Gjyqet ndaj medias italiane
Plot tre milionë euro ka fituar ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, kurse drejtori i një revistës së italiane dhe tre gazetarë të saj u dënuan secili me nga një vit e gjysmë burg nën akuzën e shpifjes. Gjithçka ka ardhur pas një shkrimi që “L’Espresso”, e përjavshme italiane, publikoi disa vite më parë me titullin “Il Padrino dellAlbania…”. Ish-kryeministri, ka fituar gjyqin ndaj gazetës italiane LUnita, duke përfituar në këtë mënyrë 200 mijë euro dëmshpërblim. Gazeta në fjalë në 3 gusht të vitit 2002, në një artikull të saj për Nanon, kishte shkruar se ky i fundit ishte bashkëpunëtor dhe i implikuar me një nga grupet mafioze më të mëdha në Itali, të ashtuquajturën “Kamorra”. Sipas gazetës thuhej se hetimet kishin zbuluar kontaktet mes “Kamorra”-s dhe eksponentëve të qeverisë shqiptare.
Meta-Kryemadhi “mposhtin” “La Repubblica”
Veç ish-kryeministrit Nano, një tjetër kryetar qeverie ka fituar betejën me shtypin italian. Ka qenë pikërisht ish-kryeministri Ilir Meta i cili së bashku me bashkëshorten ka fituar një betejë ligjore me gazetën prestigjioze italiane “La Repubblica”, duke u dëmshpërblyer me 50 mijë euro për një shkrim të së përditshmes italiane kur kreut të LSI-së. Më datë 29 nëntor 2002 gazeta “La Republika”, në numrin e brendshëm të së premtes publikon një artikull me titull “L’Eroina da Tirana viaggia in auto blu”. Bëhej fjalë për një artikull me informacion të gabuar kundër ish-kryeministrit Ilir Meta dhe gruas se tij, Monika Kryemadhi. Më saktësisht artikulli përshkruan se shoferët e të dy personazheve politikë në fjalë ishin kapur nga policia italiane në Milano dhe ajo shqiptare në Kukës, me rreth 20 kg drogë secili. Me anë, shpifjesh dhe me një trillim gazetaresk hidheshin dyshime mbi marrëdhëniet e politikanëve të cituar në ambientet e trafikimit të drogës. Në dhjetor 2002, çifti Meta dhe Kryemadhi ngrenë padi para Prokurorisë së Romës kundër gazetës “La Republika”. Gjykata e Romës e vlerësoi këtë si dëm të madh i shkaktuar nga ky artikull dhe vendosi që të dëmshpërblejë me 30.000 euro ish-kryeministrin Ilir Meta dhe 20.000 euro për bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin.
Meta hedh gjyq La Repubblica: Nuk më ka intervistuar
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka nisur një betejë tjetër më gazetën italiane “La Repubblica” duke e hedhur atë në gjyq. Sipas Metës ai nuk ka dhënë dhe as autorizuar intervistën e botuar nga e përditshmja italiane në të cilën mohonte njohjen e tij me sekserin Lavitola. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta do të angazhojë një studio ligjore në Romë për të hapur një proces tjetër gjyqësor ndaj të përditshmes “La Repubblica”. Kjo është edhe padia e dytë e Metës ndaj gazetës italiane.
Deklarata e Çelës
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela, tha sot në një konferencë për shtyp se, “kjo gazetë jo-serioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të Ilir Metës, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali”. Fjala është për intervistën e botuar nga e përditshmja italiane La Repubblica pas përhapjes në Itali të fotografisë që e tregon bashkë me Frattinin e Lavitolan në ambientet e ministrisë së Jashtme italiane. Disi “i bezdisur” (sipas gazetarit Mastrogiacomo që e ka intervistuar), Meta thotë gjatë intervistës se nuk e njeh Lavitolan dhe se nëse ka qenë atje “dikush e ka autorizuar” dhe se nuk dëshiron të futet “në historitë që nuk kanë të bëjnë me të”. Çela u shpreh se, “Meta jo vetëm që nuk e ka dhënë apo autorizuar një intervistë të tillë, por një personi që e ka telefonuar atë në emër të gazetës këtë javë, i ka bërë të qartë se do të pranonte të jepte një intervistë për La Repubblica, vetëm pasi kjo e fundit të kishte botuar vendimin e Gjykatës, që dënon gazetën.
Njoha me Lavitolan
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI konfirmoi edhe një herë, në emër të Metës, se drejtuesi i gazetës “L’Avanti”, Lavitola, të cilin sikurse ka deklaruar më parë, Meta e njeh prej kohësh si përfaqësues të medias italiane, ka qenë i pranishëm në një konferencë shtypi gjatë vizitës zyrtare të Metës në Romë, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Frattinin, është përshëndetur me Lavitolan, ashtu si me shumë gazetarë të tjerë italianë dhe shqiptarë, në hollin e ambienteve të konferencës. Dhe së fundi, në mbrojtje të ministrit të Jashtëm Frattini, sekretari i LSI-së ka shtuar: “Makinacionet dhe fabrikimet e segmenteve të caktuara për të manipuluar të vërtetën, me qëllim dëmtimin e figurës së Frattinit, janë të papranueshme për Metën, pasi Frattini ka dhënë një kontribut të veçantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, duke qenë njëkohësisht arkitekt i Udhërrëfyesit të këtij procesi të rëndësishëm”.