Shqiperia se shpejti do te jete pjese e rrjetit te muzeumeve boterore te grave

Shqiperia se shpejti do te jete pjese e rrjetit te muzeumeve boterore te grave

Shqipëria së shpejti do të jetë pjesë e rrjetit të muzeumeve botërore të grave. Kjo iniciativë personale është ndërmarrë nga aktivistja Elsa Ballauri.

“Kur krijohet nje museum grash është pjesë e luftës që gruaja bën thellë thellë në subkoshiencën e saj drejt barazisë, civilizimit dhe bashkëpunimit me pjesën tjetër mashkullore. Nuk e shikoj vetëm si revolt psikologjike apo sociale, e shikoj edhe si kuriozitet. Gruaja ka një jetë jashtëzakonisht të pasur”­ shprehet aktivistja Elsa Ballauri.

Muzeu modest i cili pritet te hapi dyert ne fund te ketij muaji bazohet mbi jetën qytetare shqiptare ku objektet do të tregojnë historinë e marrëdhënieve të gruas shqiptare me familjen apo shoqërinë që nga koha para luftës, apo gjatë periudhës së komunizmit.

“Në muze do të jetë shtresa e borgjezisë shqiptare para se të vinte komunizmi, për brezin e ri është shumë e rëndësishme sesi ka jetuar gruaja në komunizëm”­ thekson Ballauri.

Në mbarë botën ka rreth 59 muzeume të grave, të cilat konsiderohen një lëvizje drejt të drejtave të tyre dhe një urë lidhëse midis kulturës dhe problemeve gjinore.

E pranishme në aktivitet ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vllahutin, tha se investimi tek njerëzit dhe kultura është i rëndësishëm ndërsa e quajti alarmant shifrën e buxhetit vjetor të teatrit kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Po mendoja për këtë aktivitet sesi edhe në shekullin e 21 duhet të diskutojmë dhe të promovojmë sesi të mbrojmë të drejtat e gjysmës së njerëzimit. Për herë të parë dëgjova nga Elsa për muzetë e grave. Mu duk ide e mahnitshme. Gjithë muzetë ngrihen mbi historinë zyrtare që shkruhen nga burrat. Ky muze është i veçantë, pasi vizitorët e huaj tashmë mund të krijojnë një mendim për Shqipërinë”.

“Përpara se të vija këtu po iu tregoja disa të ftuarve në këtë event një shifër alarmuese për mua lidhur me kulturën. Buxheti vjetor për Teatrin Kombëtar i Operës dhe Baletit është 100.000 euro ndërsa buxheti vjetor i Ministrisë së Kulturës është 10 milionë euro. Është jashtëzakonisht i ulët. Nuk mjafton të investosh në infrastrukturë, investimi më i rëndësishëm është investimi tek njerëzit.”­ u shpreh Vlauhtin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama