Shqipni e Harrume (Foto)

Shqipni e Harrume (Foto)
Lezhë, 1910-2012.

Kalaja e Lisus-it antik është ndër më të vjetrat e viseve tona. E zënë fill diku rreth shekullit IV para Krishtit, kaloi dorë më dorë, nga ngulimet greke tek ilirët, pastaj tek romakët, pastaj tek barbarët, pastaj tek bizantinët, pastaj tek sllavët, pastaj prapë tek bizantët, pastaj tek fisnikët arbër, e më tej në dorë të venedikasve. Këta të fundit më 1478 ja dorëzuan Lezhën turqve bashkë me Shkodrën, pasi e dogjën krejtësisht, kala e varosh.

Pas kësaj, turqit bënë vetëm një riparim të pjesshëm të kalasë, ku vendosën një garnizon të vogël, i cili kishte qëllim më tepër të ruante nga revoltat dhe sulmet plaçkitëse që zbrisnin nga malësitë e brendshme, sesa të ruante bregdetin nga inkursione perëndimore. E reduktuar në qendër administrative me disa hane dhe pak shtëpi, qyteti nuk e mori më veten për mbi 400 vjet. E tillë erdhi Lezha deri në fillim të shekullit të XX, për ta marrë veten dhe gjallëruar vetëm pas viteve ‘20-’30.

Fotografia e parë është një kartolinë e prodhuar diku rreth vitit 1920. Ajo paraqet qytetin e Lezhës dhe kalanë sipër tij, të parë nga përtej lumit Drin, ku gjendet Kuvendi Françeskan të cilin sipas legjendës e ka themeluar Shën Francesku, rrugës së kthimit të tij nga Varri i Shenjtë në Jeruzalem. Ky Kuvend, paçka se shumë i dëmtuar, është ende sot.

Në cep të kartolinës janë vendosur dy vargje që përkujtojnë faktin e shenjtë për shqiptarët e asokohshëm, që në atë qytet preheshin eshtrat e Skënderbeut. Qyteti lidhej me anën tjetër të lumit me një urë druri të ndërtuar nga ushtria turke.

Fotografia e dytë është bërë rreth viteve 1920-25 dhe paraqet Lezhën të parë tashmë nga kodra e Kalasë. Ura që shihet në skajin e majtë, është ngritur në vend të urës së vjetër turke, e cila u dogj nga trupat serbe gjatë pushtimit të qytetit në vitin 1915 dhe, austriakët që e pushtuan qytetin pas serbëve, ndërtuan një urë të re, e cila shihet edhe në këtë foto. Kjo urë, që ishte po prej druri, ndodhej në vendin ku është edhe sot ura e Lezhës. Në hyrje të urës, shihet një shesh i vogël dhe një kryqëzim rrugësh që egziston edhe sot. Aty rruga ndahet në dy degë: njëra që gjarpëron përgjatë lumit dhe shkon në Shkodër dhe tjetra që vazhdon drejt fushave dhe të çon në Shëngjin. Përtej lumit mbi kodrën shkëmbore, shquhet Kuvendi françeskan. Në horizont shihen kënetat e Ishull Lezhës dhe, më tej, deti.

Foitografia e tretë është bërë rreth vitit 1925, nga një grup vizitorësh italianë të cilët kanë lënë një koleksion shumë interesant fotosh në rrugëtimin e tyre Durrës-Lezhë Shkodër e kthim. Këtu ata po pozojnë në mjediset e brendshme të kalasë. Dy prej tyre janë ulur mbi një grykë topi të braktisur përdhe. Për fat kjo grykë topi ka mbijetuar dhe ekziston ende sot, por e zbritur poshtë, në pjesën e mureve buzë Drinit. Midis grupit shquan një shqiptar me qeleshe në kokë. Ai është kafazi i Legatës italiane, i cili shërben njëkohësisht edhe si roje dhe person shoqërimi për grupin e vizitorëve.

Në shpatet e kodrës, shquhet një godinë pronë e Kishës, e cila pas shumë djegiesh e rindërtimesh ekziston ende sot.  Kalvari i Kalasë së Lezhës, siç besoj se e kini ndjekur të gjithë, për fat të keq nuk ka sosur ende. Së fundi, Instituti i Monumenteve në një pazar të pistë sa më s’ka, po përpiqet të miratojë një projekt që parashikon ndërtime moderne, motele e pishina, brenda ambienteve të heshtura e plot histori të kalasë së lashtë. Lus të madhin Zot t’u ndriçojë mëndjen e t’i sjelltë në udhë të mbarë, se përndryshe do ta lus t’u hedhë një rrufe e ti shuajë fare më mirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama