Një grup shkencëtarësh të njohur deklaruan dje se janë sot më të bindur se kurrë më parë se janë njerëzit fajtorët kryesorë për ndryshimet klimatike dhe parashikuan se pasojat e emisioneve të gazrave me efekt serë mund të vijojnë për shumë shekuj.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) tha në një raport se bota do të ketë patjetër më shumë valë nxehtësie, përmbytje, thatësirë dhe rritje të nivelit të detit, të cilat do të prekin zonat bregdetare të ulëta apo ishujt, ndërsa gazrat serë vijojnë të shtohen.
Shumë udhëheqës botërorë kanë bërë thirrje për masa më të ashpra për të kufizuar rritjen e gazrave serë dhe për të pakësuar rritjen e temperaturave. Raporti vlerëson se njerëzimi ka djegur sakaq më shumë se gjysmën e burimeve energjetike me bazë karbonin në dispozicion.
Studimi tha se ka së paku 95 për qind probabilitet që ngrohja globale është shkaktuar nga aktiviteti i njerëzve si faktor dominues. Raporti i vitit 2001 thoshte se faktori “njeri” kishte 66 për qind probabilitet të ishte faktori kryesor i efektit serë, që me zhvillimin e shkencës duket se është rritur më shumë deri më sot.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se studimi ishte një thirrje për qeveritë, shumica e të cilave është përqendruar në rritjen e ekonomisë në këto kohë të vështira, duke hequr dorë nga lufta kundër ndryshimit të klimës. OKB shpreson se bota do të arrijë në një marrëveshje më 2015-n për të luftuar gazrat serë.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha gjithashtu se raporti ishte një zile alarmi. “Ata që mohojnë shkencën apo zgjedhin justifikime në vend të veprimeve po luajnë me zjarrin”, tha ai, duke iu referuar skeptikëve, të cilët vënë në dyshim nevojën për aksion urgjent.
Skeptikët e shkencës që studion ngrohjen globale janë fuqizuar pasi temperaturat rezultuan se u rritën më ngadalë gjatë 15 viteve të fundit pavarësisht rritjes së shpejtë të emisioneve të gazrave serë.
Komisionerja për Klimën e Europës, Connie Hedegaard, tha se është koha për t’u marrë me shëndetin e Tokës. “Nëse mjeku juaj është 95 për qind i sigurt se ti ke një sëmundje të rëndë, atëherë menjëherë do të duhet të filloni të kërkoni një kurë”, tha ajo.
Raporti është hartuar nga puna e qindra shkencëtarëve dhe përballet me dyshime të shumta këtë vit, pasi raporti paraardhës i vitit 2007 përmbajti shumë gabime, përfshirë një vlerësim të ekzagjeruar për shkrirjen e akullnajave të Himalajave.
Shkencëtarët e OKB-së vijojnë të besojnë se dyfishimi i karbonit në atmosferë do të rrisë temperaturat e botës mes 1.5 dhe 4.5 gradë Celsius. IPCC thotë se tendenca ngrohëse është “jashtë çdo dyshimi” dhe se disa efekte do të vijojnë përtej jetës së njerëzve të sotëm.