Shqiptaret edhe kete vit ne Turqi per pushime

Shqiptarët, edhe këtë vit në Turqi për pushime
Sërish kanë zgjedhur të pushojnë në Turqi, një destinacion ky konkurrues për të gjithë destinacionet e tjera si Egjipti, Tunizia, Greqia apo Spanja. Pushuesit shqiptarë, në shoqëri me partnerët e tyre, apo edhe me familjen, as që kanë menduar të ndryshojnë preferencat e viteve të fundit, kur që në fillim të qershorit dhe korrikut, kanë prenotuar në agjencitë turistike për të kaluar verën në Antalie dhe Bodrum. Sipas të dhënave, marrë nga agjencitë kryesore turistike, thuajse 70 për qind e klientelës së tyre ka preferuar Turqinë. Mungesa e problemit të vizave, përshtatja e turistëve shqiptarë me mentalitetin e banorëve në qytetet e pritjes së turistëve, si dhe kostoja më e ulët e pushimeve krahasuar me destinacione të tjera duket se ka nxitur sërish shqiptarët të përzgjedhin Turqinë. Por nga ana tjetër, edhe vetë operatorët turistikë duket se kanë orientuar klientët e tyre, duke u ofruar shërbime më të kompletuara për në Turqi. Operatorët turistikë bëjnë me dije se, edhe në dy vitet e ardhshme nuk do mungojë prirja e turistëve për të pushuar në qytetet turke.

Antalia dhe Bodrumi

Antalia për familjarët dhe Bodrumi për më të rinjtë. Ky është komenti që bëjnë menaxherët e agjencive kryesore në Tiranë. Sigurisht që nuk mbeten pas edhe destinacione të tjera si Alania, Kemeri apo Beleku. “Rreth 70 për qind e klientëve tanë kanë kërkuar të pushojnë në Antalia dhe Bodrum, por nuk kanë munguar rezervimet edhe në Alania, Kemer dhe Belek”,- thotë Administratorja e një prej agjencive turistike, Manjola Hoxha. Sipas kësaj agjencie, pushuesit shqiptarë kanë zgjedhur të përfitojnë nga paketat turistike verore, ku përfshihet udhëtimi me “Charter”, akomodimi, ushqimi dhe shërbimet e shoqërimit. “Paketat tona janë 10-ditore dhe klientët janë nga të gjitha llojet, në shoqëri me partnerët e tyre, apo edhe në familje”,- thekson Hoxha. E pyetur për periudhën kur pushuesit kanë bërë më shumë rezervime, administratorja Hoxha shprehet se përgjithësisht është veçuar 15-ditëshi i dytë i Korrikut dhe i gjithë muaji Gusht. Ndërkohë që, sipas një tjetër agjencie turistike, në kryeqytet bëhet e ditur se njësoj si vjet, pushuesit vazhdojnë të zgjedhin Turqinë, edhe pse kanë pushuar vjet apo dy vjet më parë në zonat kryesore të saj. “Klientët tanë, të të gjitha kategorive, kryesisht kanë zgjedhur Antalien dhe Bodrumin. Duket se përzgjedhja e tyre ecën paralel me mirëqenien ekonomike, pasi dihet që Turqia mbetet një destinacion i lirë pushimesh”,- shprehet për gazetën “Shekulli” Andi Gorenca, koordinator i marketingut në një prej agjencive që krijon ofertat dhe më pas ua kalon agjencive më të vogla turistike. Sipas Gorencës, tre mbeten arsyet kryesore që i kanë çuar sërish shqiptarët të pushojnë në Turqi. “Kostoja e ulët ekonomike, mungesa e problemeve me vizat, si dhe një përshtatje e mentaliteteve mes dy popujve, duket se mbeten tre nga arsyet kryesore se përse turistët shqiptarë udhëtojnë drejt Turqisë”,- thekson Gorenca. Por nga ana tjetër ai nuk mohon edhe një orientim të klientëve nga vetë operatorët turistikë. Ajo që mbetet ende e vështirë për t’u thënë nga të gjithë operatorët turistikë në vend është numri i turistëve shqiptarë që dëshirojnë të pushojnë jashtë vendit.

Kostoja

Paketat turistike duket se kanë çmime më të volitshme për turistët. Kështu, 10 ditë në Turqi mund të kushtojnë nga 1200 euro, për dy persona, deri në 1600 euro, për një familje me një fëmijë. Kjo kosto varion sipas numrit të personave dhe llojit të hotelit që ata zgjedhin. “Ka një larmishmëri të madhe çmimesh për ofertat tona, sepse kostoja varet nga hoteli që dëshirojnë të zgjedhin pushuesit”,- shprehet koordinatori i marketingut, Gorenca. Madje ai shton se nuk ka një kategori të caktuar turistësh që zgjedhin Turqinë, duke qenë se ata mund të jenë në çift, në shoqëri apo edhe me familjet e tyre. I pyetur nga gazeta “Shekulli” nëse ka një rritje çmimesh në këto ditë kur numri i prenotimeve për të kaluar pushimet jashtë vendit rritet, Gorenca shprehet se nuk është e vërtetë që të ketë një të tillë. “Ne nuk kemi bërë rritje çmimesh dhe kemi punuar me këto oferta gjatë gjithë kohës. Kjo varet shumë edhe tek ofertat që kanë gjetur klientët dhe tek shërbimet që kanë marrë në këto oferta”,- shton Gorenca.

Megjithatë, përpos ndonjë luhatjeje të vogël mes ofertave që bëjnë agjenci të ndryshme, krahasuar me shumë destinacione turistike të tjerë, Turqia mbetet më pak e kushtueshmja.

Destinacionet e tjera

Egjipti duket se mbetet destinacioni i dytë turistik, pas Turqisë, më shumë i preferuar nga shqiptarët. Edhe pse temperaturat mbeten të larta në Egjipt, pushuesit nuk e kanë parë si pengesë këtë gjë. “Destinacioni i dytë në këtë sezon, është Egjipti me “Sharm El Sheik””, bëjnë me dije operatorët turistikë. Megjithatë, disa prej operatorëve thonë se Egjipti ka qenë së tepërmi i vizituar në stinën e vjeshtës dhe të pranverës. Ndërkohë që kostoja për të pushuar 10 ditë në “Sharm El Sheik”, shkon në 510 euro për person. Megjithatë mbetet për t’u kontrolluar në të gjitha agjencitë se çfarë shërbimesh ofrojnë në paketat e tyre për në Egjipt, sepse më të kompletuara duket se janë paketat turistike për në Turqi, ku konkurrenca mes operatorëve turistikë ka ndikuar në rritjen e shërbimeve dhe uljen e çmimeve.

Megjithatë, përkundër rrymës së madhe të turistëve që kërkojnë Turqinë dhe Egjiptin, ka edhe nga ata që preferojnë të pushojnë në Spanjë, ku vetëm akomodimi në hotele për dy persona nis nga 1000 euro e përfundon 3500 euro, në varësi të cilësisë së hotelit. “Kanë rezultuar të suksesshme edhe pushimet në Pragë, Vjenë, Lubjanë apo Budapest”,- tregon për destinacionet e tjera turistike, koordinatori i marketingut Andi Gorenca.

70

Për qind e turistëve shqiptarë që pushojnë jashtë vendit kanë zgjedhur këtë vit Turqinë.

510

Euro kushtojnë pushimet 10-ditore në Egjipt për një person, në këto ditë të nxehta vere.

1200

Euro kushton një paketë e plotë turistike, për 10 ditë pushime në Turqi për dy persona.

1600

Euro kushton një paketë e plotë turistike për 10 ditë pushime në Turqi, për një familje.

Valmora Gogo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama