Një foto përcjell gjithnjë një filozofi. Herman Zonderland, një prej personazheve më të njohur të fotografisë holandeze, kërkon të përcjellë nëpërmjet imazheve të fotografuara të brendshmen e çdo gjejë. Në kolazhin e portreteve që Herman na e tregon, ata burra të veshur me kostum ngjajnë aq "të trazuar".
Përtej syve blu të Geert Rolleman fshihet një e shkuar të cilën Herman kërkon ta theksojë, duke e realizuar këtë portret aq qetësisht. Ndërsa biblioteka e madhe me libra përtej një tryeze ku është ulur Maarten van Rossum, tregon se ky burrë nuk mund të bëjë dot pa to. Rossum kalon pothuajse pjesën më të madhe të ditës i ulur në këtë zyrë, ndaj është e pashmangshme që jeta e tij përtej kësaj zyre të mos jetë e lidhur me librat që janë në rafte. I pasionuar pas filozofisë, Herman thotë se bisedat me Rossum tregonin se ai ishte një burrë i ndjeshëm dhe se besonte ende në momentet e bukura që mund t‘i gjente diku.
Hr. Kaljee është një tip tjetër. Ai mban të njëjtën veshje, kostum dhe këmisha të rregullta, por nuk beson shumë në libra. Jeta e tij është shumë e thjeshtë. Një biznes i mirë për të bërë para dhe familje.
Janë një mori punësh të Herman Zonderland që kërkojnë të tregojnë nëpërmjet portreteve psikologjinë e burrave të sotëm. Thotë se ka zgjedhur burra dhe jo gra për të shpjeguar të brendshmen, sepse gratë gjithnjë kërkojnë ta tregojnë atë çfarë ndjejnë. Ndërsa një burrë është gjithnjë i tërhequr. Një burrë i mban thellë brenda vetes të gjitha dhe nuk preferon të tregojë shqetësimet e tij. Herman tregon se për të realizuar këtë kolazh fotosh i është dashur të futet dhe brenda vetes, për të zbuluar ndoshta ato gjëra që i fsheh dhe vetë ai. Ndërsa në fotot dokumentare.
Një foto nuk mund të jetë thjesht një foto dhe si e tillë kërkon të mbushet me të gjitha përfytyrimet që një artist kërkon të ngjizë tek ajo. Moria e fotove me personazhe burra, që duken aq të thjeshtë është një nga kolazhet më të vlerësuara në fotografinë e Zonderland. Nëse sheh me kujdes punët e realizuara prej tij shihet një prirje drejt atyre fotove që në dukje mund të jenë të thjeshta. Ca fëmijë që kërkojnë të kuptojnë librat, ca xhaketa të varura në garderobë, një burrë që shikon xhepat e zbrazur të pantallonave, një filxhan i madh kafeje, apo foto nga natyra. Mënyra sesi kjo e fundit është zbërthyer në artin e fotografisë është gjithnjë interesante. Nëse piktura i jep jetë ngjyrave, në foto Herman mendon se një qiell apo disa lule në një kopsht kanë të tjera ndjesi.
Fotografia nuk ka qenë një zgjedhje e rastësishme për të. Ai tregon se gjithnjë ka qenë i prirur drejt zbërthimit të figurës, apo të një ngjarjeje, dhe ka gjetur ta shprehë më mirë këtë nëpërmjet fotos. Për vite me radhë ai ka punuar në mediat më të njohura të vendit të tij, deri sa fotografinë e kronikës filloi ta shihte si një foto që mund të jepte më tepër.
Por Herman nuk ka hequr dorë nga të dyja. Udhëton në vende të botës për gazetat ku punon dhe mundohet që përtej asaj që quhet punë, të shohë ato elementë që grishin imagjinatën e tij.
Shqipëria ishte një stacion ku Herman ka ndaluar më shumë se një herë për të zbërthyer atë çfarë ka ndodhur me vendin postkomunist. Pallatet e ngjyrosura, që ai i krahason me një tablo që sapo ka nisur të realizohet, i japin ndjesinë se ndodhet në një nga ekspozitat më interesante në Ballkan.
Shumë fotografë të huaj e shohin vendin tonë si një mënyrë për të realizuar foto, të cilat do të përçonin sukses në karrierën e tyre, ndërsa Herman i sheh udhëtimet drejt Shqipërisë si drejt së panjohurës. Çdo udhëtim shkon drejt diçkaje që ti pret ta zbulosh dhe në momentin që ti e fokuson në aparatin fotografik, e ke gjetur atë.
Nga fotografia e Kryeministrit Sali Berisha e deri te ndërtimet e shumta që kërkojnë të marrin jetë në Tiranën tonë, Herman ka fokusuar çdo gjë. Ai kërkon të bëjë fotografinë apo ashtu siç ai e quan një "libër historik" për Shqipërinë nëpërmjet fotos.
Ajo çfarë sipas tij e zbërthen më së miri atë çfarë po kalon tashmë vendi ynë janë ndërtimet. Dëshira e pambarimtë e njerëzve për ta parë qytetin e tyre të ngjashëm me qytetet e vendeve të Evropës, apo për të ndërtuar apartamente krejt ndryshe nga ato që kanë ekzistuar gjatë komunizmit, është një element i prekshëm në të gjitha këto foto.
Herman do që t‘i botojë këto foto në dy albume, të cilat do të sjellin Shqipërinë në konceptin e tij. Është interesante mënyra sesi zhvillimi ynë këto vite perceptohet nga të huajt, aq më tepër nga një artist. Në fotot e Herman shihet se ai evidenton ato gjëra që ne na duken kaq të zakonshme, ndërsa përballemi çdo ditë me to. Ndërsa Herman në foto kërkon të tregojë dhe kaosin, frikën në ky qytet i madh do të mund të jetë në të ardhmen ashtu siç ata që jetojnë aty e mendojnë. Por fotot e Zonderland janë thjesht prerje e një realiteti, i cili në të ardhmen do të vijë për të plotësuar më së miri historinë.
Marre nga : Gazeta Shqip











