Shifrat e pacienteve te prekur nga ndotja e mjedisit jane shqetesuese

Shifrat e pacienteve te prekur nga ndotja e mjedisit jane shqetesuese

Ndotja e mjedisit ngelet ende një problem shqetësues për Shqipërinë. Numri i pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e shkaktuara nga faktorët mjedisorë janë gjithmonë e në rritje. Grupmoshat më të prekura janë personat mbi 40-vjeç të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme në organin e mushkërisë. Në një intervistë që u zhvillua për gazetën “Shekulli” në mjediset e qendrës spitalore “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet me doktoreshën Sivana Bala, u përpoqëm të marrim të dhëna si për sa i përket ndotjes së mjedisit si shkaktar i sëmundjeve respiratore deri te mënyrat mbrojtëse apo trajtuese kundrejt sëmundjeve të kësaj natyre.

Si ndikon ndotja e mjedisit në shëndetin tonë?

Së pari, vlen të themi se ndotjet e mjedisit duhet të ndahen: në ndotje të mjedisit të jashtëm, me atë që ne të gjithë nënkuptojmë, ajrin e ndotur në atmosferën ku ne jetojmë, dhe ndotjet e brendshme të mjedisit të punës. Këto të fundit kanë më tepër dëmtim në rrugët e frymëmarrjes në mushkërinë e një individi. Personat që punojnë me orar të zgjatur dhe që punojnë përditë në mjedise ndotëse vuajnë nga sëmundje të ndryshme në mushkëri.

Elementet ndotëse mund të jenë grimca të vogla që futen dhe vendosen në rrugët e vogla ajrore dhe në areolat e mushkërisë, por mund të jenë edhe gazra, kimikate, të cilat bashkë me grimcat e pluhurit dëmtojnë pjesën e aparatit respirator të punonjësit që punon në mjedis të ndotur. Për sa i përket ndotjes së mjedisit të jashtëm janë disa lloje ndotësish. Si ndotës kryesor do të përmendim gazin, i cili çlirohet nga djegia jo e plotë e karburanteve të cilësisë së dobët, nga përdorimi i makinave të vjetra që nuk e djegin mirë karburantin ose nga grimcat e pluhurit që, në pjesën më të madhe, shfaqen në zonat ku trafiku është më i madh ose zonat ku ka ndërtime të shumta dhe ku ka punime të gërryerjes së dheut apo në zonat ku ka përpunim plehrash.

Problematikat që sjell ndotja e mjedisit?

Me ndotjen e mjedisit shfaqen sëmundjet më të zakonshme, siç mund të jenë: astma bronkiale, bronkiti, fillimisht akut irritativ, i cili me përsëritjen e tij të njëpasnjëshme mund të kthehet në një sëmundje invalidizuese, që përsëritet si bronkiti kronik. Edhe më tepër kur ky bronkit kronik shpërfillet, përsëritet dhe nuk merren masa, kthehet në sëmundje shqetësuese, i cili ka një kosto shumë të lartë për pacientin që pastaj vuan nga sëmundja që ne e quajmë sëmundja pulmonare obstruktive kronike.

Lufta jonë si mjekë është që këta pacientë t’i diagnostifikojmë herët, që në hapat e parë të sëmundjes së tyre. Pra, ashtu siç duhet, të mbikëqyren në mënyrë të vazhdueshme pluhurat dhe ndotjet në qytetin tonë, duhet të maten edhe ndotjet e mjediseve ku punojnë individët. Pra, kujdesi që duhet t’u kushtojnë strukturat ligjvënëse dhe shëndetësia janë për të diagnostifikuar apo parandaluar fillimisht këto sëmundje që çojnë në invalidizimin e pacientëve.

Fushatat tona ndërgjegjësuese, kujdesi ynë shëndetësor është që ne të parandalojmë krijimin e një sëmundjeje kronike e pastaj mjekimin e sëmundjeve nga këta ndotës. Kujdesi duhet të përqendrohet në kontrollin që i duhet bërë cilësisë së karburantit dhe kolaudimit të makinave që përdorin individët. Kujdesi tjetër është te mbikëqyrja që u duhet bërë punonjësve që punojnë në mjedise të ndotura siç janë, për shembull, punonjësit në një industri metalurgjike, punonjësit në industrinë fasone të rrobaqepësisë, të cilët çdo ditë thithin një sasi të madhe pluhuri pambuku apo kimikate të ndryshme.

Megjithëse në kushtet e Shqipërisë, që tashmë është në ndërtim, janë plotësisht të pashmangshme këto ndotje. Do të shtoja ndër sëmundjet e shkaktuara nga mjedisi i ndotur edhe kancerin e mushkërive si sëmundje shqetësuese dhe e rrezikshme, e cila është në rritje, sepse faktorët ndotës dhe pirja e duhanit janë rritur shumë, duke qenë se këta janë faktorët kryesorë që shkaktojnë këtë sëmundje. Po kështu, presim që pacientët e diagnostifikuar me këtë sëmundje të rriten, sepse konsumi i duhanit tre dhjetëvjeçarët e fundit është rritur ndjeshëm si nga femrat, ashtu edhe meshkujt. Puna jonë është që të kapet dhe të trajtohet sa më herët duke qenë se kemi në dispozicion edhe aparatura të specifikuara.

Përgjithësisht pacientët tuaj vuajnë nga sëmundje që u janë shkaktuar nga ndotja e ajrit apo edhe nga faktorë të tjerë?

Ndotja e ajrit është një nga pikat kyçe që i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe për faktin se është i përcaktueshëm lehtësisht. Por nuk duhet harruar një faktor shumë i rëndësishëm dhe i madh që është po kaq i rrezikshëm sa ndotja e ajrit, i cili është pluhuri i duhanit. Mjediset në të cilat pihet duhan, janë shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Ajri i këtyre mjediseve në të cilat qëndrojnë popullata njerëzish janë shumë të rrezikshme për faktin se ka të njëjtin ndikim dëmtues për fillimin dhe zhvillimin e sëmundjeve respiratore.

Vlen të theksohet që faktorët ndotës, kur bashkohen në organizmin e njeriut, shfaqin sëmundje të menjëhershme që vendosen dhe zhvillohen me intensitet më të lartë. Në qendrën spitalore fluksin më të madh të shtrimeve e bëjnë të sëmurët që e kanë sëmundjen kronike. Një episod të bronkitit akut e trajton një mjek i familjes sot. Kur ky bronkit riaktivizohet dhe bëhet shkak i një sëmundjeje kronike, pacienti vjen këtu. Në këtë spital shtrohen rreth 1 000 pacientë në vit. Po kështu, në repartin e shtrimit ka me dhjetëra pacientë që paraqiten për t’u rivlerësuar dhe vendoset terapia. Shifrat paraqiten shqetësuese.

Spitali, shtëpia e dytë

Gjatë një vëzhgimi në mjediset e spitalit të  sanatoriumit të qytetit të Tiranës vumë re  një dyndje pacientësh nga e gjithë Shqipëria.  Prej kësaj qendre spitalore ne mundëm të  bisedojmë me një prej pacientëve, Telha  Rakipllari, një 75-vjeçar nga zona e Korçës.  Prej dy vjetësh pacienti vuan nga sëmundja  e quajtur spok (sëmundja pulmonare obstruktive  kronike) dhe për këtë pacient spitali  është bërë si një shtëpi e dytë. “Këtu  kam pesë herë që vij, tani kam shtatë ditë  që kam ardhur. Sëmundja ime ka filluar që  në vitin 1955 si një ftohje e zakonshme. Po  kështu kam pirë shumë duhan dhe kam punuar  në vende me ndotje”, rrëfen ai. Rakipllari  është shumë i kënaqur nga shërbimi i stafit  mjekësor, por mungesa e ilaçeve është problem  edhe për të. “Një pjesë të ilaçeve i blej  në farmaci”, tha i moshuari.

Zonat më të ndotura

Qyteti i Elbasanit mbetet shqetësues për numrin e lartë të pacientëve. Elbasani cilësohet si qyteti me ndotje më të lartë që sjell edhe një numër të madh kontingjentesh sëmundjesh. Arsyeja kryesore është Metalurgjiku. Grupmoshat më të prekura janë ato mbi moshën 40 vjeç, për faktin se shfaqet një sëmundje invalidizuese, siç është spoku (sëmundja pulmonare obstruktive kronike). Që një pacient të vuajë nga një sëmundje e tillë apo edhe sëmundje të tjera shqetësuese në rrugët e frymëmarrjes, duhet, së paku, që pacienti të kalojë mbi 15 vite me probleme shëndetësore në këto rrugë. Ndërsa për sëmundjet më të lehta si ato me një hiperaktivitet bronkial, për pacientët duhet një kohë më e shkurtër.

Problematikat e stinës së verës

Lëkundjet e temperaturave, të larta në drekë dhe të ulëta në darkë, çojnë në parregullsi të sëmundjeve të pacientëve për faktin se mund të fillojë një si treg viral i sëmundjeve respiratore, si një virozë. Nëse nuk vlerësohet dhe diagnostifikohet në kohë sëmundja, ajo mund të kthehet në një sëmundje shqetësuese. Temperaturat e larta, konvertimi i lartë i pluhurave dhe ajri jo i pastër bëjnë që pacientët që vuajnë me astmë të hasin probleme. Pacientët, të diagnostifikuar me astmë, duhet të kenë shumë kujdes në këtë stinë, këshillon mjekja.

Ndërgjegjësimi i shoqërisë

Mjekja këshillon gjithashtu për një rritje të vëmendjes së kujtdo: individ dhe shtet. Duke qenë se niveli i ndotjes në vendin tonë është i lartë, pikërisht për këtë shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen për ta përmirësuar këtë gjendje. Qeveria shqiptare, po ashtu, duhet të ketë në mbikëqyrje kontrollin e cilësisë së ajrit në mjediset e ndotura, kurse individët që punojnë në to duhet të përdorin maska dhe të kryejnë kontrolle te mjeku. Për më tepër, vetë individi e ka në dorë të zgjedhë se çfarë makine përdor, ndonëse ajo këshillon biçikletën përballë makinës, ajrin e pastër në vend të atij të mjediseve të mbyllura dhe të ndotura, duke mos harruar ndalimin e pirjes së duhanit si armik i organizmit, sidomos për gratë, të cilat kanë edhe përgjegjësinë e procesit të riprodhimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama