Shkrimtare te vjeter te veriut

Shkrimtarë të vjetër të veriut

Grumbulli i parë nis që prej gjysmës së shekullit XV dhe arrin po thua gjer tek fundi i XIX shekull, edhe përmbleth të gjithë veprimtarinë kulturore e letrare që u zhvillua në qendra të ndryshme të Shqipërisë s’athershme, d.m.th në një Shqipëri që nuk ekzistonte edhe si shtet.

Grumbulli i dytë përkon me lëvizjen e parë e kuptimplotë të zgjimit kombtar ndër shqiptarët jashtë e mbrenda Shqipërisë, dhe përmbleth të gjithë prodhimin letrar që nis prej shoqërisë së Stambollit- e cila, siç dihet, themelohej pikërisht me qëllim që t’i japë gjuhës shqipe një alfabet të caktuar e të shtypë libra e fletore të cfarëdollojshme për përhapjen e kulturës e të ndjenjës kombtare ne vendin t’onë-dhe arrin gjer në ditë të sotme. Prandaj i kemi caktuar si kufij nisjatorë-në sensu lato, kuptohet – këtij prodhimi Lidhjen e Prizrendit, e cila, qe mëma, ta thomi kështu, e Shoqërisë së Stambollit. Po nga këta dy grumbuj, i pari, përgjithësisht, as që munt të quhet letrar me kuptimin më të kulluar të fjalës:

a)pse këto shkrime që përmbleth ky grumbull nuk janë shkruar me ndonjë qëllim krejt estetik a letrar, po janë pothua të gjitha, me përjashtim të një grumbulli të vogël krejt laik, shkrime fetare të punuara nga priftërinj katholikë e orthodoksë me qëllim propagande a mësimi të fesë;

b) pse kjo lëvizje, ase më mirë, këto lëvizje kulturore përpara Lidhjes së Prizrendit nuk kanë pasur as njesi, as vazhdimësi, as edhe ndonjë përhapje nëpër gjithë shqiptarët e atëhershëm. Ato kanë qenë fenomene kulturore sporadike, krejt krahinore.

Veç asaj, ky prodhim na paraqitet edhe i përçarë e pa farë lidhjeje. Prodhimi letrar që lindi, p.sh në qendra të veriut nuk ka të bëjë fare me prodhimin letrar të jugës. E kemi ndarë prandaj edhe këtë studim në dy pjesë: 1) Shkrimtarë të vjetër të veriut, 2) shkrimtarë të vjetër të jugës.

Sado që i tërë ky grupi i parë, me pakë përjashtime, nuk ka vlerë letrare a estetike, vlen prap se prap të studjohet e të njihet, pse edhe ky është pasqyra e gjendjes mendore, shpirtërore e kulturore e shqiptarëvet më parë se të fitonim një ndërgjegje kombtare. Pastaj ka vlerë të madhe për ne, jo vetëm pse na thotë kur nisi të shkruhej gjuha shqipe e kur filloi pikërisht një farë lëvizjeje kulturore, sado e përçarë dhe me prirje të ndryshëme, në vendin t’onë, po edhe pse na jep një fazë të vjetër të gjuhës s’onë, ashtu si flitej në ato kohë të lashta.

 

II.- Pas dokumenteve gjuhësore që pamë më lart, nga pikëpamja e vjetërsisë vendin e parë e zë prodhimi i shkrimtarëvet të veriut. Ky prodhim u lint e u zhvillua në Shqipërinë e sipërme dhe qe pema e priftërinjve t’atëhershëm. Ai përfshin të gjitha shkrimet e këtyre auktorëve kishtarë – të botuara më të shumtat përjashta, prej Propagandës së Fide, tjerat mbrënda Shqipërisë-duke filluar nga më i vjetri që njohim d.m.th nga libri i Gjon Buzukut, me datë 1555, e duke ardhur dalë nga dalë gjër afro në ditët t’ona: plot pothua 350 a 400 vjet punë.

Shkrimtarët më kryesorë të këtyre shkrimeve janë: Buzuku, Budi, Frangu i Bardhë, Bogdani e Kazazi, si edhe disa që nuk ishin t’origjinës shqipëtare, ndër të cilët më të përmëndurit Niko Catalano e Francesso Maria da Lecce. Sado të huaj këta të dy jetuan e punuan në Shqipëri, dhe shkruan vepra shqipe po me ato qëllime e po me ato cilësi që i shkruan shokët e tyre shqipëtarë.

Vijnë pastaj plot shkrimtarë të tjerë, veprat e të cilëvet do të formojnë t’ashtuquajturën “letratyrën agjografike”, letratyrë që vazhdon edhe sot pranë letratyrës kombtare. Po ky prodhim i funtmë nuk munt të na interesojë, ashtu si na interesojnë veprat e pesë shkrimtarëve të parë, pse nuk ka ndonjë vlerë nga pikëpamja e vjetërsisë.

Tri janë “karakteristikat” kryesore të prodhimit letrar të veriut, që e dallojnë nga prodhimet letrare shqiptare të tjera përpara Lidhjes së Prizrendit

a) lënda është gadi krejt fetare, pse u shkrua me qëllim kryesor që të mbajë të gjallë e të forcojë në katholikët e veriut fenë katholike, e cila nën pushtimin otoman kish nisur të shkatërrohej e të çdukej;

b) është i math, ndoshta i tepërt, influksi latin e italian, mbassi aukorët e këtij prodhimi ishin lidhur ngusht me kishën e perëndimit, duke qenë nën urdhrat e saj, dhe kishin kryer studjimet e veta përtej Adriatikut, në Itali.

c) gjithë për arsyet e mësipërme, alfabeti i përdorur prej tyre është po thua ai i tipit latin-italjan.

Pa dyshim ky prodhim verior është më i rëndësishmi i prodhimeve të pjesës së parë të letratyrës shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe gjerësisë si dhe nga pikëpamja e lëndës dhe e mbrëndisë. Këta shkrimtarë të vjetër të veriut nuk janë vetëm të parët që filluan një farë lëvizje kulturore në vendin t’onë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipes një alfabet-alfabetin latin,-po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për atdhenë e gjuhën e tyre, për shqipen e Shqipërinë. Madje, nga këjo pikëpamje kombtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjes së Prizrendit, po t’ishte ma e madhe vlera estetike e qëllimi i përbashkësisë shqiptare.

 

Shkrimtarë të vjetër të jugut

 

Prodhimi letrar i shkrimtarëvet të vjetër të jugut u lint e u zhvillua në qëndra të ndryshme të Shqipërisë së poshtme. Një hov të posaçëm pati sidomos rreth akademisë greko- arumune të Voskopojës. Qyteti i Voskopojës, që sot është vetëm një fshat i vogël e i varfër pa më të voglin rëndësi, qe një herë më një kohë qëndër mjaft e madhe dhe e përparuar, e themeluar dhe e banuar në shumicë prej vllehësh epirotë. Rreth vjetëve 1720 e 1770 u bë një “metropol” i vërtetë i gadishullit ballkanik, me lagje ndër tesa të bukura, me tregtore e tregje të begaçme, me industri e marrëdhënje tregtare të zgjeruara jo vetëm në Europën qendrore e veriore (Trieshtë, Venedik, Leipzig, Vjenë), po edhe jashtë Europës, në Egjypt e në Asinë e Vogël, aqë sa një shkrimtar i kohës shkruante për të: “urbs amplissima non modo in tota Graecia, sed etiam fere per totem Turcarum imperium.

Pas zhvillimit ekonomik ia arriti shpejt edhe zhvillimi i rëndësishëm kulturor: qisha të shumta, shkolla, një akademi, një shtypshkronjë - n’ato kohë e vetëmja e tërë perandorisë –biblioteka etj. Shumë njerëz të kulturës greke duallnë nga ky qytet: pa triarki Jasaf i Ohrit, metropoliti Dioniz Manduca i Kastorisë, Joan Kalkens etj, si edhe Theodhor Kavaljoti e Danili.

Po, siç thamë, nuk duhet besuar se lëvizja kulturore letrare toske ortodokse u zhvillua vetëm në Voskopojë. Sigurisht edhe në qytete të tjera të Shqipërisë së jugut u çfaqnë lëvizje të tilla vetëm që nuk patnë jetën dhe rëndësinë e asaj të Voskopojës; ase, më mirë, nuk lanë gjurma, a nuk i njohim ende sot këto gjurmë, pse nuk janë bërë kërkime si për shkrimtarët e veriut.

Si kohë nisjeje prodhimi letrar në fjalë i kemi caktuar gjysmën e sprasme të shekullit XVIII. Po ky caktim është konvencionar, dhe e kemi caktuar vetëm pse dokumenti i parë i këtij prodhimi është i kësaj kohe. Krejt përkundër, nga sa na jep të kuptojmë “Perikopeja ungjillore”, e cila lidhet nga çdo pikëpamje me këtë prodhim ashtu siç lidhet “Formula e pagëzimit” me prodhimin e veriut, duhet t’a ngrehim nj’a dy a tre shekuj më lart këtë nisje.

Shkrimtarët më të përmëndur të prodhimit toskë orthodoksë janë: Theodhor Kavalioti. “Dhaskal” Dhanili, Kostë Beratasi, Grigor Gjirokastriti, Kullurioti.

Tri janë karakteristikat kryesore të këtij prodhimi, që e dallojnë prej të tjerëve:

a)karakteri fetar, po edhe mësimor, i veprave;

b)influksi i madh grek, mbassi auktorët e tyre ishin lidhur ngushtë me Greqinë, e kishin kryer studimet në shkollat greke,

c) përdorimi i alfabetit grek për shqipen.

Po shkrimtarët e vjetër të jugut në veprat shqipe që na kanë lënë nuk dëftejnë as doktrinën, as vlerën dhe as ato pakë ndjenja atdhetare që dallojnë vëllezërit e tyre gegë. Ata janë, vërtetë të parët toskë që shkruanë gjuhën t’onë, po nuk e përdorin këtë si qëllim në vetvete, po si mjet, me atë të së cilës donin të përhapnin njohurit e fes ortodokse.

 

Kush është Namik Resuli

Namik Resuli lindi në Berat më 10 shtator 1908. U laureua në degën e Glotologjisë në Universitetin e Torinos. Nën udhëheqjen e profesorit të famshëm Matteo Bartoli, themelues i linguistikës italiane, mbrojti tezën e doktoraturës “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”. Në fillim të viteve ‘30 kthehet në atdhe, emërohet profesor në “Shkollën normale” të Elbasanit, më pas në gjimnazin e Shkodrës dhe të Tiranës. Në prill të vitit 1939 emërohet as. prof. i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës, ku shërbeu për 10 vjet. Njëkohësisht në vitin 1940- ‘44 shërben si inspektor superior i Ministrisë së Arsimit dhe si anëtar i “Institutit të Studimeve shqiptare”, në Tiranë. Në 1948-n emërohet anëtar efektiv i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare”. Në vitin 1954, boton në Torino revistën “Shpirti shqiptar”.

Në vitet 1955-1971, “Instituti Oriental” i Universitetit të Napolit i beson Dr. Resulit drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe dhe të “Filologjisë lirike”, mban mjaft kumtesa në tubimet shkencore ndërkombëtare të linguistikës si dhe të mërgatës në Shtetet e Bashkuara. Vepra e Namik Resulit merret shumë me fushën e historiografisë të letërsisë shqipe dhe të linguistikës, duke kulmuar me botimin e parë të plotë të “Mesharit” të Gjon Buzukut të transkriptuar, Vatikan 1958.

Gjatë viteve të pushtimit fashist, Namik Resuli punoi pranë Institutit të Studimeve Shqiptare bashkë me Ernest Koliqin, Padër Zef Valentinin, Aleksandër Xhuvanin, Hasan Dostin, Padër Anton Harapin etj. Pak kohë para mbarimit të Luftës, Namik Resuli u largua nga Shqipëria dhe u vendos në qytetin e Torinos pranë familjes së bashkëshortes së tij italiane. Që nga ajo periudhë e deri sa doli në pension në vitin 1971, Namiku punoi si shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Institutit të Studimeve Orientale të Napolit. Gjatë asaj kohe ai u mor me studime mbi historinë e letërsisë shqipe dhe albanologji, duke ribotuar veprën e Buzukut. Në vitin 1979 gjatë një takimi me shkrimtarët dhe artistët, Enver Hoxha e sulmoi ashpër Prof. Resulin duke e quajtur një bej aristokrat, për arsye se ai kishte bërë një studim për Faik Konicën. Prof. Namik Resuli vdiq në qytetin e Torinos më 12 shtator 1985. Studimi i botuar më poshtë për Naim Frashërin, është shkruar nga ai në vitin 1968 dhe është mbajtur në një sesion 

VIOLETA MURATI : Gazeta Standard


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama