Shengjini Na akuzojne per plehrat sepse duan te na prishin turizmin

Shengjini: Na akuzojne per plehrat sepse duan te na prishin turizmin
Punonjës të komunës së Shëngjinit kanë dalë në aksion. Të veshur si për zyrë, tash u duhet të ulin kryet dhe të heqin mbeturinat e shumta mbetur në rërë. Do i nxjerrin sërish çdo fundjavë, deri sa të fillojë sezoni për të mbledhë hedhurinat e ndryshme në plazh. Apeli i Agjencisë Rajonale të Mjedisit për plehrat në Shëngjin i ka bërë punonjësit e Bashkisë të justifikohen me faktin se është thjesht presion i plazheve të tjera! Po cilët janë vallë? Për këtë ngrenë supet të gjithë! Sa për pushuesit, ata janë mësuar dhe pak u bën përshtypje...

Për të shkuar drejt qendrës së Shëngjinit, ju duhet të merrni anën e majtë të rrugës nacionale, që ngushtohet pak para Lezhës. Nga tutje shfaqen rezervat e mëdha dhe jo shumë larg, lartëson betoni i frikshëm i Shëngjinit. Historia mbaron këtu. Plazhi i Shëngjinit është një mal betoni, poshtë malit të Rencit, që i bën pritë erës së mrekullueshme të detit. Por, jo pisllëqeve, më shton miku im me të cilin udhëtojmë. Ka numëruar në fillim të viteve ’90 afro 3 mijë banorë, por tash ka shkuar deri më 7.300 banorë. Në verë? E kush i ka numëruar. Mbase dy herë më shumë. Dhe, nuk e mëdyshon këtë fakt, kur shikon ndërtesat që janë ngulur cikazi njëra pas tjetrës. Sezoni pritet të jetë nga 15 maj deri më 15 shtator, por me sa duket do shtyhet fare pak, në mënyrë që Bashkia, të mbarojë deri më 1 Qershor, projektin e premtuar për shëtitoren. Mu, poshtë pallateve, nga ana e detit, disa fadroma me makina të rënda janë mbledhur bashkë dhe prodhojnë një zhurmë të paparë.

Ky është prezantimi ynë në ditën e fundit të Prillit 2013. Parkojmë. Rruga, ende e pambaruar, Tiranë- Lezhë-Shkodër e ka bërë segmentin deri në Shëngjin që ta përshkruash për një orë e gjysmë me makinë. Deti valëzon i qetë, kurse dielli sa ka filluar dialogun e të fortit. 200 metra më tutje, një burrë 60 vjeçar, ish-gjeolog, po fut një çadër në tokë. Mëshon me gjithë trupin. Gërmon rërën e zezë dhe merret me një dru të zgërbuar. “A po e fotografon dhe këtë, aaa?” A do ndihmë?-ia pres. “Jo, e bëj vet”. Nuk e kthen fare kokën. Barku i kërcyer e pengon burrin ardhur nga Tirana, ta ngulë shpejt. Ca më shuam dhe sytë e mi që tash e këqyr i ulur. Pis, pak? “Jo fare aspak. Kështu janë gjithë vendet. Nuk ka filluar ende plazhi. Por këtu është bash plazhi më i pastër”. Rri brinjazi. Më tregon profesionin, se është nga Mirdita, se është pensionist etj. Dhe pisllëku?-i përsëris dhe ia tregoj. Janë disa të rinj, që po pastrojnë andej, më ndërpret në telefon miku im nga një klub, ku gjerb qetazi kafen e vet në hije. “Ku ka plehra këtu?”-ma pret.

Plehrat, në fakt, janë kudo. Shishe plastike, kanaçe, qesurina, shapka, lloj-lloj gjërash që të duhet t’i identifikosh pak. Po këto? “Këto? Janë fare të zakonshme. Po pse doni me gjet me pa kusur plehra. Nuk janë plehra”. E ndërkohë, i bie me këmbë një sheshe afër. Burri del se është një vëzhgues i hollë. Bisedojmë. Është krenar për atë që është bërë dhe në fund ma pret me cinizëm: Po jetohet ende me ato që brezi im, në atë kohë, i la për të tjerët. Këto firmat tani vetëm sa vjedhin e vjedhin dhe shfrytëzojnë kafshërisht.

Plazhi

Pak metra më tutje, dy gra kanë filluar të zhvishen dhe na këqyrin nga larg. Vështrimi më mbetet shpesh andej dhe jam në mëdyshje të shkoj apo jo, që t’u marrë një mendim. Njëra fërkon barkun dhe hedh vështrime diku larg, kurse tjetra shullohet në diell. Pas meje dhe burrit, puna intensifikohet. Të paktën nga zhurma. 250 metra më tutje punohet me ngulm që të mbarohet shëtitorja Shëngjin- Kune, që shkon gati 5.3 kilometra e që ka vlejtur 4.2 milion USD. Është pak e vështirë, që të sqarohesh më me burrin, që e bën këtë vend model pastërtie. Pak vite më parë, bagëtia këtu gjendej të gjithë ditën e lume plazhit, ndërsa plazhistët laheshin pak më andej. Më të fortët parkonin buzë detit. Me burrin ndahemi, kurse ai fillon e bën disa lëvizje sportive. E lë. Vështrimin ma kap një grua e veshur me kostumin tradicional të Lezhës. Shtrirë nën një ombrellë të vjetër, me trupin kthyer detit dhe pak pas-këmbët e zbuluara. 100 metra më andej. I afrohem. A je mirë? “Aaaa!”. A je mirë? “Ç’ka po t’duhet ty? Është mirë këtu? “Boll mirë. Boll pastër. Jena rehat. Aaaa?”. Këtë pasthirmën se kuptoj, por vështrimin e saj armiqësor po. Është e rrethuar nga plehra, por për atë është mirë. Ka një të drejtë: rëra e Shëngjinit është e pastër në përbërje dhe gati duket si e virgjër. Gruaja i nxjerr edhe pak pas-këmbët dhe më shikon ndonjëherë pak skiç, me një vështrim që do të thotë qartë: Më çave...E cys ende. A ka qenë ndonjëherë më pastër? “Po ç’ka po t’duhet. T’tana i kemi. Jena boll mirë”. Më afër portit, një grup njerëzish, përhapur si në formë luftimi, po pastrojnë. Burrat rrinë. Gratë mbledhin pisllëqet.
 
Intermexo

Shëngjini ka një histori të gjatë krijimi, pasi është themeluar dikur në Antikitet me emrin Nymfeum dhe pak a shumë mendohet po aq i vjetër sa edhe Lissusi. Ky mol i vogël në kohët  antike, në mos gaboj, aty nga viti 48 para Krishtit u përdor nga Mark Antoni. I famshmi, pas shumë peripecish, zbarkoi për t’i ardhur në ndihmë vetë Jul Çezarit, i cili po priste që të përballej me Pompeun. Në Mesjetë, ky vend vjen në kronikat e vendeve sidomos të Gadishullit Italik me emrin San Giovanni di Medua. Por, edhe atëherë, ky mol i vogël e kish një problem të madh dhe ai lidhej me zgjerimin e kënetave që e rrethonin dhe që nuk e bënin shumë komod shfrytëzimin. Anipse, si port, shërbente edhe si pikë transporti për mallrat që grumbulloheshin prej malësorëve dhe që përhapeshin pastaj ngado. Berisha e prezantoi shumë këtë vend, si portin që do t’i shërbente në të ardhmen kosovarëve. S’u bë i tillë. Të paktën deri më tani. Me pak fjalë, aq sa luan Mali i Rencit aq do mund të besohen fjalët e politikanëve në Shqipëri, që ikin dhe shkojnë me përrala të pafund...
 
Ndotja dhe konkurrenca

Grupi që pastron e ka ulur pak punën, aty nga ora 11.00. Ndotja që është normale në këtë kohë në të gjitha hapësirat tona të plazheve, alarmoi Agjencinë Rajonale të Mjedisit (ARM), që është shprehur se ndotja e lartë mjedisore po i largon turistët nga ky vend! Në fakt, ata janë me gishta, në këtë ditë të nxehtë. E jo vetëm se plazhet janë plot plehra. Mjedisorët kanë qenë të pamëshirshëm, disi. Inspektimi i plazheve ka nxjerrë raportin, sipas të cilave, dy zonat e plazhit të Lezhës janë kthyer si pika mbetjesh urbane. Institucioni i ka kërkuar menjëherë Komunës Shëngjin dhe asaj të Shënkollit që të merrnin të gjitha masat e mundura për largimin e mbetjeve të diktuara nga vija bregdetare. Në media, madje kanë thënë se do t’i përballin me gjoba.

Kurse autoriteti i këtij institucioni  në Lezhë ka deklaruar në shtyp se do të bëjë të mundur ngritjen e grupeve të punës, që do të bashkëpunojnë me njësitë vendore për të pastruar vijën bregdetare. Lajmi bënte fjalë se do të kishte dhe një monitorim të vazhdueshëm për sa i përkiste plehrave dhe më shumë akoma moshedhjes së mbeturinave në këto zona! Autoritetet e komunës, edhe pse ma mohojnë, kanë filluar menjëherë punët. Duket se ka djegur boll. Dhe, këtë fillimisht po e bëjnë me punonjësit e tyre. Agustin Gjini, shef në komunë dhe nënkryetari Kanto Ndoji, bëhen menjëherë, kur u thonë se dikush po fotografon. Agustini është shumë dyshues dhe më bën një rikonjicion të plotë, por edhe më pyet gjerësisht. E qetësoj. I them se të gjithë bregdetet tona janë të tilla. Ish-gazetar lokal i ‘Koha Jonë” në mes vitet ‘90 më tregon të gjithë masat e marra.

Në fakt, e kanë lajmëruar vartësit, që tashmë kanë ndërprerë punën dhe janë mbledhur të gjithë në kafe. Kanto është më autoritar dhe përsërit gjërat që Agustini m’i thotë qartë: që nga aksioni i komunës dhe deri në investimet që po bëhen për shëtitoret. Nëse do t’i dëgjosh ata, atëherë ky është vendi më i pastër në botë!!! Megjithatë, e mbajnë një dyshim. Po kush i fryn atëherë?-i pyes. Heshtje. I pyes për banjat publike, japin një përgjigje të amullt, por kanë ku të lirohen, pasi Shëngjini është mbjellë me klube pafund, ngado që të hedhësh sytë. Pas pak minutash, kur gjërat duken se lirohen krejt, atëherë, Agustini e ka një përgjigje për zhurmën e papastërtisë: Janë qytetet e tjera që po e bëjnë këtë.

Nuk janë asfare më pastër qytetet e tjera. Por, fakti është se po bëhet një luftë që nuk e marrim vesh se nga vjen. Po kush vallë e bën?-e pyes. “Kanë shumë zili qytetet e tjera, më thotë një mik i tij. Dhe, fakti është se Shëngjini po thith gjithmonë e më shumë njerëz, ndaj nuk u vjen shumë mirë qyteteve të tjera. Akoma se dimë qartë, por bëhet nga qytetet e tjera”. Paradoks. Nuk e di pse kam një ndjesi të mirë. Që të ketë në kaosin shqiptar lëvizje të tilla, veç keqardhjes ke vërtetë dhe një sens të mirë. Vallë ka ardhur dita që shqiptarët të mendojnë të punojnë kaq afatgjatë, pra qytetet “të prishin” punë për njëri-tjetrin? Nuk gjej, madje edhe pse prof. Fuga e shtjellon në një nga temat e tij, tek libri “Rrethimi qytetit”, këtë lidhje, por në një aspekt tjetër. Pushteti dhe territori dhe në vëzhgimet më moderne të urbanistikës, të sociologjisë, të filozofisë dhe të shkencave politike, janë dy anë të një ekuacioni të vështirë, e megjithatë mbeten gjithmonë të pandashme prej njëri-tjetrit...Por, pushteti tek ne vetëm ankohet.

Dhe mënyra sesi paraqesin problematikën si duhet, të bën të shqetësohesh. Megjithatë, për hir të së vërteës, mbeturinat nuk janë aq të frikshme si vite më parë, ku mbeturinave u shtohej dhe një fjalë ngushëlluese nga pas: “Jo bre boll është”. Nuk është pisët?-kam pyetur një çift më parë. “Po është. Po ne vimë për Shqipninë, më thotë familja nga Dibra e Madhe që është në emigracion në Gjermani. “Duhet të ishte më pastër dhe çmimet të ishin më të arsyeshme, por boll e duam dhe na pëlqen. Flasim shqip”. Çifti më bën vëzhgime të holla dhe tregojnë se kanë shumë sens. Si ju duket, autoriteti lokal dhe a ju pëlqen mënyra sesi e shfrytëzojnë territorin këtu? Dua një mendim të paanshëm. “Ka gjëra që nuk shkojnë.

Këto pallatet i zënë frymën çdo gjëje. Ndërto e ndërto. Por edhe rëra mund të mbahej më mirë...”. Sërish në ndihmë na vjen Fuga me studimin e vet. “Mund të thuhet se dëmtime serioze dhe disi të pakthyeshme ka pësuar peizazhi i plazheve tona si faktor sa estetik po aq edhe ekonomik. Ngucja e pallateve me shumë kate krejt ngjitur me njëri-tjetrin ua ka fshehur banorëve në shumë raste diellin dhe pamjen e detit që janë vlera të papërsëritshme të zonave bregdetare. Po kështu, ndërtimet frenetike jashtë çdo kapaciteti kanalizues të ujërave të zeza apo të bardha, derdhja e tyre në gropa septike apo edhe drejt e në det në disa pika të vijës bregdetare, ka dëmtuar rëndë cilësinë e pastërtisë së detit dhe të rërës”, shkruan në librin e tij profesori i Sociologjisë.
 
E ardhmja

Kuptohet se kjo nuk hera e parë që plazhet në zonën e Lezhës përballen me situata të tilla, por siç duket edhe pse çdo vit bëhen fushata sensibilizimi, mungojnë ndryshimet konkrete. Plehrat janë përhapur kudo dhe disa duken prej kohësh të patrazuara në këto plazhe, pa lënë mënjanë edhe zonat e Kunes dhe Vainit. Plastika, shishe, shapka, mbeturina lodrash, letra, qese, gjithçka që mund të shkojë ndërmend, janë aty, por kuptohet jo aq  frikshëm sa ç’mund të shihej më parë. Dhe, këto më vinë ndërmend, ne ndryshimet e këtij vendi në vitet e fundit. A do përballen sërish pushuesit edhe në këtë vit, me atë që ka ndodhur në vitet e tjera, ku kafshët shtëpiake bënin shëtitje të gjata përgjatë vijës bregdetare, e në fund kullosnin në pirgjet e plehrave? E të mos harrojmë se shumë nga mbeturinat vinë dhe përmes derdhjet e lumenjve Drin dhe Mat në det, duke shtuar dozën e ndotjes, që pastaj mbetet në këtë plazh. Agustini dhe Kanto janë të bindur dhe madje më ftojnë në1 Qershor, kur të inaugurohet shëtitorja dhe të hapet sezoni gjithçka do jetë gati, kurse pritet që numri i pushuesve të rritet në krahasim me vitet e tjera.
...
Këto mendoj, ndërsa po mendoj të largohem në një tjetër vend në kënetë. Janë shtuar pushuesit në rërën e zezë, ndërsa njerëzit e komunës duken të kënaqur që më kanë hequr qafe. Kthehem edhe njëherë në rërë. Gruaja e vjetër nuk është zhveshur, por ka zbuluar dhe pak fare më shumë kërciun, kurse çifti maqedon prehet i qetë. Duket sikur po flenë për fare të dashuruar me Shëngjinin natyral. ‘Gjeologu’ vazhdon dhe bën vrapime të stërgjata dhe afrohet të dëgjoj se çfarë po flas me disa të rinj. E përshëndes. Iki. Është prag-sezoni i vitit 2013.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama