Shqiperia ne bordin drejtues te Federates Boterore te personave qe nuk degjojne

Shqiperia ne bordin drejtues te Federates Boterore te personave qe nuk degjojne

Për herë të parë Shqipëria do të ketë përfaqësuesin e vet në bordin drejtues të Federatës Botërore të personave që nuk dëgjojnë (WFD). Florjan Rojba u përzgjodh si një nga nëntë anëtarët e organizmit drejtues gjatë Asamblesë së 19-të të Përgjithshme të WFD-së që u mbajt në Stamboll më 26-27 korrik.

Rojba është koordinator i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të personave që nuk dëgjojnë (ANAD).

Federata Botërore e personave që nuk dëgjojnë është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare që përfaqëson rreth 70 persona me këtë problem në mbarë botën. Sipas vlerësimeve, më shumë se 80% e këtyre njerëzve vijnë nga vende në zhvillim, ku autoritetet janë pak të njohura me nevojat e tyre.

E njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, WFD-ja bashkëpunon ngushtë me OKB-në për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të këtyre personave në përputhje me kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Kur është e nevojshme, WFD-ja ndërmerr masa administrative apo ligjore për të siguruar që personat që nuk dëgjojnë të kenë mundësi të përdorin gjuhën e tyre të shenjave si dhe të organizojnë veprimtari kulturore e jo vetëm. Personat me këtë problem në vendet në zhvillim janë në fokus të veçantë të organizatës, ku përfshihen e drejta për të përdorur gjuhën e shenjave dhe mundësi të barabarta në të gjitha fushat e jetës, përfshirë arsimimin dhe informimin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama