Shuhet Stipcevic mbrojti tezen iliro-shqiptare

Shuhet Stipcevic, mbrojti tezen iliro-shqiptare

Ai ishte ndoshta mbrojtësi i fundit i tezës iliro-shqiptare. Një nga albanologët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, me një kulturë poliedrike, Aleksandër Stipçeviç u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare.

Pas një lufte të gjatë me sëmundjen, që e kishte ndarë së fundmi nga jeta shkencore e kërkimore, akademiku kroat me përmasa botërore, pasardhës i arbëreshëve të Zarës (Zadar), mbylli sytë ditën e hënë në Zagreb.

Stipçeviç ka lënë pas dhjetëra vepra e qindra artikuj në lëmë të albanologjisë, duke u bërë një nga mbrojtësit më të flaktë të tezës se shqiptarët ishin pasardhës të ilirëve. Edhe pse sipas tij kishte ende shumë për të kërkuar në këtë drejtim, ai ishte i bindur në vërtetësinë e kësaj teze.

“Shumë gjëra për ilirët nuk i dimë ende, shumë gjëra të panjohura i fshehin ende mjaft vendbanime të pastudiuara dhe nekropolet ilire, shumë fakte të njohura duhet të vlerësohen shkencërisht. Megjithatë, na është dukur se lënda ekzistuese dhe rezultatet e arritura deri tani bëjnë të mundur që të jepet një pamje e përafërt, ndonëse jo edhe definitive, për të kaluarën dhe kulturën e këtij populli të lashtë të Ballkanit, i cili në këto troje jetoi më gjatë se të gjithë popujt e tjerë të njohur”, shkruan ai në “Ilirët – historia, jeta, kultura, simbolet e kultit” (Botimet “Toena”, 2002).

Për kontributin e tij të paçmueshëm, në muajin shkurt të këtij viti ai u nderua me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm, në ceremoninë zyrtare të dekorimit morën pjesë tre djemtë e profesorit, si dhe bashkëshortja e akademikut Stipçeviç.

Në fjalën e saj, zonja Stipçeviç, pasi shprehu konsideratën më të lartë për kreun e shtetit shqiptar, Presidentin Nishani, si dhe për popullin shqiptar për vlerësimin që iu bë albanologut Stipçeviç, ndër të tjera përçoi edhe përshëndetjet e profesorit 84- vjeçar, i cili ndodhej në një gjendje të rënduar shëndetësore.

“Para dy ditësh e lajmërova në spital Shandrin (Aleksandrin) për Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, dhe ai me lot në sy më tha: “Sa krenar do të ndihen me mua edhe në Shqipëri, tani arbanasit e mi …”. Deri në fund ai u ndje krenar për prejardhjen e tij shqiptare. Albanologu Arkeologu, bibliografi, bibliotekisti, eseisti, albanologu, u lind në Arbanas të Zarës, më 10 tetor 1930, në një familje arbëreshe. Shkollën fillore e të mesme i kreu në Zarë, për të studiuar më tej në Zagreb për Arkeologji.

Ka marrë titullin “doktor” në vitin 1977 në temën “Simbolizmi religjioz te ilirët”. Gjatë viteve ‘70 –‘73 ligjëroi në Universitetin e Prishtinës, në Katedrën e Historisë, lëndën “Hyrje në arkeologji”, ndërsa në Universitetin e Zagrebit u angazhua që nga viti 1971 deri në daljen në pension në vitin 1997, ku ka ushtruar edhe funksione me përgjegjësi.

Prof. Stipçeviç ka shkruar rreth 230 punime shkencore e profesionale, në kroatisht, shqip, italisht, anglisht. Disa prej veprave të tij janë “Ilirët”, “Arti i ilirëve”, “Ilirët: historia, jeta, kultura”, “Simbolet e kultit tek ilirët”, “Bibliografia e ilirëve”, “Interpretime albanologjike”, “Historia e librit”, “Censura në biblioteka”, “Bibliografia antike e arkeologjisë në Jugosllavi. B.1- 2”, “Censori i përsosur”, “Bibliografia e Arbreshëve të Zarës”, “Përmendoret kulturo- historike në Arbanas” etj.

Numëron shumë artikuj për enciklopeditë e Jugosllavisë. Ka shkruar sintezën e parë mbi artin e ilirëve, e cila ka njohur 9 botime edhe në disa gjuhë. Një pjesë e veprave të tij janë botuar në Shqipëri nga shtëpia botuese “Toena”. Për kontributin e jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare, në vitin 2001, ai u nderua nga Presidenti i Republikës së asaj kohe, Rexhep Meidani, me urdhrin “Naim Frashëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama