Shkaterrohet monumenti i kultures replika ministri-bashki

Shkaterrohet monumenti i kultures, replika ministri-bashki

Shkatërrohet monumenti i trashëgimisë kulturore në rrugën “Asim Zeneli” me vendim të Bashkisë së Tiranës. Ngjarja ka ndodhur duke u gdhirë data 16.06.2015. Bëhet fjalë për vilën me numër identifikimi V–11, e cila është në mbrojtje paraprake me vendim të KKR-së. Mbrëmjen e ngjarjes në fjalë DRKK-ja u njoftua për prishjen e këtij monumenti kulturor. Pas kësaj ngjarjeje, Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria Rajonale përkatëse ndërmorën hapat e parashikuar nga ligji. Pasi u krye inspektimi dhe u mbajt procesverbali në vend, rezultoi se ishte prishur thuajse gjysma e vilës gjatë natës, më 15.06.2015.

 

Urgjentisht, nga institucionet përgjegjëse i janë dërguar brenda datës 16.06.2015 dy shkresa Bashkisë së Tiranës dhe IKMT-së për shkelje të ligjit të trashëgimisë nga Bashkia e Tiranës, si dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për të denoncuar këtë akt të kundërligjshëm në dëm të trashëgimisë kulturore. Sipas deklaratës për shtyp të Ministrisë së Kulturës, leja zhvillimore e datës 6 tetor 2014 dhe vendimi përkatës i kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë në shkelje me vendimin e KKR-së, të sipërpërmendur, dhe me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore, i cili shpreh se ndalohet çdo ndërhyrje në objektet në mbrojtje si monument kulture. Në vijim Drejtoria Rajonale kreu denoncimin në polici dhe bëri njoftimin në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. IMK-ja, nga ana e saj, nisi gjithashtu shkresë në Bashkinë e Tiranës ku kërkohej informacion për lejen zhvillimore të ndërtimit, si dhe lejen e prishjes së objektit. Ndërkohë IKMT-ja që prej datës 16.06.2015 kreu pezullimin e veprimeve të mëtejshme dhe njoftoi subjektin e ndërtimit për pezullim.

 

Po në datën 17 qershor 2015 reagoi Bashkia e Tiranës kundrejt Ministrisë së Kulturës, në një deklaratë për media, duke u mbrojtur se vendimmarrja e Bashkisë së Tiranës për rastin në fjalë është në përputhje me ligjet e vendit. Bashkia e Tiranës shprehet se ka marrë në dorëzim kërkesën për leje zhvillimore ndërtimi, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor. Një nga dokumentet e administruara në dosjen ligjore ka qenë edhe shkresa, firmosur nga drejtoresha e përgjithshme A. Dollani në të cilën citohet: “... në pronën me nr. pasurie 2/128 nuk ndodhen objekte me status “monument kulture”, “zonë historike” dhe as sipërfaqe me status “zonë arkeologjike” ose “zonë e mbrojtur”…” Duke iu përmbajtur deklaratës së Bashkisë thuhet se pas shqyrtimit të dokumentacionit, brenda afatit të përcaktuar nga legjislacioni për planifikimin e territorit në fuqi në atë kohë, është marrë vendim për miratimin e lejes zhvillimore të ndërtimit për strukturën banim dhe shërbime 4 dhe 6 kate me 2 kate parkim nëntokë, bashkëlidhur planit të vendosjes së zonës së zhvillimit.

 

Bashkia e Tiranës shprehet në deklaratën e saj reaguese se është njohur me vendimin e KKR-së vetëm në gusht të vitit 2014, kur ka ardhur shkresa për vënie në dijeni të vendimit të KKR-së. Pra, ministria përkatëse ka njoftuar mbi një muaj më vonë për një vendimmarrje të tillë, në një kohë kur vendimi për miratimin e lejes ishte marrë konform legjislacionit në fuqi dhe konfirmimit nga IMK-ja për atë sipërfaqe prone. Gjithmonë sipas Bashkisë së Tiranës, duke qenë se subjekti i ka plotësuar të gjitha kushtet e tjera të përcaktuara në vendim, është bërë zbardhja e formularit të lejes zhvillimore për subjektin, por ky formular është dhënë me kushte të veçanta, ku pika 10 përmban:

 

Në vijim të shkresës së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dt. 19.08.2014, “Vënie në dijeni të vendimit nr.35, dt. 15.07.2014”, “Për miratimin e propozimit për shpalljen në mbrojtje paraprake të disa objekteve në qytetin e Tiranës”, si dhe mbështetur në nenin 26 të ligjit nr. 9048, dt. 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”(i ndryshuar) ndalohet çdo lloj ndërhyrjeje në gjendjen fizike të objektit ekzistues për një periudhë 6-mujore (nga data e vendimit si më sipër të KKR-së) deri në përcaktimin e statusit të mëtejshëm të tij nga IMK-ja. Pra, nga ana e Bashkisë pretendohet se është zbatuar çdo kusht ligjor për miratimin e kësaj lejeje dhe është vënë në dijeni subjekti për vendimin e KKR-së. Në përgjigje të deklaratës së Bashkisë, MK-ja deklaroi: Vërtetimi i marrë nga IMK-ja daton në maj të vitit 2014, kur banesa s'e kishte ende statusin e objektit në mbrojtje. Me vendim të KKR-së të datës 15 korrik 2015 ky objekt hyn në listën e objekteve të vendosura në mbrojtje paraprake.

 

Sipas Ministrisë së Kulturës, vendimi për leje zhvillimore i datës 06.10.2014 nga ana e Bashkisë është në shkelje të vendimit të KKR-së. Me Urdhër të drejtoreshës së IMK-së, të datës 16.01.2015, rinovohet statusi i objektit në mbrojtje dhe ndalohet çdo ndërhyrje në objekt siç e përcakton dhe neni 25 i Ligjit për Trashëgiminë në të cilin thuhet: "Objekti me këtë status nuk mund të prishet ose t'i bëhen ndryshime, pa miratimin me shkrim të Institutit të Monumenteve të Kulturës”. Ky urdhër i është përcjellë edhe Bashkisë së Tiranës. Bashkëngjitur urdhrit, është edhe shkresa përcjellëse, si dhe lista me objektet e vëna në mbrojtje, ku figuron dhe vila e prishur, V-11. Risillet në vëmendje se statusi i “objektit në mbrojtje paraprake” vijon të jetë ende në fuqi. Ndërtesa e cilësuar monument kulture është shkatërruar për t’u zëvendësuar me një ndërtesë të re dhe kjo lëvizje vjen pikërisht pak ditë para zgjedhjeve bashkiake në vend.

 

Thirrja e Ministrisë së Kulturës

 

Ministria e Kulturës, në reagimin e saj përmes një deklarate për shtyp ditën e djeshme, denoncoi këtë veprim të Bashkisë së Tiranës, të kryer natën dhe në shkelje të plotë me ligjin. Ministria denoncon me forcë shkeljen e ligjit nga Bashkia aktuale e Tiranës, duke dënuar këtë krim kundër trashëgimisë kulturore, kundër shpirtit të qytetit. Duke u bashkuar me shqetësimin e opinionit publik, Ministria e Kulturës u bën thirrje organeve të drejtësisë të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për këtë akt flagrant. Po kështu, thirrja i drejtohet çdo subjekti që të mos gabojë dhe të mos guxojë të prekë monumentet e kulturës, qofshin ato private apo publike. Nuk do të lejohet askush, sipas Ministrisë së Kulturës, të përsërisë krimet ndaj trashëgimisë dhe do të detyrohet me forcën e ligjit për rindërtim të asaj çka është dëmtuar, për t’i thënë ndal karshillëkut ndaj shtetit dhe ndaj ligjit.

 

Qëndrimi qytetar kundrejt aktit të Bashkisë së Tiranës

 

Fiqiri Bali, qytetar: Në fakt, nuk jam shumë në dijeni për prishjen që është bërë paraditen e djeshme, por jam krejtësisht kundër prishjes së këtyre monumenteve. Janë pikërisht këto ndërtesa dhe monumente që flasin për historinë e këtij vendi. Më duket një gjë absurde që të prishen monumente të tilla, sepse nuk e dimë më se në çfarë po shndërrohet ky vend. Nga njëra anë prishen këto ndërtesa dhe në vend të tyre jepen leje për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, duke zaptuar edhe ato pak hapësira që kanë mbetur. Nuk e di se si mund të bëjnë veprime të tilla që ndikojnë në reduktimin e hapësirave të gjelbra dhe vendeve të tjera çlodhëse. Ky është një fenomen që këto kohët e fundit është përhapur shumë dhe po jepen leje pa kriter për ndërtime që prishin imazhin e Tiranës. Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të bëhet një ndërtim i tillë. Shpresoj që të vihet dorë mbi veprime të tilla dhe të mbrohen vlerat dhe ato pak vende që flasin për identitetin e shqiptarëve ndër vite.

 

Emin Metani, qytetar: Jam mbështetës i zjarrtë i ruajtjes së trashëgimisë. Me prishjen e tyre humb identiteti dhe historia. Monumentet e kulturës dhe ndërtesat e vjetra janë dëshmi historike. Për mua është e pafalshme që jepen leje të tilla për prishjen e tyre dhe aq më tepër që të zëvendësohen me ndërtimin e pallateve shumëkatëshe. Nëse duhet që të ecim përpara, duhet të mbrojmë trashëgiminë kulturore dhe historike nëpërmjet të cilit mund të zhvillohet turizmi, duke ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe rrënjët tona. Bashkë me rrënojat e tyre, shuhen edhe vlerat kulturore që ato mbajnë. Kjo është trashëgimia jonë e përbashkët dhe mbi të gjitha gjithçka që na flet për të kaluarën tonë, paraardhësit dhe vlerat tona ndër shekuj. Unë nuk jam me idenë bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprime të tilla dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në rigjallërimin e vlerave dhe identitetit tonë kombëtar.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama