Shqiptare Sotiri ju beri moderne!

Shqiptare, Sotiri ju beri moderne!

Studiuesit francezë Loic Chauvin dhe Christin Raby janë të dashuruar me fotograf Sotirin dhe po mundohem që atë, por edhe shumë syresh t’i vendosin në panteonin ndërkombëtar të kësaj disipline të artit pamor…

Loïc Chauvin dhe Christian Raby, bashkë me mikun e tyre Renaud Dorlhiac janë studiues frëngë që merren me fotografinë shqiptare. Deri këtu s’ka asgjë të veçantë, përveç faktit që nga dita në ditë falë punës së tyre të përkushtuar kemi shumë të reja për teknikën, tematikën dhe risitë e fotografisë shqiptare të fillimshekullit të shkuar, dhe atij pak më parë. Por a ka elementë modernë që e dallojnë këtë gjini arti dhe kë do të veçonin ata? Për Chauvin dhe Raby është e qartë dhe deri tani e pakundërshtuar se: moderniteti shqiptar lidhet me Sotirin dhe vetëm me të, por më poshtë nuk bien dhe artistët e tjerë të fotos kudo Shqipërisë, që në shumicën e rasteve e bënin atë dhe për hobi, dhe si profesion të dytë…

Modeniteti

“Moderniteti i fotografisë shqiptare shfaqet veçanërisht në punën e Sotirit edhe pse ka karakteristika të këtij moderniteti qoftë në punët e Marubit por edhe të Idromenos. Ka të ngjarë që eksperienca e tij në Shtetet e Bashkuara të ishte arsyeja kryesore.

Fotograf Sotiri ka një përdorim shumë të sofistikuar të variacionit të thellësisë së sfondit me aq sa mund të lejohej prej dhomave të fotografimit të asaj kohe. Shumë kohë para se të shpikej Photoshop, ai praktikoi retushimin e sofistikuar deri mbi vetë negativat. Përshembull në autoportretin e tij me cigare: hija s’është rezultat i ndriçimit në studio. Ai e krijoi atë me anë të pikturimit në sfondin e negativit”, thonë dy studjuesit.

I pari që e ka filluar aventurën shqiptare ka qenë Chauvin dhe pastaj në këtë punë është bashkuar dhe Raby. Kanë qenë librat e Kadaresë që kanë nxitur fillimisht kureshtjen e tyre dhe më pas ekzotizmi i këtij vendi i ka shtyrë më tej e më tej, duke i rrëmbyer përfundimisht. “Fillimisht, vëmendjen tonë e tërhoqi përshtypja që u krijua nga leximi i librave të Kadaresë për këtë vend që ishte pothuaj i izoluar nga bota në atë kohë. Bukuria e vendit, mikpritja e shqiptarëve dhe zbulimi, prej një rastësie, e ekzistencës së arkivave të Marubit na dha dëshirën që të punonim në këtë trashëgimi të jashtëzakonshme. Ne duam që përmes botimeve dhe ekspozitave tona të vendosim fotografinë shqiptare në vendin e merituar të historisë botërore të fotografisë”.

Por si e mblodhën fotografët shqiptarë këtë përvojë dhe si e përcollën për publikun e tyre? Do duhej shumë punë që të kalonin barrierat e vendit, por më shumë ajo erdhi si risi e një arti, që po bëhej shumë i dashur për njerëzit e kontinentit dhe më gjerë prej dekadash. Dhe, fotografia në Shqipëri ishte produkt i fotografëve shqiptarë krijuar prej eksperiencës së rajoneve nga ku ata punuan “në kontrast me fotografët e tjerë që punuan vetëm nën periudhën Otomane. Kjo shpjegon, ndoshta, rëndësinë e angazhimit të fotografëve shqiptarë në lëvizjet politike për pavarësinë e Shqipërisë”, shpjegojnë ata. Të mos e teprojmë pasi shumica e tyre, në të njëjtën kohë, veçmas biznesit të tyre të portreteve në studio, punonin për dokumentet e jetës së përditshme të qytetarëve në vend. Dhe, këtë e tregon puna që kanë bërë në vite njerëzit e dinastisë shkodrane që na lanë Fondin ‘Marubi’, që mbahet sigurisht një nga aspektet më domethënës të fotografisë shqiptare. “Prej pasurisë së vet, diversitetit dhe mbrojtjes, ai përbën ndoshta një trashëgimi fotografike unike në Ballkan dhe të rrallë nëpër botë”.

Por, çfarë vendi zë në të vërtetë fotografia krahasuar me disiplinat e tjera në artin pamor shqiptar të para Luftës së Dytë Botërore?

Dhe fotografët

Ka ende pak histori për fotografinë shqiptare edhe pse kontributi i disa studiuesve është i madh. Do të fiksonim Bashën, por në veçanti Qerim Vrionin, që punon prej vitesh në këtë fushë, që po na sjellin gjithnjë e më shumë befasi temash në këtë lloj arti. Anipse, për historianët e fotos ka ende shumë punë. Kjo për arsye të gjeografisë së shpërndarjes së artistëve tanë, por edhe risive të tyre. Ka qenë fakt se veç fotografëve të njohur, dy nga piktorët më të famshëm shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore e kanë praktikuar fotografinë.

Ishte Kolë Idromeno, piktori ynë i madh, që e praktikoi fotografinë profesionale, si pakkush. Ai madje hapi edhe studion e tij në Shkodër. “Shumë pak është e njohur deri pak më parë se ishte edhe Vangjush Mio një fotograf ekselent që e praktikonte këtë art bashkë edhe me mikun e tij Kristaq Sotiri”. Por ka shumë punë për të gjithë historianët sepse përshembull, qoftë edhe për arsye teknike, nuk është mundësuar të shikohet as edhe gjysma e fotove të Marubit prej studiuesve frëngë por edhe shqiptarë. “Dixhitalizimi na jep neve shpresë për zbulime të reja falë edhe të një konsultimi më të lehtë”, thonë ata. E lehtë në dukje, por puna e tyre nuk mbaron këtu. Probleme të mëdha i shoqërojnë të dy fotografët shqiptarë sa i përket burokracisë, mungesës së bashkëpunimit dhe…përfshirjes së shqiptarëve në punën e tyre. Sidomos, problemi mbetet te pinjollët e këtyre emrave të mëdha dhe kërkesat e tyre të larta:

“Disa nga vështirësitë tona me të cilat jemi hasur mund të jenë të lidhura me pyetjet që disa prej shqiptarëve na bëjnë lidhur me interesat tona në trashëgiminë e tyre! Është disa herë e vështirë t’i bësh ndonjëherë këta lloj njerëzish të kuptojnë realisht se: puna jonë mbi fotografinë shqiptare zhvillohet përgjatë dhe aktiviteteve tona profesionale.

Ne nuk fitojmë ndonjë gjë përveçse kënaqësisë artistike. Shitja e librave që botojmë thjesht na lejon të gjejmë pak fonde që të mundësojnë udhëtimet tona të studimit”.

Për shumë vjet, ne kemi shpresuar se autoritetet shqiptare do krijonin një muzeum dedikuar Marubit dhe do inincohej dixhitalizimi i fondit. Kështuqë jemi të kënaqur se ky projekt më në fund arriti të kalonte falë dhe dinamizimit të drejtorit të ri Luçjan Bedeni, përfundojnë Chauvin dhe Raby.

Loïc Chauvin merret me studimin e fotografisë shqiptare prej më shumë se 20 vjetësh. Në vitin 1995, falë një pune të madhe, ai solli botimin e parë kushtuar dinastisë së Marubajve me titull “Shqipëria fytyra e Ballkanit”.

Christian Raby është prej vitit 2006 në këtë “aventurë me Chauvin dhe ka qenë lektor i Historisë së Fotografisë ne Universitetin “Cikago” të Parisit. Bashkëpunëtori i tyre, Renaud Dorlhiac është historian dhe shkrimtar. Ai është pjesë e një grupi të spécializuar mbi Ballkanin pranë Institutit të Lartë të Studimeve të Shkencave Sociale të Parisit (“L’ecole des Hautes Etudes en Sciences Sociales “EHESS”).


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama