Trafiku i rënduar, aksidentet si dhe transporti publik jo cilësor janë ndër problemet që hasen më shpesh në rrugët e kryeqytetit. Mithat Tola, shef i Sektorit të Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Rrugore në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon se, moskoordinimi i Policisë Rrugore me Policinë Bashkiake ka sjellë anomali në zbatimin e rregullave të Kodit Rrugor. Megjithëse në disa kryqëzime në Tiranë janë vendosur kamera, mungesa e një monitorimi në sallën operative nga Policia Bashkiake ka bërë që kjo sallë të mos jetë efektive. Për të ulur koston e qytetarëve, por edhe trafikun në qytet Mithat Tola shprehet se pushteti vendor duhet të investojë më tepër në transportin publik.
Në çfarë niveli është bashkëpunimi i Policisë Bashkiake me Policinë rrugore për mbarëvajtjen e automjeteve në kryeqytet?
Bashkëpunimi midis Policisë Bashkiake dhe Policisë Rrugore nuk është në nivelin e kërkuar nga ligji. Jemi dëshmitarë që prej dy vjetësh, nuk e di për çfarë arsyesh, por Policia Bashkiake nuk është më e pranishme në akset kryesore rrugore të kryeqytetit. Ndërsa për të kërkuar zbatimin e dispozitave të Kodit Rrugor, për sa i përket zënies së hapësirave publike rrugore nga mjetet që parkojnë në kundërshtim me sistemin e sinjalizimit vertikal dhe horizontal, apo që parkojnë për një kohë të gjatë, mbi 15 ditë në akset kryesore rrugore, duke u bërë pengesë për trafikun e përditshëm të mjeteve. Kjo gjendje jonormale “e detyroi” Ministrin e Punëve të Brendshme për të kërkuar publikisht zbatimin e ligjit dhe marrjen e detyrimeve nga ana e kryetarëve të bashkive kryesore në vend.
Çfarë është bërë momentalisht për përmirësimin e sistemeve semaforike në kryeqytet?
Përmirësimi i sistemeve semaforike në kryeqytet, shfrytëzimi me efikasitet i sallës operative në ambientet e Policisë Bashkiake Tiranë, kërkon një bashkëpunim serioz dhe ligjor midis strukturave komanduese të të dy policive në territor (Policisë Bashkiake dhe Rrugore) në të mirë të drejtuesve të mjeteve dhe të qytetarëve.
Sa efektive është kjo sallë operative?
Kjo sallë operative nuk është aspak efektive. Ajo duhet që të ishte nën monitorimin e Policisë Rrugore, por që aktualisht është nën monitorimin e Policisë Bashkiake.
A janë diskutuar ndonjëherë në Këshillin Bashkiak masat për parandalimin e aksidenteve në Tiranë?
Në dijeninë time Këshilli Bashkak i Tiranës nuk e ka marrë asnjëherë në mbledhjet e tij të rregullta, në analizë të veçantë situatën e aksidenteve rrugore dhe të përmirësimeve të mundshme, të sistemeve të sinjalizimit dhe të trafikut në kryeqytet. Në shumicën e rasteve ndërhyrjet përmirësuese në rrjetin rrugor janë bërë jashtë ekspertizës së Policisë Rrugore dhe pa pjesëmarrjen e saj, duke bërë që këto ndërhyrje shpeshherë të mos jenë funksionale dhe jetëgjata.
Si mund të minimizohet trafiku në një qytet?
Mendoj se shqiptarëve iu duhet dhënë mundësia për të minimizuar përdorimin e mjeteve të tyre private nëpërmjet modernizimit të shërbimit të transportit publik, fillimit të përdorimit të linjave të tramvajit në Tiranë. Shërbimi publik aktual ka kosto mirëmbajtjeje që, dukshëm kalojnë të ardhurat nga ky shërbim prej mjeteve të amortizuara dhe mospërdorimit në masë. Ndërkohë që pjesa e privatizuar vuan nga moskujdesi dhe nga mostimulimi i ekzekutivit për ta bërë atë funksionues për qytetarët. Në raport me vendet e tjerat të Bashkimit Europian, shqiptarët shpenzojnë në vit rreth 1500 euro më shumë, si pasojë e mungesave të transportit publik të udhëtarëve dhe të mospasjes së një sistemi metroje. Përdorimi në masë i autoveturave dhe mjeteve private, për çdo nevojë personale në kurriz të shërbimit të transportit publik, shkakton përveç të tjerave, rëndime dhe bllokime të trafikut, ndotje të mjedisit dhe një numër më të lartë të aksidenteve rrugore.
A mendoni se vendosja e sistemit me pikë do të ndërgjegjësojë shkelësit e rregullave të qarkullimit?
Sigurisht që po. Sistemi me pikë i patentave do të funksionojë nëpërmjet një database ku për çdo drejtues mjeti do të ketë të dhëna mbi totalin e shkeljeve që ka bërë dhe mbi pikët që i kanë mbetur në patentë. Kështu çdo drejtues mund të monitorojë pikët e veta dhe të shohë sa pikë ka humbur. Pak a shumë do të jetë një sistem i ngjashëm me atë të një rimbushje telefonike, ku ne mund të shohim sa minuta kemi dhe sa minuta kemi harxhuar.
Koordinimi i pushtetit lokal me qeverisjen qendrore
Bashkitë e qyteteve kryesore dhe kryesisht Tirana, që vuajnë nga trafiku i renduar i mjeteve, kanë bërë pak përpjekje ose aspak për të kontrolluar dhe monitoruar trafikun e mjeteve të tyre në rrjetin rrugor brenda juridiksionit të tyre territorial. Duke ia lënë barrën e kontrollit dhe të zgjidhjes vetëm Policisë Rrugore dhe qeverisë qendrore, për mungesë tradite dhe fondesh financiare. Është e nevojshme që administratat bashkiake në qytetet kryesore të investojnë në sisteme semaforike edhe në monitorimin elektronik të trafikut me sisteme bashkëkohore të automatizuara. Duke iu dhënë mundësi bashkive të marrin fonde dhe financime nga skema e shpërndarjes së të ardhurave dhe nga gjobat e Policisë Rrugore të konstatuara në territorin e rrjetit të tyre rrugor, do të mund të realizohen sistemet e mësipërme. Duhet bërë i mundur një menaxhim efikas i trafikut dhe rritjes së parametrave të sigurisë rrugore, për kursimin e jetës së tyre duke vënë në zbatim sloganet “se janë qytetarët të parët...”. Në qytetet kryesore të vendit me interes turistik dhe me fluks të rritur të trafikut rrugor, në të ardhmen do të duhet të përfshihen skema monitorimi elektronikë, nëpërmjet sistemeve të integruara të trafikut. Duhen vendosur sisteme monitorimi me kamera në kryqëzime dhe semaforë, vendosje panelesh informuese për ndërlidhjen e tyre me një qendër kontrolli kombëtare me seli në Tiranë, për të patur në çdo kohë të dhënat për trafikun dhe për flukset e transporteve rrugore. Sfidat e “luftës absurde rrugore“ dhe jeta e shtetasve është gjeja më e shtrenjtë për qeverinë e re. Aplikimi i prioriteteve të mësipërme, i alternuar edhe me masa të tjera parandaluese së bashku, me një reformim në vazhdim të shërbimit të Policisë Rrugore, do të bëjë që çdo vit të ulet numri i aksidenteve, por edhe numri i të vrarëve në aksidentet rrugore.
Më shumë informacion trafiku në nivele lokale...
Një e treta e kohës në trafik për drejtuesit e mjeteve shqiptarë humbet në mënyrë të panevojshme në trafik brenda qyteteve, si pasojë e një menaxhimi të keq dhe joprofesional, mungesës së parkimeve publike dhe orientimit kaotik të rrymave të trafikut. Sipas studimeve analitike në vendet e Bashkimit Europian ngadalësimi i trafikut i kushton ekonomisë së këtyre vendeve, rreth 5 miliardë euro në vit. “Infotrafiku” është metoda dhe zgjidhja më efikase për qytetet tona, në mënyrë që të racionalizohen sistemet e transporteve, duke reduktuar me rreth 30 për qind aksidentet rrugore dhe me rreth 15 për qind, zvogëlimin trafikun e mjeteve.