Shija e tradites ne turizmin pogradecar

Shija e tradites ne turizmin pogradecar
Artizanati

Shëtitore "Europa". Nën radhën e flamujve të vendeve të ndryshme dhe poshtë tyre, në asfaltin e shëtitores, janë emra me pllaka artistësh të njohur, njësoj si në Hollivud. Në këtë dekor modern, në të dy anët e shëtitores "Europa" janë vendosur tezga ku gratë pogradecare, dhe jo vetëm ato, kanë ekspozuar punime të larmishme artizanale. Është sezon vere, një periudhë kur qytetin e Pogradecit e vizitojnë mijëra e mijëra të ardhur nga vendi dhe turistë të huaj, dhe duket se në këtë sezon nuk mjafton vetëm ajo që afron natyra me liqenin dhe klimën e saj, por edhe vetë dora e njeriut. Pogradeci e ka fituar një emblemë të mikpritjes së tij ndër vite e vite, por ky virtyt i pogradecarëve, përfshihet në atë që quhet traditë, dhe këtu tradita nuk ka vetëm sofrën e shtruar me të gjitha të mirat. Është pjesë e veprimtarive të sezonit turistik, për të gjallëruar sa më shumë jetën e banorëve dhe të të ardhurve, edhe një ekspozitë e punimeve artizanale, me qëndisma dore, punime të velenxave apo thurjen e shportave, të enëve prej balte, e mandej edhe të paraqitjes së fotografive të vjetra të qytetit.

Pamja në kontrast që të afron një grua e moshuar, e veshur krejt me të zeza, që në dukje e fisme në hijeshinë e saj, para së cilës qëndrojnë të vendosura me kujdes në tezgë punimet e grepit të bardha si dëborë, të tërheq sakaq vëmendjen që të pyesësh për ato punime që ka nxjerrë në panair. Lefteri Sopi, 62 vjeçe nga Çërrava e Pogradecit, ka sjellë në panairin e punimeve artizanale të këtij viti punimet me grep që ajo vetë ka përgatitur së bashku me vajzën e saj, e ndoshta edhe mbesën e vogël. Sepse, siç thotë edhe vetë, punimet në grep i ka të trashëguara që kush e di se kur prej nënës së saj, dhe ajo vetë i ka mësuar mjeshtërinë e tyre edhe vajzës. Ka më shumë se dhjetë vite, që në këtë zanat të saj ka gjetur jo vetëm kënaqësinë e të nxjerrit nga duart të punëve që gjithnjë e më shumë po shfaqen sa më të rralla e të kërkuara, por edhe sepse po shikon leverdinë prej tyre". Kjo punë me grep, të jep kënaqësi për syrin dhe të heq stresin, por edhe pa fitim nuk të le", thotë 62-vjeçarja.

Mësueset e fshatit që përgatisin pajën e martesës, janë tashmë kliente të përhershme për të porositur çentro tavoline të punuara në grep, apo edhe qilima. Por edhe nga Greqia, nuk mungojnë porosi që e nxisin Lefteri Sofin dhe vajzën e saj t’i japin më shumë kohë përgatitjes së porosive. Më tej, në një tavolinë tjetër të panairit, një meso grua më fytyrë disi të rreshkur nga dielli sikur ta kenë lodhur tepër thurjet e shportave, ka renditur mjaftueshëm punime të duarve të saj. Seç shfaq një ngazëllim të veçantë në fytyrën e rrahur nga dielli dhe mundi i punës, dhe nuk ngurron aspak të tregojë me lehtësinë e atij që ka nxjerrë një prodhim me duart e veta se sa kushton një shportë e madhe apo e vogël e thurur me thupra.

Moza, drejtuesja pogradecare e shoqatës së grave artizanale, ka drojën se Margarita Laçka, gruaja thurëse e shportave nuk do të dëshirojë të flasë, por artizania duket se ia ka marrë dorën edhe paraqitjes së punimeve të saj dhe komunikimit me klientët. "Nuk e harroj, që Margarita dy vjet më parë më kërkoi një shumë simbolike parash për të festuar Vitin e Ri. Ja dhashë, por i vura si kusht që këto para do të m’i kthente duke bërë sa më shumë punime artizanale të thurjes së shportave me thupra", tregon Mimoza Shuli. Vetë ajo ka një histori më vete, se e ka filluar biznesin tashmë të suksesshëm duke shitur ëmbëlsira në një dyqan të vogël në Pogradec, dhe tani është pronare e një prej hoteleve më me emër të këtij qyteti. Gjallëria që tregon Mimoza Shuli, nuk është vetëm ajo anë e sigurisë që të krijon një biznes i suksesshëm, por edhe i një gruaje me shpirtin e traditës pogradecare. "I kam stimuluar këto gra që janë sot pjesëmarrëse në panair, të kuptojnë se duhet punuar, e sigurisht që të ruhet një traditë e çmuar për ne", thotë Moza, ndërsa përbri artizanet e thurjes së shportave apo të punimeve në grep e shohin me nderimin që shikohet dikush që ia ka dalë mbanë sakrificave.

Moza thotë se e ka pasur mjaft të vështirë të organizojë këto gra që realizojnë punime artizanale, për të thyer mentalitetin e tregtimit të punimeve të tyre, apo edhe të pjesëmarrjes nëpër panairet e ndryshme.

 "Në fillim dilnin gjithë ngurrim me pak punime në shëtitore apo anës së liqenit të frekuentuar mbrëmjeve nga pushuesit e shumtë, por më pas e vunë re se po shisnin produktet e tyre dhe kërkesat po vinin në rritje. Tani kanë arritur të hapin edhe dyqane, dhe kjo ka sjellë një prurje grash të tjera që i shtohen këtyre artizaneve", thotë Mimoza Shuli. Është detyruar të kryejë jo pak trajnime në këtë drejtim të shoqatës së grave që promovojnë produktet artizanale të zonës së Pogradecit, në mënyrë që ato jo vetëm të thyejnë mentalitetin, por edhe të dinë të çmojnë koston e shitjen e prodhimeve të tyre, dhe për krenari të qytetit, të arrijnë të vendosin edhe një simbol që të identifikohet me Pogradecin. "Keni për të parë, unë do të sjell Shqipërinë këtu me këto prodhime artizanale të grave pogradecare", tregon për ambicien e saj biznesmenia Mimoza Shuli dhe ky besim i vjen nga interesimi në rritje këto dy vitet e fundit për organizimin e këtij panairi në sezonin e verës.

 Nuk e harron dhe flet me mirënjohje që kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi, e ka përkrahur mjaft në këtë iniciativë. Duke u falur të gjitha tatimet këtyre grave që merren me punime artizanale, ato ndihen më të sigurta në këtë aktivitet privat të organizuar në shoqatë. Vetë Mimoza Shuli, falë respektit dhe punës në qytetin e Pogradecit, ka fituar edhe një vend si këshilltare në këshillin bashkiak të qytetit, nami i mirë i të cilit është se të gjitha forcat politike aty merren gjithnjë vesh kur vjen puna për të mirën e Pogradecit. "Tashmë, unë edhe si këshilltare e këshillit bashkiak, do të tregoj më shumë vëmendjen time për gratë e këtij qyteti dhe zhvillimin e tij" jep një premtim Moza, premtim ky që duket i përmbushur kur shikon se është një prej atyre banorëve të nderuar të këtij qyteti me të cilët pogradecarët krenohen.

Vazhdon ende të kërkojë në familjet e vjetra pogradecare për të mbajtur gjallë e ripërtërirë traditat, jo vetëm që biznesi i saj është në hoteleri dhe për këtë i intereson kjo trashëgimi e qytetit dhe zonave pranë tij.  “Mendoj se artizanati është çelësi i zhvillimit të turizmit, dhe unë dua që ta shikoj Pogradecin një Luksemburg të vogël", thotë Mimoza Shuli me vështrimin e hedhur pak më tutje, sikur sheh të realizuar së shpejti këtë ëndërr të saj që tani, me këtë panair të punimeve artizanale në shëtitoren "Europa". Është ende mesditë, dhe nuk janë të pakët vizitorët pranë tezgave me punime artizanale. Në mbrëmje, me siguri qindra e qindra pushues të ndodhur këto ditë në qytetin e liqenit të rrallë, nuk do të lënë pa shijuar edhe artizanatin e grave të urta dhe punëtore të kësaj zone, këtë vlerë ende në zbulim të traditës pogradecare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama