Shpallet studioja fituese Ja si do te transformohet Piramida...

Shpallet studioja fituese: Ja si do te transformohet Piramida...

Studioja italiane “Stefano Boeri &UNLAB” është fituesja e projektit urbanistik të Tiranës, projekti i së cilës për Piramidën dhe parkun përreth ka marrë vlerësimin më të madh nga juria. Lajmi është njoftuar zyrtarisht në Twitter nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Zyrtarisht fitues i planit urbanistik të Tiranës është Stefano Boeri dhe UNLAB. Kemi një punë të jashtëzakonshme përpara. Të përveshim mëngët për një fillim të ri”,- tha Veliaj.

Stefano Boeri është arkitekt i planifikimit urban dhe ka qenë këshilltar për kulturën në Milano në vitin 2011-2013. Konkursi ndërkombëtar u zhvillua më 22-23 dhjetor 2015 dhe synonte projektin e Parkut të Besimit në Tiranë.

Kopshte meditimi e soditjeje përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” frymëzuar nga librat e shenjtë dhe bashkëjetesa fetare.

Në konkurs shpalosën propozimet e tyre, 7 skuadra vendase e të huaja. Qëllimi kryesor i këtij konkursi ishte përfitimi i projekt-ideve që do të transformojnë hapësirat lineare të hapura si dhe xhepa të tjerë të gjelbër përgjatë bulevardit, në pasqyrime pejsazhistike, që simbolizojnë vlerat kulturore më fisnike, që shqiptarët transmetojnë nëpërmjet besimit, i cili nuk është i lidhur vetëm me harmoninë fetare, por gjithashtu dhe me harmoninë në përgjithësi.

Qendra e “Parkut të Besimit” në Tiranë do të jetë hapësira publike që mbështjell “Piramidën”, me vetë ‘Piramidën’ si pikënisje dhe destinacion.

Ndaj në këtë kuptim, ‘Piramida’ do të bëhet subjekt i propozimeve. Vendodhjet e tjera janë të vendosura përgjatë segmentit që lidh sheshin “Skënderbej” me sheshin “Nënë Tereza”. Përveç kësaj, një komponent i rëndësishëm i këtij konkursi është edhe shtrimi i hapësirës së kalimit dhe dizenjimi urban i vetë bulevardit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama