Si po rrenohen kishat e bregdetit

Si po rrenohen kishat e bregdetit
Një udhëtim dimri në Rivierë të bën të çliresh krejtësisht nga ajri i rëndë i Tiranës dhe tensioni i pakuptimtë i politikës. Njerëz të qetë, të cilët dimërojnë jetët e tyre mes bokërrimave të përjetshme shkojnë e vijnë pa bërë zë. Ndërkohë që koha, shpesh keqbërësit dhe mungesat e zakonshme po i prishin pak nga pak kishat, rrënojnë shtëpitë karakteristike dhe po bjerrin trashëgiminë kulturore. Në Dhërmi, fshatin e Petro Markos, ku janë dhe kishat më të shumta në Himarë, kjo ndjesi ndjehet shumë më tepër sepse në verë ai kthehet si qendër e gjithë Shqipërisë...
 
Kiço mbërrin befasi dhe shfaqet shkurtabiq nga pasdritaret e një kafeje, ku po e presim. Kafja, e cila është sajuar në këmbët e  një hoteli shëmtaraq betoni pesë katesh mu mbi vazhdën e një përroi, ka brenda një butafori teatri absurd. Dy gra që shërbejnë dhe hallakaten pakuptim në mes, dy burra më andej, të cilët ndjekin ritransmetimin e një spektakli të TOP Ch, ne, dhe një cep ku prehen detergjentë, letra e ku ta dish çfarë. Janë edhe ca elementë të tjerë, ndaj kafja është holl, lobi, pijetore dhe mensë për njerëzit. Nga jashtë, betoni i stërmadh i saj është ndjesia e parë e prishjes së këtij vendi, prishje e cila s’mund të ndalet më. Vendi quhet Dhërmi dhe zakonisht kur të flasin vendasit, e has me emërtimin grek “Drimadhes”. Etimologëve, s’u duhet shumë vuajtje.

“Drimadhes” është dushku në shqip dhe jo më kot dushk ka ende në gjithë bokërimën E nëse e merr si “dhromo”, atëherë merr kuptimin e buzë rrugës. Të dyja atributet i ka Dhërmiu aty në këmbëzat e Akrokerauneve, që bashkë me peizazhin magjik, e kanë bërë Edward Lear të qëndrojë, duke e materializuar me skicat dhe akuarelet si Amalfin e vet të dashur...

”Po,- si udhëtuat”. Të katër orët nga Tirana i kemi bërë të qeta, po ç’ti bësh- kjo është mënyra e fillimit të bisedës së Kiços. Duhet të jetë fetar sepse mban një qëndrim si të përulur dhe narracionin e ka gati liturgjik. Është rikthyer në fshat pas dekadash të tëra nga Vlora dhe që nga 2004 është këtu si mësues. Ndërrojmë pak gjëra. Të njohur. Përshtypje. Çelet, kur dalim nga kafja dhe pak minuta më vonë, teksa i ngjitemi kulmit të fshatit, në njërën prej rrugëve historike qindravjeçare hesht. Miqtë e huaj duan ta fotografojnë, por burri heziton të fokusohet për shtëpinë.

“Kam një që s’merrem vesh”,- më thotë si në konspiracion. Patjetër që mendoj të shoqen. Ah, jo na qenka thjeshtra, e shoqja e dytë e të atit, që sipas tij, ia ka nxirë krejt jetën!!! E ka kaluar 100-dshin e pyes? Eh, mos më pyet, lëre dreqin, ma bën me dorë. Ndërron bisedë, atje është Hondraqi, apo Kallami që e has kur vjen nga Llogoraja; mu këtu Gjileku dhe Dhërmiu – lagjja prej të cilit ka emrin fshatit. Aty ka qenë fshati, por ka rënë një gur dhe e zuri një grua me fëmijë, shton. 300 shtëpi janë në Dhërmi, 150 në Gjilek dhe 150 në Hondraq...Dhe na çon sipër e sipër drejt shkollës. Dhe, kaq shkatërrim. Ngre supet. Eh mungesa, i bën të gjitha. Bren njeriun dhe gjënë, na thotë.
...
Burri është drejtori i fshatit. Me të ka të lidhur gjithçka. Është krenar që po e restaurojnë dhe ky është i vetmi tregues që jeta këtu ka ende një kuptim. Kur mbaron orët e shkollës, ha pak aty dhe kthehet e punon sërish. E ka argëtim dhe shtyrje kohe. Përndryshe, s'mund të flasësh me ata pak njerëz të mbetur. Në korridorin e shkollës ka lënë veglat, kurse ngado shkolla është duke u meremetuar.

Harta lagështire, varen në mur, kurse slogane patriotike dhe ilustrime të tematikave të ndryshme janë kudo. Kristaqi, ose Kiço si i thonë bashkëfshatarët ka një histori të jashtëzakonshme, por që është bërë ‘e rëndomtë’ për gazetarët. Stërgjyshi ka qenë një nga konsujt austriakë në Vlorë dhe në një nga daljet e tij në Llogora na qenka dashuruar me një bukuroshe nga Dhërmiu që nuk e braktisi më. Braktisi shërbimin dhe banoi me të këtu duke marrë edhe zakonet e banorëve. Bëri fëmijë me të dhe mbaroi po këtu. Po këtu.
 
Kiço

Quhet Kristaq Auerbach por që të shqiptarizuar, vendasit ia kanë kthyer thjesht në Averbak, duke ia disiplinuar paq zanoret. Ka ikur më 1961 nga fshati drejt Vlorës për tu rikthyer sërish pak vite më parë. Biseda është e ndryshme, por miq të mi duan ta fotografojnë në një kuadër të një projekti me banorët me origjinë austriake në Shqipëri. Burri shmanget. Pastaj pozon, i bindur.

Na premton të shikojmë kishat, dhe ajo që i pëlqen të na rrëfejë është Shën Mëria, mbrojtësja e fshatit. Ka kisha pafund në këtë vend, që sipas njerëzve llogariten në mbi 40 dhe ekzistojnë edhe tre ish-manastire, ku më të përmendurit mbeten ata të Shën Theodhorit, Manastiri i Shën Marisë, i vendosur mbi fshatin dhe ai i Stavridhit. Historia e fshatit është e lidhur me kishat e mëdha, Shën Harallambit, ajo e Shën Spiridhonit, që i shtohen edhe ato të Shën Stefanit dhe Shën Mitrit të shekullit të XII me afreske të pretenduara si më të vjetrat në Shqipëri. Në të gjitha mund të meshohet!! S’më besohet, në fakt. Anipse, sot të gjitha janë të lënura shumë keq dhe falë mbrojtjes instiktive që i bëjnë banorët, nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar.

Në ekskursionin drejt tyre, zhgënjimi është i madh. Janë të mbajtura keq, plot lagështirë me afreska të lënë në mëshirë të fatit dhe kuptohet në mbrojtje të Zotit. Kujtoj se një nga zyrtarët e inventarizimeve të Pasurive Kulturore, gjeti gomarë në njërën syresh në Vuno. Pak minuta pasi ikim nga shkolla, e gjejmë veten teksa gulçojmë, por malin e marrim lehtazi. Duhet të ngjitemi në Shën Mëri. Rrugët janë të boshta, kurse ai që ka bërë ujësjellësin, ashtu si në Vuno, ka prishur rrugët e vjetra, duke i futur tubat xingato në kalldrëmet shekullore. Drynat mbyllin portiqet e shtëpive, kurse një slogan greqisht në rrugë, i kujton kundravajtësit të mos hedhin mbeturinat! Po, këtu s’ka njerëz, i themi Kiços. Eh, ia bën...

Ngado në pjesën e vjetër janë shtëpi të rrënuara dhe shumë të lëna pas dore. Nga ana tjetër, Dhërmiu ka mbetur shumë fetar. Raportet e shekullit XVIII flasin edhe për përpjekje të bëra nga kisha katolikë, përmes urdhrit të Basilianëve për konvertimin e Dhërmiut. Madje këtu ka qenë dhe një seminar për priftërinj në gjuhën shqipe. Traditë që përkthehej se në fshat do të ishin plot tetë priftërinj në L2B. “Tani kemi një që i bën të gjitha, por që është i mirë. S’ka më njerëz, -më thotë me keqardhje burri. Ka 80 nxënës në shkollë dhe disa syresh vinë nga tutje plot gjashtë kilometra larg në shkollë”.
 
Në Shën Mëri.

Kur mbërrijmë tutje, atëherë ke një pamje tjetër të fshatit, por edhe mundësinë të flasësh më mirë me burrin. Rrënimin e sheh paq, por edhe mrekullinë e fshatit që duket sikur prehet mbi det. Festa e Shën Marisë më 15 Gusht është një nga kremtimet më të njohura të fshatit, sikurse Krishtlindjet, Pashkët dhe Uji i Bekuar. Prehemi disi, kurse që aty marr një historik të shkurtër të fshatit. Si kërcënohet sot nga mungesa dhe sesi po rrënohet pak nga pak. Ajo shtëpia, ja edhe ajo dhe ajo përtej. Burri tregon zvargur dhe hera-herës shpejt.

Anipse kishës së Shën Mërisë i duket rëndësia nga mënyra e ndërtimit. Është e rrethuar me varre të shumta të reja dhe të vjetra, kryesisht të shkruara në greqisht. Dera është e hapur dhe shpejt jemi në një naos, ku përkundrejt ikonostasit të gurtë kemi afreske të mëdha, të realizuara cilësisht. Muret janë krejt të hapura dhe për shkak të disa punëve restauruese, që Kiço më përsërit se janë duke u përshtatur. Ndërkaq, të çarat janë bash të thella dhe e ndjekin murin komplet nga të gjitha anët. Burri më flet nga përtej. Është i kënaqur me mrekullitë e të shkuarës dhe si bëheshin ndërtimet.

Dhe, si u bë Dhërmiuu, ky që është. “Nuk ishte një që të ishte kryesor. Merrej vendim kolegjial që duhej bërë një rrugë dhe investonin sipas mundësive. Zakonisht këto investime i bënin dhe të ‘dënuarit’, kur binin në gjak. Fillimisht i dënonin me urdhrin se do kalosh matanë Vishës, matanë Llogarasë, matanë Çikës, kurse më vonë e panë që kështu nuk ecte dhe si dënim i urdhëronin të bënin një rrugë ose një investim, që ‘i dënuari’ e bënte vetë duke punuar. Kështu, jo vetëm që nuk largoheshin por shkonte edhe për riparimin e fshatit...”.

Ndarja shoqërore drejtohej sipas të parëve të fiseve, të cilët në kujtimet e Petro Markos janë nga të gjithë vendet e Shqipërisë. Stamarko, Gjikopullo, Vreto, Dedaj, Bixhili etj janë nga kudo. Ndërsa burri flet sesi po e shkatërron koha, dhe harresa rifutemi në kishë. Brenda bien në sy hapësirat e mëdha dhe burimet natyrale të dritës, të cilat i japin shumë hijeshi të gjithë vendit. Por, mrekullia e kësaj kishe, ashtu si edhe disa kishave pak më poshtë janë afresket, të punuar mbi sipërfaqe të suvatuara shumë pastër. Përveç të vdekurve, të pakët e më të pakët, tashmë janë vizitorët e rrallë, ashtu si edhe meshat për 100 banorët e mbetur të fshatit, që i prishin rehatinë.

...Pak minuta më vonë do hasem me dy fëmijë djal e vajzë. Janë 12-13 vjeç dhe kanë ardhur nga Tepelena vite më parë. Më tregojnë gjëra sesi kanë ardhur dhe si u duket. Janë të kënaqur që janë këtu dhe nuk i bën shumë përshtypje udhëtimi i gjatë, kur u them sesa larg e kanë shkollën. “Këtu jemi qetë dhe shkojmë në shkollë”, më thonë. Ku e ka varrin Petro Marko? “Jo këtu. Atje përtej”, më thotë djali, që largohet i pari.
 
Shkatërrimi

Burri e bën mirë ciceronin dhe nga vendi ku jemi, kjo ta jep lehtësisht mundësinë për ti parë, të gjithë dëmtimin dhe sesi pak nga pak po bjerret ky vend. Për fat kam frikë se mos burri më përmend raportet e famshme të priftërinjve: “Në Dhërmi u hap një seminar për priftërinj, në gjuhën shqipe. Edhe në fshatra të tjerë u hapën kurse të gjuhës shqipe. ‘Katekizmi’ në meshë këndohej shqip.

Papa Dhimitri nga Dhërmiu, Gjileku e përktheu “Katekizmin” në gjuhën shqipe, po, sipas raporteve të bazilianëve, nuk u botua se ishte ai i Budit. Nilo Katalani botoi dhe një gramatikë shqip-italisht”. Ky ka qenë mitropolit dhe bëri një kishë të re për të larguar shpirtrat e këqij prej fshatit nga kolera, që kishte rënë në fshatin tjetër, Pangalladhë, ku popullsia gati u shua fare. Nilo Katalani u varros mua aty ku blatoi në kishën e Shën Thanasit. Kisha ku jemi dhe është ende në përdorim, duket qartë se vuan nga mungesa e dorës së specialistëve të monumenteve.

Një tavan i përshtatur dhe një shtesë ka prerë gati në mes pikturat murale. Në një farë mënyre, duket se kisha e Shën Mërisë është shpërfytyruar, pasi ‘një specialist’ ka shkurtuar lartësinë origjinale të kishës duke fshehur edhe pjesën e mbetur të këtyre afreskeve e duke bërë një lloj zgjidhje emergjence alla-Shqipëri. Çuditem, kush e ka pasur këtë guxim, në këtë kishë mbi 600- vjeçare. Kiço thjesht ngre supet. Jo më kot, që fate të ngjashme kanë edhe mjaft kisha apo manastire të tjera të zonës, që kuptohet se nuk mund të jenë të gjitha monumente kulture. Që tutje, një masë e zezë rrumbullake po lëviz. Prifti ka gjetur mundësi dhe ka ardhur të marrë makinën.

Kemi pak minuta që kemi zbritur nga kisha, për të shkuar drejt një tjetre, por në Dhërmi të duket vetja sikur në një miniaturë të Malit Athos. Thuhej dikur se edhe Kupola e zbukuruar e Kishës Ipapandia në Dhërmi është çarë në një pjesë të konsiderueshme të saj. Ndërkohë vragat e ujit janë në çdo objekt kulti të dallueshme në mur. Në gjatësinë e tyre afresket, në mos janë zhdukur, tashmë janë zbehur gati krejt. Jo në pak raste, shkatërrimit i kanë ndihmuar edhe njerëzit. Sepse njerëzit mund të futen dhe të bëjnë gjithçka në këtë afreske.

Kjo është kishëza e Shën Kozmait..., dëgjoj nga pas... Kiço është shumë i etur të na tregojë priftin, që poshtë rasos, mban një palë pantallona teritali të hollë blu. Me vështirësinë e mbajtjes së frymës, prifti i ngjallur, ka lënë Mercedesin pak më tej, mbi fshat. Qëndron. Fjalosemi. Brenda makinës ka vetëm shenja fetare. “S’kam kohë. Duhet të iki”.

Ndërrojmë pak fjalë. Në Dhërmi qenkan 36 kisha kurse në Vuno janë 17, por ndërsa në Dhërmi në gjendje pune quhen të gjitha, Vunoi paska vetëm pesë të tilla syresh?! Prifti Thimio Bixhili, me një mbiemër gati historik në këtë vend ka pasur babanë prift dhe është dorëzuar prift në moshën 54 vjeçare në vitin 2005. “Bëra një vit në Durrës por isha i përgatitur. Të gjithë kanë vuajtur në atë kohë.

Është e njohur dhe vuajtja ishte e detyruar”. E flet disi keq shqipen saqë më vjen tinëzisht mirë që do iki...Më kujtohet epigrafi të “Retë dhe gurët” i Petro Marko dhe dua ta shijoj: Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re...

Vijnë qajnë dhe ikin. Tani as qajnë dhe as vinë. Dhe unë dua të iki. Gruaja e priftit vazhdon të punojë e vetme dhe përshëndetemi greqisht. E ka marrë me terezi. Nuk na flet fare shqip. Pak fjalitë që di greqisht më mbarojnë shpejt.

Nuk i intereson asgjë. As ne dhe as kush. Dhe, as shkatërrimi dhe as harresa. I mjafton kopshti i vet. Kiço na merr leje. Kthehet tek thjeshtra?! Tinës se mos e zgjojë. Sepse kam përfytyrime, që më bëjnë të qesh me frikën e 65 vjeçarit. Fëmijët kanë ikur. Priftin e kapim në Vuno. Ka ndalur në kafen e fshatit poshtë dhe po gjerb diçka. Dimër 2013. A po shuhet vallë kjo trashëgimi e mrekullueshme e Bregdetit, njësoj si këto ditë dimri? Eh! Kam frikë se po!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama