjeneral Leitnant Koçi Xoxes në "mitingun e madh të kryeqytetit", si edhe me manifestimet që u zhvilluan në qytetet e Shqipërisë në përkujtim të 4 shkurtit 1944, vrasjes së 84 qytetarëve të Tiranës nga forcat gjermane. Nën titullin e madh "I tërë populli kujton 4 shkurtin me demonstrata të mëdha në të gjithë qytetet e Shqipërisë" dhe nëntitullin "Populli kërkon më këmbëngulje dënimin e kriminelëve të luftës- kërkon nga Aleatët dorëzimin e kriminelëve të arratisur në Itali", radhët e nxira nga plumbi vijojnë duke përçuar dhembjen, heroizmat e luftës, mllefin dhe urrejtjen. Përpara kësaj propagande, edhe mendja më e kthjellët do të turbullohej dhe çdo shpirt i qetë do të ndizej nga urrejtja.Një klimë tensioni, ankthi dhe padurimi. Tashmë të gjithë prisnin të shihnin se cilët ishin kriminelët e luftës, për të cilët ishte folur lart e poshtë se ndodheshin në duart e drejtësisë, dhe cilat ishin krimet që ata kishin bërë.

Kështu mbërriti edhe 1 marsi 1945.
Gazeta "Bashkimi" hapej me editorialin " Ora e hesapeve".

"Sot çel dyert Gjyqi i Popullit. kriminelët e luftës, shkaktarët dhe aktorët e tragjedisë më të hidhur që pa populli shqiptar, sidomos prej gjashtë vjetësh e këtej, do të japin llogari.Populli do të dënojë trathëtorët, do të dijë të japë mësim për brezat e ardhshëm...

Dhe edotoriali mbyllet kështu:Sot kriminelët e luftës janë para Gjyqit të Popullit dhe dora e drejtësisë s'onë do të bjerë. Vendimet e drejta, vendimet që pret e tërë Shqipëria për kriminelët e luftës dhe trathtorët, do të jenë kapaku i një politike të qelbur, do të jetë hakmarrja e popullit t'onë."

Pavarësisht se kush mund ta ketë shkruar këtë shkrim, ajo që lexojmë në të, është hakmarrja që vjen nëpërmjet "drejtësisë". Ajo është dora e një mjeshtri, i cili është i gatshëm t'i hedhë sërish në luftë masat. Për popullin, shtypi është opium; sa më shumë bërtet për një çështje, aq më tepër besojnë njerëzit, aq më shumë manipulohen ata. Por ky shkrim nuk ishte i vetmi. Thuajse e gjithë faqja e parë e kësaj gazete atë ditë ishte mbushur me Luftën. Në krah të djathtë të këtij editoriali, rrinte si një korb i zi një njoftim i shkurtër:

Gjyqi i Popullit për kriminelët e luftës i çeli dyert

Sot ora 10 para dite, çel dyert e tij në kryeqytet
Gjyqi i Popullit kundër kriminelëve të luftës.
Gjyqi do të zhvillohet në lokalet e Kinemasë " Kosova".
Duke marrë parasysh ngushticën e lokalit dhe dëshirën
e madhe të gjithë popullit të Kryeqytetit që të asistojë
në zhvillimin e gjyqit kundër kriminelëve të luftës, janë
marrë masa për të instaluar altoparlantë edhe përjashta
lokalit.

Ora e fitores morale kishte mbërritur dhe tashmë ngadhënjimi i komunistëve në Shqipëri ishte në pritje të kurorëzimit përfundimtar. por, që të shkohej deri atje, spektakli duhet të shkonte deri në fund. Një orë përpara fillimit të Gjyqit të Kriminelëve të Luftës, sheshi përpara kinema "Kosovës" ishte mbushur nga njerëzit e shumtë, të cilët prisnin të shihnin teksa hynin kokulur në sallë "trathëtorët". Çasti i ngadhënjimit kishte mbërritur dhe tashmë historia e Shqipërisë po hynte në një rrugë të re, të gjatë dhe të mundimshme.

Meditim i shkurtër në sallën e Teatrit Kombëtar

Shumë herë kam hyrë në këtë sallë. Nuk mbahet mend sa qindra herë. Për herë të parë, im atë, i cili adhuronte teatrin, më mori për dore për të më çuar në një shfaqje në këtë teatër në dimrin e vitit 1978. Atëherë isha vetëm shtatë vjeç. Mbaj mend se jashtë dyerve të vjetra të teatrit, njerëzit prisnin të hynin. Shfaqej komedia "Miq të paftuar". Punonjëses që rrinte te dera, im atë i tha se ishte më i madh se tetë vjeç. Ajo ngurroi për një çast pastaj na hapi rrugë. Hymë brenda. Sapo shkela në holl, u ndesha para një magjie. Nëpër mure pashë fotografitë e aktorëve të teatrit dhe të shfaqjeve të ndryshme. Pasi u endëm së bashku me prindërit në holl duke vështruar fotografitë përreth, pa dashur të më shpëtonte asnjë hollësi nga ai vend i mrekullueshëm. Kështu i kalova ato minuta, derisa ra zilja, dritat u shuan dhe shfaqja filloi.Që nga ajo mbrëmje kanë kaluar shumë vjet. Që prej asaj mbrëmjeje, kam parë i ulur në atë sallë shfaqje të mjaft dramave, tragjedive dhe komedive, duke përjetuar emocione nga më të ndryshmet. Madje, një herë, kam hipur në skenë, si një aktor i vogël amator i grupit të teatrit të Pallatit të Pionerëve. E kam parë dhe e kam ndier magjinë e këtij tempulli nga disa këndvështrime.Ndërsa rritesha, nisa të mësoja edhe historinë e tij: Në fillim, në vitin 1940, u ndërtua si kinema për ushtarët italianë dhe u quajt "Savoja". Pas kapitullimit të Italisë, në kohën e pushtimit nga gjermanët, ajo kinema mori emrin " Kosova", që e mbajti edhe pas luftës, derisa aty u vendos përfundimisht Teatri Popullor. Por mësova gjithashtu se pikërisht aty, në atë sallë dikur të kinema " Kosovës", më vonë të shndërruar në një teatër të dashur, ku u luajtën mjaft komedi, tragjedi dhe drama, ku intrigat dhe e vërteta, jeta dhe vdekja u ndeshën sa herë me njëra-tjetrën, nga marsi deri në mes të prillit të vitit 1945, u zhvillua gjyqi special kundër " kriminelëve të luftës". Dhe, pasi mësova këtë, salla e Teatrit Kombëtar mori për mua një hije të rëndë. Këtu, vdekja dhe intrigat u përjetuan realisht.

Ora shkon drejt 10.00

Gjyqi i shumëpritur dhe i shumëpërfolur fillon. Të gjashtëdhjetë të akuzuarit ndodhen të ulur në stola të drunjtë, që shëmbëllejnë më tepër si "turra e druve". Ata mbrohen nga dhjetë avokatë, të ndarë thuajse në mënyrë të barabartë. Avokat Kristaq Niço  mbron Kol Tromarën, Bahri Omarin, Qemal Vrionin, Terenc Toçin, Gjergj Bubanin, Bilal Nivicën dhe Sami Visokën. Atmosferë mbytëse. Salla është e mbushur plot e përplot me " njerëz të zgjedhur", kurse "në llozha qëndrojnë përfaqësues të Qeverisë, Ushtrisë, Rinisë, Gruas Antifashiste, sindikatave, nëpunësve, klerit, një pjesë e Misioneve Ushtarake të huaja, tregtarëve, lagjeve te tjera".Të rrethuar nga ushtarët, gjashtëdhjetë të akuzuarit kanë zënë vend në krahun e djathtë, kurse përpara tyre, pas një tryeze të gjatë, qëndrojnë dhjetë avokatë mbrojtës. Në krahë të djathtë, përpara perdes së kinemasë, është tryeza ku do të ulen nëntë anëtarët e trupit gjykues. Përballë me ta, prokurori i çështjes Bedri Spahiu.Trupi gjykues del ne tribunë dhe, ndërsa zë vend, salla e kinemasë oshtin nga përplasja e duarve dhe brohoritjet "Rroftë drejtësia e popullit". Në orën 10.00, kryetari i Gjyqit, Koçi Xoxe, i bie ziles dhe me një ton të prerë shprehet:

- Seanca hapet.Pas një heshtjeje që zgjat veç pak sekonda, prokurori Bedri Spahiu lexon:

"Komisioni Qendror për zbulimin e krimeve të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, përpara kësaj Gjykate Speciale i ka sjellë për të gjykuar kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit të poshtëshënuar:

Fejzi Alizoti, Anton Kozmaçi, Terenz Toçi, Xhevat Korça, Qemal Vrioni, Tefik Mborja, Zef Benussi, Shuk Gurakuqi, Zef Shiroka, Emin Toro, Aqif Përmeti, Gustav Mirdacz, Kostandin Kote, Hilmi Leka, Ndoc Naraçi, Shyqyri Borshi, Rrok Gera, Reshit Merlika, Javer Hurshiti, Beqir Valteri, Zef Kadarja, Kol Tromara, Bahri Omari, Ismet Kryeziu, Sokrat, Dodbiba, Rrok Kolaj, Jakov Milaj, Refat Begolli, Et'hem Cara, Mihal Sherko,     

Akile Tasi, Ibrahim Biçakçiu, Mihal Zallari, Xhavit Leskoviku, Koço Kotta, Barjam Pustina, Sulejman Vuçiterni, Fiqri Llagami, Dik Cami, Nedim Kokona, Sami Koka, Daut Carçani, Zenel Prodani, Zija Bejleri, Ihsan Libohova, Koço Tasi, Vangjel Goxhomani, Luigj Filaj, Tahsin Bishqemi, Abedin Xhiku, Lazër Radi, Manush Peshkëpija, Gjergj Bubani, Bilal Nivica, Samim Visoka, Mahmut Golemi, Abdurrahman Telqiu, Rifat Tartari, Ismail Golemi dhe Ded Jakova.
...
Pasi lexon akuzën e përgjithshme, Bedri Spahiu Përfundon:

Duke qenë se veprat e tyre formojnë fajet e parashikuara prej neneve 14, 15 të Ligjës mbi funksionimin e Gjykatave Ushtarake,
Kërkojmë,
Që pasi të gjykohen të pandehurit më lart dhe të provohet fajësia e tyre, në bazë të nenit 18 po të kësaj Ligje t'u caktohet ndëshkimi."
Salla shpërthen në duartrokitje.
Kështu nisi procesi ndaj " Kriminelëve të Luftës".Çdo ditë, nga e hëna deri të shtunën, ky gjyq i ngritur mbi një akuzë që më shumë ngjante me një apologji boshe, të pandehurit "jepnin llogari" përpara trupit gjykues që drejtohej nga një teneqexhi.

Spektakli vazhdon

Në kulmin e zhvillimit të procesit gjyqësor të " Kriminelëve të Luftës", më 15 mars, në gazetën " Bashkimi", Dr. Ymer Dishnica boton kryeartikullin "Trathëtorët me shpatulla në mur""Krimet, tradhtia dhe faktet janë të tilla sa që i mbërthejnë në mur tradhtarët. Trupi gjykues me shokun Koçi Xoxe në krye i mbërthejnë me shpatulla në mur fajtorët."Pas këtyre rreshtave të parë, autori nis të derdhë mllefin, ironinë dhe urrejtjen ndaj të akuzuarve dhe të përgjigjeve të deriatëhershme të disa prej tyre në gjyq, duke bërë njëkohësisht edhe "analizën" më reale të zhvillimit të këtij procesi. Rrallë mund të ketë ndodhur që publicistika gazetareske të jetë përdhosur aq keq, ku autori të jetë shfaqur në tri pozicione njëherësh: të artikullshkruesit, të prokurorit e gjyqtarit dhe të ekzekutuesit. Për të, të akuzuarit janë çdo gjë, por njerëz kurrsesi. E gjithë apologji mbyllet me një urrejtje të theksuar patetike:

"Ç'kanë sot në bark këta "veteranë patriotë"? Ç' besim? Ç' ide? Ç' gjë e shenjtë mund të ngrohë zemrën e këtyre? Asgjë në shpirtin e tyre! Vetëm helm, mëri, intrigë e poshtërsi! Asnjë prej tyre nuk ka kurajon të thotë me bindje: u gabova! Asnjë prej tyre nuk ka pasur kurajon t'i bëjë një ekzaminim ndërgjegjies. Ju janë bërë cop e thërrime telat e zemrës e të karakterit. Kanë mbetur lecka në qoshen e errët të mbeturinave të popullit shqiptar..."Herë tre nga tre e herë më shumë, të pandehurit " ia lënë vendin" njëri-tjetrit. Më 21 mars, në seancën e tetëmbëdhjetë, thirret i pandehuri Gjergj Bubani "i biri i Dhionisit dhe i Elisabeta Karpaçit, lindur në Boboshticë të Korçës më 1900, i martuem, ka dy fëmijë, i padënuem, me akademi Industriale në Athinë." I veshur me pallto të trashë të zezë, me kosum, këmishë e kravatë, dyzetegjashtëvjeçari Gjergj Bubani drejtohet për në podium. Në fytyrën e tij dallohen qartë lodhja, stresi dhe trysnitë. Ngjan si njëzet vjet më i madh. Nuk e kanë rrahur dhe torturuar. Ky është procesi i parë, por edhe i fundit njëkohësisht, ku të akuzuarit politik nuk i nënshtrohen torturës. Megjithatë shpirti i tij vuan nga dhembja për fatin e takuar. Aktakuza është formuluar në datën 12.2.1945, tre muaj pas arrestimit dhe vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë para fillimit të Gjyqit.(!)

" Gjergj Bubani

Akuzohet: Se asht bërë vegël e propagandës armike ( si agitator, propagandist, dhe publicist) me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit. ( Drejtor i Radioemisionit, Drejtor I Radios, redaktor i gazetës " Bashkimi i Kombit. ")"Ai mbylli sytë për një çast, ndërsa e ndien se e gjithë qenia i tendoset fort. Qëndro o burrë! Prepotenca do të përpiqet të të thyejë, të të poshtërojë, që më pas ta ketë më të lehtë që të të përbaltë e të të varrosë të gjallë. Asaj nuk i duhet mbi këtë botë askush më shumë se vetvetja. Këtë ajo e di, ndaj edhe bën çmos që ta realizojë. Lufta e armëve tashmë ia ka lënë vendin "luftës së klithmave". Por ajo harron se forca nuk qëndron tek toni i zërit, por tek logjika e ftohtë, tek paqja me vetveten. Pastaj, ti e di që vetëm i marri kërkon të bërtasë, sepse kështu mendon se imponohet!... Ja, pra, tek qëndroni përballë dy botë të kundërta, aspak të barabarta në fushën e betejës! Është një betejë pyetje-përgjigje...

Ndonëse nuk e pranoi akuzën dhe megjithëse tre dëshmitarë: Kaliopi Prifti, Nuçi Naumi dhe Ilia Gjino, dëshmuan se Gjergj Bubanin e njihnin si simpatizant të lëvizjes qysh në fillimet e saj dhe se ai e kishte ndihmuar Lëvizjen, ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike.Farsa e vogël përfundoi këtu. E gjithë shoqëria, mes entuziazmit dhe brohoritjeve nis kalvarin nëpër tunelin e errët, prej të cilit do të mund të dalë pas dyzet e pesë vjetësh.

* * *

Në raport me ekzistencën e Universit, jeta e njeriut zgjat një fraksion sekonde. Mjafton vetëm ky konceptim për të kuptuar sesa e çmuar është ajo. Çdo çast që kalon, nuk kthehet më, ndaj dhe vlera e Lirisë bëhet gjithnjë e më e madhe. Privimi prej saj është dënimi më i papërballueshëm që mund të jepet për çdo qënie që frymon mbi Tokë. Pesëmbëdhjetë vjet nga jeta e një njeriu  janë shumë; pesëmbëdhjetë vjet të kaluar në burg janë një ekzistencë e gjatë dhe e mundimshme e pajetuar.

Në kaushin e ftohtë në fund të krahut të djathtë, ai qëndron i heshtur, ulur mbi dyshekun 60-centimetërsh të gjerë, mbështetur në mur, poshtë dritareve të vogla me hekura. Fillimisht e ka të vështirë të ambientohet me dënimin. Vlera e kohës merr kuptimin real në retrospektivë. E gjithë jeta i shpërfaqet para syve si të jetë një film, herë me ngjyra e herë bardhezi, kuadrot e të cilit herë janë të qartë,  herë të turbullt, si ëndrrat e vjetra. Ai luan në oborrin e shtëpisë, rend nëpër udhët e Boboshticës, për të dalë në Korçë e pastaj rrugën e madhe, drejt e andej nga Greqia. E shkel atë tokë të lashtë, mëson gjuhën, hyn nëpër auditore, teatro e bare, duke i dhënë jetës një përmasë më të gjerë.

Ai është një udhëtar që nuk e ndal hapin. Gjergj Bubani shkel atje ku ndodh historia, dhe bëhet pjesë e saj. Ai është një prej tyre që me plot gojën mund t'u thotë një ditë pasardhësve: "Po, unë kam qenë atje, kur ka ndodhur kjo!"Mjaft njerëz mund të mendojnë se ai u dënua pse shkroi shumë për Kosovën ose kundër shovinizmit serbomadh. Kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës, ndoshta një arsye. Gjergj Bubani ishte pjesë aktive e një epoke historike dhe, sa herë që një epokë ndryshon, me ndërrimin e sistemit, ajo gjykohet dhe dënohet e personalizuar në njerëz, veçmas me protagonistët e vizionarët e saj.

Ata janë armiqtë më të egër, të parët që duhet të dalin nga loja, për të ngritur pastaj sistemin e ri...Mendimi se një ditë, do të dalësh prej mureve dhe hekurave që të privojnë lirinë, është forca që të mban gjallë në sfidën me vuajtjen e dënimit. Për asnjë çast njeriu nuk mendon që të dorëzohet pa shpresë. Përkundrazi, ai lufton gjithnjë për lirinë e tij dhe përpara lirisë së trupit kërkon lirinë e mëngjes të shpirtit dhe vazhdimisht lufton me veten për ti mbajtur ato.Fati i Gjergj Bubanit ishte i njëjtë me atë të të burgosurve të tjerë politikë, të cilët u detyruan të punonin për ndërtimin e veprave publike, siç ishin tharjet e kënetave, ndërtimi i veprave industriale dhe i komplekseve të banimit etj. Gjergj Bubani për një farë periudhe e vuajti dënimin në kantierin e ndërtimit të kanalit të Jubës. Puna e rëndë dhe kushtet e vështira ia rënduan shëndetin. Zemra e tij tashmë ndihej e sfilitur nga zhgënjimet, pikëllimet e streset, kurse emfizema pulmonare sa i vinte i theksohej gjithnjë e më shumë. Megjithatë ai nuk ra në dëshpërim, nuk u thye. Bubani ndjente se ajo çka mund ta plagoste e më pas ta rrënonte shpirtin e tij, ishte mungesa e kontaktit me njerëzit e dashur, ndaj vazhdimisht shkruante, shkruante, shkruante, për t'u ndier i lirë. Ja një letër drejtuar motrës dhe kunatit në Bukuresht:

Tiranë 4 qershor 1946
Të dashurit e mi Niko dhe Urani,

E mora letrën tuaj të datës 17 maj dhe u gëzova  që jeni mirë. Unë në të vërtetë isha dobësuar shumë, po tani jam shumë më mirë.
Nisi ( Dionisi, sh.y.)përgatitet të marrë dëftesën e pjekurisë. Provimet me gojë do jepen në publik, në teatër, më 1 korrik...
Loredani më ka dërguar ca ditë më parë letrën e tij të parë. Është në klasë I, por shkruan bukur dhe synon të dalë i pari i klasës...
Sofija, e gjora, është mjaft e pikëlluar, por e përballon mjaft mirë. As që e besoja aq të aftë...

Marioarës dhe fëmijëve puthje të ëmbla. Ju puth me shumë, shumë mall
Vëllai juaj Gjergj Gj. Bubani Burgu i Ri Tiranë

Duket kjo letër sikur nuk është shkruar brenda mureve të burgut, por nga gjiri i familjes, aq të lidhur shpirtërisht e ndien veten Gjergji me të shoqen e fëmijët. Ai nuk ndihet si një i harruar në kështjellën e Ifit. Shpreson se një ditë do të dalë prej andej dhe, ndonëse me shëndet të rrënuar, do të vazhdojë të përkthejë. Tek e fundit do të ketë se me çfarë t'i japë një dorë familjes për të përballuar jetesën. Letrat janë ato që ia mbajnë shpirtin gjallë, ndaj dhe ai u shkruan shpesh njerëzve të dashur atje në Rumani, me të cilët ka gjithnjë seç të ndajë. Ata janë brenga e mallit, janë shtrati i kujtimeve të gëzueshme, por edhe tryeza e dhembjeve.

Përfytyrimi për ta e ka të vështirë të ecë me hapin e kohës, ai mbetet gjithnjë aty, në çastin e ndarjes, me dëshirën dhe premtimin për t'u takuar sa më shpejt. (Eh, or mik! E kemi të vështirë të përfytyrojmë një rrudhë a një thinjë të re tek njerëzit që i duam e na duan. Madje edhe lotin që vesh syrin e tyre e u rrëshqet mbi faqe, e kemi të vështirë ta mendojmë, ndonëse e dimë që na presin të djegur nga malli, që të kthehemi nga udha dhe mungesa e gjatë. Jo. Në mendjet tona ata do të mbeten ashtu të rinj, të paplakur e të parrudhur, duke buzëqeshur, qoftë edhe ndonjëherë tekanjozë, por të mirë e shpirtbardhë.

Kujtimet janë një mall që herë shfaqet si loti i së dashurës, herë i rreshkur, si duart e nënës.)Në shpirtin e tij vazhdimisht jehojnë kambanat e shpresës. Ato e shtyjnë të besojë se për të liria nuk do të mbetet vetëm një dëshirë që do të shuhet brenda mureve të qelisë, se ende do të shohë ditë të bukura dhe do të përjetojë çaste të gëzuara, do të mund të flasë me bashkëkohësit, por edhe do të lërë një rrugë të çelur për pasardhësit, duke rrëfyer për të shkuarën, edhe për të ardhmen gjithashtu; se ëndrra e vjetër dhe dëshira për ta sistemuar gjithë krijimtarinë e tij në libra, një ditë, në gjallje të tij, do të jetësohet,...

Janë pikërisht kambanat e shpresës ato që i japin forcë të përballojë këtë sfidë të mundimshme dhe të zgjohet vazhdimisht me dëshirën për të parë ditën e re që lind.Në oborrin e burgut të Tiranës ai endet i heshtur. Është i dobët, i drobitur, shëndetlig. Kushdo që e ka njohur më parë, tronditet nga shndërrimi fizik që ka pësuar. Duket si njëzet vjet më i madh... Kohën brenda kafazit ku ndryhet liria, Gjergj Bubani e kalon më së shumti me lexime dhe biseda me miqtë e tij Suad Asllani, At Shtjefën Kurti dhe Lazër Radi. Pavarësisht se nuk komunikon me të gjithë, ai imponon respekt te cilido. Në duart e tij vazhdimisht shtrëngon çelësin, që nuk e lë të përulet e të dorëzohet: forcën shpirtërore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama