Shumë persona e kanë problem kur ndryshojnë regjimin e përditshëm. Të mësuar në hapësirat e tyre, duke ndjekur një lloj rregulli në tavolinë dhe duke i kryer të gjitha ritmet sipas një rutine të mirëpërcaktuar, ata e kanë të vështirë të përshtaten me klimën e re të pushimeve. Dhe padashur të gjitha pasojat “bien” mbi trupin e tyre: gjëja tipike e këtyre situatave është kapsllëku, fenomen që favorizohet nga faktorë të ndryshëm, por që shpeshherë “fajin” më të madh e ka tryeza.
Në këtë situatë edhe vështirësia për t’u përshtatur me një klimë të re mund të komprometojë mirëqenien, duke lehtësuar rënien e papritur të energjive dhe shfaqjen e episodeve të përsëritura të pagjumësisë. Rol të rëndësishëm luajnë edhe përbërësit relacionalë, duke rrezikuar shkatërrimin e pushimeve të merituara verore me shqetësime të ndryshme, si dhembje koke ose stomaku.
Por a ka zgjidhje për këto raste? Sigurisht, madje janë të shpejta, të thjeshta dhe të përballueshme nga të gjithë.
Lëkurë e re dhe organizëm i pastër
Vitaminat C dhe A që gjenden zakonisht te frutat dhe zarzavatet, po të konsumohen për mëngjes, rigjenerojnë indet dhe ju ndihmojnë të rifitoni vitalitetin tuaj.
Çfarë duhet të pini: Lëng limoni të shtrydhur. Asnjëherë nuk duhet t’i mungojë organizmit tuaj. Lëngu është i pasur me vitaminë C, që forcon mbrojtjet natyrore të lëkurës kundër radikaleve të lira. Nëse gjatë pushimeve zorrët bëhen dembele (pra keni probleme me jashtëqitjen), atëherë pijeni të ngrohtë: është një eliksir stimulues me zero kalori.
Çfarë duhet të hani: Kos dhe pjepër. Konsumojini çdo ditë, sepse kanë efekt pastrues dhe rinues, falë vitaminës A që gjendet me shumicë te pjepri.
Mesvakte që japin energji: Rrush dhe arra. Kështu hanë dhe mbretërit
Një panine me drithëra dhe një gotë lëng e freskët rrushi ndihmojnë që të kaloni lodhjen tipike të orëve të nxehta të mesditës.
Çfarë duhet të pini: Lëngu i rrushit është një antioksidant i shkëlqyer, është burim energjish dhe freskues nën rrezet e nxehta të diellit. Gjithashtu lëngu i rrushit ka edhe një avantazh tjetër: ëmbëlsia e tij zvogëlon dëshirën për të konsumuar vakte me shumë kalori.
Çfarë duhet të hani: Konsumoni bukë që përmban pesë lloje drithërash. Këto të fundit (elbi, misri, meli, gruri dhe gruri i fortë) përmbajnë magnez dhe kalium, elementë shumë të nevojshëm për të ushqyer muskujt tuaj. Në bukë, këto drithëra janë më të shijshme dhe japin më shumë energji.
Darka: Një pjatë e lehtë dhe disa pika tejet qetësuese
Ajri i nxehtë i verës ndikon në gjumin tuaj? Nëse deri tani nuk keni gjetur ndonjë zgjidhje, provoni edhe këtë alternativë që ju rekomandojmë ne. Dy këshilla që “shpëtojnë” gjumin.
Çfarë duhet të pini: Disa pika lulesahati. Tretësira e bimës mëmë të lulesahatit është zgjidhja e duhur kundër pagjumësisë. Merrni 30 pika, një orë para gjumit dhe shihni rezultatin.
Çfarë duhet të hani: Makarona me zarzavate. Kjo pjatë tretet lehtë, duke lehtësuar edhe gjumin. Këshilla jonë është që të mos e rëndoni vaktin me proteina (mish, peshk dhe nënprodukte të qumështit): mbingarkojnë mëlçinë dhe mund të nxisin zgjimet e shpeshta gjatë natës, duke prishur gjumin dhe qetësinë.