Shqiptaret me Institut Pjeter Bogdani per trashegimine kulturore

Shqiptarët me Institut

Të pranishëm ishin kryeministri Nikolla Gruevski, ministri i Kulturës Arifhikmet Xhemaili, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, zëvendëskryeministri Imer Aliu, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferi dhe personalitete të tjera. Instituti, selia e të cilit është në ambientet e "Kurshumli An" në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, do të financohet nga Qeveria, ndërsa themelimi i tij ishte pjesë e platformës elektorale të partisë shqiptare qeverisëse.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbër Xhaferi, deklaroi dje se këto ngjarje i japin rëndësi politikës dhe demokracisë. "Një popull pa institucione të tilla humbet efikasitetin e tij dhe motivin për të ruajtur të kaluarën, e cila gjithsesi që çon në asimilim". Xhaferi njihet edhe si ideator i themelimit të këtij instituti shtetëror të pagëzuar me emrin "Pjetër Bogdani". Xhaferi shtoi që sot vlerat e popullit shqiptar janë institucionalizuar. Ai përmendi edhe kontestin greko-maqedonas për çështjen e emrit shtetëror. "Kjo polemikë është e gabur, sepse zhvillohet në bazë të premisave ideologjike dhe biologjike dhe duke u bazuar në këto asnjëherë nuk mund të zbulohet e vërteta e cila fshihet në trashëgiminë kulturore", theksoi Xhaferi. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, deklaroi se themelimi i këtij instituti është një urë e ngritur në Maqedoni dhe urë bashkëpunimi në rajon. "Ne do të ndërtojmë institucione, do të ngremë nivelin kulturor dhe shkencor dhe jemi të gatshëm të jemi krah për krah me të gjitha kulturat dhe popujt evropianë".

Instituti do të ketë pesë sektorë: për gjuhën shqipe, letërsinë, historinë dhe etnologjinë, marrëdhëniet gjuhësore ndëretnike dhe njësinë për migracion. Kreu i tij është Mirushe Hoxha dhe mendohet që departamentet të mbulohen nga 15 personalitete shkencore, prej të cilëve 7 tanimë janë në marrëdhënie pune.

Kryeministri Nikolla Gruevski në fjalimin e tij tha se "e drejta e bashkësive etnike është të shprehin, kultivojnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre nëpërmjet themelimit të institucioneve kulturore, artistike dhe arsimore si dhe ato shkencore të garantuara me Kushtetutë". "Qeveria e Maqedonisë si asnjë prej qeverive të kaluara deri tani, ka filluar me realizimin e kësaj të drejte të bashkësive etnike. Hapja solemne sot e Institutit edhe njëherë vërteton prioritetet strategjike të Qeverisë për investime në kulturë, shkencë dhe arsim dhe kultivimin e këtyre vlerave", -theksoi Gruevski.

Në këtë drejtim një nga më të fundit gjëra që ka miratuar qeveria në fjalë ka qenë përfshirja në festat zyrtare e ditës së 22 Nëntorit. Është hera e parë që Përvjetori i Kongresit të Alfabetit të Gjuhës shqipe që u mbajt me 1908 në Manastir, po njihet si festë e tillë. Në shënimin e kësaj date janë organizuar aktivitete kulturore dhe shkencore në dy universitetet në Tetovë si dhe nga shoqatat e ndryshme shqiptare.

Naser Pajaziti : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama