Për ata që nuk i dinë :
Franca, një nga “Pesë të Mëdhenjtë”, u çlirua më 19-25 gusht 1944 nga forcat ushtarake amerikane dhe britanike me ndihmën edhe të FFI-së (Forcat Franceze të Brendshme).
Jean-Marc Berlière dhe Franck Liaigre (“Ainsi finissent les salauds”, / “Kështu përfundojnë maskarenjtë”, / Lafont 1912, kanë hetuar masat e para të “spastrimit” (“l’épuration”) qysh gjatë betejës për çlirimin e Parisit: nga 20 gusht më 22 shtator 1944 në ujërat e Senës rezultonin të ripeshkuar 38 trupa, në zhytur me nga një gur në qafë, por që nuk i mbante dot gjatë kufomat e fryra: trupa ende të veshur dhe me dokumente identifikuese nëpër xhepa. Hetimi i shpuri në zbulimin e një “baze” të çuditshme: një “Institut dentar”, qendër klandestine për sekuestrimin dhe ekzekutimin e kolaboracionistëve, e FTP (forcat partizane franceze), organizatë e armatosur e Rezistencës.
Ndëshkimet e para filluan nga qytetarët e Parisit qysh ditën e Çlirimit ndaj femrave që kishin bashkëpunuar (ose thjesht “flirtuar”) me pushuesit . Robert Aton në “Historire de l’Épuration”:
“Rreth dy mijë gra të akuzuara për kolaboracionizëm u kaluan të zhveshura lakuriq nëpër rrugët kryesore të Parisit ditën e Çlirimit. Disa u përdhunuan, ndërsa të gjitha u shtruan në dru. Prerja e leshit të pubisit ishte gjë e rëndomtë. Shëmti të mëdha ndodhën”.
Ndërsa për një nga kampet e para, në “Paroles françaises”, Paris, 27 mars 1947:
“Ka një kamp të burgosurish, për të cilin është bërë kujdes të mbahet heshtje, në atdheun tonë. Kampi i Estivosë. Të nesërmen e Çlirimit u krijua një kamp në afërsi të Sen-Remi-sur-Dyrolës, në departamentin Py-dë-Domë, për të mbajtur aty të gjithë ata – ose ato – që, me arsye ose pa, dyshoheshin për kolaboracionizëm me gjermanët. Në Estivo u mblodhën shpejt disa qindra të arrestuar, ilegalisht dhe në të shumtën e rasteve pa motiv të saktë ose të vlefshëm [ ...]. Të parat qenë gratë që u shërbyen si dëfrim rojave të kobshëm. Si kishin pësuar poshtërimet prej katilëve që i ruanin, gratë fatkëqija u vunë në tortura të tmerrshme. Njërën prej tyre, nga Sen-Remi-sur-Durola, si e kishin gjymtuar, e ekzekutuan në këtë mënyrë: të tërhequr zvarrë në mes të kampit, e frynë me ajër të komprimuar derisa, kur i plasën të brendshmet, vdiq me vuajtjesh të lemerishme. Por xhelatët nuk kënaqeshin thjesht duke vrarë viktimat e tyre: nganjëherë e shpinin sadizmin e tyre derisa i detyronin të merrnin pjesë në zbavitje paraprake si kjo: një gjysmë duzine mjeranësh, më shumë të vdekur se të gjallë, i zvarrisnin deri brenda një rrethi të formuar nga rojat e tyre dhe i ftonin, me majat e bajonetave, të gërmonin me të shpejtë një varr. Kur gropa llogaritej mjaftueshëm e thellë, një viktimë e caktuar me short flakej brenda dhe të tjerët duhej ta shkelnin me këmbë duke kërcyer e vallëzuar për orë të tëra. Kur gardianët lodheshin nga spektakli, viktimën e kishin varrosur aty shokët e tij”.
Marcel Willard, anëtar i parisë Komuniste Franceze që gjenerali De Gaulle e kishte emëruar ministër Drejtësie, deklaroi në një intervistë të vitit 1944: “Tash e mbrapa simboli i drejtësisë nuk do të jetë më një Peshore, por një Mitraloz”. Simbas ministrit të brendshëm të Republikës Franceze Adrien Tixier, në Francën metropolitane u kryen, nga Çlirimi deri në shkurt 1945, 105.000 ekzekutime në vend kolaboracionistësh (Ditar i Seksionit të Asamblesë Kombëtare, 4 nëntor 1950). Gazetari amerikan Donald Robinson e mban këtë shifër “fort të kujdesshme”. Ribinsoni është shprehur i mendimit që vetëm në Provansë realiteti duhej t’i afrohej shifrës 70.000 dhe jo 50.000, ndërsa në mbarë Francën shifra duhej të ketë kapur dyfishin. D. Robinson, “The American Mercury”, prill 1946, ka shkruar:
“Nga Tuluza deri në Nisë shpërtheu një ferr i vërtetë krimi dhe marrëzie. Prania e trupave amerikane i frenoi diçka pasionet e shfrenuara. Por pati edhe amerikanë mes viktimave. Në shumë raste ushtarët tanë u shtruan në dajak për vdekje nga turmat histerike, të shtyra e të nxitura nga elementë të Partisë Komuniste Franceze. Kemi humbur, në këtë mënyrë, disa qindra burra”.
Për këtë situatë ka shkruar edhe shkrimtari anglez Frank McMillan në “The Tablet”, 7 janar 1950:
“Shefi i Divizionit historik të ushtrisë amerikane ka thënë që numri i luftëtarëve anëtarë të njësive paraushtarake, si Milicia e regjimit të Vishisë, që u ekzekutuan në vend në zonën mesdhetare franceze, nga qershori 1944 në shkurt 1945, luhatet rreth 50.000. Më vonë vrasjet vijuan, por me ritëm më të ngadaltë”.
Shkrimtari në zë francez Jean Pulhan shkroi atëherë një dokument të famshëm historik: “Letër drejtuesve të Rezistencës”. Mbas botimit të saj dha dorëheqjen si anëtar i “Këshillit Kombëtar të Shkrimtarëve". Në letër, mes të tjerash, shkruante:
“Nuk ka krim që nuk e keni kryer. Nuk ka poshtërsi që nuk e keni bërë. Nuk ka ndyrësi me të cilën nuk e keni poshtëruar veten. Keni kryer, njëqind për një, të gjitha maskarallëqet për të cilat keni akuzuar një armik që, kur e kishit afër, ju frymëzonte një frikë të shenjtë. Ma shpifni. Jeni të neveritshëm. E vetja gjë për të cilën do të më vijë keq përgjithnjë është se pata qenë në anën tuaj”.
Në nivel shtetëror po në 1944-1945 në Francë u organizuan Gjyqet Speciale kundër bashkëpunëtorëve të pushtuesit, posaçërisht anëtarëve të kabinetit të Vishisë, të konsideruar qeveri kuislinge. Në të vërtetë, në dallim nga qeveritë e tjera kuislinge, kabineti i Vishisë kishte një specifikë: ishte qeveri e njohur ndërkombëtarisht nga shtetet e tjera, me përjashtim të Britanisë së Madhe që kishte njohur qeverinë e De Gaulle-it. Kabinetin e Vishisë e patën njohur edhe ShBA, madje edhe BRSS. Qeveria e përkohshme e gjeneralit De Gaulle, e mbështetur në forcat ushtarake amerikane dhe britanike, e shpalli ilegale qeverinë e Vishisë. Qeveria dhe të gjithë funksionarët e saj deri në një nivel të caktuar kaluan nëpër procese gjyqësore dhe u dënuan. Kreu i shtetit, mareshali Pétain, i njohur si hero i Verdunit në Luftën I Botërore, u dënua me vdekje për tradhti ndaj atdheut. De Gaulle-i ia shndërroi në burgim të përjetshëm, të cilin Pétain-i e kreu deri kur vdiq në moshën 95-vjeçare. Philippe Laval-i, keu i qeverisë, u gjykua dhe u dënua me vdekje. Gjenerali De Gaulle ia refuzoi kërkesën për mëshirë. I informuar fshehurazi për refuzimin e De Gaulle-it, Lavali helmoi veten në qeli. Gardianët që vajtën ta merrnin për ta shpënë në ekzekutim e gjeten në hjekë e sipër. E sollën paksa në vete me lavazhe stomaku dhe, ashtu gjysmë të vdekur, e pushkatuan nga shpina të ulur në karrige, siç pushkatoheshin simbolikisht tradhtarët.