Shfaqet videoja e regjistruar ne shtepi Prifti dhe Beqiraj ndajne 70 mije euro (FOTO)

Shfaqet videoja e regjistruar ne shtepi, Prifti dhe Beqiraj ndajne 70 mije euro (FOTO)
Spartak Braho shfaq 15 minuta imazhe. Nuk dëgjohet zëri

Në emisionin “Opinion”. Prifti e Beqiraj: Është marrëdhënie private. Braho: Tani janë me PS

Janë shfaqur dje për herë të parë në publik imazhet e videos mes Dritan Priftit dhe ish-zëvendës-ministrit të tij, Leonard Beqiraj. Në emisionin “Opinion” në TV Klan të gazetarit Blendi Fevziu, sekretari Ligjor i LSI-së dhe avokat i Ilir Metës shfaqi një pjesë të videos 45-minutëshe që disponon edhe Prokuroria, ku tregohet ish-ministri i METE-s, Dritan Prifti, me zv.ministrin, Leonard Beqiraj, duke ndarë euro. Imazhet prej 10 minutash, i shoqëron tik-taku i orës së përgjimit. Zëri nuk ka cilësi të mirë, por duket qartë sasia e madhe e parave në bankënota eurosh. Sipas Prokurorisë, shuma e ndarë mes dy personave është 70 mijë euro

Pak momente përpara transmetimit të këtyre pamjeve, Spartak Braho ofroi edhe dy klipe të shkurtra. Në njërin prej tyre dukej Dritan Prifti duke montuar aparaturën e përgjimit në shtëpinë e tij, në pritje të zotit Beqiraj, ndërsa në tjetrën ish-ministri në zyrën e tij, i shtrirë në kolltuk. Pranë tij dukeshin imazhet e një persoini tjetër të ulur në gjunjë, por me fytyrë të mbuluar.

Spartak Braho u shpreh dje se “burimi i kësaj videoje është Dritan Prifti, i cili, ashtu siç i prodhon, ashtu dhe i le sa andej-këndej. Dritan Prifti jo vetëm ka mashtruar Prokurorinë, por ka mashtruar edhe Kuvendin e Shqipërisë, pasi Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të zotit Meta me fakte që nuk ekzistojnë”. Duke transkriptuar disa momente të videos, dialogu i së cilës nuk dëgjohej qartë, Braho tha se janë të njëjtat mjete përgjimi si me videon Meta-Prifti.

“Këtë material Prokuroria e ka zbardhur, dhe një pjesë e këtij materiali ka qenë pjesë e dosjes hetimore të zotit Meta”. Sekretari i LSI-së, avokat i Ilir Metës, e akuzoi kreun e PS-së, Edi Ramën, se ka përdorur Dritan Priftin për të dëmtuar LSI-në dhe qeverinë. “Ne kërkuam nga Prokuroria që ky person të thirrej si dëshmitar. Prokuroria nuk e lejoi dhe nuk e di pse Prokuroria u tërhoq. Ajo që më bëri të dyshoj është se këta dy persona e kanë një marrëveshje, e cila konkretizohet me një aferë korruptive dhe që më pas kanë vrapuar te PS-ja. Çfarë rezulton në muajin tetor të 2011-s? Ky person, bashkë me Dritan Priftin, Gramoz Ruçin dhe Tom Doshin kanë udhëtuar të katërt për në Gjermani, në një aktivitet në prag të kongresit të tyre. Kjo katërshe është konsoliduar në PS, pasi u është premtuar që njëri do të ishte në listën e deputetëve të Vlorës dhe tjetri në listën e deputetëve të Fierit. Të tëra këto që thashë i kam në çantë, të filmuara dhe të incizuara. Këto premtime i ka incizuar Dritan Prifti dhe ndodhen në këtë çantë”, u shpreh Braho.

Reagimet

Gjatë ndjekjes së videos, ku shfaqej ish-ministri i METE-s, Dritan Prifti dhe zv.ministri i METE-s, Leonard Beqiraj, të dy personat reaguan me mesazhe drejtuar moderatorit të emisionit, Blendi Fevziu. “Do të ishte mirë të jepej me zë kjo video, sepse dëgjohet mirë dhe dikush ia ka ulur zërin me qëllim. Videoja e plotë është 45 minuta. E kam regjistruar unë dhe të garantoj që s’ka asnjë sekondë korrupsion. Marrëdhënia është private, s’ka asnjë lidhje me detyrën shtetërore. Do doja shumë të isha dhe unë në studio për të sqaruar gjërat. Prokuroria po heton prej 13 muajsh. Spartaku tha që janë pyetur 400 persona, më shumë se për tragjedinë e Gërdecit. Unë kam dhënë pëlqimin tim për shtyrjet e hetimeve sa herë është kërkuar. Siç e dini, Gjykata e Lartë, videon që ju treguat e ka shpallur që nuk ekziston, sepse është siguruar në mënyrë të jashtëligjshme. Pavarësisht se Gjykata e ka shpallur zero këtë video, unë nuk kam kërkuar ndalimin e hetimeve, sepse dua të dalë e vërteta. Transmetimi i videos ka shkelur sekretin e hetimit, megjithatë bëtë mirë, se më liruat nga një akuzë publikisht”, shprehet Prifti në SMS-në e tij.

Pas ish-ministrit, edhe Beqiraj dërgoi në studio një SMS, ku sqaron pozicionin e tij në video dhe pse fytyra e tij ishte mbuluar për shkaqe etike dhe hetimi në video. Vetë Beqiraj pranoi se ishte pjesë e videos. “Jam Leonard Beqiri. Për respekt të hetimit unë nuk jam prononcuar, por ju duhet ta dini se kjo është një çështje private që s’ka të bëjë me detyrën time, dhe aq më tepër është në ambient privat. Zoti Braho gënjen për këtë dhe unë do të kem mundësinë të shprehem për gjithçka. Zoti Braho nuk thotë që unë jam anëtar i Partisë Socialdemokrate gjermane dhe anëtar i Kryesisë së rajonit ku banoj”, shprehej Beqiraj në SMS-në e tij. Edhe pse u ftua nga Fevziu që të bëhej pjesë e panelit të të ftuarve, Leonard Beqiraj njoftoi përsëri me SMS se nuk ishte i disponueshëm në ato momente. Nga ana e tij, Braho premtoi se të gjitha videot që disponon dhe implikon shumë persona do t’i dërgohen Drejtësisë.

Videot e regjistruara nga Prifti

Spartak Braho tha dje në studio se “prodhuesi është shumë produktiv, janë 187 orë përgjime dhe filmime, me 200 personazhe, me deputetë, kryetarë partish, gazetarë, biznesmenë”. “Zoti Prifti, si prodhues, i ka dorëzuar një pjesë të këtyre videove dhe një pjesë e ka lënë rrugëve, sa andej-këndej dhe në këtë moment janë në dorën time. Në kohën dhe vendin e duhur do t’i bëhen të njohura organeve përkatëse. I disponoj jo më shumë se prej dy javësh këto video. Këto video dëshmojnë se zoti Prifti i ka bërë presion edhe Prokurorisë, edhe Gjykatës”, u shpreh Braho.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama