Shqiptaret ne Greqi mes perpjekjeve per integrim dhe dilemes per t‘u kthyer

Shqiptarët në Greqi, mes përpjekjeve për integrim dhe dilemës për t‘u kthyer
Në autobus...

Një vogëlush ngrihet vrik nga sedilja e parë e autobusit dhe koka kaçurrele zgjatet nga dera që mbyllet: "Udha mbara, daja"! Urimi i drejtohet një mesoburri, që ia bën me dorë vogëlushit dhe nënës së tij. Kaçurrelat vazhdojnë të sillen këtej xhamit, ndërsa thërret me të madhe i kënaqur me fjalët e tij: "Udha mbara"!

Është Andrea trevjeçar, i cili përsërit pa pushim fjalët e fundit që dëgjoi nga daja i tij para nisjes: "Udhë të mbarë"!

Pas pushimeve në shtëpinë e gjyshërve në Tiranë, po kthehet në Greqi. Një grua i trazon kaçurrelat dhe i thotë: "Kujt ia ke marrë këto kaçurrelat e bukura, mamit apo babit"? Vogëlushi i ngul sytë, por s‘flet. "Nuk di shqip", sqaron e ëma. Andrea ia nis një bisede në greqisht me vajzën që ndodhet në sediljen ngjitur me mua. Bashkëbisedimi i tyre shkakton të qeshura te pasagjerët e tjerë, të gjithë emigrantë, që kthehen nga pushimet në atdhe…

Nga Tirana jemi nisur në pesë të mëngjesit dhe, pas disa orë udhëtimi dhe disa të tjera pritjeje në Doganën e Kapshticës (ku më shumë sesa pritja, të lodh pamja e pakëndshme në të dyja anët e rrugës mbipopulluar nga qese, ambalazhe korosantësh, paketa duhani, bidonë plastikë, kanoçe), në mbrëmje mbërrijmë në Selanik, qyteti i dytë më i rëndësishëm dhe i madh i Greqisë, pas Athinës. Një "Sarandë" në përmasa të shumëfishuara, që shtrihet e bardhë përgjatë kaltërsive të Egjeut.

Autobusi më lë në stacion e për një çast vetja më duket në Shqipëri, ku djem e burra ecejakin në trotuar duke thirrur: "Hajde taksi!", ndërsa në vitrinat e kateve të para të pallateve buzë rrugës të bien në sy reklamat shqip të agjencive të udhëtimit. I refuzoj me mirësjellje një mesoburri, që nga dialekti duket geg, i cili më ofron shërbim taksie. Dalloj makinën "Volsvagen Bora" që ndalon para meje. Janë Nardi dhe bashkëshortja e tij, Flora, mikpritësit e mi në këto ditë qëndrimi në Greqi. I përkasin brezit më të hershëm të emigrantëve që kanë shkelur tokën greke. Nardi ka rreth tetëmbëdhjetë vjet që jeton dhe punon në Greqi. Mbërrijmë në shtëpinë e tyre që ndodhet në një nga lagjet më të reja, në periferi të Selanikut, në Kordhelia. Çifti banon në një apartament të këndshëm, me hapësirë të bollshme dhe i mobiluar me shije, në katin e tretë të një vile katërkatëshe.

Kriza ekonomike dhe dilema për t‘u kthyer në atdhe

Nardi është i mërzitur. Para dy javësh ka humbur punën. Për herë të parë i ndodh të mbetet pa punë dhe gjithçka për faj të krizës. Ndërmarrja e tij shkurtoi 50% të punonjësve. Tani del nga shtëpia çdo ditë herët në mëngjes për të bërë gati dokumentet e asistencës dhe për të kërkuar punë. "Është bërë shumë e vështirë të gjesh punë", thotë. Flora është në një mendje. Ka pothuaj një vit që ka ardhur në Selanik nga Volosi, ku jetonte me familjen, pas martesës me Nardin, dhe nuk ka arritur të gjejë ende një punë të qëndrueshme, përveç disa ditëve në muaj në një punishte. "Edhe në Volos është keq. Vëllai i vogël, Eraldi, e humbi punën para disa javësh. Kunati, sipërmarrës i vogël që merret me ndërtime, para një muaji largoi edhe punëtorët e fundit. Po mendon të kthehet në Shqipëri. I kanë thënë se atje nuk ndjehet kriza dhe ndërtimi vazhdon të lulëzojë", thotë Flora. "Vërtet, ndërhyn Nardi, edhe ne jemi duke e menduar kthimin. Më mirë të vijmë e të ngremë diçka të vogël në vendin tonë, por...", kthehet e më pyet: "Mendon se në Shqipëri do ta kemi të lehtë t‘ia nisim nga e para"? Nuk di t‘i jap një përgjigje që ta kënaqë.

Të nesërmen na ftojnë për vizitë miq shqiptarë të çiftit, por nuk kemi kohë t‘u shkojmë të gjithëve.

Pasdite shkojmë tek Arjani, nga Librazhdi, i cili jeton me të shoqen dhe dy fëmijët në të njëjtën lagje me Nardin. Na presin në një shtëpi njëkatëshe me oborr të vogël. Ulemi në një ambient jo të bollshëm, që shërben si dhomë pritjeje, në cepin e majtë të së cilës ndodhet një oxhak tepër i madh për hapësirën e dhomës. Arjani sapo është kthyer nga puna, ndërsa e shoqja, një korçare e vërtetë, na mirëpret me revani të sapobërë, me verë e fruta. Sërish biseda sillet rreth krizës dhe asaj se sa e vështirë është bërë jeta në Greqi. Edhe Arjani i përket brezit "të vjetër" të emigrantëve që ka shkelur në Greqi në fillim të viteve ‘90. "Atëherë ka qenë më e lehtë. Kishte edhe punë, edhe para. Euroja e zhyti Greqinë. Tani edhe kriza...". Nusja e Arjani ka ardhur më vonë në Greqi dhe nuk ka punuar asnjë ditë. Në fillim ishin fëmijët e vegjël, ndërsa tani është e vështirë për të gjetur punë. Nuk është e lehtë të mbash një familje prej katër vetash me një rrogë që nuk i kalon nëntëqind euro dhe kur duhen paguar qiraja, energjia, taksat... "Në Shqipëri për ne është edhe më e vështirë. Kur shokët tanë vazhduan shkollën, ne ia "mbathëm" në Greqi... Tani, as shkollë nuk kemi. Ku do të punojmë?", më shumë konstaton sesa pyet Arjani.

Për darkë shkojmë nga Jani, kushëri i Nardit. Ai banon në anën tjetër të qytetit, në lagjen e mirënjohur të Selanikut, Kalamaria, rreth një orë larg me makinë nga Kordhelia. Familja Qevani, nga zona e Beratit, banon në katin e parë të një vile trikatëshe. Që jashtë ndjehet era e mishit të pjekur. Çifti ka përgatitur një darkë të bollshme me disa lloje mishërash dhe sallatërash. Ndërsa pimë nga një gotë cipuri (verë e bardhë e lehtë) dhe bisedojmë, Aleksandri, djali pesëvjeçar i çiftit, vërtitet nga njëri cep i dhomës në tjetrën, duke shkrepur aparatin fotografik. Pas çdo shkrepjeje nxiton të na tregojë "veprat" e tij.

Jani punon me ditë në punë të ndryshme, ndërsa Niki prej disa vitesh punon në një nga pastiçeritë më të famshme të Selanikut. "Është punë e lodhshme, por jam e kënaqur që kam një punë dhe pagesa është e mirë", thotë Niki. Pas darke, shijojmë nga një copë torte, nga ato që prodhohen në pastiçerinë me emër.

Brezi i dytë, drejt gjuhës së nënës

Të nesërmen nisemi për në Volos, një qytezë e vogël bregdetare njëqind e pesëdhjetë kilometra larg Selanikut, ku jemi të ftuar nga të afërmit e Florës. Edhe atje, si në Selanik, ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh.

Ndalesën e parë e bëjmë te Klara, motra e madhe Florës. E gjejmë në shtëpi me dy fëmijët, Gabrielin, tetë vjeç dhe Elenën, pesë vjeçe. I shoqi, Spiro, është nisur për në Tiranë një ditë më parë. "Ka shkuar mos kapë ndonjë punë andej", thotë Klara.

Gabrieli dhe Elena janë fëmijë të këndshëm, por me natyra të ndryshme. Ai një fëmijë i pashëm, me flokë të dendur gështenjë e me sy të mëdhenj të errët, duket tip "serioz" dhe i përmbajtur, ndërsa e motra është një llasticë e këndshme me flokë të artë e sy të kaltër, që i lëvizin gjatë gjithë kohës. Të dy kanë lindur në Greqi, por kuptojnë e flasin shqip. "Sa mirë që kanë mësuar shqip", konstatoj unë me kënaqësi. "Deri një vit më parë, Gabrieli pothuaj nuk dinte fare shqip. Ka një vit që shkon në kursin e shqipes. Elenën do ta çojmë kur të rritet edhe pak. Tani e ngatërron shqipen me greqishten", më thotë Klara.

Më vjen ndër mend kur, një vit më parë, ndërsa ndodhesha në Selanik, në një nga vizitat në shtëpinë e Janit, mundohesha të komunikoja me Aleksandrin, atëherë katërvjeçar. Vogëlushi e fillonte fjalinë në shqip dhe e përfundonte në greqisht e nuk arrija të kuptoja asgjë. Në një pikë, Aleksi u kthye nga unë dhe më pyeti: "Ne (‘po‘ - në greqisht), re Alma"? Nuk kisha kuptuar asgjë nga ato që më kishte thënë dhe ia ktheva: "Ne, re Aleksi, ne"! Me sa duket përgjigjja ime kishte qëlluar e gabuar, sepse Aleksi përplasi këmbët dhe thirri: "Oqi, re Alma"...

Këtë herë më kishte bërë çudi se Aleksi, teksa sillej nëpër dhomë duke shkrepur aparatin fotografik, fliste vetëm shqip. Jani më tregoi se gjatë pushimeve në Shqipëri, Aleksi kishte mësuar të fliste teksa luante me fëmijët e xhaxhait. Edhe fëmijët e Arianit flisnin shumë mirë shqip, falë përkushtimit të së ëmës. Në mend më erdhi edhe trevjeçari Andrea, që tundte kokën kaçurrele dhe thërriste: "Udha mbara, daja"!

Gabrieli më afrohet dhe më tregon se shkon edhe në kurse të tjera, atë të kitarës dhe të punës me baltë. Rend për te dhoma e tij dhe na sjell që të shohim e admirojmë punët që ka realizuar në kurs dhe me të cilat ka fituar edhe çmim. Mbi tavolinën e mesit vendosen një Batman me ngjyra, një krokodil jeshil dhe një maskë karnavalesh, të cilën e motra ia rrëmben duke thirrur se është e saja. Pas një grindjeje të shkurtër që përfundon me fitoren e Elenës, Gabrieli shkon sërish në dhomën e tij dhe kësaj here kthehet me kitarë. Del para nesh dhe "performon"...

Integrimi dhe bashkëjetesa me grekët

Klara na fton të darkojmë jashtë, në një nga lokalet buzë detit. Është vonë dhe fëmijët duhet të flenë. "Të njoftoj komshien që të vijë e të kujdeset për fëmijët sa të kthehemi ne", thotë ajo dhe formon një numër në aparatin e telefonit. "Komshia është shqiptare?", pyes Nardin. "Jo, është një greke e moshuar", ma kthen ai. "Eh, kanë ndryshuar kohët, tani grekët u shërbejnë shqiptarëve", bën shaka Flora.

Përshëndetemi me komshien e Klarës dhe dalim.

Ndërsa darkojmë e biseda shkon te marrëdhëniet e shqiptarëve me grekët, më tregojnë se shqiptarët janë integruar dhe grekët nuk janë më aq paragjykues, duke u ndalur te marrëdhëniet personale dhe miqësitë që kanë krijuar me familje greke. Por, edhe pse më rrallë, kur ndodh ndonjë krim dhe autorët nuk janë identifikuar, mediat kanë tendencë të paragjykojnë jogrekët si kriminelë të mundshëm dhe, jo rrallë e vënë gishtin mbi shqiptarët. Duke qeshur më tregojnë një histori të ndodhur pak kohë më parë, ku dy hajdutë kishin hyrë me maska dhe me tenxhere në një mëngjesore për të vjedhur… paçe. Gazetari, ndërsa intervistonte pronarin viktimë që kishte arritur të shihte hajdutët, i kishte drejtuar pyetjen: "E dalluat se të ç‘kombësie ishin hajdutët"? Pronari ia kishte prerë hovin, duke iu përgjigjur: "Kombësi? Grekë ishin".

Një dashuri greko-shqiptare

Paraditen e ditës tjetër shkojmë të takojmë Shpresën, mamanë e Florës, një grua rreth të pesëdhjetepestave. Duket e lodhur. Ka bërë vetëm tri orë gjumë. Tri ditë në javë punon në një buzuk, ku përgatit pjatat me lule që u hidhen këngëtarëve. Ka ardhur në pesë të mëngjesit. Ora është nëntë dhe Shpresa po bëhet gati të shkojë te puna tjetër, në shtëpinë e një të moshuare gjysmë të paralizuar, së cilës i shërben prej disa vitesh.

Për drekë jemi të ftuar nga Irini, motra tjetër e Florës, e cila është fejuar dhe jeton me Kostën, një grek tridhjetepesëvjeçar. Vila dykatëshe e sapongritur e çiftit të ri ndodhet në periferi të Volosit, në një kodër nga e cila qyteza shihet si në pëllëmbë të dorës.

Kosta ka nxjerrë në oborrin para vilës zgarën dhe po merret me mishin. Nardi me Eraldin bashkohen me të. Erisa, motra e vogël e Florës, hyn në kuzhinë të ndihmojë në përgatitjen e mezeve.

Dreka shtrohet në oborr dhe me ne bashkohen edhe disa të afërm të Kostës që i kanë shtëpitë ngjitur. Kosta tregon se si e zuri sevdaja, katër vjet më parë, me vajzën shqiptare. Atëkohë, mbrëmjeve punonte në një lokal veror me një grup muzikor, ku i binte organos. Çdo natë shihte një vajzë me sy të kaltër, shumë të bukur e lozonjare që shërbente në banak. Ishte munduar t‘i binte në sy. I dërgonte çdo mbrëmje nga një trëndafil. Por, vajza nuk reagonte. E paralajmëruan se ishte shqiptare, por Kosta nuk ishte tërhequr. Ia kishte shprehur me të gjitha mënyrat dashurinë e tij Irinit, derisa, më në fund, ia kishte fituar zemrën. Me familjen nuk e kishte pasur të lehtë. Një shqiptare për nuse? "Tani lënë kokën për Irinin", më pëshpërit Flora.

Për darkë, Kosta na fton në lokalin piano-bar në periferi të qytetit, ku punon. Është një lokal i vogël i mbushur me grekë të të gjitha moshave, që shijojnë muzikën më të mirë greke dhe të huaj. Janë katër muzikantë. Përveç Kostës që i bie organos, një instrumentist mbi të pesëdhjetat i bie buzukut dhe dy më të rinjtë këndojnë. Vajza është spanjolle e natyralizuar. Greqishtja e saj tingëllon interesante me theksin latin. Në një moment, shohim Kostën të marrë mikrofonin. "Kosta nuk këndon", pëshpëriti e habitur Irini.

"Edhe pse nuk jam i zoti në të kënduar, do të doja të përshëndesja një tryezë në veçanti, ku ndodhet gruaja që prej katër vjetësh ma ka ndryshuar jetën. Kjo këngë është për ty, dashuria ime", dhe Kosta i dërgon një puthje dashurisë së tij shqiptare, ndërsa tingujt e organos mbushin lokalin, shoqëruar nga zërat e ëmbël të këngëtarëve, me të cilët bashkohet edhe buzuku.

Lë pas Volosin, pastaj Selanikun dhe, pasi kaloj tunelet e panumërta të rrugës së re të përfunduar pak vite më parë me fondet e BE-së, mbërrij në Kapshticë...



* Shumica e shqiptarëve që takova në Greqi ishin dyemërorë: kishin një emër që u kishin vënë kur kishin ardhur në këtë jetë dhe, një tjetër, pagëzimi, me të cilin identifikohen në jetën që kanë ndërtuar në vendin fqinj. Zgjodha t‘i prezantoj me emrat që kanë marrë pas emigrimit...

Alma LAHE (Perondia)
Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama